Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Kush po e vret mendimin shqiptar? Empty Kush po e vret mendimin shqiptar?

Fri 8 Oct 2010 - 23:56
Nga Ndriçim Kulla
Z. kryeministër!

Gjatë një periudhe 15-vjeçare si botues dhe studiues, kam patur mundësinë e njohjes së mendimit të ndaluar shqiptar. Përmes një procesi mjaft të gjatë njohjeje, duke qenë se, përveçse botues, kam qenë dhe lexuesi i parë, kuptova përmasën sasiore dhe cilësore të kësaj literature, e cila më dha ndjeshmërinë intelektuale mbi mungesën e tij në ambientin shoqëror shqiptar.

Por ajo që bën më shumë përshtypje, është se po ajo indiferencë dhe keqdashësi e viteve të komunizmit mbi këtë pasuri kaq të rëndësishme kombëtare, e shfaqur nga akademikët dhe pedagogët tanë të shumtë nëpër universitete vijon edhe sot. Më vjen keq të dëshmoj paaftësinë e tyre të gjatë në këtë fushë. Nga ana tjetër, nuk mund të mos habitem për mosangazhimin e një numri të madh institutesh apo drejtorish pedagogjike, me një armatë të tërë specialistësh, në detyrimin e zgjidhjes së këtij problemi. Si vallë, një fluks kaq i madh botimesh që përbëjnë mbi gjysmën e trashëgimisë sonë mendore t’i lëmë mënjanë pa i përdorur në shkollë?!

Si rezultat i një pune sistematike përgatitëse (kërkuese dhe seleksionuese), është arritur të botohet një kolanë e madhe me mendimtarë të rëndësishëm; si Branko Merxhani, Mehdi Frashëri, Mit’hat Frashëri, Anton Harapi, Zef Valentini, Vangjel Koça, Tajar Zavalani, Krist Maloki, Stavro Skëndi, Dom Ndoc Nikaj, Jorgji Meksi, Ambroz Malaska, Ismet Toto, Eqerem bej Vlora, Gjergj Fishta, Faik Konica , Fan Noli, Mustafa Kruja etj., etj., etj. Madje, për shkak të aktualitetit që kanë vlerat e këtij mendimi, ka filluar të ketë një ndikim të rëndësishëm te shumë njerëz që i përkasin shtresës intelektuale.

Shembulli tipik i Branko Merxhanit, Anton Harapit, Zef Valentinit, Mit’hat Frashërit, Mehdi Frashërit etj, tregon se ne e kemi përdorur filozofinë, psikologjinë dhe sociologjinë në mënyrë krijuese, duke krijuar mendimin tonë karakteristik në këto fusha. Mirëpo, dihet nga të gjithë se pasojat e tmerrshme të qëndrimit politik ndaj mendimit të lirë shqiptar, kanë bërë që ky mendim të mos njihet nga brezat e sotëm.

Por, ne, nuk jemi kurrsesi vend tribush, siç mundohen të na paraqesin të gjithë ata që nuk na njohin mirë, por jemi një komb me konceptet dhe filozofinë tonë karakteristike kombëtare, me mendimtarët dhe dijetarët tanë, të cilët, kur konceptuan shtetin e ardhshëm shqiptar, sytë i hodhën vetëm drejt Evropës dhe modeleve të përparuara të Perëndimit. Këtë është e rëndësishme ta dimë mirë dhe ta kemi gjithmonë në mendje, të gjithë ne dhe pasardhësit tanë.

Është e pafalshme që kjo literaturë, për shkaqe politike të njohura nga të gjithë, nuk njihet nga brezat e sotëm dhe mua më ndodh shpesh, si botues i një pjese të rëndësishme të këtij mendimi, të më pyesin se cilët janë Mit’hat Frashëri, Branko Merxhani, Zef Valentini, Vangjel Koça, Tajar Zavalani etj.

Kjo është trashëgimia jonë mendore, e cila duhej të programohej me urgjencë për t’u njohur në mënyrë të organizuar në procesin e mësimdhënies, ashtu siç janë të programuara edhe letërsia, dhe historia jonë. Tashmë, ky është një problem që ne e kemi, i cili, edhe pse nuk provokon së jashtmi krizë, e mban krizën tonë kulturore dhe shpirtërore brenda në paditurinë tonë kombëtare. Prandaj mbetet një projekt që duhet bërë pa u zvarritur dhe në mënyrë të qartë. Brezat e sotëm dhe të ardhshëm duhet të vihen në lidhje dhe ta njohin këtë literaturë, ashtu siç njohin edhe literaturën e letërsisë dhe historisë, e cila në dallim të dukshëm nga kjo literaturë është e programuar në mësimdhënie, duke i ponderuar orë të shumta. Kjo mbetet një mungesë serioze në procesin e mësimdhënies së shkollës sonë, edhe sepse tërë ato dije që po na vijnë nga kultura botërore, nuk mund të përvetësohen si duhet pa u shartuar me mendimin shqiptar. Por ka qartësisht një prirje për ta anashkaluar këtë literaturë, tashmë që ajo është formësuar në libra të veçantë e në antologji, siç ka një mungesë të qartë vullneti nga institucionet shtetërore si p.sh., Ministria e Kulturës, për të bërë detyrën institucionale në investimin dhe botimin e atyre rezervave ende të pabotuara dhe që e meritojnë këtë.

Unë isha nga ata njerëz që kisha shpresa, se forca politike e drejtuar nga ju, do t’i trajtonte me më shumë respekt këto dije shumë të çmuara, me vlera aktuale. Por raporti i tyre dijeformues nuk ka ndryshuar pothuaj fare, madje është përkeqësuar, si në drejtim të detyrës që ka shteti për t’i nxjerrë nga arkivat e për t’i botuar këto vlera, ashtu dhe nga detyrimi institucional për t’i përhapur me programe të ndryshme orientuese dhe subvencionuese e së fundi për t’i kthyer në dije mësimore. Kjo është kaq tragjike, saqë ende sot nëpër shkolla vazhdojnë të qarkullojnë lista kryesisht me emrat e autorëve të vjetër të komunizmit, duke mos u bërë asnjë përpjekje orientuese nga institucionet përkatëse, që edhe kjo kulturë e panjohur mirë për shkak të ndalimit politik të hyjë në njohuritë e nxënësve dhe mësuesve shqiptarë, të paktën si fillim nëpër bibliotekat e shkollave. Mendoj se edhe ju mendoni njëlloj si unë për mendimin shqiptar, për rëndësinë dhe vlerat e tij, prandaj po ju drejtohem si kryeministër i vendit, që të merrni përsipër përgjegjësinë tuaj për projektimin dhe futjen e këtij mendimi, si një literaturë e detyruar në procesin e mësimdhënies në të gjitha nivelet e shkollave tona, në mënyrë që mësuesit dhe nxënësit të arrijnë që brenda procesit mësimor të zgjerojnë njohjet dhe dijet e tyre mbi veprat dhe kontributin e intelektualëve shqiptarë të viteve 1870-1945. Komunikimi i vlerave të këtij korpusi materialesh të përzgjedhura e grupuara përmes artikujsh, esesh, traktatesh, studimesh, fragmentesh nga vepra të ndryshme, do të ndikojë pozitivisht në përdorimin e tyre si literaturë konkretizuese dhe evidentuese, si më poshtë:

1. Do të sigurojë një kontakt të drejtpërdrejtë e të profilizuar të mësuesve dhe nxënësve me materialin autentik të këtyre autorëve.

2. Do t’i ushtrojë nxënësit ose studentët që, nën drejtimin e mësuesit ose pedagogut, të mësojnë të punojnë me materialin burimor dhe me mënyrën e vjeljes së tij përmes skedave, fishave dhe tabelave.

3. Në drejtim të edukimit demokratik dhe patriotik të nxënësve, ngjalljes dhe forcimit të krenarisë së ligjshme për figurat madhore të kombit tonë në kulturë e mendim, shoqëruar me vlerat e tyre më të spikatura në këto fusha.

4. Në perspektivën e hapjes së një rruge dhe praktike të re pune në lëndë të tilla specifike si sociologji, edukim demokratik, filozofi e psikologji, duke konkretizuar kështu edhe aktivitetin e mendimtarëve shqiptarë në to.

5. Në realizimin e një lidhjeje organike mes letërsisë dhe mendimit kritik e estetik.

6. Në realizimin e një gërshetimi të natyrshëm të lëndëve të tilla si filozofi, sociologji, psikologji me kontributin shqiptar në këto fusha.

Kjo gjë tashmë është provuar edhe publikisht, nga debatet që janë bërë për të dhe ka marrë mbështetje nga të gjithë faktorët, madje edhe nga brezi i gjerë i politikës. Edhe kapacitetet e nevojshme për orientimin dhe profilizimin e tij janë, pavarësisht se në mënyra konspirative ndonjë segment skeptik apo nënvleftësues (shtetëror apo individual), tenton ta pengojë këtë iniciativë. Vizioni tashmë është qartësuar për ta bërë të mundur diktimin e tij. Kjo gjë herët a vonë do bëhet. Por do dëshiroja ta nisni ju dhe shpresoj se do ta bëni këtë gjë. Mbetem me shpresën e një mirëkuptimi të plotë dhe të një lajmi të mirë.

Me respekt!

Ndriçim Kulla

Marre prej gazetes Tema
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi