Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Shqiptare
Shqiptare
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
<b>Postime</b> Postime : 4177
<b>Hobi</b> Hobi : shqiptaria
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Shqiperi
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 24/07/2011

Masakruan një familje, askush nuk i arreston Empty Masakruan një familje, askush nuk i arreston

Sat 21 Jul 2012 - 19:04
Masakruan një familje, askush nuk i arreston Masakra-pukesTone Markaj

Nikoleta Kovaçi

Në katin e dytë të repartit të kirurgjisë në Spitalin Ushtarak vazhdon të jetë, ende me shpresën e përgjysmuar të ngritjes në këmbë, Tonja, e mbijetuara e masakrës së Pukës. Një plumb që e ka marrë në shtyllën kurrizore luan seriozisht me fatin e saj dhe të dy fëmijëve që humbën të atin në atë pritë monstruoze. Tone Markaj është bashkëshortja e Paulinit, shënjestrës kryesore të agresorëve të shumtë që qëlluan mbi makinën në të cilën gjendeshin 6 pjestarët e familjes Markaj.

39-vjeçarja është sjellë me helikopterin e Ministrisë së Shëndetësisë në Tiranë, paraditen e 29 Qershorit. Janë kryer ndërhyrjet e zakonshme nga ana e mjekëve dhe vetëm kaq; në korridorin ku gjendet dhoma e saj s`ka shkelur këmba e asnjë zyrtari, asnjë kompetenti që do të mund t’i ndihmonte. Për pasojë kunati i saj, vëllai i viktimave, Bardhoku, ka mbetur krejtësisht i vetëm në përballjen e të gjitha problemeve brenda dhe jashtë spitalit. Për Tonen, e cila ka nevojë urgjente për ndërhyrje të specializuar, edhe ilaçet blihen nëpër farmaci, ndërsa brenda sigurohet vetëm serumi.

Rrëfim i pjesshëm…

Mbase është hera e parë që Tonja qan. Ajo qan me ngashërimin e një nëne që ka dy fëmijë të mitur në mëshirë të fatit, pa babain e tyre dhe me një nënë që nuk i dihet nëse mund të ngrihet më në këmbët e saj, për t’u shërbyer ashtu siç duhet. Momentet e tmerrit që ka përjetuar mëngjesin e 29 qershorit, ku me ngritjen e helikopterit la pas bashkëshortin e saj të masakruar nga breshëritë e pamëshirshme të agresorëve, Tonja i demonstron me një shikim të frikshëm. Tashmë e vetmja shpresë e saj janë djali dhe vajza, 12 dhe 8 vjeç, të cilët që prej asaj dite jetojnë në shtëpinë e xhaxhait të tyre në Tiranë. “S`jam në merak për to, pasi e di se çfarë kujdesi kanë Bardhoku dhe gruaja e tij…” thotë mes përlotjes, ndërsa asaj çka ndodhi atë mëngjes të tmerrshëm në Qelëz nuk di t`i vërë emër. “Na qëlluan pa pikën e mëshirës. Ishim të gjithë në fugon. Di që kam parë Alfonsin (nipi i viktimave, i plagosur) të jetë shtrirë mes sediljeve Albanën (e bija) dhe plumbat që vinin nga të katër anët. Atëherë jam kujtuar për djalin. S`kisha asnjë mundësi tjetër, veçse ta mbuloja me trupin tim…”, e rrëfimi i saj shkëputet, deri në humbjen e fillit të ngjarjes.

Eshtë e vështirë t`i rikthehesh sërish momentit fatal për jetët e shuara të dy burrave të shtëpisë së Markajve, nëpërmjet saj, ndërsa Tonja humbet nëpër ato çaste, e kur kthehet…, ndjen se ka një dhimbje të madhe në shpatull. Tregon se plaga është drejt përmirësimit, por thotë: “Këmbët nuk po mund t`i lëviz dot. Nuk e di nëse ka ndonjë spital tjetër më të mirë, thjesht të më tregojnë të vërtetën; do ngrihem apo jo? Asgjë tjetër s`kërkoj, veç se të mësoj të vërtetën e fatit tim, pasi besoj se dikush nga doktorët duhet të ma thotë. Kam tri javë këtu dhe e dinë mirë”.

Lëngimi

E plagosura, e cila po ashtu siç edhe bashkëshorti i saj, për të shpëtuar jetën e të birit, iu doli para plumbave, prej tri javësh vazhdon të luftojë me plagën fatale në trup. Asnjë përkujdesje ndryshe për të nuk është regjistruar, ndërsa mjekët ditën e djeshme kanë shpjeguar se gruaja nuk ka më nevojë për mjekim të mëtejshëm, që sipas të dhënave familjare, tashmë asaj i duhet të lërë edhe ambientet e Spitalit Ushtarak, ndonëse nuk ka marrë asnjë garanci për ngritjen në këmbë. Tone Markaj, 39 vjeçe tashmë rrezikon seriozisht të mbetet e paralizuar. Nënës i duhet të përballet përveç se me sëmundjen e saj të përjetshme edhe me rritjen e dy fëmijëve të mbetur jetim dhe në mes të katër rrugëve. Paçka se ngjarja ka më shumë se 20 ditë që ka ndodhur, jo vetëm te krevati i saj nuk ka shkuar asnjë funksionar i lartë i shtetit, por madje as një përfaqësues i morive të pafund të shoqatave që deklarohen dhe sponsorizohen në mbrojtje të grave dhe të fëmijëve.

Pas tri javëve

Masakra e Pukës, autorët vazhdojnë të jenë të lirë

Policia: Dyshojmë që në vrasje morën pjesë 9 persona

Asnjë e dhënë zyrtare, as nga ana e policisë dhe aq më pak e Prokurorisë nuk del për vrasjen e Hilë dhe Paulin Markajt dhe plagosjen e tre personave të tjerë. Madje policia dhe prokuroria ende nuk kanë marrë në pyetje asnjë prej familjarëve të viktimave, jo vetëm për të sqaruar rrethanat, por as për të dëshmuar në lidhje me gjithçka dinë ato për ngjarjen, para dhe pas saj. Janë burime të besuara të policisë që vijnë nga Puka të cilat tregojnë edhe vendndodhjen e autorëve të asaj masakre, ndërsa tashmë nuk bëhet fjalë edhe për dy të shpallur në kërkim. Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë në tavolinë listën prej plot 7 emrave të tjerë që kanë marrë pjesë në pritën e trefishtë, ndërsa janë të arrestuar vetëm dy prej tyre. Fatbardh dhe Seferin (Fran) Përmarkaj kanë vijuar të marrin përsipër ngjarjen herë njëri dhe herë tjetri, ndërsa pjesa tjetër e agresorëve gjendet sërish e lirë.

Pavarësisht se të dhënat e menjëhershme të pas ngjarjes e kanë qenë mjaft kontradiktore, kjo vetëm për numrin e të armatosurve që kanë marrë pjesë ne pritë, të dhënat e besuara policore saktësojnë se në ngjarje nuk kanë qenë vetëm katër persona.

Nga hetimet ka dalë që prita është bërë e trefishtë, ndërkohë që dy të parat kanë patur si qëllim vrasjen e të gjithë pjesëtarëve të familjes që gjendeshin në automjet, ndërkohë prita tjetër prej tre personave mendohet të ketë qenë e pozicionuar në afërsi të shtëpisë së Gjergj Markajt(vëllai i viktimave, i cili gjendej në Greqi). Referuar të dhënave hetimore mësohet se llojet e armëve që janë përdorur në ngjarje kanë qenë të shumta, ku përveç kallashnikovëve, është përdorur armë gjahu çifte dhe një armë tip pistoletë që dyshohet të ketë qenë edhe me silenciator. Ndonëse policia orë pas ngjarjes publikoi të dhëna tronditëse se edhe dikush i familjes së viktimave ishte i armatosur dhe ka qëlluar mbi agresorët, (pasi njëri prej autorëve rezultoi i plagosur me pistoletë), arma ka qenë e njërit prej autorëve, emrin e poseduesit të së cilës tashmë e njeh policia. Hetimet sipas të dhënave janë përqendruar në hulumtimin e shkakut real që çoi deri në kryerjen e masakrës. Por, ende nuk është vënë para përgjegjësie për këtë ngjarje asnjë prej personave të dyshuar. Ndonëse ngjarja hetohet nga Krimet e Rënda, autorët dhe bashkëpunëtorët e masakrës vazhdojnë të jenë të lirë.

Apeli

Vëllai i viktimave: “Shteti të na mbrojë ose më armatosni!”

Bardhok Markaj ka mbetur i vetëm në përballjen e gjithçkaje pas asaj ngjarjeje të rëndë që i mori dy vëllezër dhe i gjymtoi tre pjesëtarë të tjerë të familjes, ndërsa vazhdon të qëndrojë te kryet e kunatës së tij në spital. Dy vëllezërit e tjerë gjenden në Qelëz bashkë me dy familjet e vëllezërve, njërit të vrarë dhe tjetrit që ka humbur jetën në aksident, krejtësisht në mëshirë të fatit. Asnjë punonjës policie nuk gjendet në zonë që prej mëngjesit të 30 qershorit. Sipas tij, ai ende nuk është pyetur nga asnjë instancë e hetimit të krimit, ndërsa lëshon edhe thirrjen e parë publike për krerët më të lartë të Shtetit dhe institucionet përgjegjëse. 38-vjeçari që tashmë duhet, që përveç familjes së tij, të kujdeset për dy fëmijët e mitur të Paulinit, për shëndetin e nënës së tyre, për punët që lanë përgjysmë vëllezërit e vrarë, me të cilat beson se duhet të ndihmojë gjithë atë familje të madhe të mbijetojë, i duhet edhe të përballojë telefonatat e ndryshme që vrasësit vazhdojnë të bëjnë nëpër të njohur të tij. Bardhoku në thirrjen e tij, i kërkon shtetit të kthejë një herë vëmendjen nga familja e masakruar, ndryshe thotë; “Më duhet të vetmbrohem”.

Z.Markaj cilat janë masat që ka marrë policia për mbrojtjen tuaj, meqë autorët vazhdojnë të jenë të lirë?

Realisht asnjë masë. Mbase ata na ruajnë edhe në distancë, ashtu siç na ruajtën edhe më parë (qesh hidhur). Kjo është e habitshme kur mendon se ruhem më shumë unë që kam dy të vrarë dhe tre të tjerë të plagosur, se sa ata që kanë vrarë e normalisht duhet të jenë në ndjekje të policisë. Ata janë një ushtri e armatosur, të cilët lëvizin malit e nganjëherë bien edhe deri afër qyteteve. Më pas ikin. Këto gjëra kur i di unë, imagjino pak se sa mund t’i dijë policia, sa në dijeni të vendndodhjes dhe veprimeve të tyre mund të jetë. Ne s`jemi shtëpi që mbajmë armë, pasi gjithnjë kemi besuar se shteti duhet të kujdeset për njerëzit e vet. Por shikoj që thjesht na kanë braktisur; dikur kur kishin nevojë votash dhe mbështjeje kërkonin tim vëlla, Paulinin. Në skedën e tij të telefonit, janë të gjithë numrat e tyre. U mjaftuan me një kafe ngushëllimi, me një keqardhje dhe dhimbje, të cilat i besoj dhe ikën.

Ju dhe kunatën tuaj nuk iu ka vizituar asnjë zyrtar?

(Shikon me habi). Jo dhe s’dua të më vizitojnë. Dua që Kryeministri i vendit tim të dijë se në fshatin Qelëz të Pukës është qëlluar barbarisht mbi një familje. Një dyzinë njerëzish të armatosur kanë qëlluar mbi burra, gra dhe fëmijë të paarmatosur. Të dijë se kam dy vëllezër të vrarë, dy njerëz të tjerë të shtëpisë të plagosur dhe një grua, që është nënë e dy fëmijëve që nuk ngrihet më në këmbë nga plumbi fatal që i ka kapur shtyllën kurrizore. Të dijë se që prej asaj dite e deri më sot nuk është marrë asnjë masë të mbrohet familja ime që kam në Qelëz, nga policia dhe asnjë instancë tjetër, ndërsa i kërkoj me ndërgjegjen e qytetarit të këtij vendi që të vërë strukturat duhura në lëvizje, të arrestojë njerëzit e shumtë që morën pjesë në atentatin kundër familjes sime dhe të kërkojë të mësojë të vërtetën e asaj ngjarjeje. Hallet e mia do i përballoj vetë, por unë s`mund të kryej rolin e policit, hetuesit, gjykatësit dhe të Shtetit. Nëse nuk merret asnjë masë, kam edhe një problem tjetër që unë s`di ku blihen armë. Duhet të më armatos vetë shteti, policia e të cilit la në dorën e ca njerëzve të papërgjegjshëm një ‘depo armatimi’.

Avokati i Popullit

Neglizhenca, ndjekje penale shefit të Policisë dhe një oficeri

Pas ngjarjes dhe të dhënave të publikuara te Shekulli për mosveprimin e policisë lokale edhe pse ishte në dijeni të konflikteve mes dy familjeve, institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur inspektimet me anë të ekspertëve të vet. Sipas inspektimeve, janë verifikuar shkeljet që janë bërë edhe nga ana proceduriale, me anë të së cilës krerët e policisë së Pukës pretendonin se ishin në rregull, ndërsa ka kërkuar që të gjithë përgjegjësit e mosndërhyrjes të ndiqen penalisht dhe të ndëshkohen. Edhe pse ende nuk është marrë asnjë dëshmi nga familjarët e viktimave nga ana e policisë dhe e prokurorisë, ata disponojnë fakte tronditëse të heshtjes policore. Nga dëshmitë e tyre, që në momentin e vrasjes, ose më saktë në momentin kur në vendngjarje ka mbërritur policia e Pukës, njëri prej të mbijetuarve, Ildi, ka debatuar ashpër me kreun e uniformave të Pukës, i cili ishte vënë në dijeni disa herë për rrezikun që iu kanosej nga pjesëtarët e familjes Përmarkaj. Kanë qenë të shumta tentativat e Paulin Markajt, i cili ka vënë në dijeni për gjithçka që mund të ndodhte prej tyre, por që policia ka pretenduar se sherret janë dokumentuar dhe janë nisur në prokurori. Inspektimet kanë zbuluar krejtësisht të kundërtën.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi