Rreth një milion për të drejtat e njeriut
Sun 22 Jul 2012 - 14:10
Për të promovuar të drejtat e njeriut dhe demokracinë, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka shpallur të martën fituesit e pesë granteve të reja të shoqërisë civile.
Këto projekte që kapin vlerën prej 900 mijë euro, të financuara nga Instrumenti Evropian për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut (EIDHR), do të merren me riintegrimin e viktimave të dhunës në familje, dhënien e mundësive të njerëzve me shikim të dëmtuar, luftimin e homofobisë, promovimin e të drejtave të personave me paaftësi dhe promovimin e barazisë gjinore.
Kështu bëri të ditur përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Christof Stock, gjatë një konference për medie, kur bëri edhe prezantimin e projekteve.
“Një sektor i shoqërisë civile i fuqishëm është tejet i rëndësishëm në fuqizimin e procesit demokratik dhe e sjell Kosovën më afër praktikave më të mira të Bashkimit Evropian. Objektiva kryesore e skemës së granteve të EIDHR është fuqizimi i rolit të shoqërisë civile në promovimin e të drejtave të njeriut dhe reformës demokratike, në përkrahje të pajtimit paqësor të grupeve të interesit dhe në konsolidimin e pjesëmarrjes dhe përfaqësimit politik”, tha Stock.
Ai sqaroi se këto pesë grante, që do të implementohen gjatë një periudhe dyvjeçare, duke filluar në korrik të 2012, do të adresojnë çështjet e të drejtave të njeriut në mënyrë novatore si: vetëdijesimin gjinor përmes kulturës pop, ndërtimin e sistemeve mbështetëse për komunitetin LGBT, dhënien e mundësive për strehimet e OJQ-ve të grave dhe promovimi i të drejtave të personave të paaftë nga komunitetet minoritare.
Projektet në fjalë do të implementohen nga Kosova dhe OJQ-të rajonale-ndërkombëtare, siç janë: Reggio Terzo Mondo, Shoqata e të verbërve të Kosovës, Legebitra, Qendra për Orientim Shoqëror dhe Qendra Kosovare për Studim Gjinor.
Ndryshe përmes këtij instrumenti, BE njofton se nga viti 2007 deri më tani ka mbështetur 30 organizata shoqërore civile që janë marrë me adresimin e çështjeve të të drejtave të njeriut në Kosovë.
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi