Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Shqiptare
Shqiptare
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
<b>Postime</b> Postime : 4177
<b>Hobi</b> Hobi : shqiptaria
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Shqiperi
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 24/07/2011

Çfarë po (na) ndodh me familjen? Empty Çfarë po (na) ndodh me familjen?

Sun 5 Aug 2012 - 21:33
Nga: Emanuela Sako

Një fazë kalimtare - hap i domosdoshëm drejt familjes së re që diktojnë rrethanat e reja shoqërore?
Apo një hallakatje kuturu që nuk dihet ku po na çon?
Apo ndoshta njëra nuk përjashton tjetrën?
Disa pyetje-përgjigje mbi situatën e sotme të Familjes Shqiptare me Fatos Tarifën dhe Denata Toçen

Për përgjigjen e pyetjes “a ka ndryshuar struktura e familjes shqiptare”, Fatos Tarifa nuk ka asnjë dyshim. “Familja shqiptare është një institucion që po përjeton të gjitha ato dukuri dhe ndryshime që karakterizojnë mbarë shoqërinë shqiptare.

Tipari i saj më i përgjithshëm sot është se ajo është një familje në tranzicion. Si e tillë, tiparet e saj dhe problemet me të cilat përballet ajo janë po ato tipare dhe po ato probleme që shoqërojnë transformimin ekonomik, politik dhe shoqëror të shoqërisë shqiptare. Por me veçoritë që kushtëzon vetë natyra e familjes si institucion, - thotë ai. Më poshtë, intervista e plotë.

Z.Tarifa, çfarë ndryshimesh ka konkretisht familja shqiptare sot, çfarë po ndodh sipas analizës suaj?

Ndryshimi i parë dhe më i dukshëm ka të bëjë me shpërbërjen graduale të familjeve të zgjeruara (të përbëra nga tri breza, ose nga dy e më shumë çifte të martuara). Me përjashtim të disa zonave të thella rurale, në përgjithësi, në qytetet shqiptare dhe në një pjesë të mirë të fshatrave të vendit, familja e zgjeruar është sot një formë e kaluar e organizmit familjar, një traditë, e cila pothuajse është ndërprerë, ose shumë shpejt nuk do të ekzistojë më.

Tradita e re që i ka zënë vendin asaj krijon familje numerikisht më të vogla, të përbëra kryesisht nga çifti i martuar, me të cilin gjithnjë e me rrallë bashkëjetojnë edhe prindërit e burrit, ose të gruas. Në Tiranë dhe në qytetet më të mëdha të vendit, sot një familje tipike përbëhet nga gruaja, burri dhe fëmijët e tyre.

Një ndryshim tjetër është reduktimi i numrit të fëmijëve të lindur nga martesa. Familjet e reja, përgjithësisht, kanë një, dy, ose tre fëmijë. Familjet me 5- 6 ose më shumë fëmijë, të cilat dikur kanë qenë të zakonshme, janë sot shumë të rralla dhe thuajse nuk i gjejmë më jo vetëm në qytete, por as në shumicën e fshatrave të vendit.

Një tjetër ndryshim ka të bëjë me transformimin e vetë strukturës rurale dhe urbane të popullsisë shqiptare. Migrimi i një pjese të madhe të popullsisë nga fshati në qytet ka çuar në shtimin e numrit të familjeve urbane dhe në pakësimin e familjeve që jetojnë në zonat rurale të vendit. Sot, për të parën herë në historinë e shoqërisë shqiptare, numri i familjeve që jetojnë në qytete është pothuajse i barabartë me numrin e familjeve që jetojnë në fshatra.

Ndalemi pak te marrëdhëniet bashkëshortore… Çfarë ndryshimesh vëreni ju në raportet midis burrit dhe gruas në familje? Ose edhe jashtë saj…

Ndryshimet janë të shumta dhe shpeshherë, të tilla që do të ishin të paimagjinueshme 20 apo 15 vjet më parë. Në radhë të parë, martesat me mblesëri sot, në mos janë zhdukur, janë bërë një dukuri mjaft e rrallë që e gjejmë kryesisht në zonta rurale. Po kështu, kanë ndryshuar marrëdhëniet midis burrit dhe gruas në kuadër të rolit, detyrimeve dhe përgjegjësive që ata kanë në familje, si përsa i përket kontributit që ata japin në mirëqënien ekonomike e psikologjike të saj, ashtu edhe në lidhje me edukimin e fëmijëve dhe funksione të tjera bazë të familjes.

Burri dhe gruaja janë sot në një pozitë më të barabartë se në të kaluarën, jo thjesht përsa u përket të drejtave ligjore (kjo është arritur shumë kohë më parë), por edhe në shumë aspekte dhe veprimtari të jetës së përditshme. Shkalla më e lartë e barazisë dhe e lirisë së gruas shpjegon, ndër të tjera edhe rritjen e numrit të divorceve, të cilat, në një përqindje të lartë në qytete kërkohen pikërisht nga gratë.

Një dukuri thuajse inekzistente 20 apo 15 vjet më parë, por relativisht e përhapur në ditët tona, është bashkëjetesa para martese, ose bashkëjetesa si një formë alternative e martesës. Sidomos në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të mëdha të vendit, janë jo të pakta çiftet që bashkëjetojnë, madje kanë edhe fëmijë të lindur jashtë një martese formale. Emancipimi i femrave dhe dëshira e tyre për të marrë arsim universitar dhe pasuniversitar, si edhe për të nisur një karrierë profesionale të suksesshshme, kanë sjellë si rezultat shtyrjen e moshës mesatare e martesës, si për femrat, ashtu edhe për meshkujt dhe për rrjedhojë, shtyrjen e moshës kur lind fëmija i parë dhe reduktimin e numrit të fëmijëve të lindur nga martesa.

Duhet thënë se emancipimi i vajzave dhe i grave ka bërë të mundur edhe emancipimin e djemve dhe të burrave, çka i ka shërbyer emancipimit të përgjithshëm të shoqërisë shqiptare. Vajzat dhe gratë shqiptare janë sot shumë më të lira dhe në pozita shumë më të barabarta me djemtë dhe burrat. Ky është një fakt social i pamohueshëm, i cili lë gjurmë në çdo aspekt dhe në çdo sferë të jetës dhe të veprimtarisë shoqërore.

Flitet shpesh për një “konflikt” në marrëdhëniet midis brezave në familjet e sotme shqiptare. A ekziston vërtet një konflikt i tillë?

Kontradiktat, ose konfliktet, janë pjesë e zhvillimit shoqëror, një element esencial i tij. Nëse s’ka konflikt, nuk ka zhvillim. Zhvillimi shoqëror gjithnjë është bërë i mundur përmes konfliktit midis formave të vjetra të organizimit shoqëror (përfshirë edhe organizimin familjar) dhe formave të reja. Vështruar në këtë prizëm, është veçse e natyrshme (madje, sado paradoksale që të duket, edhe pozitive), që brenda familjes së sotme shqiptare të ketë kontradikta, apo “konflikte” siç thatë ju që manifestohen, në radhë të parë, në marrëdhëniet midis brezit të ri dhe prindërve të tyre

Pra nuk duhet të na shqetësojë kjo kjo përplasje brezash?

Jo, aspak, nëse s’bëhet fjalë për raste ekstreme të dhunës në familje. Në fund të fundit, zhvillimi nuk ndodh kurrë nëse e reja nuk zëvendëson të vjetrën. Normat dhe parimet e reja të organizimit shoqëror dhe të sjelljes shoqërore bëhen të mundura vetëm nëse njerëzit, sidomos brezat më të rinj të shoqërisë, i refuzojnë normat dhe parimet e vjetra dhe përpiqen të afirmojnë norma dhe koncepte të reja mbi organizimin, mënyrat e jetesës dhe sjelljen shoqërore.

Ky proces është i vështirë dhe merr kohë. Por nëse në këtë proces të refuzimit të së vjetrës dhe të afirmimit të së resë normat e reja gjejnë përkrahjen e një pjese gjithnjë e më të gjerë të shoqërisë, atëherë e reja bëhet normë e zhvillimit të mëtejshëm shoqëror, ndërsa e vjetra bëhet pengesë për të. Ky është një tipar universal i zhvillimit në jetën e shoqërisë. Në Shqipëri po ndodh pikërisht kjo: zhvillimi progresiv i shoqërisë shqiptare, i cili brenda institucionit të familjes manifesohet në formën e konfliktit midis brezave ose midis gjinive.

Në fund doja t’ju pyesja për sjelljen “e re” seksuale të një pjese të madhe të shoqërisë, veçanërisht të brezit të ri, por edhe të prindërve në moshë të re, siç thatë ju në fillim të intervistës. Mund ta shtjelloni disi më gjerë këtë? Shqipëria po përjeton një “revolucion seksual” siç thuhet?

Po e nis nga kjo e fundit, edhe pse për të nuk kam ende një përgjigje të prerë. Unë do të thosha se, ndoshta po. Në Shqipëri po ndodh një revolucion seksual, i ngjashëm me revolucionin seksual që ndodhi në Shtetet e Bashkuara dhe në Europën Perëndimore në mes dhe në fund të viteve 1960 dhe në fillim të viteve 1970.

Zhvillimet e sotme në fushën e etikës dhe të sjelljes seksuale të shqiptarëve janë të ngjashme me ato që përjetuan pothuasje të gjitha vendet e zhvilluara perëndimore gjysmëshekulli më parë. Me këtë unë nuk them se kjo që po ndodh në Shqipëri sot është një replica e revolucionit seksual në Amerikën e veriut apo në Europën Perëndiomore rreth 1960. Por, po të vësh re se sa dhe si kanë ndryshuar etika dhe sjella seksuale e të rinjve të sotëm, e brezit të ri të prindërve 30-40 vjeçarë, madje edhe e një pjese të njerëzve mbi këtë moshë, kuptohet se morali seksual dhe sjellja seksuale në Shqipëri nuk janë më morali dhe sjellja tradicionale; ato janë bërë shumë më tolerante, më të hapura ndaj eksperimentimeve dhe eksperiencave të reja, më pak të paragjykuara, shkurt, shumë më të lira.

Sot vajzat dhe djemtë adoleshentë flasin lirshëm për seksin dhe kanë shumë më tepër njohuri për seksin sesa prindërit e tyre kur ishin në atë moshë. Sot nuk është aspak e habitshme dhe, për shumë njerëz, nuk është as domosdo një gjë e keqe që një djalë dhe një vajzë në shkollë të mesme apo në universitet të kenë një partner dhe marrëdhënie intime me të, madje as edhe të kërkojnë një partner të ri kur marrëdhënia me të parin nuk është e kënaqeshme për ta.

Sot nuk është e pazakontë që djemtë dhe vajzat të bëjnë seks para martese. Po bëhet gjithnjë e më e pranueshme që një çift të bashkëjetojë pa lidhur martesë, madje edhe të deshirojë të ketë femijë në këtë marrëdhënie jomartesore, ashtu sikurse shoqëria nuk i gjykon domosdo keq ato çifte të martuara që nuk dëshirojnë të kenë fëmijë.

Këto të gjitha ndodhën në Amerikën dhe në Europën Perëndimore në vitet 1960. Këto të gjitha, - (të informuara nga studimet e rëndësishme të psikologëve Alfred Kinsey dhe Shere Wite, dhe të inspiruara ideologjikisht nga vepra e psikoanalistit të shquar Wilhelm Reich) - u quajtën atëherë “revolucion seksual”. Ndoshta po, pa e kuptuar as ne vetë dhe në kushte të tjera, Shqipëria po përjeton një zhvillim të ngjashëm.

5 ndryshime kryesore në tiparet e familjes së sotme shqiptare sipas Tarifës: që kanë ndryshuar në familjen

(1) ndryshimi i strukturës së familjes dhe i karakteristikave demografike të saj;

(2) ndryshimi i marrëdhënieve martesore e familjare në qytet dhe në fshat, si edhe ndryshimi i marrëdhënieve bashkëshortore, të para kryesisht si raporte midis burrit dhe gruas përsa i përket pozitës, të drejtave dhe rolit të tyre në familje dhe jashtë saj;

(3) ndryshimi i funksioneve tradicionale të familjes për shkak të krijimit dhe konsolidimit të ekonomisë së tregut të lirë dhe të rolit të agjentëve të tjerë socializues, siç janë, sidomos, shkolla, media, Internetit dhe rrjetet sociale;

(4) ndryshimi i marrëdhënieve midis brezave në familje, sidomos i marëdhënieve midis prindërve dhe fëmijëve, të cilave, në sociologji, u referohen zakonisht si marrëdhënie të “konfliktit mes brezave”;

(5) një etikë e re seksuale që gjithnjë e më shumë karakterizon sjelljen seksuale të një pjese të madhe të shoqërisë, veçanërisht të brezit të ri, por edhe të prindërve në moshë të re etj.

PAK TERMINOLOGJI

Konflikti i brezave (prind-fëmijë) - Generational Conflict

Konflikti i gjinive (burrë-grua) - Gender Conflict

Revolucioni seksual – Situatw sociale nw Amerikën dhe në Europën Perëndimore në vitet 1960. Fakte tw reja mbi zakonet seksuale të informuara nga studimet e rëndësishme të psikologëve Alfred Kinsey dhe Shere Wite, dhe të inspiruara ideologjikisht nga vepra e psikoanalistit të shquar Wilhelm Reich, u quajtën atëherë “revolucion seksual”

Në mediat e përfshira nga paniku dhe ethet e “shit, shit, shit”, ku gazeta e kulturës së metrove duhet të mbarojë si libër fëmijësh me figura, sapo mbaron kafeja e mëngjesit - apo edicioni informativ i lajmeve në TV duhet të jetë 20 minuta se do nis i shumëprituri “Big Brother” live non stop, - këto probleme duken si të pamundura për t’u bërë pjesë e axhendës mediatike, përjashtuar opsionin kur kalojnë si citime politikash e politikanësh sharlatanë. Por familja është thelbi ynë. Dhe është e qartë që aty ndryshimet janë të jashtëzakonshme.

Sa kohë brenda dhe sa kohë jashtë familjes?

Roli që luajnë te fëmijët e sotëm arsimi, media, Interneti dhe rrjetet sociale

Sot jetojmë në një kohë kur të rinjtë rriten në kushtet e teknologjisë dixhitale. Sjellja komunikative dhe mënyrat e të kërkuarit të informacionit nga të rinjtë e sotëm ndryshojnë shumë nga ato të brezit të prindërve të tyre. Një nxënës i shkollës së mesme apo një student është sot kaq i lidhur pas komunikimit elektronik përmes kompjuterit, telefonit celular, televizionit, facebook-ut etj., saqë roli dhe ndikimi i prindit apo i familjes në “botën” e tij zvogëlohet gjithnjë e më shumë. Koha që fëmijët dhe të rinjtë e sotëm kalojnë në familje, në praninë dhe përkujdesjen e prindërve të tyre, është minimizuar në raport me kohën që ata kalojnë jashtë familjes, në shoqërinë e moshatarëve të tyre dhe në kontaktet virtuale me individë të tjerë. “Bota e shumë prej tyre sot është, si të thuash, në një “info-sferë”, në të cilën kufijtë midis punës, shtëpisë dhe argëtimit kanë rënë” – thotë dr.Tarifa

Intervistë

Denata Toçe

Sot çdo gjë përreth sikur të thotë: “Çohu dhe ec, në këtë botë je i vetëm!”

Disi më ndryshe se dr.Tarifa që e sheh situatën e sotme pak a shumë si një hallkë të domosdoshme në zhvillimin e tipareve të reja të familjes shqiptare, sociologia Denata Toçe e sheh familjen e sotme shqiptare të hallakatur, “në udhëkryq, pa imunitet ndaj solemnitetit të misionit që ajo mbart”.

Znj.Toçe, cilat janë problemet e familjes shqiptare sot, sipas jush?

E shikoj më të trazuar familjen shqiptare sot. Disi kuturu. Në daljen e papërgatitur nga komunizmi në vorbullën e pashmangshme të tranzicioneve, rrëmbeu nga ondet e botës pjesëza që ende sot nuk i adaptohen qartazi identitetit shqiptar. Pra, gjendet në udhëkryq, pa imunitet ndaj solemnitetit të misionit që ajo mbart.

Nga çfarë ndikohet ky që ju e quajtët “udhëkryq”?

Në fakt, shoqëria sot është shumë më përfshirëse, dhe individi ka disa herë më tepër vlerë në qasjen e tij se më parë. Sot individi ka shumë më tepër dhe të drejta dhe liri. Por, nuk njeh kushtet që liria ka, të cilat vijnë nga një identitet moral tashmë i mbartur. Atëherë pësohen dëmtime e kriza: divorc, braktisje, abuzim fizik, seksual, ekonomik etj. Modelet me të cilat na paraqitet familja, nëpërmjet këtij informacioni kaq prezentë, në median e shkruar apo vizive, ndikojnë seriozisht në formimin e skemave familjare të shtrëmbëruara; krijohen pritshmëri të cilat e tejkalojnë fuqinë psikologjike të shumë prej familjeve shqipëtare që nuk e kanë prezente barazinë gjinore, madje as nuk e njohin atë. Është më thjesht të flasim për metropolin, dhe të themi se familja po përjeton një krizë, por unë do të thosha se kriza më e madhe është mosdija për të patur një rol në shoqëri dhe pastaj në familje. Unë do ta quaja edhe “hallakatje”.

Janë probleme vetëm shqiptare apo…?

Nuk janë probleme vetëm shqiptare, por dinamika është shqiptare. Temperamenti i problemeve familjare trajtohet në mënyra të ndryshme. Një divorc shqiptar ndryshon nga një divorc europian, apo perëndimor. Shpesh, situatat e krizave familjare marrin zgjidhje me përfundimin e tyre, ndoshta edhe në divorc, por kur format e përballimit të krizave janë fatale, atëherë mendoj që identiteti social, kultura sociale luan rol për çdo vend në mënyrën e vet autentike.

Marrëdhëniet midis tre brezave në familje, si janë sot sipas jush? Çfarë po ndodh realisht?

Marrëdheniet me brezat kanë kohë që e kanë humbur kontaktin respektiv për të krijuar lidhje afatgjatë dhe “ndriçues “ në udhën e rrugëtimit që jeta ka. Sot anëtari i shoqërisë dhe ai i familjes priret drejt autonomisë, drejt individualitetit, drejt një zgjidhje personale dhe afatgjatë ku nevojat për “shtëpinë bazë” shtypen se shoqëria thotë : “çohu dhe ec, në këtë botë je i vetëm!”. Vetë terreni, tregu i punës të ofron këtë alternativë.

Duket e ashpër si alternativë…

Duke e ashpër, por ka padyshim avantazhet e saj unike. Edhe pse kontradita midis brezave, (në aspektin e zhvillimit tipik të njeriut) njihet si natyralisht prezente tek individi, për mua, kontakti me tre brezat mbetet një çështje në vështirësi, urat e të cilave nuk janë shumë premtuese.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi