Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Shqiptare
Shqiptare
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
<b>Postime</b> Postime : 4177
<b>Hobi</b> Hobi : shqiptaria
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Shqiperi
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 24/07/2011

Përse nuk kemi shoqëri civile? Empty Përse nuk kemi shoqëri civile?

Thu 30 Aug 2012 - 21:01
Së pari duhet të pranojmë që shoqëria civile tek ne nuk është as shoqëri as civile. I vetmi grup autentik i shoqërisë civile siç janë mediat më shumë sesa me shoqërinë kanë lidhje me politikën apo me biznese të veçanta, prandaj vështirë të quhen civile. Grupe të tjera, siç janë OJQ-të, nuk janë aspak shoqërore, pasi përfaqësojnë dhe nuk i japin llogari askujt tjetër përveç atyre që punojnë aty dhe të donatorëve që i financojnë. Së, fundi, bota akademike ose ajo universitare është tejet e zënë me mbijetesën. Shtoji kësaj traditën konformiste të akademizmit shqiptar dhe faktin se dinamika e tregut mediatik tashmë e ka zëvendësuar intelektualin me analistin dhe kupton se roli i botës universitare në shoqëri është tejet i kufizuar. Me pak fjalë pothuajse nuk ekziston shoqëria civile si një hapësirë ku ndërveprojnë dhe artikulohen grupime autonome interesash sociale, që si të tilla ushtrojnë presion mbi procesin politik. Edhe pse në teori flitet shumë për forcimin e shoqërisë civile.

Forcimi i kësaj shoqërie është thjesht retorikë boshe, pasi vetë logjika dhe frymëzimi i sistemit politiko-ekonomik që ne kemi ngritur e bën të vështirë krijimin e shoqërisë civile përtej ndonjë shoqate biznesi apo pronarësh. Shoqëria civile nënkupton grupe sociale me interesa të caktuara politike dhe ekonomike. Ama artikulimi i këtyre interesave bie ndesh me modelin tonë politiko–ekonomik, që bazohet mbi disa shtylla të padiskutueshme, siç janë tregtia e lirë, tërheqja e investimeve të huaja, disiplina fiskale apo tërheqja e shtetit nga shoqëria dhe ekonomia. Prandaj tek ne mungojnë grupe reale shoqërore interesi si fermerë, lëvizje për të drejtat e gruas, sindikata apo shoqata të tjera me synime të qarta politike. Në vend të këtyre ne kemi disa OJQ që flasin në emër të grupeve inekzistente që nuk krijohen dot pikërisht si pasojë e kufizimeve strukturore, ideologjike apo sistemike të qeverisjes sonë sot. Le të marrim me radhë disa nga këto grupe.

Kur flitet për OJQ-të e grave në shumicën e rasteve bëhet fjalë për disa OJQ që merren me mbrojtjen e të drejtave të tyre, dhe kjo në vetvete është diçka pozitive. Por në një nivel më makro dhe më sistemik disa nga problemet e grave janë strukturore; papunësia që prek së pari faktorin femër, varësia ekonomike që krijon varësi dhe nënshtrim social ndaj abuzimit, mungesa e çerdheve dhe e investimeve publike që lehtësojnë futjen e tyre në tregun e punës, e kështu me radhë. Prandaj nëse do të flasim seriozisht për përmirësimin e pozicionit të femrës në shoqëri, duhet të flasim për politika konkrete që nxisin dhe lehtësojnë futjen e tyre në tregun e punës. Por kjo në vetvete kërkon një ri-konceptim të politikave ekonomike, të politikave buxhetore dhe financiare që vështirë se mund të bëhet po të kemi parasysh kondicionalitetin ekonomik ku ndodhet sot Shqipëria. Në mungesë të këtyre politikave ne flasim për kuota në parlament (jo se nuk duhen, por janë thjesht dekor) dhe për emancipimin kulturor të femrës. Në mungesë të emancipimit ekonomik emancipimi kulturor i femrës reduktohet tek shkalla e feminitetit, e lakuriqësisë dhe e luksit të bashkëshortit të saj, çka e bën haremin vendin ideal për femrën moderne shqiptare.

Për arsye të ngjashme strukturore është e vështirë të flasësh për sindikata në kushtet e një papunësie galopante, apo kur prioriteti i qeverisë janë investimet e huaja, që para së gjithash kërkojnë krah të lirë dhe jo të organizuar pune. Nuk mund të flasësh as për grupe të organizuara fermerësh, pasi ajo që çdo grup i organizuar fermerësh kërkon është mbrojtje e produktit bujqësor nga shteti. Ama kjo bie ndesh me marrëveshjet e tregtisë së lirë që ne kemi përqafuar në kuadrin e procesit të integrimit. Këtë nuk e dëshiron as BE-ja, as OBT-ja dhe as Banka Botërore, dhe për pasojë nuk e duan as politikanët dhe as shoqëria jonë civile. Në mungesë të grupe të organizuara të fermerëve që prodhojnë kemi grupe fshatarësh që punësohen në administratë publike ose emigrojnë.

Aq më pak mund të bëhet fjalë në Shqipëri për stimulimin e grupeve sociale fetare, siç ndodh p.sh. rëndom në SHBA. Së pari, si pasojë e vetë nacionalizmit shqiptar që i shikon fetë si kërcënim të identitetit kombëtar. Së dyti, si pasojë e vetë demokracisë liberale që e shikon fenë me dyshim si burim të fondamentalizmit. Po t’i shtojmë kësaj faktin që Shqipëria ka një shumicë fetare myslimane, ideja e grupeve fetare bëhet edhe më e papranueshme në kuadrin e luftës antiterrorizëm që shpesh njehson Islamin me terrorizmin dhe prapambetjen. Lëre më pastaj të flasim për organizata fetare me kërkesa qartësisht politike, kjo do revoltonte edhe dashnorët më të mëdhenj të shoqërisë civile.

Pra, në thelb sistemi ynë politik edhe pse teorikisht flet për shoqërinë civile, praktikisht i trembet funksionimit të saj real. Kjo për faktin e thjeshtë sepse shoqëria civile është në thelb një shoqëri politike. Një grup social grupohet rreth një identiteti apo interesi politik, dhe jo thjesht për sport. Një grup fermerësh, punëtorësh, grash, pronarësh tokash apo biznesesh, mblidhen jo vetëm për të vrarë kohën me njëri-tjetrin, por edhe sepse kanë një identitet dhe synim të përbashkët politik. Edhe shoqatat qytetare në disa nga qytetet kryesore në vend, si Tiranë, Elbasan apo Durrës janë në thelb shoqata me identitet politik. Në tërësinë e tyre ato janë shoqata me ideologji konservatore, ku shumica dërrmuese e pjesëmarrësve janë meshkuj, nga ’familjet e mira’ urbane me orientim antikomunist, përgjithësisht me identitet të djathtë, pavarësisht se për cilën parti politike votojnë (partitë tona kanë pak identitet politik gjithsesi).

Rrjedhimisht nuk mund të ketë një shoqëri civile të fortë pa një shoqëri politike të fortë. Është organizmi rreth identiteteve dhe interesave (në kuptimin e gjerë të fjalës) të caktuara që prodhon grupime sociale aktive. Dhe ky është një proces thellësisht politik, edhe pse jo domosdoshmërisht partiak. Problemi i shoqërisë shqiptare është se mungon pothuajse tërësisht shoqëria politike. Njerëzit më shumë sesa të ndarë në identitete të gjera politiko-ideologjike janë përgjithësisht të bashkuar në apatinë politike. Vetëm një pjesë e vogël janë të ndarë në klientela të ngushta, që më shumë sesa politike janë partiake, socialiste, demokrate apo LSI-ste. Në Shqipëri politika jo vetëm që nuk e ka përçarë popullin, siç pretendon Rama, por e ka lënë shumicën e tij tërësisht indiferente. Por për sa kohë nuk kemi identitete të qarta politiko-sociale, por thjesht klientela të ngushta partiake, nuk mund të flasim dot për një shoqëri civile aktive, që është një shoqëri me një sens të fortë identiteti politik, jo thjesht partiak.

Ama një identitet i fortë dhe i qartë politik nënkupton kontestim të politikave të caktuara ekonomiko-sociale, që sot ashtu si dje nuk vihen aspak në dyshim. Pjesërisht kjo ndodh sepse intelektualët shqiptarë në traditën më të mirë komuniste janë që të gjithë pro sistemit. Me ndonjë përjashtim të rrallë vështirë të gjesh sot ndonjë ekonomist shqiptar që të jetë kritik ndaj modelit tonë ekonomik të zhvillimit apo ndaj deklaratave të udhëheqjes së lartë, si BE-ja, FMN-ja apo Banka Botërore. Kjo ndodh edhe sepse mungojnë grupet e organizuara sociale që ta kontestojnë sistemin aktual në raport me identitetet dhe interesat e tyre politike. Këtij kontestimi politik i trembet edhe faktori ndërkombëtar, që për pasojë thekson papushim që shoqëria civile duhet të jetë apolitike. Në fakt ky është edhe një nga kushtet e financimit të saj nga donatorët e huaj.

Një shoqëri civile apolitike do të thotë disa OJQ që janë bosh si në identitet politik ashtu edhe në anëtarësi. Këto grupe në pamundësi për të artikuluar interesa dhe politika konkrete fokusohen tek lufta për të drejtat e njeriut, tek shteti ligjor, tek integrimi euroatlantik apo tek antikorrupsioni. Fenomene që në pamundësi për t’u trajtuar politikisht si dështime sistemike në analizën e fundit trajtohen si dështim i politikës dhe politikanëve, apo si pasojë e mungesës së vullnetit politik. Këtu buron edhe ligjërimi antipolitik dhe populist i shoqërisë sonë civile, që ndër të tjera ushqen edhe iluzionin e “klasës së re politike”. Ideja e çuditshme se zgjidhja është tek ndryshimi i klasës politike, pak rëndësi ka se çfarë do bëjë ndryshe kjo klasë e re politike, mjafton të jetë e freskët.

Kemi të bëjmë me një shoqëri civile që në pamundësi për të përfaqësuar grupe të veçanta flet në emër të popullit në përgjithësi. Ama shoqëria civile nuk mund të artikulojë një identitet të qartë politik të popullit, pasi asaj vetë i mungon ky identitet. Për pasojë populli mbetet një kategori e pazhvilluar, homogjene dhe rudimentare, që përcaktohet kryesisht në raport me kërcënimin e politikës. Kështu përfaqësuesit e “shoqërisë civile” denoncojnë politikën në veçanti në emër të popullit në përgjithësi, duke theksuar ndarjen popull-politikë. Në këtë ndarje artikulimi i grupeve sociale me identitete dhe interesa politike shpesh kontradiktore (ish-pronarë vs. banorët e zonave informale) humbet në kategorinë homogjene “popull”. Kështu prodhohet një rreth vicioz, ku mungesa e shoqërisë civile nëpërmjet ligjërimit antipolitikë riprodhon vetveten.Gazeta Panorama
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi