Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

187-vjetori i atdhetarit shqiptar Pashko Vasa Empty 187-vjetori i atdhetarit shqiptar Pashko Vasa

Tue 18 Sep 2012 - 15:24
Message reputation : 100% (1 vote)
187-vjetori i atdhetarit shqiptar Pashko Vasa 220px-PashkoVasa3-202x300I njohur edhe me emrat Vassa Effendi, Vaso Pasha, apo Vaso Pasha Shkodrani, ky burrë shteti, poet, romancier dhe atdhetar, ka lindur më 17 shtator 1825 në Shkodër. Nga 1842 deri 1847 punoi si sekretar i konsullatës britanike në Shkodër. Njihte disa gjuhë të huaja: italisht, frëngjisht, turqisht dhe greqisht, pak anglisht e serbokroatisht, kurse më vonë mësoi edhe arabishten. Më 1847 u nis për në Itali në vigjilje të ngjarjeve të vrullshme që do të ndodhnin atje dhe në Europë më 1848. Më pas e gjejmë në Venedik, ku mori pjesë në betejën e Margerës më 4 maj 1849, gjatë kryengritjes venedikase kundër austriakëve. Pas mbërritjes së trupave austriake më 28 gusht 1849, Pashko Vasa u detyrua të ikë në Ankonë ku, si qytetar osman, u dëbua e u dërgua në Konstantinopojë. Për atë çka pa e përjetoi në Itali, botoi pas një viti librin “Burgimi im, episod historik nga rrethimi i Venedikut”, (1850). Në Konstantinopojë fitoi një vend pune në Ministrinë e Punëve të Jashtme, nga ku u dërgua më pas në Ambasadën Perandorake Osmane në Londër, për një farë kohe. Më vonë, kreu detyra të ndryshme me përgjegjësi në shërbim të Portës së Lartë. Më 1863, falë njohurive në gjuhën serbokroate, u emërua sekretar dhe përkthyes i Ahmed Xhevdet pashës, shtetar dhe historian osman, në një mision në Bosnjë dhe Hercegovinë,
1863-1864. Ngjarjet e lidhura me këtë mision i përshkroi në “Bosnja dhe Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut”, 1865.

Rreth vitit 1867 e gjejmë në Halep. Pak vjet më pas botoi një vepër, tani të rrallë, me interes historik “Skicë historike e Malit të Zi sipas traditave shqiptare” 1872. Megjithëse punonte në funksione të ndryshme për Portën, Pashko Vasa nuk e harroi kurrë atdheun e tij, Shqipërinë. Më 1877 u bë anëtar themelues i komitetit qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare në Konstantinopojë. Mori pjesë edhe në organizimin e Lidhjes së Prizrenit, më 1878. Pa dyshim, ai ishte edhe një nga autorët e Memorandumit për Autonominë e Shqipërisë, dorëzuar Ambasadës Britanike në Konstantinopojë. Bashkë me figura të tjera kombëtare si: hoxhë Hasan Tahsini, Jani Vreto dhe Sami Frashëri, ai luajti rol në krijimin e një alfabeti të shqipes dhe, lidhur me këtë, botoi një broshurë 16 faqesh me titull “Alfabeti latin zbatuar për gjuhën shqipe” 1878, në mbështetje të një alfabeti me shkronja vetëm latine. Ai ishte edhe anëtar i Shoqërisë së të Shtypurit “Shkronja Shqip”, themeluar në Konstantinopojë më 12 tetor 1879.

Më 1879, Pashko Vasa punoi në Varna, në administratën e vilajetit të Edrenesë me Ismail Qemal bej Vlorën. Gjithashtu mori titullin pasha dhe më 18 korrik 1883 u bë guvernator i Libanit, ku kaloi vitet e fundit të jetës deri sa vdiq në Bejrut, pas një sëmundjeje të gjatë, më 29 qershor 1892. Më 1978, në 100 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, eshtrat e tij u sollën nga Libani e u vunë në një varr modest në Shkodër.

Ndonëse, si nëpunës civil i shërbeu me besnikëri Perandorisë Osmane, Pashko Vasa energjitë e tij si shkrimtar shumëgjuhësh ia kushtoi lëvizjes kombëtare shqiptare. I vetëdijshëm për rëndësinë e Europës në luftën e Shqipërisë për t’u njohur, ai botoi në Paris më 1879 “E vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët. Studim historik dhe kritik”, monografi historike e politike, që u përkthye në anglisht dhe u botua në Londër më 1879, në shqip, gjermanisht, turqisht e greqisht po atë vit, e më vonë në arabisht 1884 e në italisht 1916. Në këtë traktat, ai jep një pasqyrë të historisë së Shqipërisë nga pellazgët dhe ilirët e lashtë e deri në kohën e tij dhe shtjellon rrugët dhe mjetet për zhvillimin dhe përparimin e kombit.

Duke mos bërë aspak thirrje për pavarësi të Shqipërisë dhe për më tepër as për autonomi brenda Perandorisë, Pashko Vasa propozonte thjesht unifikimin e të gjitha trevave shqipfolëse në një vilajet të vetëm dhe deri diku, një farë qeverisje lokale. Mundësia e një shteti sovran shqiptar ende nuk mund të mendohej. Ai nuk do të rronte aq, sa të lexonte traktatin e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet?”. Për ta bërë gjuhën shqipe më të njohur e për t’u dhënë europianëve të tjera mundësi për ta mësuar, ai botoi “Gramatika e shqipes për ata që duan ta mësojnë këtë gjuhë pa mësues” (1887), një nga gramatikat më të rralla të kohës.

Pashko Vasa ishte edhe autori i një numri veprash letrare të shquara: “Trëndafila dhe gjemba” (1873), një vëllim me poezi italisht, me dyzet e një vjersha plot ndjenjë, kushtuar temave të dashurisë, vuajtjeve shpirtërore, vetmisë dhe vdekjes, sipas traditave të poezisë romantike të paraardhësve të tij europianë, Xhakomo Leopardi dhe Alfred de Myse. Ndër temat që trajtojnë këto vjersha janë: jeta në mërgim dhe tragjedia familjare, pasqyrim i jetës vetjake të Pashko Vasës. Gruaja e tij e parë, Drandja, me të cilën qe martuar më 1855, si dhe katër nga pesë fëmijët me të, i vdiqën sa qe vetë gjallë. Më 1884, pak kohë pasi qe emëruar guvernator në Liban, gruaja e tij e dytë Katerina Bonati, i vdiq nga tuberkulozi, ashtu siç i vdiq edhe e bija që i pat mbetur gjallë, Roza, më 1887.

“Bardha e Temalit, skena nga jeta shqiptare” (1890) është një roman në gjuhën frënge, që Pashko Vasa e botoi në Paris me pseudonimin Albanus Albano. “Bardha e Temalit”, edhe pse jo në shqip është, pas prozës shumë të shkurtër të Sami Frashërit “Dashuria e Talatit me Fitneten”, romani më i vjetër i shkruar e i botuar nga një shqiptar dhe pa dyshim, romani më i vjetër me temë shqiptare.

Ndonëse shumica e botimeve të Pashko Vasës qenë në frëngjisht e italisht, është një vjershë, ndoshta vjersha më popullore e më me ndikim e shkruar ndonjëherë në gjuhën shqipe, që i ka siguruar një vend të merituar në historinë e letërsisë shqiptare, e famshmja “O moj Shqypni”. Kjo thirrje prekëse e emocionuese për zgjim kombëtar mendohet të jetë shkruar aty diku midis vitit 1878, viti dramatik i Lidhjes së Prizrenit dhe vitit 1880. Ajo u botua për herë të parë nga gjuhëtari çek Jan Urban Jarnik, më 1881. Vasa aty thekson karakterin përçarës të fesë në gjirin e popullit të tij dhe shpall: “Feja e shqyptarit asht shqyptarija”, shprehje e cila zuri vend në mendimin e luftëtarëve kombëtarë shqiptarë gjatë periudhës së Rilindjes e më pas.

/alb-observer.com/
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi