- Luan_ValikardiKomplet
- Gjinia :
Shteti :
Mosha : 39
Postime : 21456
Anetaresuar : 28/08/2010
Si perfunduan armet e Skenderbeut ne Vjene
Tue 23 Oct 2012 - 12:31
Historia e rrallë e armëve të Heroit tonë Kombëtar
Shqipëria ka famën se është vendi i “Atletit të Krishtërimit”, Gjergj
Kastrioti Skënderbeut, por në arkivat e saj nuk ka asnjë relike
origjinale të tij. Përkrenarja dhe armët ndodhen në Vjenë, një vulë që
mendohet se është e tij, gjendet në Danimarkë, ndërsa në Krujë dhe në
Tiranë pak gjëra, më shumë imitime. Por cila është historia e relikeve
të Heroit Kombëtar, si përfunduan ato në Vjenë gati 300 vjet më parë.
Një
histori që zgjatet prej pesë shekujsh dhe që debatet për të nuk
mungojnë edhe sot. Historinë e rrugëtimit të relikeve e ka zbuluar 72
vjet më parë, Leo Alexander Freundilich, një austriak i apasionuar pas
historisë së Shqipërisë. Por më shumë se relike tashmë ato janë pjesë e
identitetit kombëtar. Përkrenarja me kokën e dhisë që mbante Skënderbeu
është një simbol i huazuar nga legjendat e Pirros së Epirit dhe
Aleksandërit të Madh. Ajo është me metal të bardhë dhe me një rrip
(ruban) të larë me ar. Ndërsa sipas historianëve Skënderbeu ka përdorur
dy shpata. E para i është dhuruar nga Papa në Krishtlindjet e vitit 1466
dhe është me trup të drejtë, e gjatë 85.5 centimetra dhe e gjerë 5.7,
peshon 1.3 kg. E dyta është model turk, është 121 cm dhe peshon 3.2 kg.
Kjo e fundit gjendet së bashku me përkrenaren në muzeun e Historisë në
Vjenë.
Historia e armëve sipas Leo Alexander Freundlich
Historinë se si armët përfunduan në Vjenë e jep konsulli i Shqipërisë në
Austri gjatë Mbretërisë së Zogut, Leo Alexander Rfeundlich. Në Arkivin e
Shtetit në dosjen e Skënderbeut gjendet një shkrim ku tregohet historia
e udhëtimit të tij. Artikulli i Freundlish, një njeri i pasionuar pas
historisë së Shqipërisë, përdor rrëfimin e drejtorit të mbledhjeve të
Muzeut Historik të Vjenës për të treguar të vërtetën e armëve të
Skënderbeut. Sipas tij, për herë të parë këto objekte janë përmendur në
vitin 1578. Më 15 tetor të këtij viti, Mario Sforza, duka i Urbinos, i
shkruan një letër arqidukës Ferdinand, ku i thotë se do t’i dërgojë atij
armët e Skënderbeut, dhe të vëllait të tij. Ky është një fakt që
dëshmon se mes arqidukës dhe Mario Sforzas janë këmbyer shumë letra.
Më
15 maj 1579 arqiduka i Tirolit i shkruante dukës së Urbinos, Maroi
Sforza, dhe e falënderon për armët e Skënderbeut dhe për të tjerat që do
t’i binin në dorë. Ndërsa për herë të dytë këto armë përmenden në një
letër të dukës Von Arescot, e shkruar me 25 korrik 1588, ku flitet për
armët e tjera të Skënderbeut. Në inventarin e vitit 1585 këto objekte
nuk ishin të shënuara ende. Ndërsa në inventarin e vitit 1593 shënohet:
“Në fletën 69, dy shpata dhe elmi i Gjergj Skënderbeut”. Prej këtyre
shkresave dhe inventarit mund të konstatohet lehtë se elmi dhe dy
shpatat e Skënderbeut kanë rënë në dorë të arqidukës Ferdinand midis
vitit 1588-1593 nëpërmjet dukës Mario Sforza të Urbinos dhe të dukës
Arescot.
Ekzaktësisht në inventarin e vitit 1596, faqe 321, janë
përmendur dhe shënuar elmi nr. 71 (127) dhe dy shpatat nr.92 (145) dhe
345 (550). Aty shënohet: “George Skanderbeg: një elm i bardhë me rrafshe
të arta sipër një kokë dhie e artë me dy brirë, dhe dy shpata, njëra me
një dorezë prej lëkure, e cila nga pesha e rëndë dhe prej shenjave të
gjakut që duken ende, ngjan më e madhërishme, ndërsa tjetra është me një
dorezë kadife ku është shënuar emri i Skënderbeut. Në inventarin e
pikturave të sekretarit privat Schrewnchk të titulluar “Armamentarium
heroicum” të vitit 1601, ne shohim në tablonë 16, Skënderbeun me elmin
nr.71 (127) dhe me shpatën nr.345 (550), ku shkruhet: Në një kornizë me
ornamente të shumta rrinë në këmbë Skënderbeu i veshur me një pallto të
gjatë me astar lëkure e mbërthyer në gjoks me shirita, me kokën dhe
mjekrën e gjatë kthyer nga krahu i majtë, ku i duket profili.
Në
krahun e djathtë ai mban lart shpatën e zhveshur nr. 345 (550) dhe
poshtë në tokë afër këmbës së majtë qëndron elmi nr. 71 (127). Në kokë
mban një beretë. Objektet që janë pikturuar në fotografi i ngjajnë shumë
atyre në origjinal që ndodhen në muzeun e Artit Historik të Vjenës.
Shihet qartë që këto dy objekte njiheshin që në vitin 1601 si sendet e
Skënderbeut. Ja një përshkrim i imët mbi dy shpatat e mbi përkrenaren:
Në sallën XXV Nr.71/127 ndodhet një përkrenare e shtrirë në një
piedestal të ulët, e cila duhet të jetë prerë si mbas stilit italian. Në
majë të përkrenares janë vendosur kryet dhisë, por asht fiksue mirë.
Përkrenarja përbëhet prej dy pjesëve, një pjesë prej bakri dhe pjesa
tjetër sipër me një copë metali buzët e secilës janë zbukuruar me ar.
Syve të dhisë u mungojnë gurët. Akoma duket vendi bosh, i cili të jep të
kuptosh se brenda kanë qenë vendosur gurë. Në mesin e përkrenares është
vendosur një rreth prej bakri. Në këtë rreth janë shkruar këto
shkronja: I.N.P.E.RA.TO.RE.BT. Ky shkrim është shumë i vështirë për t’u
kuptuar çfarë thotë. Deri më tani e kanë deshifruar si: “Jesus Nazarenus
Principi Emathiae Regi Albaniae Terrori Osmanoru Regi Eperi Benedicat”.
Pesha e përkrenares është 3000gr.
Kjo përkrenare është një
“unikum”, i vetmi e i veçantë që gjendet në muzeun dhe i përket artit të
punimit të metalit në stilin gotik të vonshëm. Përpara së gjithave kjo
përkrenare në pikëpamjen estetike është një vepër e mrekullueshme dhe i
ka hije vetëm një burri të fuqishëm të fortë e me vullnet të hekurt.
Shpata
që ndodhet në sallën XXVII, rafti V.Nr.345(550) është e gjatë 88.5 cm e
gjerë 57 cm, me dy tehe dhe me një formë të drejtë dhe në një vend të
kthyer përmban disa shkronja latine. Prej këtyre shkronjave lexohen këto
fjalë: “Heroi i perëndisë, Iskander Beg”. Doreza është e përbërë prej
druri të mbështjellë me lëkurë, pesha e kësaj shpate asht 1300 gr.
Shpata me dorezë është e veshur me lëkurë shagreni, ka nga anët e
jashtme 4 arabeska të thella, tre rripa për hijeshim. Anët e jashtme
përshkohen prej fildishi dhe në anët e brendshme shohim disa germa të
kuqe, të cilat janë shkruar më shekullin e XVI e që përmbajnë emrin
“Scënderbeg”. Pesha është 600gr dhe pesha e përgjithshme 1900 gr. Kjo
shpatë është e shënuar dhe pikturuar në librin e sekretarit privat të
arqidukës së Tirolit, Jakob Schrenckh, “Armametarium heroicum”, në faqet
XVI.
Përveç këtyre në sallën e armëve historike të muzeut të
Vjenës gjendet dhe një tjetër, e cila quhet si një nga shpatat e Gjergj
Kastriotit dhe është shënuar në inventarin mbajtur në vitin 1593. Kjo
shpatë të jep të besosh nga pesha e rëndë dhe nga gjatësia se Kastrioti
me një të goditur i ndante në dy pjesë trupat e armiqve. Kjo shpatë
gjendet në sallonin XXV, rafti II Nr.92(143), gjatësia e saj 121 cm dhe
doreza është e zbukuruar me ar dhe me lëkurë. Pesha e saj është 3.2 kg.
Armët e Skënderbeut më 20 nëntor në Shqipëri
Shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut do të mbërrijnë në Shqipëri më 20
nëntor. Këtë e bën me dije për tv ‘abc news’ drejtori i muzeut historik
Luan Malltezi. Kështu është rënë dakord sipas Malltezit pas konsultimeve
të bëra një ditë më parë mes specialistëve të muzeut mesjetar të
Austrisë dhe specialistëve të palës shqiptare. Reliket e çmuara do të
ekspozohen më 27 nëntor në një ekspozitë unike dhe më të rëndësishmet
thotë Malltezi. Armët e Skënderbeut do të ekspozohen në pavionin e
mesjetës për një muaj e gjysëm ato do të ekspozohen në kushte të plota
të sigurisë, pasi Muzeu është i pajisur me sistem të plotë sigurie.
Kostoja e sjelljes së tyre për herë të parë në Shqipëri është 100 mijë
dollarë, ndërsa ardhja e tyre në vendin tonë u mundësua nga qeveria
shqiptare në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë.
Topalli falënderon Parlamentin e Austrisë për sjelljen në Shqipëri të përkrenares dhe shpatës të Skënderbeut
Kryetarja e Kuvendit ishte e ftuar e posaçme në ceremoninë zyrtare të
çeljes së Ditëve “Shqipëria 100 vite Pavarësi; Marrëdhëniet shqiptaro-
austriake.” Në këtë ceremoni ishte i pranishëm zoti Erhard Busek, ish
zëvendëskryeministër i Austrisë si dhe deputetë, ambasadorë dhe
personalitete nga fusha të ndryshme. Duke shprehur kënaqësinë e veçantë
që ky aktivitet zhvillohet në përvjetorin e 100 të Pavarësisë së
Shqipërisë, Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohje të thellë për
kontributin e pazëvendësueshëm që Austria ka dhënë në shpalljen e
pavarësisë dhe ngritjen e shtetit shqiptar.
Në këtë ceremoni
Kryetarja e Kuvendit solli në vëmendje figurat e ndritura të
Albanologjisë, personalitetet austriake si Norbert Nohel, Johan George,
etj, të cilët ndërtuan një imazh krenarie për shqiptarët, vlerat dhe
traditat e tyre historike, aspak të njohura në atë kohë për Evropën.
Kryetarja e Kuvendit falenderoi Parlamenti Austriak dhe Kryetaren e tij
Barbara Prammer për miratimin që ata dhanë për sjelljen në Shqipëri të
përkrenares dhe shpatës së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot
Skëndërbeu, të cilat ndodhen në Muzeumin e Vienës. “Dua të falënderoj
qeverinë, Parlamentin, popullin austriak për mbështetjen e vazhdueshme
historike që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë gjithë kësaj
periudhe dhe ta festojmë këtë sukses të madh, këtë miqësi të madhe që ne
kemi në këtë 100 Vjetor të Pavarësisë sonë, që është ditëlindja jonë më
e shenjtë, më e dashur dhe më e bukur”, tha Kryetarja e Kuvendit.
Historia e vulës së Heroit Kombëtar në Danimarkë
Në vitin 2003 studiuesi danez Peter
Pentz pretendoi se zbuloi vulën origjinale të Skënderbeut. Me një
histori si ajo e armëve, vula kishte përfunduar në muzeun historik
danez. Por pas mbërritjes së saj në Shqipëri, specialistët dhe
historianë të ndryshëm deklaruan se vula nuk është e Skënderbeut.
Analiza e specialistëve arriti në përfundimin se ajo është një vulë
fiktive. Megjithatë jo të gjithë mendojnë se vula mund të mos i përkas
heroit tonë kombëtar. Vula mendohet se u është blerë pasardhësve të
Skënderbeut në vitin 1614. Vula është arkivuar në vitin 1838 dhe mban
numrin 44. Ajo klasifikohej si objekt i perandorisë osmane. Në qendër të
vulës është shqiponja me dy kokë dhe rreth saj mund të dallohen disa
germa cirilike ku shkruhet: Alb-Servil.Boulgary. Aleksandro.Eleso”.
Poshtë
shqiponjës është vizatuar një kafshë duke vrapuar. Vula është prej
material bronxi, në të cilën janë gdhendur shenjat heraldike së bashku
me emrat. Mendohet se ka përfunduar në oborrin mbretëror të Danimarkës
rreth shekullit të 16-të nëpërmjet shkëmbimeve me oborrin austriak.
Muzeu Kombëtar i Danimarkës e ka blere vulën në vitin 1839, në një.
Përpara se të sillej në këtë muze vula i përkiste dhomës së artit
mbretëror danez.
/Shqiperia/
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi