Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

93 gra të varfra për 100-vjetorin e Pavarësisë Empty 93 gra të varfra për 100-vjetorin e Pavarësisë

Sat 27 Oct 2012 - 0:59
93 gra të varfra për 100-vjetorin e Pavarësisë Punime-doreKush është puna e panjohur e grave nga jugu në veri që po realiziojnë produktet me logon e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe si nisi iniciativa e tyre
Ndrevataj: Gratë e shtresave në nevojë po punojnë në 14 qendra. Produktet nga Shqipëria në Francë, e gjer në Brazil e SHBA

Ka qenë një sipërmarrje e vogël e cila më pas është shtrirë nga veriu në jug të vendit dhe fitimi mbi të gjitha është minimal. U desh vullneti i një grushti njerëzish për të realizuar më pas punësimin e mbi 200 grave, kryesisht në veri të vendit. Qëllimi është i thjeshtë: punësimi i personave me vështirësi ekonomike për të prodhuar sende të pëlqyeshme në filozofinë e së cilave qëndron kreativiteti dhe baza folkloristike. Në një bisedë për ‘Shekullin’, menaxherja e qendrave që ndër shekuj mban emrin e shëmbëlltyrës së femrës së fortë, shpjegon si lindi ideja dhe çfarë po prodhohet për këtë vit jubilar. Sipas Aida Ndrevatajt, janë rreth 240 gra në të gjithë vendin të cilat i përkasin shtresave në nevojë, por që kreativitetin dhe dëshirën për punën nuk e kanë humbur kurrë. “Për 100-vjetorin, këto gra nga Shkodra e gjer në Vlorë po prodhojnë logot dhe orendi të tjera me stemën e vitit jubilar dhe tregu shtrihet nga Shqipëria e deri në Brazil” – shpjegon Ndrevataj.

Znj. Aida, kur nisi kjo iniciativë?

Iniciativa jonë nisi që në dhjetor të vitit 2005 dhe përfaqëson një nga objektivat e arrirë për mikro-sipërmarrjen femërore në Shqipëri. Ky fakt është vlerësuar nga një sërë indikatorësh vendas dhe të huaj, edhe pse është një iniciativë vullnetare në shërbim të gruas dhe për punësimin e saj.

Si ju lindi ideja?

Në fakt, kjo nisi si dëshirë për mbështetjen ndaj grupeve të mikro-sipërmarrjes femërore, të specializuar në punëtorinë artizanale për artikuj tekstil ku përfshihen qëndisja, thurja, qepja, etj. Gjithashtu dhe të biankerisë për shtëpinë. Ideja ishte të themelohej një agjenci koordinimi dhe meqë ligjërisht nuk ekzistonte një formë tjetër ligjore përveç biznesit të madh, u mendua të bashkoheshim. Në të vërtetë “Rozafa” është dhe funksionon si iniciativë sociale, ku qëllimi është puna me një target grup nga shtresat në nevojë, zhvillimi i aktiviteteve të artizanatit, pa qellim fitimi. Kjo sepse të ardhurat e përfituara nga aktiviteti i tregtimit përbëjnë një fond investimi, të finalizuara sipas qëllimeve të vet sipërmarrjes së grave, siç janë formimi dhe rritja e cilësisë së punës, të cilat mund t’u adresohen nevojave të reja, të lindura nga studimi konstant i kontekstit social, në lidhje me gjendjen e gruas.

Sa femra janë të punësuara dhe a janë të gjitha profesioniste të artizanatit?

Rreth 240 gra janë trajnuar e punësuar gjatë tre viteve të fundit dhe kjo është mbështetur edhe nga faktori italian. Aktualisht janë të përfshira 93 gra të shpërndara në 13 qendra artizane të profileve të ndryshme të artizanatit kryesisht në produktet tekstile. Gratë janë trajnuar nga specialistë të shkollës së qëndisjes nga Milano me trajnime të njëpasnjëshme të shpërndara në kohë për zhvillimin e kapaciteteve prodhuese dhe zhvillimin e cilësisë së produktit të përfunduar.

Nga çfare shtresash vijnë të punësuarat?

Në fillesat e saj, iniciativa jonë kishte për qëllim krijimin e qendrave të mikrosipërmarrjes femërore në zona të ndryshme nga veriu në jug. Kryesisht nga Rrësheni dhe Shkodra e deri në Fier e Vlorë. E gjitha kjo, duke përfshirë gra të ardhura nga zona të ndryshme të veriut me nevoja social-ekonomike të theksuara. Për shembull, nga familje me asistencë sociale, të veja, të pa-arsimuara, nga mosha 18-55 vjeç, gra të prekura nga gjakmarrja etj. Një pjesë e mirë e grave që kanë qenë dhe janë pjesëmarrëse ende, janë ato që vijnë nga qendra të vendosura në zonat periferike të Tiranës apo zonat rurale në qytetet tjera në veri apo jug.

A mund të na tregoni për një produkt të veçantë që këto gra kanë arritur të realizojnë? Produkte të veçanta janë produktet e krijuara pas riciklimit të materialeve me ndërthurjen e motiveve dhe teknikave tradicionale shqiptare. Këto produkte, të kësaj linje pra të mbështetur në riciklim materialesh, kanë siguruar direkt një treg në Francë dhe deri në Amerikë e Brazil. Megjithatë, të ardhurat nga ky treg rivihen në dispozicion të këtij biznesi social duke u përdorur për blerjen e lëndës së parë si dhe për ri-investim.

Cili është vlerësimi që mendoni se i bën të lumtura gratë që punojnë?

Vlerësimi më i madh që na bën krenare është kur konsulentja jonë italiane në bashkëpunim me klientët italianë, konstatuan se produktet tona qëndronin po aq lart sa edhe produktet “Made in Italy” të së njëjtës kategori.

Nuk kemi kërkuar dhe as kemi pasur vizitën e ndonjë qeveritari, por mund të theksoj atë të ambasadorit italian si dhe qeveritarë nga Bashki të Italisë. Këto vizita kryesisht u janë bërë blerësve të punës së këtyre 240 grave ndër vite.

Si po prodhohet seria me logon e Pavarësisë së vendit

Kur e pyesim nëse këto gra je kanë të fokusuar punën e tyre në vitin jubilar, znj. Ndrevataj na përgjigjet se “puna jonë nuk mund të linte pa përfshirë edhe ngjarjen e 100-vjetorit duke qenë një rast i mire për promovimin e vlerave të artizanatit të traditave vendase dhe punës së grave me vështirësi ekonomike por me dëshirën e mirë për t’u angazhuar e për të dhënë diçka”. Sipas saj, gratë e punësuar në sipërmarrjen e iniciuar nga vetë ata, kanë krijuar një koleksion me logon e 100-vjetorit që konsiston në shalle të trikotuar, të qëndisur me logon e aprovuar të Shtetit Shqiptar, si dhe qeleshe dhe papuçe të personalizuara gjithashtu me logon e 100 vjetorit. Sipas saj, pjesëmarrja nëpër panaire është pjesë e punës së tyre. Panairet janë si lokale, ashtu dhe të huaja. “Panair lokal është kryesisht Panairi Kombëtar i Artizanatit që mbahet çdo fund shtatori në Gjirokastër dhe panairet të kohës para Vitit të Ri” – shprehet Ndrevataj. Sipas saj, punimet e këtyre grave shqiptare me vështirësi ekonomike kanë marrë pjesë në panairet e huaja përmes produkteve për shtëpinë, në Firence apo Milano.

Artizanati shqiptar i preferuar kryesisht në Evropë

Arritja kryesore është bashkimi i grave në këto sipërmarrje, ndërsa tregu i produkteve me simbolet tona etnografike është i preferuari i Perëndimit

Iniciativa e këtyre grave të varfra tashmë e organizuar, funksionon si një ndërmjetës mes qendrave të mikro-sipërmarrjes femërore dhe klientëve kryesisht të huaj. Nisur nga ky arsyetim qendrat në një farë mënyre janë të shkëputura nga drejtuesit dhe funksionojnë si biznese të vogla në shumicën e rasteve të themeluara tashmë, por ka edhe nga ato raste ku akoma nuk janë themeluar si biznese të vogla me qëllim garantimin e një page për gratë e prekura nga varfëria apo problemet e tjera sociale. Këto qendra akoma të vogla për t’u themeluar kanë themeluar një formë biznes të vogël social të përbashkët dhe kjo është një arritje për vetë faktin e bashkëpunimit të femrës shqiptare.

Tregu i produkteve të artizanatit mbetet i vështirë për vet nga natyra e tij, edhe pse janë produkte të një cilësie të lartë dhe një proces pune i shtrenjtë. Tregu lokal akoma ka vështirësi për thithjen e këtij produkti. Tregu kryesisht është në Evropë.

/Gazeta Shekulli/ Ardit Rada/
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi