Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Tefta Tashko Koço dhe “Miti i sopranos” Empty Tefta Tashko Koço dhe “Miti i sopranos”

Mon 29 Oct 2012 - 14:11
Tefta Tashko Koço dhe “Miti i sopranos” Tefta-tashkoMonografia për Tefta Tashko Koçon zbërthen detajet reale që çuan në krijimin e këtij miti. Atë realitet që krijoi vajzën, gruan, artisten, nënën, por dhe të panjohurën rreth momenteve të fundit të jetës së saj.

Nga: Mikaela Minga - muzikologe

Në kuadrin e botimeve muzikologjike të paktë kanë qenë librat monografikë që kanë mundur t’i ikin formatit gazetaresk, me kujtime apo përvoja personale dhe të ndërtojnë mbi bazën e kërkimeve, shfrytëzimit të dokumentacionit konkret, profilin e një artisti shqiptar.

Duke lexuar librin e Pandi Bellos, “Tefta Tashko Koço – Miti i sopranos”, një gjë e tillë bie qartë në sy që në faqet e para. Sigurisht, bëhet fjalë për një studiues të njohur për kontributet e tij që prej fundit të viteve ’70; një muzikolog që i ka studiuar nga afër shumë fenomene të muzikës shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX dhe jo vetëm. Veç kësaj, do shtoja, edhe një drejtues i suksesshëm dhe kohëgjatë i shkollës së muzikës që mban emrin e saj. Megjithatë nga ana tjetër qëndron këngëtarja e madhe: një figurë e dashur, e adhuruar, e vlerësuar gjerësisht.

Tefta Tashko Koço thënë thjesht, gëzon respektin dhe dashurinë e të gjithëve sepse bashkon këngëtaren e përmasave elitare, me artisten “popullore” dhe këtu e kam fjalën për afrimitetin e saj jo vetëm mes një rrethi të ngushtë muzikantësh, por mes gjithë publikut shqiptar.
Për të është folur dhe është shkruar gjatë. Të sjellësh një monografi të kësaj artisteje kërkon jo vetëm një pozicionim të caktuar, por edhe një reflektim për atë çfarë është shkruar më parë.
Autori, i ndërgjegjshëm për këtë, e paraqet reflektimin e tij që në titull: Tefta Tashko Koço – Miti i sopranos, duke na lënë të kuptojmë që libri do të përqendrohet sa në anën biografike të artistes, aq edhe në përgjithësimin estetik për personalitetin shumëplanësh të saj. Studiuesit e miteve e dinë shumë mirë që shpeshherë këto të fundit i largohen realitetit dhe të vërtetave të tij e të mjegullohen aq shumë sa edhe të krijojnë kontradikta me të vërtetat reale.
Ndonëse kjo nuk ka ndodhur në rastin e Tefta Tashko Koços, megjithatë, edhe kësaj here disa të vërteta janë “mjegulluar” me kalimin e kohës, ose deformuar në kuadër të një ideologjie të caktuar. Fjala vjen, janë të njohura detaje nga shkollimi i saj në Francë, por asnjëherë nuk është parë në tërësi përvoja e saj formuese si një soprano lirike, por edhe si këngëtarja e parë shqiptare që paraprin traditën e muzikës së lehtë në Shqipëri.

Nga ana tjetër, është e njohur Tefta Tashko e koncerteve, po nuk është parë me vështrim kritik, sesi e ushtroi ajo karrierën e saj në kuadër të një realiteti artistik që i ofroi vetëm kushtet minimale. Mbi të gjitha, trajtimi i figurës së Tefta Tashko Koços pas vdekjes ka qenë gjithmonë i shoqëruar me një lloj letargjie, që thyhej vetëm në bisedat e muzikantëve të afërt me të.
Pandi Bello përqendrohet në të gjitha këto aspekte dhe i trajton në detaj, duke nxjerrë në pah në disa raste të vërteta që ndoshta edhe nuk do na pëlqente t’i dëgjonim. Kontributi i artistes në historinë e kulturës shqiptare është për autorin polivalent, ndaj dhe ai i mëshon fort studimit të saj në mënyrë serioze dhe të gjithanshme.
Monografia për Tefta Tashko Koçon zbërthen detajet reale që çuan në krijimin e këtij miti; atë realitet që krijoi vajzën, gruan, artisten, nënën dhe më në fund, mitin vetë. Ai e fillon në mënyrë kronologjike, nga streha familjare e familjes Tashko (kontributi i së cilës në historinë dhe kulturën shqiptare mbetet ende i pazbuluar) dhe gjithashtu qyteti që e rriti, atmosfera e veçantë korçare në gjysmën e parë të shekullit XX. Më pas përqendrohet në formimin dhe karrierën e këngëtares në Francë, Itali dhe kthimin e saj në Shqipëri.

Paralel me këto, libri flet edhe për jetën personale të këngëtares dhe lidhjen e saj me Kristo Koçon. Në katër kapitujt e fundit, libri trajton një periudhë pak të njohur të këngëtares: momentet e fundit, vdekja e saj dhe pas kësaj qëndrimet e tipit “shpërfill-përfill” gjatë periudhës totalitare. I veçantë gjithashtu në këtë pjesë është edhe kapitulli që flet për kontaktin e Tefta Tashkos me këngët shqiptare, përzgjedhjet që ajo iu bëri këtyre këngëve për t’i futur në repertorin e saj dhe bashkëpunimi që pati me disa prej kompozitorëve të asaj periudhe si Kristo Kono, Eftim Kovaçi, Baki Kongoli, etj. Të gjitha këto këngë, që përfshinë stile dhe krahina të ndryshme të vendit u bënë familjare me njerëzit dhe hodhën bazat e këngës së kultivuar shqiptare.
Ky libër është një kontribut në studimet muzikologjike shqiptare, sepse e sjell këtë artiste në një kontekst bashkëkohor studimi dhe leximi, në një kohë kur mënyra e vlerësimit të figurave të kulturës shqiptare ka shumë nevoje për trajtime të thelluara, jashtë formateve gazetareske apo artikujve përkujtimorë.
Për nga stili i shkrimit ai mund t’u rekomandohet të gjithë lexuesve muzikdashës, por në mënyrë të veçantë shpresoj që më të interesuarit të jenë këngëtarët shqiptarë. Në kuadrin “as mish as peshk” të muzikës shqiptare, artisteve lirike iu duhet të trokasin në dyert e teatrove europiane për të realizuar ëndrrat e tyre. Por edhe ato të këngës së lehtë, nuk janë në gjendje më të mirë kur sheh që pjesa më e madhe nuk e gjejnë dot vetveten jashtë studiove që “prodhojnë” këngë dhe jashtë imitimit të zërave të njohur të botës pop.
Leximi i këtij libri në mos një formë reagimi, besoj se do të ishte një reflektim për vetveten; një respekt dhe një dashuri më e madhe për zërin që kanë dhe për atë çfarë ai përfaqëson realisht përballë mikrofonit dhe publikut.

“Kanë kaluar 65 vjet që kur Tefta iu largua kësaj bote, shprehet Pandi Belloja, por ajo rikthehet sa herë flitet për të nga ata që e njohin dhe vlerësojnë”, sepse është dhe do të mbetet “një vlerë e patjetërsueshme e kulturës shqiptare”.
Calypso
Calypso
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 36630
<b>Hobi</b> Hobi : shkrimi
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : ne hapat e jetes
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 21/05/2011

Tefta Tashko Koço dhe “Miti i sopranos” Empty Re: Tefta Tashko Koço dhe “Miti i sopranos”

Mon 29 Oct 2012 - 14:29
Familja dhe jeta, një evokim nga Eno Koço dhe letërkëmbimi i panjohur i të dashuruarve Tefta Tashko e Kristaq Koço

Eno Koço
Prej disa kohësh, dirigjenti Eno Koço, bir arti, ka nisur të hedhë në letër kujtimet, mbresat, informacionet e gjithë sa ka dëgjuar e gjithë sa ndien në lidhje me prindërit e tij, këngëtarët e njohur Tefta Tashko Koço e Kristaq Koço.


Tefta Tashko Koço dhe “Miti i sopranos” 39718_419315377209_4871494_n
TEFTA TASHKO E KRISTAQ KOÇO

Nëna ime u lind pikërisht në Fajum, më 2 nëntor 1910. I vunë emrin Tefta. Deri në 11 vjeç Tefta në shtëpi fliste shqip dhe jashtë saj arabisht. Në shtëpinë e tyre mësohej edhe shqipja e shkruar dhe kur pas vdekjes së të atit, më 1915-n që familja u kthye për të jetuar në Korçë më 1921, Teftën e regjistruan në Shkollën Qytetëse të Vashavet. Ajo e gjeti jetën e Korçës mjaft të gjallë krahasuar me atë të Fajumit. Vetëm një vit pas mbërritjes nga Egjipti, më 1922, Tefta do të këndonte në kor, kur për herë të parë do të ekzekutohej në Korçë me kor e orkestër “Aleluja” e Hendelit nën drejtimin e Thoma Nasit. Një tjetër impuls për të ardhmen artistike të saj në vitet 1920 luajti Liceu Francez i Korçës, themeluar më 1917-n. Liceu bëri që kultura franceze të depërtonte ndjeshëm te korçarët dhe një pjesë e mirë e mësuesve francezë të kësaj shkolle, të cilët luanin në instrumente muzikorë klasikë, u integruan më së miri dhe ishin aktivë në jetën muzikore të Korçës. Xavier de Courville, drejtori teknik i liceut, bashkë me të shoqen i ofruan Teftës mbështetjen e tyre pas kthimit të saj nga Franca, që karriera e saj t’i ecte mbarë në Shqipëri. Por miqësia më e mirë dhe më frytdhënëse në fushë të profesionit ishte ajo me pianistin Jacques Wincler, i cili u bë dhe shoqëruesi i saj në koncertet e organizuara në Korçë. Përgjithësisht klima e gjallë artistike e viteve 1920 në Korçë jo vetëm e fokusuan edhe më shumë mendjen e Teftës drejt perspektivës së të kënduarit, por u bënë një trampolinë e përshtatshme për lëvizjen e saj bashkë me të tjerë pjesëtarë të familjes drejt Francës. Qëndroi në Francë për nëntë vjet me radhë, ku bëri shkollën e mesme dhe të lartë, të mesmen në Montpellier dhe të lartën në Paris. Gjatë gjithë kësaj periudhe ajo jetoi me të ëmën, të vëllanë e saj, Lekon dhe motrën, Katinën. Edhe me vëllain tjetër Gaqon, kontaktet ishin të vazhdueshme.


Nga periudha 1939–1940 kam në arkivin tim një letërkëmbim midis nënës dhe babait, i cili është një nga gjërat më të çmuara që ruaj sot, sepse i referohet pikërisht moshës së dashurisë së tyre me njëri-tjetrin. Janë dyzetenjë letra të shkruara nga të dyja palët. Më vjen vërtet keq, ndoshta më tepër sot se sa më parë, se si nuk pata fatin që dhe unë t’i njihja e t’i kuptoja prindërit e mi, ashtu siç e kanë atë fat shumica e njerëzve të tjerë. Pothuajse të gjithë informacionin që kam disponuar mbi ta, atë të shkruar, të regjistruar në disqe apo dhe atë gojor, ua kam transmetuar njerëzve që kanë qenë të interesuar të dinë diçka apo të shkruajnë rreth prindërve të mi. Sa i përket letërkëmbimit, i cili bëhej tre vjet para se të lindja unë, ai është pak i njohur, në mos fare i panjohur për këdo. Kjo për arsyen se më është dukur shumë intim, shumë emotiv, i mbushur me emfaza të forta dashurore. Sigurisht, në ato letra flitet edhe për ngjarjet e zakonshme të ditës, për problemet e punës dhe të karrierës kur herë njëri e herë tjetri ankohen për ndonjë përplasje mes kolegësh ashtu siç i ndodh cilitdo nga neve sot (gjatë periudhës së karrierës artistike ndjesitë e muzikantëve bëhen edhe më të brishta). Megjithatë, ajo që dominon në masën më të madhe të kësaj korrespondence është dashuria për njëri-tjetrin, mënyra e çiltër dhe ngrohtësia e komunikimit. Duke e vëzhguar me kujdes kaligrafinë e tyre gjithmonë më kanë bërë përshtypje veçoritë individuale të secilit, ndoshta dhe identiteti i secilit, si dhe mjaft nuanca të tjera që gjithnjë më është dukur se vetëm unë mund t’i përftoja këto ndjesi. Nuk duhet harruar se të dy u lindën dhe u rritën jashtë Shqipërisë dhe shkrimi shqip, shprehjet shqip, të menduarit në shqip të tyre, janë ato që mua më kanë bërë më shumë përshtypje. Nuk mund të them që shqipja e tyre është e kulluar, por duke menduar se kishin jetuar shumë më shumë jashtë Shqipërisë se sa në Shqipëri, të shprehurit me aq sinqeritet në shqip më bën të mendoj se në të gjitha rrethanat jetësore e kanë ndier veten para së gjithash shqiptarë. Gjithnjë e më tepër vlerësoj se kam pasur prindër të dashur, të kultivuar, të edukuar e arsimuar mirë, intelektualë të qenësishëm. Me kalimin e moshës, respekti ndaj tyre më shtohet, ndihem mirë si bir’ i tyre dhe ende e ndiej mangësinë që nuk kam mundur t’i njoh për së gjalli.

Tiranë 27/IV/1940
Shpirtit tem,

Letra jote e sotme më gëzoi me një mënyrë të veçantë. Ti, si çdo njeri tjetër, ke momente entuziazmi më të ëmbla se të tjerat dhe këtë entuziazëm ma komunikon dhe mua në një mënyrë të patregueshme.
Unë këto momente - edhe sikur të më ketë njarë nonjë gjë e papëlqyeshme e harroj përnjëherish. Kjo tregon edhe një herë se ti je i vetmi person që më mban me jetë e me shpirt.
Edhe unë - jo si mirënjohje por si detyrë - do të mundohem më sa është e mundur që tërë jetën të të bëj të lumtur...
Po ti shpirt e di që janë Pashkët dhe në ç’mënyrë do t’i festosh? Unë do t’i festoj duke të kënduar ty - d.m.th. që doemos do i festoj meqë gjithmonë të kujtoj...

Të puth me shpirt e me mall, e jotja Tefta



Milano 28/IV/1940
E vockla ime Tefkë,

Sot është dita e parë e Pashkës, dhe në këto raste gjith se cili dëshëron të jetë pranë familjes të tij-
Familja ime -je ti-
Me gjith se dëshira ime është e madhe të të shof - dhe jo vetëm në të këtilla festa të gjendem pranë teje, por zakonisht në të këtilla raste mblidhen familjet-
Unë nuk kam posibilitet të jem pranë teje (tashi) por me gjith këtë, do ta festoj ditën e sotme bashkë me letrën tënde të dashur që e mora sot-
Festat tona të vërteta do të jenë pak më von kur do tij festojmë vetëm neve të dy-
Do të festojmë dashurinë tonë të fortë, do të festojmë lumturinë tonë të vërtetë-
Nuk ësht ashtu shpirt?
A mund të ndjej unë kënaqësi në çdo festë po s’qenke tinë pranë meje? Jo! Festa ime është at-here kur kam Tefkën pranë meje.
Dije mora një letër prej disa kushërinjve të mi prej Bukureshtit.
Ta dish tinë shpirt, sa u gëzuan për bashkimin tonë- por me qenë se e muarën vesh vonë prandaj më shkruan tashi...
Dëshirojnë shumë të të njojnë- pse për të dëgjuar kanë dëgjuar prej gazetat emrin tënd-
Tinë shpirt si je me shëndetin?
Më shkruan se mamaja është skandalizuar pse nuk vete në kishë? Tashi është skandalizuar pse janë festat më me rëndësi (E premte e zezë! E shtunë e madhe!! Etc, etc)
Duhet ta bindësh që tashi për çështjen tonë e kishës- e dij se dëshira e ç’do nëne është të shikojë çupën përpara alltarit me psiftra, me kallaballëk etc. Por tërë këto janë arxhe të kota- Nejse këto i fjalosim edhe kur të vij unë. Tashi të lë duke i transmetuar mamasë i puth dorën, vëllezërit përqafime dhe tynë bubkë, të puth me tërë shpirtin tim.

Joti Kristaq

KRISTAQ KOÇO

Ndër ato që kanë mbetur
me shkrim, përveç
kritikave muzikore
mbi koncertet e tij,
letërkëmbimi me Teftën
në prag të martesës
është ndoshta aspekti
më i ndjeshëm i Kristos,
gjë që mund të përftohet
edhe sot

TEFTA TASHKO KOÇO

Të qenët tërheqëse
padyshim krijon dhe
xhelozi dhe ndaj saj
ka pasur gjithmonë
interpretime... Të
qenët në vëmendje të
publikut, nuk kish se si
të mos thureshin rreth
saj episode jetësore
emocionale

TË TJERËT

Pasionantët donin që
ajo patjetër të implikohej
me ndonjë histori
dashurie, kështu nuk do
të mjaftonin vetëm zëri
dhe pamja për të qenë
tërheqëse, por edhe
ndonjë episod romantik
me ndonjë djalë dhe
atëherë portreti i artistes
bëhej dhe më i “plotë”
Calypso
Calypso
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 36630
<b>Hobi</b> Hobi : shkrimi
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : ne hapat e jetes
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 21/05/2011

Tefta Tashko Koço dhe “Miti i sopranos” Empty Re: Tefta Tashko Koço dhe “Miti i sopranos”

Mon 29 Oct 2012 - 14:30
Tefta Tashko Koço dhe “Miti i sopranos” 39216_419314932209_3977144_n

Tefta Tashko Koço dhe “Miti i sopranos” Tefta-Tashko-Koco-bilbili

Tefta Tashko Koço dhe “Miti i sopranos” Tefta-Tashko-Koco-1-300x229
Sponsored content

Tefta Tashko Koço dhe “Miti i sopranos” Empty Re: Tefta Tashko Koço dhe “Miti i sopranos”

Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi