Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Njera Si Asnjera
Njera Si Asnjera
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
 <b>Mosha</b> Mosha : 32
<b>Postime</b> Postime : 30454
<b>Hobi</b> Hobi : Te realizoj enderrat e mija
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Ne Gjakun e zemres te Mamit
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 30/01/2012

Një altar me 100 poezi Empty Një altar me 100 poezi

Fri 16 Nov 2012 - 12:45
Doli njëkohësisht në Republikën e Shqipërisë dhe atë të Kosovës antologjia “Muza e Mëmëdheut” me 100 poezi nga 100 poetë, të përzgjedhur nga të gjitha trevat shqiptare, kushtuar Atdheut.
Doli njëkohësisht në Republikën e Shqipërisë dhe atë të Kosovës antologjia “Muza e Mëmëdheut” me 100 poezi nga 100 poetë, të përzgjedhur nga të gjitha trevat shqiptare, kushtuar Atdheut.

Autor i antologjisë është studiuesi i letërsisë shqiptare, poeti dhe kritiku Agim Vinca. Botimi ndërkaq ruan simbolikën e bashkëpunimit, janë dy shtëpi botuese, një në Tiranë “Uegen” dhe tjera në Prishtinë “Artini” që i dhurojnë lexuesit këtë vepër të munguar me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarsisë dhe të shtetit modern shqiptar.

Antologjia ka një hyrje nga përgatitësi i saj, Profesor Agim Vinca dhe një pasthënie nga shkrimtari Visar Zhiti.
Një altar me 100 poezi Xaa60bf3dba7b06bf9bbc06ae7996d676_M.jpg.pagespeed.ic.UqjpT4a2Mn

NJË ALTAR ME 100 POEZI
Nga Visar ZHITI

Qysh në krye dua të them se Antologjia për Atdheun është si një altar...

Në hershmërinë e tyre altarët ishin prej guri, pranë ujërave e pyjeve nën qiellin e hapur, por dhe në shpella, të nëndheshëm dhe të fshehtë dhe shpesh jo të bërë nga njeriu, por njeriu linte aty dhuratat për perënditë, ushqimin e tyre. Më pas u kalua te tryezat e praruara të katedraleve nëpër metropolet moderne.

Flijimet e dikurshme i shërbejnë të sotmes dhe sakrificat e sotme i shërbejnë të ardhmes, por çuditërisht edhe të shkuarës, se ne, teksa përgatisim ardhmërinë, ribëjmë dhe lashtësinë tonë, gjithçka në dobi të jetës.

Përkushtime pa fund, martirizime të njohura e të panjohura janë bërë për ty dhe në qoftë se dhe ti di të përkushtohesh, do të kuptosh më mirë veten dhe kohën dhe do të kenë kuptim e arsye puna, krijimi, ndërsa gëzimi i tyre do të jetë i shumëfishtë.

Altari më i bukur ku gjejmë ushqim shpirtëror, është Poezia, i padukshëm dhe i gjithkundshëm, i parrënueshëm, ku blatohen ndjenja, vizione, ide, nëpërmjet Fjalës, që është dhe lëndë, histori dhe arkeologji e mendimit, mbartëse e përvojave jetësore, identitet, kujtesë e mrekullueshme e botës. Vjen nga mijëvjeçarët dhe do të shkojë nëpër mijëvjeçarë, e shpikur nga populli i pafundmë, nga të shumtët që s’janë më, prandaj ka dhe peshën e shenjtë të amanetit.

Janë vrarë për Fjalën. E dëshmon libri. E para është Fjala. Dhe e fundit, nëse ka fund.

* * *
... kemi ndër duar tashmë një copë nga Altari i Atdheut, nga ai i Fjalës, një antologji poetike, të ideuar dhe qëmtuar me dashuri e përkushtim nga poeti, studiues i letërsisë shqipe ndërkohë, ligjërues i saj dhe kritik letrar me përvojë, profesor Agim Vinca.
100 poezi nga 100 autorë në 100 vjetorin e shpalljes së pavarsisë së shtetit modern shqiptar. Që derdhin të nxehtë këtë magmë, e cila formëzohet në reliev monumental. Shpaloset kjo arritje e epërme si dëshirë perëndish e përpjekje titanike e një populli. Jepet rrugëtimi dhe qëndresa ndaj sulmeve dhe prapshtive të fuqive të mëdha, betejat shekullore, fitorja, ajo lumturi që përftohet nga të paturit atdhe, prajshmëria e peizazhit të tij, që sikur del nga brendësia e njerëzve të saj dhe po ashtu futet brenda shpirtit të tyre, me një diell tëndin e hënë tënden, me malet dhe detet, me krenarinë dhe bujarinë, lumenjtë dhe gjakun, me plagomat, copërlimin, heronjtë, të vrarët, me zërat dhe shpresat dhe flatra ëndrrash që përshfaqen gjithandej.

Dashuria për atdheun nuk është as arkaike, as pengesë në kohët moderne. Përkundrazi. Kur do atdheun tënd, kupton dhe atdheun e tjetrit dhe kjo dashuri nuk duhet të jetë në dëm të (at)dherave të tjerë. Harta e dashurisë kështu bëhet e gjithë bota.

Jetojmë në kohën e hapjes së kufijve, të bashkimeve të mëdha, globalizmit, bashkëveprimit ndërkulturor, të qytetarit të botës, por natyrisht ai që do botën, s’ka si të mos të dojë dhe një copëz të saj, ku deshi fati të lindë, atje “ku më ka rënurë koka”. Që është mes universit, i pamohueshëm dot, gjithmonë më joshësi.

Kompleksi i truallit të lindjes njihet si më interesanti dhe i fortë përherë. Vendi ku hedh të parat hapa, mbetet më i dashuri, paraprirës i rrugës së jetës, i kërshërive dhe i zbulimeve. Vendlindja të ndjek nga pas, kudo që të shkosh.

Tema e Atdheut, e atdhedashurisë, e veçanta e këtij atdheu janë pra materia e kësaj antologjie. Si e kemi ribërë atdheun dhe si na ka ribërë dhe, kur kemi humbur, si e kemi futur qysh herët në vegimet dhe fantazitë tona ashtu si fusnim në sëndyqet e nuseve pajën, siç fshihnim në murin e kullave tona – pushkën. Çështja e tij nuk është vetëm hipotekim trualli, por edhe gjaku, shpirti dhe përvoje kolektive, i porosive të brezave që flasin të njëjtën gjuhë, nën yjet e tyre dhe stinët e tyre, me florën dhe faunën, së cilës i kanë marrë dhe dhënë nga vetja, një sinergji e mpleksur sa nuk kuptohet ku fillon njëra dhe ku mbaron tjetra.

Antologjia e Agim Vincës është dhe antologjia e vendlindjeve, të një pllaje, shtëpie a lisi të atyre që flasin një gjuhë, që janë bashkë e duhet të jenë kështu, por padrejtësitë historike i kanë ndarë dramatikisht.

Kjo është dhe antologjia e strategjisë së kundërndarjes, e bashkimit duke na bindur se njënjëshmëria shpirtërore, megjithë prerjet dhe frakturat, nuk është shprishur. Altari i fshehtë i saj ka patur fshehtas blatime të perëndishme. Themelet e tij janë dhe mbeten të përbashkët, nëndhé, prej eshtrash të të rënëve tanë.

Janë botuar dhe do të botohen antologji nga poezia shqipe, me kritere të llojllojshme sipas përvojave botërore, por kjo që na sjell Agim Vinca është parakja, e duhur dhe e shumëpritur, me rëndësi të gjithanshme, përtej letrares. Kulturat e tjera të mëdha e kanë kryer dhe u janë sulur temave të tjera, nga më befasueset, por temës së dashurisë dhe të atdheut i kthehen herë pas here.

Erdhi kur shqiptarët tashmë kanë dy shtete në Ballkan, dy republika dhe komunikimi midis pjesëve dhe diasporës edhe përtej oqeanit është i lirë dhe i mundshëm më mirë se kurrë.

Antologjia i ngjan një bible dhe eposi njëkohësisht, një shumësie të madhe zërash e shpirtrash, të folmesh arbërore dhe bëmash, që vijnë nga të gjitha anët, nga larg dhe afër, megjithëse në atdhe asgjë nuk është dhe nuk duhet të jetë e largët, nga të gjitha qendrat dhe secila bëhet qendër në këtë antologji, janë grumbulluar të njohur, me fame edhe përtej atdheut, emblematikë, të pavdekshëm, më pak të njohur, të beftë, të panjohur, të rizbuluar, bashkohen këtu dhe krijojnë mozaikun shekullor, të pritur aq gjatë.
Kushtrime të hershme si të luftëtarëve, si ai i Pashko Vasës, me të cilin autori çel antologjinë dhe kalohet tek ortekët e Fishtës, më pas tek parajsa e atdhedashurisë naimiane, ku është dhe Lasgushi qiellor, shkohet në bregun tjetër deradian, që ka po aq afër sa atdheun dhe Europën. Asdreni sjell himnin, kurse Ernest Koliqi detyrohet të ikë duke e marrë me vete atdheun. Edhe Camaj po kështu, kurse Mitrush Kuteli bëhet njësh me baltën e tij. Nga gjysma e prerë e atdheut, matanë telave me gjemba të kufirit shtetëror, si një kundërmallkim shpërthen Mekuli, “bir besnik dhe poet” i popullit të vet, e do të arrihen kulme me të tjerë, kujtojmë këtu njërin, Podrimjen e porsashuar, i cili ishte dhe hartues antologjish, mes të cilave dhe ato me temën e Kosovës dhe të Çamërisë, si dhe emra të tjerë, por shohim se mungon dhe poezia e autorit të kësaj antologjie, Agim Vincës, megjithëse tani ai sikur është i shpërndarë kudo nëpër të përzgjedhurit e tij.

Vazhdojmë ta shfletojmë shekullin e poezive. Ja, buçet kori i poetëve fitimtarëve të dalë nga lufta e fundit botërore, e sistemit internacionalist dhe më të mbyllurit ndërkohë, i utopisë sociale dhe i poezisë pa mister, kur prapë është e pamundur të tretet atdheu, shfaqet ai kështjellor, pas mjegullave.

Ndërsa nga nëntoka, si nga ferri vijnë fantazmat e poezive të dënuara, që atdheu të mos jetë burg, që të paktën dashuria për të, të mos bëhet “Saharë”. “Të dua, Shqipëri” është një poezi e Kudret Kokoshit në fletoret e pakalbura të burgjeve, që e dinin përmendsh shumë bashkëvuajtës të tij.

Duke iu afruar shekullit të ri dhe mijëvjeçarit të ri, shtohen zërat e grave e vajzave poete, siç nuk kanë qenë kurrë më parë dhe mëmëdheu sikur bëhet më i ëndërrt. Është e vetmja gjuha shqipe që i ka të dy emërtimet: Atdhe dhe Mëmëdhe dhe duket sikur ka parandjerë se nuk mjaftonte vetëm njëri.

Tema e atdheut gjithsesi është tek çdo poet, qoftë dhe jo e drejtpërdrejtë e sido që të ketë qenë fati i tyre dhe njohja, s’mund të gjenin vend të gjithë në këtë antologji, janë grumbulluar vetëm 100 poezi sipas vizionit të hartuesit të saj, megjithë dëshirën tonë për të patur të tjerë. Paradoksalisht antologjitë janë dhe antologji të mungesave.

Dua të kujtoj se sa me ashk i ka kënduar Bregut të vendlindjes shkrimtari themeltar Petro Marko, po kështu dhe Arshi Pipa Kosovës, pra atdheut të dy. I pari vinte nga lufta e Spanjës dhe nga burgjet nëpër Europë për ta burgosur dhe në atdhe, ndërsa i dyti, me besim të kundërt, nga burgjet e atdheut arratiset nëpër botë e bëhet professor në SHBA. Me besime të kundërta, i bashkon poezia e dashurisë për vendin. Poezia për Atdheun nuk mbaron, nuk ka kahe dhe nuk është prone e askujt, por e lexuesve pa mbarim. Si altari ku gjejmë ushqim shpirtëror. Prandaj ne duhet t’i jemi mirënjohës punës dhe mundit të Profesor Agim Vincës, nismës së tij për të ngritur këtë altar, pasionit, durimit dhe arritjes. Është e para...

Brenda saj është dhe thirrja që t’i kthehemi Shqipërisë, më me përdëllim e punë e më me mençuri, të denjë e seriozë e më me dashuri e përunjësi. Ja si lutej shenjtorja jonë Nënë Tereza, fjalët e saj kumbojnë në altar si poezi:

Dua të kthehem në Shqipëri.../ Ta dimë, secili nga ne është krijuar/ për të bërë vepra të mëdha... /Gjithmonë e kam në zemër/ popullin tim shqiptar./ Shumë luti Zotin që paqja e Tij/ të vijë në zemrat tona...

Në fund të fundit Atdheu është Altari më i madh, i pakohë ose i gjithkohshëm dhe ne jemi brenda tij edhe ai është i tërë brenda nesh.

* * *
Ditën kur themeluesi i shtetit modern shqiptar Ismail Qemali do të ngrinte në Vlorë Flamurin Kombëtar dhe Shqipëria do të shpallej e pavarur pas shekujsh robërie, do të mbërrinte nga Kosova, hipur mbi një nga kuajt e historisë, luftëtari dhe strategu Isa Boletini. Leshrat e tij dhe jelet e kalit ishin të përzhitura nga baroti. Ra më gjunjë emblematikisht dhe puthi Flamurin.

Edhe kjo antologji është si një lloj rënieje më gjunjë, gjithë hijeshi dhe krenari, para altarit të Atdheut nën flatrat gjithë puthje të shqiponjës metaforike. Dhe duhet të besojmë se atë që zgjodhi këto poezi, pse jo, e zgjodhi dhe Atdheu të na i sillte nga andej...

Visar ZHITI
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi