Mësuesit e fshatrave ngurrojnë të flasin për seksin në shkolla
Sat 17 Nov 2012 - 1:16
Elsiona Agolli: “Seksi, ende tabu në zonat rurale. Mësuesit nuk ua shpjegojnë dot nxënësve se si të mbrohen nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme”
Mësuesit nëpër fshatra e kanë të vështirë t’u flasin nxënësve për sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe si të mbrohen prej tyre. Duket një situatë e pandryshueshme edhe pas dy viteve trajnim që u janë bërë mësuesve për të përcjellë tek nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, mënyrat e mbrojtjes nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, shtatzënitë e padëshiruara apo abortet. Në një intervistë për Gazetën “Shekulli”, specialistja e Programit për Rininë dhe Çështjet Gjinore, pranë Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, Elsiona Agolli, na shpjegon për zbatimin e projektit nëpër shkollat e vendit. Ajo na vë në dukje problemin e shfaqur nëpër shkollat e zonave rurale, ku nxënësit dhe mësuesit e kanë të vështirë bashkëbisedimin për seksin, duke e cilësuar ende tabu. Ndërkohë që situata në shkollat e rretheve, në qytete, është më se normale, pasi mësuesit dhe nxënësit komunikojnë për çështjet e seksit të mbrojtur. Në vendet që janë më të izoluara nga jeta shoqërore, këto tema janë ende të sikletshme për t’u komunikuar dhe njerëzit që flasin për to paragjykohen. Njerëzit nuk mund të flasin hapur për seksualitetin dhe paragjykohen njëlloj edhe kur tregojnë interes për mënyrat e mbrojtjes kundër sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Elsiona Agolli, shpjegon se në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, do të nisë një fazë tjetër e zhvillimit të projektit, e cila ka synim që të shmangë tabutë dhe të përcjellë informacionin edhe në këto zona, pavarësisht disa hendekëve që ekzistojnë. Sipas Agollit, çdo adoleshent apo adoleshente duhet të marrë masat mbrojtëse gjatë kryerjes së aktit seksual. Në këtë mënyrë, do të mbrojë veten dhe të gjithë personat e tjerë me të cilët mund të ketë kontakt seksual. Në bisedën me Elsionën mësojmë se Ministria e Shëndetësisë, së shpejti do të nxjerrë të dhënat për abortet, sëmundjet seksualisht të transmetueshme, si dhe për AIDS. Megjithëse, të dhëna të plota për këto çështje mungojnë. Jo të gjitha të dhënat raportohen nga klinikat private kudo qofshin, në kryeqytet apo në rrethe.
Çfarë synon projekti i MASH-it nëpërmjet trajnimit të mësuesve?
Projekti ynë synon që Fondi i Kombeve të Bashkuara së bashku me MASH-in (si dhe disa organizata të tjera), ka vendosur në fokusin kryesor që të informojë të rinjtë në disa drejtime. Një prej tyre është që të informojmë të rinjtë për përdorimin e kondomit si një mënyrë për të evituar shtatzënitë e padëshiruara për adoleshentët dhe për të mënjanuar sëmundjet seksualisht të transmetueshme si HIV/AIDS. Përveç kësaj, kemi edhe elementin tjetër në shtyrjen e debutimit të aktit të parë seksual tek të rinjtë adoleshent. Shpeshherë adoleshentët shtyjnë njëri-tjetrin drejt kryerjes së aktit seksual. Prandaj, ideja është që ne duhet të ndërgjegjësojmë të rinjtë. Prandaj janë zgjedhur disa mënyra komunikimi për të realizuar këtë. Fushata në vetvete, ndër të tjera, kërkon nga të rinjtë që përpara se të kryejnë aktin e parë seksual (ndoshta edhe nën presionin e shoqërisë dhe të bashkëmoshatarëve për këtë gjë), t’i bëjë vetes disa pyetje. Këto pyetje janë: A është momenti i duhur; a është koha e duhur; a është zgjedhja e duhur dhe a është njeriu i duhur? Të gjitha këto elemente janë pjesë e projektit dhe mbi këto është bërë edhe trajnimi.
Çfarë keni bërë realisht për këtë gjë?
Qëllimi kryesor ka qenë që i gjithë informacioni për të ndryshuar sjelljen ose për të influencuar sjelljen e të rinjve është realizuar përmes trajnimit të mësuesve në nivel kombëtar. Aktualisht, është trajnuar nga një mësues për të gjitha shkollat e Shqipërisë. Këtu përfshihen mësues të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme. Por, në fillim projekti është caktuar me krijimin e një grupi me trajner të trajnerëve, ku janë trajnuar 35 mësues në nivel kombëtar. Këta persona kanë trajnuar mësuesit e tjerë nëpër shkolla.
Si ka funksionuar në shkolla?
Ne kemi 2 vjet që e realizojmë projektin dhe faktikisht këtë vit u mbyll si fazë e parë, duke filluar nga materialet e informacionit, nga materiali për mësuesin dhe trajnimi i mësuesve. Ne sot morëm një informacion nga mësuesit që erdhën nga vende të ndryshme të Shqipërisë për trajnimin që kanë bërë me mësuesit e lëndës së Biologjisë, mësuesit e lëndës së Aftësimit për jetën dhe me punonjësin social, si dhe rezultatet që kanë me nxënësin. Ajo që u vu re është se përveçse mësuesit ndjehen më komod me informacionin që duhet të japin edhe nxënësit janë më komod për të kryer pyetje e për të marrë përgjigje për gjëra që i shqetësojnë. Situata është paksa më e komplikuar në zonat rurale të vendit.
Çfarë situate keni gjetur aty?
Kjo situatë ka të bëjë me mësuesit në zona rurale, të cilët ndiejnë vështirësi në dhënien e mesazhit apo transmetimin e mesazhit sepse tematika deri tani është konsideruar gjithnjë si tabu, kur bëhet fjalë për seksualitetin, për marrëdhëniet seksuale, apo sëmundjet e transmetueshme. Ne përpiqemi që edhe këtë lloj pengese në komunikim, në këto vende, ta kapërcejmë dhe do ta adresojmë në një formë tjetër.
E kanë ndjekur në terren specialistët këtë çështje?
MASH ka qenë e përfshirë hap pas hapi dhe e ka lehtësuar këtë projekt. Ka pasur një përfshirje të të gjithë niveleve. Ne po punojmë me të rinjtë që kryejnë aktivitet seksual dhe bëhet një punë shumë e mirë si nga mësuesit, si nga shoqëria civile për të promovuar kondomin.
Realisht, a ka nxënës që janë prekur nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme apo nga shtatzënitë e padëshiruara?
Po ka. Statistikat e sakta për këtë çështje pritet të dalin nga Ministria e Shëndetësisë
Vajzat shqiptare, seks që 13 vjeç
Seksi që në moshën 13-vjeçare është kthyer në një fenomen të zakonshëm tek të rinjtë e shkollave 9-vjeçare. Ky është studimi më i fundit i ISHP-së, në një raport të bërë gjatë vitit të kaluar. Sipas këtij studimi, mosha mesatare kur adoleshentët vendosin të kryejnë marrëdhënie seksuale për herë të parë është 13-14 vjeç, por nuk mungojnë as rastet, megjithëse sporadike, që nxënësit bëjnë seks rishtas që 11 vjeç. Sipas studimit të ISHP-së, ndër moshat 13-15 vjeç në vendin tonë janë gati 14% ose 391 nxënës që janë të përfshirë në kontakte seksuale dhe një shumicë prej 2369 nxënësish, në 2779 pyetësorë të mbledhur, që nuk e kanë provuar këtë eksperiencë. Problem për këtë kategori adoleshentësh mbetet se ata nuk janë të vetëdijshëm për pasojat që ka mungesa e mbrojtjes gjatë kryerjes së aktit seksual. E gjendur në këto kushte, Ministria e Shëndetësisë ka kryer vazhdimisht bashkëpunime me Ministrinë e Arsimit për informimin e nxënësve mbi pasojat e kryerjes së marrëdhënieve seksuale të pambrojtura. Aktualisht është futur në tekstin e lëndës së Biologjisë, në klasën e 7-të, “Edukata seksuale”, e cila informon nxënësit për mënyrën e mbrojtjes.
Emanuela Sako
Re: Mësuesit e fshatrave ngurrojnë të flasin për seksin në shkolla
Mon 19 Nov 2012 - 0:49
Per fatin e mire, te pakten leksionet vizive ua ofrojne kafshet.
- BeSaaFondatore Forumi
- Gjinia :
Shteti :
Postime : 11852
Hobi : leximi dhe muzika
Vendndodhja : Ne Zemren Shqiptare..
Anetaresuar : 12/11/2011
Re: Mësuesit e fshatrave ngurrojnë të flasin për seksin në shkolla
Mon 19 Nov 2012 - 14:39
A thua eshte nevoja t'u sqarohet nxenesve per kete " koncept" kur sot eshte e pabesushme sepse kur lindin, me kete shkolle, tere keto mjete te informimit : Internet,Tv etj
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi