“Arjanët” dhe origjina e tyre
Fri 23 Nov 2012 - 0:46
Ishin të gjatë, bjondë, me sy bojëqiell. Kishin nofull të fortë, ballë të lartë dhe shpatulla të gjera. Me një fjalë, njerëz të pashëm me tipare tipike nordike. Dy studiues gjermanë të fundit të tetëqindës e përshkruanin në këtë mënyrë aspektin fizik të indoevropianëve, alias Arianëve, popull primitiv gjaku i të cilit rrjedh në venat e pothuajse të gjithë evropianëve, dhe jo vetëm. Dy studiuesit quheshin Theodor Poesche dhe Karl Penka. Pas tyre, nazizmi stiloi një klasifikim: neo-arianët e racës së pastër ishin gjermanë (përjashtuar hebrenjtë), ata një kategori më poshtë ishin rusë. Se sa shumë pasoja të tmerrshme erdhën prej kësaj, kjo dihet tashmë.
E megjithatë, teoria Poesche-Penka bazohej në një hiç: indoevropianët nuk kanë lënë asnjë përshkrim të vetvetes. “Duket se nuk ekziston asnjë tipar fizik që mund të konsiderohet specifik i këtij populli që nga lashtësia, përveç faktit që ishin racë e bardhë”, e pret shkurt spanjolli Francisco Vilar, një prej indoeuropeistëve më të mëdhenj ende gjallë, docent në Universitetin e Salamancas.
Në lidhje me aspektin fizik të atyre paraardhësve tanë të largët, në fakt mund të thuhet edhe diçka tjetër, të paktën për gjatësinë. Harrojini “gjigandët” e Poesche dhe Penka: një skelet i një mashkulli, i gjetur disa dhjetëra vite më parë dhe që i është atribuar një kreu arian i vitit 2500 para Krishtit është i gjatë vetëm 152 centimetra, pak më shumë se një xhuxh. Nëse Hitleri do ta merrte vesh, do të rrotullohej në varr, edhe sepse skeleti u gjet në Kutuluk, një rajon në Povolzhye. Domethënë në fushën e Vollgës në veri të ish-Stalingradit, qytet simbol ku rusët poshtëruan Vermahtin.
Vetëm në dekadat e fundit indoevropianët kanë dalë nga legjenda dhe nga fantazitë raciste për të marrë një kornizë konkrete. E megjithatë, interesi kundrejt tyre nuk është i kohëve të fundit: studiuesi i parë që u mor me këtë temë quhej Andreas Jager, ishte suedez dhe jetoi mes 1660 dhe 1730. Nuk bëhej fjalë për një historian dhe as për një arkeolog, por për një filolog, i cili në vitin 1686 botoi një traktat në të cilin pohonte ekzistencën e gjyshërve të përbashkët mes shumë popujve europianë dhe një pjese të mirë të atyre aziatikë.
Teoria e Jager bazohej në një të dhënë leksikore: disa fjalë të gjuhëve të lashta të kontinentit tonë (greqisht, latinisht, kelte, gotike dhe të tjera) kishin rrënjë të ngjashme me ato gjuhë gjeografikisht të largëta, si persishtja, gjuha kurde, sanskrinishtja dhe tocaria, një gjuhë që flitet edhe sot në Kinë. Rastësi? E pamundur. Më e arsyeshme të mendosh për një origjinë të përbashkët të këtyre gjuhëve. Prej këtu hipoteza që në albumin familjar të gjermanëve, grekëve dhe indianëve janë të njëjtët gjyshër. Që Jager i quajti Sitokeltë.
Në fillim, askush nuk e mori seriozisht atë “suedez të marrë” që gjeti strehë tek feja dhe u shndërrua në pastor protestant. Më pas postulati i Jager gjeti prozelitë, që duke krahasuar fjalë të gjuhëve të njohura rindërtuan shumë fjalë të nëj gjuhe primitive, e quajtur protoindoevropiane. Një shembull: “baba”, në latinisht thuhet “pater”, në sanskrinisht “pita”, në gjuhën gote “fadar” dhe në anglisht “father”; linguistët deduktojnë prej kësaj ekzistencën e një rrënje indoeuropiane p-t (apo f-t) dhe një fjale primitive që ndoshta tingëllonte “peter”. Me këtë operacion arkeologjie linguistike janë rindërtuar në mënyrë bindëse të paktën njëqind fjalë protoindoeuropiane, duke përfshirë edhe emrin me të cilin gjyshërit tanë ndoshta quanin vetveten: Aryos (Arianë).
Pikërisht duke nisur nga ky minifjalor, tregues pas treguesi si në një libër misteri, u mbërrit tek Pavel Kuznetsov, studiuesi i institutit të arkeologjisë së Povolzhye, i cili gjeti edhe skeletin e famshëm të Kutuluk. Dhe para tij, tek Marija Gimbutas (1921-1994), arkeologe lituaneze që konsiderohet nëna e indoeuropeistikës moderne.
Falë “detektivëve” si dyshja Kuznetsov-Gimbutas, sot për jetën e Aryos dihen shumë gjëra. Dihet për shembull që ata njihnin metalet (bakrin, e më pas bronzin dhe floririn); që kishin një shoqëri të ndarë në tre klasa (priftërinj, luftëtarë, barinj); që zhvendoseshin me karroca dhe kuaj; që jetonin vetëm me mbarështim, por edhe një embrion të bujqësisë; që kishin një fe politeiste; që i nderonin të vdekurit me varre të papërpunuar por të mëdhenj; që nuk njihnin shkrimin, por njihnin poezinë.
Sot dimë edhe se kush ka qenë ndoshta “toka e parë ariane”, që për dy shekuj studiuesit e kanë quajtur në mënyrë gjenerike Urheimat (“atdheu fillestar”, në gjermanisht) sepse nuk dinin ku ta vendosnin. Tashmë, pothuajse askush nuk ka më dyshime që Urheimat (apo të paktën një prej Urheimatëve) ka qenë jugu i Rusisë, mes Vollgës dhe Kaukazit, mes Kaspikut dhe Detit të Zi. Prej aty, në tre faza mes epokës së bakrit dhe asaj të bronzit (dmth mes 4500 dhe 2500 para Krishtit) arianët u shtrinë në dy drejtime: në perëndim të Evropës, dhe në juglindje të Indisë.
Përgatiti:
Luljeta Hasani
Re: “Arjanët” dhe origjina e tyre
Fri 23 Nov 2012 - 1:42
NGA TEKSTI MESIPERM KEMI SHUME DESHMI SE KEMI RRENJE TE THELLA QE NUK MUNDEMI AQ LEHTE TE VYSHKEMI...........
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi