Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Princo
Princo
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Ilirida
<b>Postime</b> Postime : 3887
<b>Hobi</b> Hobi : Leximin
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Mbi Token e Zotit
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 26/03/2012

Zgjimi i beftë i shqiptarëve në portën e epokës moderne Empty Zgjimi i beftë i shqiptarëve në portën e epokës moderne

Sat 24 Nov 2012 - 14:56
Zgjimi i beftë i shqiptarëve në portën e epokës moderne Isa-Boletini-ne-Vlore1
E. Mërtiri

Nacionalizmi është një produkt i modernitetit dhe i ndryshimeve radikale të jetesës dhe organizimit shoqëror që moderniteti sjell. Ai është produkt i transformimeve sociale nga shoqëritë holiste tradicionale, në ato individualiste moderne. Pikërisht në këtë proces duhet kërkuar edhe shpjegimi i asaj vale ndryshimesh që sollën krijimin e shtetit-komb, që zë fill në regjimet monarkike Europiane, dhe fillon e merr formë ligjërimore në Revolucionin Francez, duke u shndërruar në një model të ri premtues për një Europë humaniste, ndërsa pfillon të pushtojë botën si një ideologji dominuese në shek XIX.

Autorë të shumtë e shohin nacionalizmin si një dukuri në përputhje me natyrën njerëzore, pavarësisht faktit se ai merr jetë prej zhvillimeve që kanë sjellë denatyrim të skajshëm të shoqëror, siç janë ato që kanë të bëjnë me modernitetin. Sipas kësaj, nacionalizmi buron nga tradita. Ai lidhet me indet më qenësore të njeriut si qenie sociale, duke e vendosur theksin mbi nevojat kulturore, e duke krijuar një fizionomi ideologjike si nevojë për t’iu përgjigjur realiteteve të reja moderne, duke ruajtur truallin natyror që trashëgon nga tradita. Kombi, apo shteti-komb, sipas kësaj teorie, është evoluimi i etnisë në kushtet e modernitetit, përshtatja apo edhe reagimi i saj ndaj modernitetit.

Sidoqoftë, nacionalizmi merr formë nëpërmjet ideologjisë, e cila bëhet lind dhe bëhet e domosdoshme në kushtet e individualizimit të shoqërisë. Ideologjia zëvendëson autoritetet tradicionale duke u bërë burim i kulturës. Ajo imponon marrëdhëniet e reja shoqërore, nëpërmjet një përfytyrimi të ri për botën, vlerat dhe strukturat sociale. Ideologjia është mjeti më i efektshëm në kultivimin e përfytyrimeve në masa (njeriu-masë, është në fakt gjithashtu prodhim i modernitetit), për vetë faktin se ajo ofron skema të gatshme mendimi, lehtësisht të rrokshme nga turmat. Shoqëria moderne realizon përfshirjen e masave në politikë dhe ideologjia bëhet mjet i domosdoshëm në orientimin e tyre. Ideologjia zëvendëson autoritetet dhe vlerat tradicionale, duke shkrirë njëkohësisht edhe pluralitetin e statuseve që ekziston në shoqëritë agrare, në funksion të individualizmit, ku të gjithë rrokin një status dhe një model kulturor të vetëm. Ideologjitë janë një burim i fuqishëm i farkëtimit kulturor në shoqëritë e idnividualizuara, ku masat, tashmë të përfshira në politikë nëpërmjet statusit të qytetarisë, krijojnë varësi nga shoqëria civile që orienton opinionin publik, në kushtet e një rritjeje të madhe të alfabetizimit dhe komunikimit të standardizuar masiv.

Idelogjitë eleminojnë çdo organizim shoqëror jashtë kontureve të përcaktuara prej tyre, duke krijuar realitete të reja shoqërore në përputje me përfytyrimet e tyre. Ideologjia kombëtare bëhet mjeti nëpërmjet të cilit shoqëritë krijojnë mënyrën e tyre të jetesës, të përshtatshme për një realitet të ri, ku kombi është referenca kryesore e identitetit dhe besnikërisë kolektive. Ai bëhet njëkohësisht edhe një faktor i fortë unifikimi mes individëve dhe grupeve shoqërore, si dhe burimi më i rëndësishëm i formulimit të marrëdhënieve shoqërore ndërmjet individëve brenda shoqërisë, si dhe i vetë shoqërisë me shoqëri të tjera.

Modernizimi i rreptë ballkanik

Nacionalizmi është një prej mënyrave sesi shoqëritë në një proces modernizimi, u janë përgjigjur kushteve të reja shoqërore. Ngjashëm me këtë, edhe në ballkan, si edhe në Shqipëri, nacionalizmi është zhvilluar në ndërveprim me proceset transformuese që tashmë kishin filluar të përhapeshin kudo në Perandorinë Osmane. Ndryshimi është se, përveç faktorëve socialë dhe përgjigjes racionale njerëzore, në këto vende moderniteti ka hyrë më shumë nëpërmjet ndikimit të huaj. Modernizimi në Perandorinë Osmane, buron më shumë nga një proces përballjeje me perëndimin, gjë që i jep atij tipare të veçanta. Për këtë arsye, mund të themi se modernizimi këtu nuk ka ardhur vetvetiu, si pasojë e zhvillimeve industriale dhe prurjeve intelektuale, por është zhvilluar i importuar nga mjedise krejt të tjera socio-kulturore, shpesh me ndërhyrjen e politikave kulturore të vendeve nga është huazuar. Moderniteti tashmë, vjen në kushtet e imazheve të përftuara nga vendet evropiane dhe si i tillë ai shpesh nuk i përgjigjet medisit social, kulturor e ekonomik ku zhvillohet, por i shtyn përkrahësit e tij, që realitetin t’ia përshtasin skemave ideologjike të përftuara së jashtmi, nga ndikime të huaja.

Kjo e bën nacionalizmin ballkanik, të jetë më tepër një produkt i ideologjisë sesa një përgjigje konkrete ndaj nevojave sociale ku është përhapur. Duke mos qenë në përputhje me kontekstin shoqëror, ideologji të tilla ndërpresin komunikimin me realitetin duke iu drejtuar dhunës dhe totalitarizmit si të vetmet mjete për realizimin e qëllimeve të tyre. Këto janë arsyet përse nacionalizmi ballkanik është kaq artificial e agresiv, duke u ushqyer me megalomani mitologjike larg të mundshmes.

Përveç faktorëve politikë, nacionalizmi ballkanik krijohet në kushtet ku, zhvillimet sociale që pamundësojnë ruajtjen e rendit të vjetër sjellin gjithnjë e më shumë nevojën për një shtet etnik. Diferencat kulturore, e sidomos fetare, janë ato që ndihmojnë më së miri këtë proces, duke farkëtuar vetëdijen për krijimin e shteteve kombëtare. Krijimi i këtyre shteteve, ashtu si edhe në shumë vende të tjera, ka ardhur si një fenomen dialektik në dy kahje: njëra unifikuese, tjetra fragmentuese. Nga njëra anë kemi unifikimin e të gjitha pjesëve dhe copëzave kulturore që diversifikojnë shoqërinë tradicionale, duke shkuar drejt krijimit të një njësie të vetme kombëtare me prirje drejt uniformitetit kulturor, ndërsa nga ana tjetër kemi copëzimin e truallit politik ekzistues perandorak, ku është zhvilluar për shekuj me rradhë konfigurimi i këtij pazëlli kulturor. Kështu në Ballkan krijohet një proces i përshpejtuar reaksionesh që unifikojnë kulturat mbi bazë etnike, duke thërrmuar njësinë perandorake si truall diversiteti. Ndërkohë që shkrihen dhe eleminohen dallimet brenda-etnike, theksohen dhe agravohen ato ndëretnike. Diversiteti bëhet i papranueshëm, e për pasojë zgjerohen kufinjtë e kulturës në të gjithë hapësirën e etnisë, duke prodhuar unikulturalitet etin, ndërsa në të njëjtën kohë, fortifikohen barrierat ndërkulturore duke i hermetizuar në raport me të tjerët.

Copëzat fragmentare kulturore të shoqërive tradicionale bëhen shumë të vogla për të funksionuar në një realitet ku komunikimi dhe zhvillimi rriten në përmasa të përshpejtuara, ndërsa Perandoria bëhet shumë e madhe dhe e rëndë, për pasojë, shumë e ngathët, për t’iu përgjigjur nevojave dhe problematikës së përditshme vendore. Shtetet-kombe, u panë si formacione më të efektshme për kushtet e reja shoqërore. Por çështja nuk mbaron këtu. Kjo rezultoi e vërtetë vetëm nga njëra anë. Në shumë të tjera, u hapën probleme që ende janë të destinuara të mbeten pa zgjidhje.

Së pari, formësimi i shteteve kombe në një mjedis ku etnitë janë të ndërfutura e nyjëzuara shumë fort me njëra-tjetrën duket krejtësisht i pamundur. Kjo situatë bëhet edhe më problematike në kushtet e zellit revolucionar e radikalizmit, me të cilin u ngjizën aspiratat kombëtare të shoqërive ballkanike. Se dyti burimet nga ku morën jetë ideologjitë kombëtare të këtyre vendeve (kryesisht ato të revolucionit francez), por edhe politikat e huaja që i kanë intriguar në prapavijë, i ushqyen me aspirata mitologjike, shumë larg realitetit, duke i shtyrë drejt shovinizmit kriminal.

Kështu, aspiratat kombëtare të shteteve të reja në Ballkan nuk u mjaftuan me pavarësinë dhe sovranitetin e tyre, por ndezën lakminë për realizimin e ëndërrave të megalomanisë së tyre, të mbështetura mbi një narrativë mitologjike historiciste me rrënjë në epokat më idilike të gjithsecilit, që ndaleshin, secila në datën përkatëse, kur territori i tyre ka qenë më i madh se kurrë. Në këtë mënyrë, çdo komb në Ballkan, synonte të rivizatonte hartën e rajonit, në përputhje me atë të epokës së tij të artë, duke e parë veten, secili si superfuqi rajonale. Por, në të vërtetë Ballkani ishte një vend shumë i vogël për ëndrra kaq të mëdha. I madh mund të ishte vetëm gjaku i derdhur për realizimin e tyre.

Mbijetesa e shqiptarëve

Gjysma e dytë e shek. XIX ka qenë një tronditje dramatike për shqiptarët. Ata u ndeshën befas, me kërcënime të mëdha për ekzistencën e tyre duke u detyruar të kërkojnë zgjidhje urgjente për situatën ku u ndodhën. Ata ishin mësuar të ishin një popull i patrazuar prej politikave ndërkombëtare, duke jetuar të lirë në perandori, duke ruajtur, zakonet, traditat, kanunet dhe autonominë lokale, me të gjithë hierarkinë vendase të organizimit shoqëror. Të parët e tyre kishin bërë karrierë në Perandori, duke drejtuar kudo në poste të larta, deri në viset më të largëta të saj, e nga ky aspekt, ata ndjeheshin popull i privilegjuar në shtetin osman. Tashmë, sidomos pas krijimit të shteteve kombëtare fqinje, ata u bënë kufiri i perandorisë, në rajonin më të destabilizuar të saj. Traktati i Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit, ishin lëkundjet e para serioze që vendosën në alarm patriotët shqiptarë, duke i bërë të mendojnë seriozisht për fatin e tyre.

Shoqëria shqiptare ka vijuar të mbetet deri vonë një shoqëri tradicionale, e orientuar në një masë të konsiderueshme ndaj vlerave fisnore dhe mënyrës tradicionale të organizimit shoqëror. Strukturat shoqërore kanë pasur ndikimin kryesor në formulimin e jetës sociale, ashtu si kudo në shoqëri të tilla dhe ndërhyrja e shtetit mbetet minimale. Marrëdhëniet shoqërore, jeta individuale dhe botkuptimet kulturore kanë qenë të kushtëzuara krejtësisht nga jeta në komunitetin lokal, i cili përbën edhe forcën kryesore që organizon dhe ve në veprim shoqërinë. Komuniteti lokal përbën qendrën kryesore rreth së cilës organizohet jeta si dhe perceptimet identitare, duke bërë të mundur, përveç diversitetit, fetar, etink, klasor e profesional, edhe një fragmentarizim të madh krahinor, i cili shtresëzohet në rrathë të shumtë që i mbivendosen njëri-tjetrit.

Si çdo shoqëri paramoderne, edhe shoqëria shqiptare e kësaj periudhe karakterizohet nga një konstelacion kompleks lidhjesh sociale e identitare, të cilat formësojnë truallin kulturor shqiptar. Ndër to, përsa i përket jetës komunitare mund të veçojmë lidhjet egjakut, të fqinjësis, krushqisë, komuniteteve fetare, organizatave profesionale, etj. Të gjitha këto krijojnë rrathë të shtresëzuar besnikërishë e identitetesh, të cilët njëkohësisht presin tërthorazi njëri-tjetrën, duke mbajtur të qendrueshme strukturën shoqërore. Në këto kushte, shqiptarët kishin të gjithë pavarësinë e mundshme nga qendra e perandorisë si dhe nga çdo pushtet tjetër politik, për të vendosur vetë mbi fatin e tyre, e për ta organizuar vetë jetën e tyre.

Çfarë mundëm të shpëtojmë

Nacionalizmi shqiptar zhvillohet në një kohë ku kishin filluar të shfaqen tiparet embrionale të një shoqërie moderne. Zhvillimi i tregtisë, infrastrukturës dhe i shkollimit, rritja e ndikimit të shtetit në vendimmarrjen lokale dhe krijimi i një borgjezie tregtare dhe bujqësore, janë shenjat e para të transformimeve që tashmë kishin filluar të zinin rrënjë edhe në shoqërinë shqiptare në gjysmën e dytë të shek XIX. Këto transformime kishin shfaqur edhe shenjat e para të disfunksionalitetit të sistemit ekzistues dhe përpjekjet e shtetit osman për të hedhur hapa drejt modernizimit më shumë e shtonin problematikën sesa ofronin zgjidhjet e duhura. Nga ana tjetër, ashtu si në të gjithë perandorinë, e sidomos në Ballkan, edhe elitat shqiptare, një pjesë e rëndësishme e bejlerëve dhe parisë lokale të vendit, filluan të shkollohen në perëndim, në disa prej kryeqyteteve më të rëndësishme europiane. Në këtë mënyrë, idetë perëndimore, sidomos ato revolucionare të botës frankofone, gëzonin një përhapje të konsiderueshme tek intelektualët shqiptarë, jo vetëm nëpërmjet shkollimit të drejtpërdrejtë në perëndim, por edhe nëpërmjet reflektimit të debateve të hapura tashmë në debatin publik osman mbi modernizimin e vendit. Këto elita, ishin ato që do të bëhen importuesit e ideve nacionaliste dhe krijuesit e nacionalizmit shqiptar si e vetmja rrugë mbijetese për shqiptarët në kushtet kërcënuese ku ndodheshin.

Gjithsesi, idetë romantike e iluministe të patriotëve shqiptarë ishin më shumë suvenire intelektuale, për konsum në rrethe të ngushta shoqërore deri në traktatin e Shën Stefanit. Përgjithësisht, shoqëria shqiptare madje edhe shumica e intelektualëve që më vonë do të themelojnë Lidhjen e Prizrenit dhe do të ndërmarrin një lëvizje të fuqishme nacionaliste, nuk kërkonin dhe as e imagjinonin dot atë që do të ndodhte pak dekada më vonë. Faktori kryesor që çoi në aktivizimin e një lëvizjeje nacionaliste në terren, në trojet shqiptare, e cila u bë edhe arsyeja kryesore që legjitimonte ligjërimin nacionalist, ishin kërcënimet sllavo-greke, të cilat tronditën jetën shoqërore dhe i vendosën shqiptarët përballë një gjendjeje alarmi. Nga ky kuptim, nacionalizmi shqiptar është më shumë një përgjigje ndaj rrethanave, i kavardisur me ideologjitë e importuara nga jashtë, të cilat gjetën përkrahës, pikërisht në saj të kushtëzimeve determinuese të këtyre rrethanave. Bulëzat e modernitetit, vetëm i kanë dhënë ndihmesë.

Të mësuar me mënyrën e tyre të jetesës, shqiptarët qenë të painteresuar për ndryshime të mëdha sociale. Studiues të shumtë të historisë së kësaj periudhe, konfirmojnë se ata iu përgjigjën me armë të gjitha reformave modernizuese që ndërmerrte Porta e Lartë, duke nisur që nga Tanzimati, e me rradhë, deri tek ato që synonin shfuqizimin e Kanunit dhe eleminimin e gjakmarrjes në zona të thella malore. Ata donin të ruanin gjendjen ekzistuese, me gjithçka që kishin: individualitetin fisnor e lokal, traditat, zakonet, vlerat dhe marrëdhëniet e tyre njerëzore. Në këtë mënyrë, tronditjet e fundshekkullit të XIX, për ta ishin, ashtu siç thotë Gawrich, “një zgjim i rreptë”. Ata u futën kështu në një proces transformimesh të jashtëzakonshme drejt krijimit të një shteti kombëtar modern. Sot mund të themi se, ashtu si në shumë vende të tjera, modernizimi nuk ka mundur të ofrojë zgjidhje për shumë probleme, ndërsa ka hapur shumë plagë të tjera, në një kalvar vuajtjesh që ende nuk janë shëruar në këtë vend. Megjithatë ata ia dolën sidoqoftë të ruajnë ekzistencën e tyre, ndonëse të gjymtuar krejtësisht. Por mbi të gjitha, fati i tyre i tragjik është vendosur më shumë nga armët e gjaku i derdhur.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi