- CalypsoPrinceshe Forumi
- Gjinia :
Shteti :
Postime : 36630
Hobi : shkrimi
Vendndodhja : ne hapat e jetes
Anetaresuar : 21/05/2011
Zbulohet shtatorja e Isa Boletinit në Mitrovicë
Sat 24 Nov 2012 - 16:28
Kremtimi i 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe atmosfera festive është e natyrshme, legjitime dhe meritore, tha kryeministri Hashim Thaçi në ceremoninë e zbulimit të shtatores së heroit Isa Boletini në sheshin me të njëjtin emër në qytetin e Mitrovicës. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin drejtues institucionalë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në Mitrovicë u bë zbulimi i shtatores së heroit Isa Boletini. Me këtë rast, u vlerësua lart figura e Boletinit dhe kontributi i tij për themelimin e shtetit shqiptar. Kryeministri Hashim Thaçi, tha se festimi i 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë është i natyrshëm, raporton RTK.
“100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë shënon fillimin e ri për gjithë shqiptarët, shekullin e ri, shekullin e fuqizimit dhe të bashkimit të kombit shqiptar”, tha Thaçi.
Figurën e Isa Boletinit, Thaçi e ngriti në piedestalin më të lartë të kombit:
“Me Isa Boletinin vinte historia e lavdishme e kryengritjeve të vitit 1908, kryengritje të frymëzuara nga kolosi i pavarësisë së Shqipërisë, ideologu dhe strategu Hasan Prishtina. 400 bashkëluftëtarët e Isa Boletinit, përbënin forcën e parë ushtarake të Qeverisë së parë shqiptare”.
Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha tha se ndihet krenar që është bashkëkombas i Isa Boletinit.
“Isës ju blatuan shumë arë, prona dhe qifligje, por ai nuk i ndërroi kurrë ato me gurët e Boletinit, sepse kish besë dhe i jepte besë një kombi të tërë, nga Mitrovica në Vlorë”, tha Basha
Ndërsa, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se amanet i Isa Boletinit ishte që nuk mund të ketë ndarje të Kosovës dhe cenim te integritetit territorial.
“Ky apel është ende gjallë, integriteti dhe sovraniteti është i paprekshëm”, tha Ahmeti.
Me këtë rast foli edhe stërnipi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini, i cili tha se vetëm një Shqipëri e bashkuar është e pranuar për të gjithë shqiptarët.
“Rikthimi i Isa Boletinit në bronz pas një shekulli në Mitrovicë, është sinjal i qartë se në këto toka kumbojnë minutat e bashkimit. Rroftë Shqipëria e natyrshme, rrofte flamuri kombëtar”, tha Boletini, transmeton RTK.
Ai bëri thirrje nga institucionet e Kosovës që të bëjnë rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit. Kryetari i Mitrovicës Avni Kastrati tha se po bëhet gjithçka që është e mundur për të verifikuar ADN-në e eshtrave të Isa Boletinit dhe bashkëluftëtarëve të tij të marra nga varrezat e Podgoricës në vitin 1998. Eshtrat e Isa Boletinit vazhdojnë të qëndrojnë në Mitrovicë, duke pritur rezultatet e ADN-së.
Ndryshe, shtatorja e Isa Boletinit në Mitrovicë që u zbulua në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, është vepër e skulptorit durrsak me origjinë nga Çamëria, Idriz Balani.
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi