Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
avatar
i panjohur
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
<b>Postime</b> Postime : 19172
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : ne krahet e saj
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 21/02/2012

Procedura kunder Tempullareve Empty Procedura kunder Tempullareve

Thu 13 Dec 2012 - 0:50
Procedura kundër Tempullarëve

Procedura kunder Tempullareve Les-te10

Shkatërrimi i Urdhërit të Kalorësve Tempullarë

Processus contra Templarios

Pas
shtatë shekujsh zbardhet e vërteta. Vatikani publikon aktet e procesit
gjyqësor që shkatërroi këtë urdhër kalorësiak. Janë zbuluar që në vitin
2001 nga një studiuese, në një pergamenë që konsiderohej e humbur.

Janë
të çmuara, të shumëpërfolura e sekrete ato dokumente që do të paraqiten
në Sallën e Vjetër të Sinodit, në Vatikan. Për të gjithë ata që i
besojnë fjalë për fjalë librit “Kodi Da Vinçi”, apo pëlqejnë zhanrin
mistik-ekzoterik në përgjithësi, ndoshta përbën edhe një çast kulmor të
historisë botërore.

Dhe mediat italiane e ato evropiane
menjëherë rendën ta publikonin lajmin, të bindura se bëhet fjalë për një
sensacion të vërtetë. Për herë të parë pas 700 vjetësh do të publikohen
procesverbalet e gjyqit që shpërbëhu Urdhrin e Kalorësve të Tempullit.

Processus
contra Templarios në thelb bazohet te Dokumenti i Kinonit, pergamena e
zbuluar në vitin 2001 nga një studiuese në raftet e pafundme të arkivit
sekret të Vatikanit. Dhe është pikërisht ky arkiv që tashmë ka vendosur
të publikojë atë dokumentacion, që konsiderohet me rëndësi
“monumentale”, i cili është përfshirë në projektin “Exemplaria
Praetiosa”, ose më saktë publikimi më i kujdesshëm dhe më
gjithëpërfshirës që ka realizuar ndonjëherë ky institucion.


të përmblidhen dokumentet e fundit të shkruara mbi këtë çështje.
Pergamena u shkrua në vitin 1312, vitin kur Papa i asokohe vendosi
shpërbërjen e Urdhrit, që sipas studiuesve në të vërtetë nuk ishte
dënim. Urdhri thjesht nuk duhej të ekzistonte më.

Hamendësimet

Për
rrjedhën e ngjarjeve që shpunë në shkatërrimin e Urdhrit janë bërë
gjithfarë hamendësimesh, mes të cilave dominon ai sipas të cilit Urdhri
kishte dalë jashtë kontrollit të kishës, e cila e shihte gjithnjë e më
shumë si rival, se sa si mekanizëm në shërbim të sajin.

Skenari
tjetër ka të bëjë me pasuritë përrallore që tempullarët kishin arritur
të vinin mënjanë, të cilat ndezën lakminë e Mbretit Frank Filipi i
Bukur. Për pjesën më të madhe të studiuesve gjasat janë për një kombinim
të të dy skenarëve.

Sipas një prej teorive më të guximshme,
tempullarët u strehuan në malet e Zvicrës për t’iu shpëtuar
persekutimeve të kishës dhe të Filipit të Bukur, duke e instaluar aty
sistemin e tyre bankar. Disa studiues nuk shohin ndonjë mundësi tjetër
për të cilën fshatarët zviceranë arritën të krijonin aq shpejt atë
sistem të mrekullueshëm, funksional e mbi të gjitha aq sekret e bankar,
që dominon gjithë botën financiare edhe në ditët tona.

Dokumenti shfajësues

Dokumenti
i Kinonit, i mbetur për shekuj e shekuj të tërë jashtë vëmendjes së
studiuesve për shkak të një gabimi në arkivimin që i përket shekullit
XVII, hedh dritë mbi fundin e atij që qe ndër urdhrat më të pushtetshëm,
më misteriozë dhe më të famshëm në botë.

Për Vatikanin, i
gjithë dokumentacioni merr vlerë të veçantë për faktin se vërteton që
Papa nuk e konsideronte heretik dhe se nuk i shihte si armiq pjesëtarët e
tij. Dokumenti duket se u jep zgjidhje përfundimtare hamendësimeve se
ishte kisha ajo që i shihte përmasat financiare, politike dhe fetare të
Urdhrit si rrezik ndaj saj.

Nuk kishte “komplot” të Vatikanit
për të zhdukur Urdhrin nga faqja e dheut. Madje Papa Klementi V, edhe
pse u bë pre e ngjarjeve të kohës, u mundua me të gjitha mënyrat për t’i
shpëtuar kalorësit e shenjtë (këtë kërkon të vërtetojë dokumenti).

Sipas
studiuesve të Vatikanit, tre nga të dërguarit e tij të plotfuqishëm
takuan në dhomat sekrete të kështjellës së Shinonit, De Molein e
përfaqësues të tjerë të lartë të Urdhrit dhe aty i çliruan nga akuzat
për herezi kundër kishës.

Akuzat dhe përfshirja e Papës

Kundërshtarët
i bazuan akuzat mbi zërat që: tempullarët detyronin pretendentët për të
hyrë në urdhër të pështynin kryqin e të mallkonin Krishtin (ky skenar u
bë i preferuari i mbështetësve të mbretit).

Ndërkohë, vdekja në
Romë e Bonifacit VIII, Papës energjik e njëherësh shumë të lidhur me
Urdhrin (nga i cili kish marrë edhe 12 mijë fiorina për të mbështetur
luftën ku qe përfshirë kundër familjes Kolona), i dha dorën e fundit
luftës kundër tempullarëve.

Në vitin 1305, Klementi V, me
origjinë franceze, vuri kurorën papnore në Lion, në praninë e Filipit
dhe nisi menjëherë një sulm të egër kundër gjithçkaje që kish të bënte
me tempullarët. Jo vetëm kaq, por ai kërkoi që menjëherë të merreshin
masa kundër tyre. Bëri edhe një gabim të pafalshëm “diplomatik”, duke u
hequr si i sëmurë, gjë që u shoqërua me një kurth për të cilin ai as që
mund të kishte dijeni.

Më 13 tetor të vitit 1307, të gjithë
tempullarët e Francës u arrestuan. Nisi një proces i gjatë, ku
përfundimi dihej: të burgosurit rrëfyen atë që u kërkonin inkuizitorët.
Më pas u hynë sërish tratativave, rrëfyen sërish dhe në fund (jo në
vendet e tjera të Evropës), në Francë, u ndezën turrat e druve. Filipi i
Bukur ia arriti qëllimit dhe për një kohë shumë të gjatë tempullarët u
harruan.

Ndërkohë që traditat, ritualet dhe sidomos mënyra e
pranimit në urdhër ishin të destinuara të jetonin shumë gjatë, aq sa
legjenda e tyre mund të thuhet se ka ushqyer fantazitë e të gjitha
shoqërive sekrete moderne, përfshirë këtu edhe asaj që i dha jetë
partisë naziste.

Tempullarët

Kalorësit me
uniformë të bardhë e me kryq në gjoks u futën thellë në fantazitë e
ëndrrat e evropianëve falë historisë së tyre heroike e enigmatike, por
mbi të gjitha falë misterit që vishte shkatërrimin e menjëhershëm të
Urdhrit të tyre.

Jaku i Molesë, i djegur në turrën e druve në
vitin 1314, me urdhër të Mbretit të Francës, Filipit të Bukur, qe i
fundmi ndër mjeshtrit e mëdhenj të murgjve luftëtarë, Urdhri i të cili
lindi me të kaluar viti 1120, një vit pas pushtimit të Jerusalemit nga
të krishterët, me detyrën e shenjtë të luftonin myslimanët e të mbronin
pelegrinët.

Patën fillesa mjaft të vështira, por brenda shumë
pak kohësh u bënë një fuqi e madhe ekonomike e ushtarake, që pranonte të
merrte urdhra vetëm nga Papa: në të vërtetë qenë një shtet pa territor
në zotërim, i cili e kishte kryeqytetin në Paris, në “Kullën e
Tempullit” (tani e shkatërruar), ku (për kënaqësinë e të gjithë të
pasionuarve pas ekzoterizmit) u mbajt i burgosur Luigji XVI përpara se
t’i priste kokën tehu i mprehtë i gijotinës.

Armata e zgjedhur

Fillimisht
detyra e tyre qe të mbronin pelegrinët, por shumë shpejt u bënë armatë e
përzgjedhur, një forcë e posaçme e krishterimit. Qenë shumë popullorë
për të paktën dy shekuj.

Më pas, me rënien e mbretërimit të
frankëve në Tokën e Shenjtë, u kthyen në një organizatë të sikletshme –
ndoshta edhe shumë të rrezikshme – pikërisht pasi nga njëra anë ishin
zgjeruar së tepërmi duke dalë jashtë çdo kontrolli, dhe së dyti pasi në
synimet e saj nuk vërehej më ai fillestari për të cilën qe krijuar.

Sa më shumë Evropa bëhej e ndërgjegjshme se beteja e Tokës së Shenjtë
mund të quhej e humbur, aq më shumë tempullarët gjendeshin në pozitën e
të qenit një makinë e mrekullueshme lufte e diplomacie, por edhe të një
perandorie financiare, e cila ushqente vetëm vetveten, që i pëlqente së
tepërmi misteri, përreth së cilës shtoheshin gjithnjë e më shumë zërat
që flisnin pikërisht për këto karakteristika.

Fillimet e vështira

Urdhri
i Tempullit u krijua nga Hyg de Payn, që iu bashkuan edhe miqtë me të
cilët mbështeste kanonet agustiniane. Kishin marrë përsipër detyrën të
celebronin këtë kult në xhaminë e Al Aksasë, të ngritur mbi rrënojat e
Tempullit të dikurshëm të Salomonit, duke nisur nga viti 1120, për ta
ratifikuar në vitin 1129, edhe pse rezultoi sipërmarrje aspak e
thjeshtë.

Kalorësve murgj iu desh të përballeshin edhe me një
lloj pacifizmi që karakterizonte kishën mesjetare. Vërtet që kisha
pranonte që njerëzit të përfshiheshin në konfliktin fetar, madje i
shtynte të bashkoheshin në kryqëzata, por nuk i shihte me sy të mirë
murgjit që donin të shndërroheshin në luftëtarë, apo ndërsjelltas.

Rënia

Pika
e kthesës erdhi me rënien e Akrës në vitin 1921. E fundit fortesë e
krishterë u mbrojt dëshpërimisht nga kalorësit murgj, të cilët aty
humbën edhe mjeshtrin e madh, Guljelmin e Bujosë, një shenjt-hero, i
ngritur në qiell për heroizmin në beteja dhe për virtytet prej të
krishteri. U mundën me shumë nder, por përgjithnjë. Më e keqja ishte se
dolën jashtë loje në gjeopolitikën mesdhetare.

Ato që i mposhtën
përfundimisht nuk qenë flakët e Akrës, as thashethemet mbi zakonet e
traditat e tyre, ku mund të përmenden devijimet seksuale e herezitë
fetare. Edhe kur mbi ta u përplas mëria e Filipit të Bukur, përsëri
ditën të tregoheshin mjaft të vlefshëm, trima e të zgjuar. Ajo që i
mposhti qe një skandal i madh financiar.

Skandali financiar

Ai
që do t’i zhdukte nga skena (tani që të paktën kisha kërkon të largojë
nga vetja çdo lloj faji) ishte një korrupsion financiar mesjetar.

Një
financim i jashtëzakonshëm (prej 300 mijë fiorinash), i cili iu dha pa
kurrfarë garancie Mbretit të Francës, që në atë çast po kalonte mes
vështirësish të tmerrshme ekonomike për shkak të asaj që do të hynte në
histori si “lufta 100-vjeçare” kundër Anglisë.

Nën trysninë e
pakënaqësisë së thellë popullore e nën frikën e një revolte që e kish
detyruar të strehohej pikërisht në Kullën e Tempullit, sovrani arriti ta
siguronte “ryshfetin” nga kujdestari i thesarit të tempullarëve pa
marrë miratimin e mjeshtrit të madh, i cili në atë çast ndodhej në Qipro
dhe nuk ishte aspak në dijeni të kërkesës së mbretit.

Kur Jaku i
Molesë u kthye në Paris dhe zbuloi që nga arkat e Urdhrit kishte dalë
ajo shumë e paparë, zboi menjëherë kujdestarin e thesarit, por në këtë
pikë Urdhri ishte tejet i drobitur e i përçarë. Mbreti nuhati sakaq këtë
dobësi dhe kuptoi se mund fitonte menjëherë luftën kundër tempullarëve,
duke u hedhur në veprim.

Misticizmi

Çelësi
i këtij suksesi kaq të madh të Urdhrit fshihej në faktin se ata
shikoheshin si organizatë që ia kishte dalë të mësonte dije sekrete prej
misticizmit mysliman dhe që edhe pas shkatërrimit Urdhri i tyre kishte
arritur të transmetohej brez pas brezi në mënyrë të fshehtë dhe shumë të
rezervuar.

Persekutimi i Filipit nuk kishte pasur qëllime
politike e ekonomike, por një tjetër shumë më të rëndësishëm: të bënte
të heshtte një të vërtetë të lashtë. Një teori tipike komploti, e
ngjashme me atë që na serviret te “Kodi Da Vinçi”.

Në vitin
pesëqind, demonologu Kornel Agripa i interpretoi kështu dokumentet që u
mbajtën gjatë procesit: “Tempullarët ishin magjistarë të ditur. Në vitet
shtatëqind masoneria nxori heronjtë përkatës, duke themeluar urdhra të
rinj tempullarësh e duke i përhapur në të gjithë Evropën.

Ndërkohë
që askush nga historianët nuk i ka marrë shumë seriozisht rrëfimet që
bënë këta murgj nën tortura. Krejt të kundërtën kanë bërë shoqëritë
sekrete, duke parë aty thelbin e vërtetë të gjithë përndjekjes së tyre, e
duke krijuar njëkohësisht një traditë të bazuar pikërisht mbi
kështjellën e miteve, ngritur nga inkuizitorët katolikë”.

Lidhjet me botën myslimane

Rasti
i “Bufametit” (një nga tempullarët, pranoi që kalorësit adhuronin një
idhull që mbante këtë emër) është absolutisht tipik, përveçse edhe shumë
zbavitës për mbresat që ka lënë në mendjet e njerëzve. Në kohët moderne
është imagjinuar si gjarpër, si cjap e të tilla fantazi pa fund.
Surrealistët u magjepsën vërtet pas tij dhe Bufameti u bë një temë e
mrekullueshme letrare.

Por çfarë ishte në fillim? Shpjegimi më i
mundshëm është që në frëngjishten e vjetër qenë përdorur si sinonime
Bufameti dhe Muhameti. Ky ishte edhe misteri ezoterik që i vuri përpara
akuzës për bashkëpunim me armikun.

Sigurisht që nuk mund arrihet në kurrfarë përfundimi të përbashkët mes spekulimit ezoterik dhe stisjeve historike.

Misteri
i tempullarëve mund të ketë lidhje më shumë me rrëfimet e tyre nën
tortura. Në duart e inkuizitorëve pranuan çdo lloj çudie që u kërkohej. E
megjithatë, po të heqim dozën e trillimeve, nuk kemi të bëjmë vetëm me
fantazi.

Për shembull, nuk ka asnjë pikë dyshimi se mes
hierarkisë së murgjve ekzistonte një dallim i fortë moshe dhe
kohëzgjatjeje nën urdhër, të formës që sot haset në radhët e ushtarëve,
ku gjithnjë i sapombërrituri është i detyruar t’i nënshtrohet vullnetit
të atij që aty është prej kohësh.

Të sapopranuarit nën urdhër
duhet të duronin keqtrajtime e sprova nga më të pabesueshmet dhe ka
shumë të ngjarë që akuza kryesore për të cilën tempullarët u dënuan nuk
është aspak e sajuar, por thjesht e keqinterpretuar.

Mund të jetë
shumë e vërtetë që pretendenti për t’u bërë murg luftëtar, përveç
fyerjeve e keqtrajtimeve të panumërta që duhet të përballonte, të gjitha
të bëra nga shokët më të “vjetër”, detyrohej edhe të mohonte Krishtin e
të pështynte mbi kryq.

Përbënte një provë të vërtetë për
luftëtarin e ardhshëm, e vinte në situatën në të cilën do të gjendej në
rast se do të binte në duart e armikut. Ishte një mënyrë për të
vlerësuar karakterin e tij, pikërisht siç veprohet në radhët e ushtrive
moderne, në repartet më të mira e forcat elitë të tyre.

Motivet politike, jo fetare

Me
pak fjalë, me publikimin e 25 tetorit, Vatikani kërkon të vërtetojë se
shkatërrimi i Urdhrit erdhi për motive politike (i gjithë faji i mbetet
Filipit të Bukur) dhe aspak fetare. Ishte mbreti Frank ai që formuloi
akuzat dhe vuri në lëvizje mekanizmin persekutues duke i servirur
opinionit publik atë që donte. Sipas legjendës, teksa ngjitej në turrën e
druve, Zhaku i Molesë i mallkoi që të dy, Papën dhe Filipin.

Dhe
në fakt, Klementi V vdiq pas një muaji nga dizenteria, ndërsa Filipi
për shkak të rënies nga kali në dhjetor të po atij viti.

Gjithnjë
sipas legjendave të panumërta që kanë lulëzuar përreth mitit të
kalorësve tempullarë, mjeshtri i madh mallkoi gjithashtu gjithë familjen
mbretërore franceze, “deri në brezin e trembëdhjetë”, që për saktësi
përkon me Luigjin XVI, mbretit që iu pre koka në gijotinë gjatë
trazirave të revolucionit francez.

Përktheu Lorenc Rabeta
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi