- ShqiptarePrinceshe Forumi
- Gjinia :
Shteti :
Postime : 4177
Hobi : shqiptaria
Vendndodhja : Shqiperi
Anetaresuar : 24/07/2011
Raporti: Kopshtet pa higjienë dhe shkollat private me probleme
Thu 17 Jan 2013 - 14:47
Jonida Tashi
Një pjesë e kopshteve dhe shkollave jopublike në vend nuk përmbushin standardet për kryerjen e aktivitetit të tyre. Inspektorati Kombëtar i Arsimit Parauniversitar (IKAP) ka monitoruar gjatë vitit të kaluar rreth 100 institucione jopublike të arsimit parauniversitar të qytetit të Tiranës, ku janë konstatuar probleme jo vetëm me programet mësimore që këto shkolla zbatojnë, por edhe me funksionimin e tyre, pa e rinovuar licencën. Pas shqyrtimit të dokumentacionit për arsimin parauniversitar privat në Drejtorinë Arsimore Rajonale të Tiranës, e më pas edhe atë të institucioneve private, ka rezultuar se “shkollat janë të pajisura me dokumentacionin përkatës të licencimit si institucion arsimor jopublik, por në të shumtën e rasteve, lejet për ushtrimin e aktivitetit të tyre janë të parinovuara”. Në këto kushte, IKAP i rekomandon MASH-i të rishqyrtojë dhënien e licencave të institucioneve jopublike për ushtrimin e veprimtarisë dhe të marrë masa për ndërprerjen e aktivitetit të institucioneve të palicencuara.
Raporti i IKAP paraqet edhe një analizë për gjendjen në shkollat jopublike, duke nënvizuar se një pjesë e tyre kanë probleme të theksuara me dokumentacionin lidhur me regjistrat, amzat si dhe deklarimin e numrit total të nxënësve dhe mësuesve. Disa nga këto institucione arsimore ndërpresin kontaktet me Drejtoritë Arsimore Rajonale menjëherë pas licencimit dhe një pjesë e tyre ndërrojnë vendndodhjen e bizneseve pa lajmëruar institucionin përkatës. “Nga verifikimi i dokumentacionit shkollor u konstatua se një pjesë e mirë e shkollave jopublike disponojnë dokumentacion të rregullt mbi regjistrat, amzat, indeksin alfabetik, statistikat e numrit të nxënësve dhe mësuesve, regjistrat e veçantë etj, por janë evidentuar edhe mangësi në plotësimin e amzave dhe mungesë në evidencat për lëvizjet e nxënësve”, – thuhet në raport.
Një problem shqetësues është fakti që disa shkolla jopublike 9-vjeçare dhe të mesme nuk punojnë me programet lëndore dhe udhëzimet e miratuara nga MASH. Kjo ka bërë që nxënësit që ndjekin mësimin në këto shkolla të mos marrin pjesë në provimet e Lirimit dhe të Maturës, çka do të thotë se atyre nuk u njihet arsimimi i kryer në vendin tonë. Sipas raportit, ka edhe shkolla që e zhvillojnë aktivitetin e tyre në mënyrë krejt të pavarur dhe me programe të ndryshme kryesisht për fëmijë të kombësive të tjera. Në raport thuhet se shkollat kanë hartuar planet mësimore lëndore vjetore, të cilat shpesh herë kanë mangësi apo janë fotokopje e shtëpive botuese. Sipas ligjit, të gjitha institucionet arsimore parauniversitare jopublike (private) të licencuara, që nga kopshtet e deri në shkollat e mesme, kanë detyrimin që të zbatojnë programe, plane dhe tekste të miratuara nga Ministria e Arsimit, detyrime për nivelin pedagogjik të stafit si dhe detyrime të tjera institucionale që sigurojnë shërbim arsimor dhe edukim cilësor dhe të njohur në Republikën e Shqipërisë. Sipas të dhënave nga MASH, në vend funksionojnë 517 institucione arsimore private të sistemit parauniversitar, që janë miratuar të funksionojnë me urdhër të Ministrisë së Arsimit, me vendim të Këshillit të Ministrave (VKM) ose me licencë të lëshuar nga Qendra Kombëtare e Licencimit.
Kopshtet
Probleme janë konstatuar edhe në kopshte. Ndonëse shumë kopshte jopublike kanë licencë, ajo është e parinovuar. Për një pjesë të konsiderueshme të tyre nuk është evidentuar vendndodhja, pasi e zhvillonin aktivitetin pa asnjë lidhje me
DAR-in dhe jashtë kritereve të licencimit. Po kështu, janë evidentuar raste kur disa subjekte jopublike, të përfshira në bazën e të dhënave që disponojnë DAR-i dhe IKAP-i, kanë ndërruar vendndodhje ose emrin e subjektit pa njoftuar në organet kompetente përkatëse. Në raport thuhet se vetëm një pjesë e vogël kopshtesh kanë krijuar mjedise mësimore që përputhen plotësisht me standardet, ndërsa një numër i konsiderueshëm e zhvillojnë aktivitetin jashtë këtyre standardeve e duke mos zbatuar normat e higjienës. Në kopshte janë konstatuar mangësi në plotësimin e regjistrave dhe vlerësimin e
fëmijëve. Sipas raportit, kopshtet jopublike në përgjithësi nuk disponojnë dokumentacion edhe për personelin mësimdhënës, e në disa institucione ky personel është pa
arsim përkatës. Madje, ka raste kur janë punësuar në institucione edhe persona familjarë e pa kontrata pune.
Rekomandime
Për institucionet arsimore jopublike
• Institucionet arsimore jopublike të marrin masa për rinovimin e licencës dhe krijimin e mjediseve të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarive mësimore.
• Institucionet arsimore jopublike të hartojnë planet mësimore vjetore, në përputhje me programet lëndore të miratuara nga MASH.
• Institucionet arsimore jopublike të mbajnë dokumentacion të rregullt për rekrutimin e personelit arsimor, plotësimin e regjistrave, amzave, indeksin alfabetik, regjistrat e veçantë, evidencat për lëvizjen e nxënësve/fëmijëve etj.
• Institucionet arsimore jopublike të rekrutojnë personel arsimor me arsim përkatës dhe të bëjnë kontrata pune, sipas legjislacionit në fuqi.
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi