Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Shqiptare
Shqiptare
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
<b>Postime</b> Postime : 4177
<b>Hobi</b> Hobi : shqiptaria
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Shqiperi
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 24/07/2011

Alkool me pesë pare dhe i falsifikuar, ja çfarë pijnë të rinjtë Empty Alkool me pesë pare dhe i falsifikuar, ja çfarë pijnë të rinjtë

Mon 21 Jan 2013 - 16:46
Një panoramë e përdoruesve të alkoolit në vend dhe marrëdhënia e të rinjve me pijen
Alkool me pesë pare dhe i falsifikuar, ja çfarë pijnë të rinjtë Pijet
Përdorimi me tepri i alkoolit është një problem që prek gati të gjitha grupmoshat. Në shërbimin toksikologjik paraqiten çdo ditë persona të cilët e kanë tepruar me alkoolin. Mes tyre gjenden të rinj dhe të rritur. Ka që janë konsumues kronikë të alkoolit, por ka dhe nga ata të cilët e konsumojnë më rrallë. Të sëmurët kronikë, ata që kanë krijuar varësi nga përdorimi pa masë i alkoolit drejtohen pranë Klinikës së Alkoologjisë. Fundjava njeh numrin më të madh të rasteve që paraqiten në spital. Sipas doktorit Andrin Tahiri, mjek toksikolog, konsumuesit e alkoolit janë gjithnjë në rritje. Intoksikacioni akut, i cili përfshin konsumuesit e rrallë të alkoolit, shfaqet në më shumë raste pranë Shërbimit të Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. “Moshat e reja konsumojnë më shumë alkool. Në fundjavë rritet numri i pacientëve që vijnë për të kërkuar ndihmë. Vihet re që kanë një përzierje të alkoolit me substanca narkotike”, shprehet mjeku Andrin Tahiri. Një ndër shkaktarët që shtyn të rinjtë drejt alkoolit është kurioziteti, ndjenja e aventurës, dëshira për t’u ndier mirë. Nuk ka studime që të tregojnë shifra konkrete të përdorimit të alkoolit nga të rinjtë, por sondazhet tregojnë se ka një rritje të numrit të të rinjve përdorues. Ndërsa mjekët tregojnë se ka pasur raste kur në qendrën për trajtimin e të alkoolizuarve janë paraqitur edhe 16-vjeçarë. Intoksikacioni kronik përfshin konsumuesit e rregullt të alkoolit, ata persona që vazhdimisht janë të dehur dhe nën efektet e alkoolit. Konsumi i alkoolit ndikon në shtimin e numrit të aksidenteve, madje është një ndër shkaktarët kryesorë. Sipas të dhënave të fundit të Klinikës së Alkoologjisë në QSUT, rreth 150 mijë shqiptarë janë vartës të alkoolit. Të alkoolizuarit janë të moshës 30-60 vjeç. Numri i vartësve ka pësuar rritje nga viti në vit. Gjatë tre viteve të fundit në klinikën pranë QSUT-së janë kuruar 400 persona. Nga këta, 46% ia kanë dalë mbanë dhe janë shkëputur nga alkooli, ndërsa pjesa tjetër i është rikthyer. Specialistët rendisin si një ndër shkaktarët kryesorë gjendjen jo të mirë ekonomike. Ka klinika të posaçme, të cilat bëjnë të mundur largimin përfundimtarë nga alkooli, por këtë trajtime janë të kushtueshme dhe rëndojnë xhepat e pacientëve. Kjo është një ndër arsyet që pacientët nuk iu drejtohen specialistëve për t’u shkëputur nga alkooli. Sipas Roland Shuperkës, Koordinator Kombëtar për Politikat e Kontrollit të Alkoolit, nuk ka shumë informacion rreth mënyrës së përdorimit të alkoolit dhe rreth konsumit vjetor të tij nga një person. Të dhënat e Ministrisë së Rendit Publik raportojnë se 85% e aksidenteve rrugore shkaktohen nga përdorimi i alkoolit në timon.

2. Intervist

Koordinatori Kombëtar për Politikat e Kontrollit të Alkoolit, Roland Shuperka, shprehet se të rinjtë duhen mbrojtur nga alkooli. Për këtë duhet të kujdeset familja dhe më pas mësuesit në shkollë. Ndër faktorët që ka ndikuar në rritjen e përdoruesve të alkoolit ai rendit, çmimin e ulët të alkoolit, falsifikimin e pijeve dhe prodhimin vendas.

Z. Shuperka, a abuzojnë të rinjtë me alkoolin?

Qindra të rinj shqiptarë abuzojnë me alkoolin duke shkaktuar dëme të rënda në zhvillimin e tyre fizik, mendor dhe moral. Konsumi i lartë dhe i pavarur i alkoolit tek të rinjtë, si dhe pakujdesia e prindërve dhe mësuesve ndaj adoleshentëve bëjnë që këta të fundit të rrezikojnë të kthehen në vartës të alkoolit.

A ka sondazhe që tregojnë marrëdhënien e të rinjve me alkoolin?

Sondazhet tregojnë se ka rritje të përdorimit të alkoolit nga të rinjtë. Adoleshenca, konsiderohet si një nga stadet më dinamike dhe më komplekse në jetën e individit. Individi në këtë moshë fillon të eksperimentojë edhe me alkoolin, i cili mund të krijojë varësi.

Kur është kontakti i parë i një të riu me alkoolin?

Kontakti i parë i parakohshëm me alkoolin ndodh pothuajse gjithmonë në familje, qoftë në raste festash, apo edhe në ditë të zakonshme. Alkooli është një substancë psikotrope, e cila modifikon perceptimin e realitetit. Gjatë festave apo fundjavës të pirët mund të kthehet shumë shpejt në dehje, në largim nga realiteti. Një dehje mund të çojë në një aksident me makinë, në sjellje të papërshtatshme ose edhe në koma. Cili është niveli i sigurt i të pirës? Për shumicën e të rriturve përdorimi i moderuar i alkoolit deri në dy gota në ditë për burrat dhe një për gratë dhe të moshuarit shkakton pak ose aspak probleme. Në 10 deri 30 % të rasteve përdorin 60 gr. alkool në ditë, ndërsa sasia ditore e lejueshme e alkoolit gjatë përdorimit të pijeve alkoolike të konsumuara, duhet të jetë gjithsej 10 gr. dhe jo më shumë se 20 gr.

Po kuadri ligjor si është?

Kërkohet përmirësim i ligjit të alkoolit, duke bërë të mundur të ulet numri i subjekteve që tregtojnë alkool, të ulet orari i tregtimit, të kontrollohet alkoolpirja në vendet e punës, të kufizohet promocioni si dhe të ndalohet sponsorizimi nga kompanitë e tregtimit dhe prodhimit të pijeve alkoolike. Të rritet çmimi i alkoolit që të bëhet më pak i aksesueshëm nga të rinjtë. Të kontrollohet dhe tregtia e paligjshme.

Ka tregti të paligjshme?

Prodhimi i verërave në kushtet e shtëpisë ka ardhur në rritje të vazhdueshme. Ka shumë produkte të falsifikuara alkoolike si pije të forta, verëra dhe birrë në tregun shqiptar. Falsifikimi përfiton nga cilësia e ulët e ambalazhit, e cila mund të imitohet lehtë. Lulëzimi i këtij tregu ilegal përfiton gjithashtu edhe nga tregu i parregulluar dhe nga korrupsioni ndërmjet organeve të policisë që janë të ngarkuara me mbikëqyrjen e tij.

Si mund të largohen të rinjtë nga pijet alkoolike?

Kufizimi i mundësive të minorenëve për të blerë dhe pirë alkool; implementimi i programeve moderne të parandalimit dhe metoda për të mësuar qëndrimet dhe aftësitë lidhur me një jetë të shëndetshme dhe të pastër; kufizimi i aktiviteteve që nxisin pirjen e alkoolit tek të rinjtë, asistencë profesionale prindërve dhe fëmijëve abuzues të alkoolit; ndërhyrje parandaluese për grupet me rrezik të lartë siç janë fëmijët, prindërit e të cilëve janë të varur nga alkooli; edukimi i prindërve dhe mësuesve për të ndihmuar të rinjtë të qëndrojnë të përkorë; formimi i koalicionit parandalues në bashkësitë lokale. Mbështetje e veprimtarive për të siguruar zbavitje e të rinjtë pa konsumuar alkool.

/Shekulli Print/Albinë Hoxhaj/
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi