- CalypsoPrinceshe Forumi
- Gjinia :
Shteti :
Postime : 36630
Hobi : shkrimi
Vendndodhja : ne hapat e jetes
Anetaresuar : 21/05/2011
Eneda Tarifa: Dëshiroj Të Bëhem Nëna E Një Vajze
Wed 23 Jan 2013 - 16:58
Eneda Tarifa këto kohë po përjeton emocionet më të ëmbla për një femër. Nga ato emocione që të ndryshojnë jetën dhe gjithçka tjetër rreth teje. Është shtatzënë me fëmijën e saj të parë dhe lumturia vërehet lehtë në çdo frymëmarrje, në çdo buzëqeshje të saj. Për këngëtaren e njohur dhe prezantuesen e “Portokallisë” ky është një moment i veçantë, të cilin ajo po e shijon në tërësinë e tij, edhe orët e shumta të gjumit, e po ashtu edhe oreksin e shtuar.
Megjithatë, as këto kohë nuk ka munguar muzika, e cila tashmë vjen dyfish e fortë, me emocione të dyfishta, pasi Eneda deri tani ka vazhduar punën e saj normalisht në “Rockstok”, duke kënduar live çdo fundjavë. Një intervistë e gjatë, jo vetëm për shtatzëninë por edhe për muzikën, projektet dhe partnerin e saj, Erjonin. Si po e përjetojnë këtë moment të bukur në çift dhe kur do të jenë këngët e reja të Enedës, të cilat pas një kohe të gjatë do të mbajnë firmën e Erjon Zaloshnjës.
Eneda, je aktualisht me pushimet e sezonit të “Portokallisë”. Si janë për ty këto ditë të reja të 2013-ës pasi kanë kaluar edhe angazhimet e fundvitit?
Mbas “Portokallisë” pata një aktivitet në Kosovë, që e shfrytëzova edhe për pak pushim. Tani jam kthyer dhe po shijoj pushimin si fizik edhe mendor, pasi ka qenë një ngarkesë e jashtëzakonshme. Më së shumti gjumë për të rikuperuar orët e humbura, pasi nuk ka qenë vetëm ngarkesa e “Portokallisë” por edhe impenjimet që kam në biznesin e bashkëshortit dhe të Elton Dedës tek “Rockstok” (normalisht edhe i imi), ku jemi të angazhuar edhe si muzikantë dhe këngëtarë. Unë, Eltoni, Kamela dhe Marsela. Kjo ishte një ngarkesë e dyfishtë për mua në kushtet e tanishme, por që e kam përballuar me forcën e mendjes dhe me kujdesin që duhet të ketë çdo femër në periudhën e shtatzënisë. Do të doja që pushimet të zgjasnin, por ne do të fillojmë shumë shpejt sezonin e ardhshëm, në shkurt dhe transmetimi fillon në mars. Do të kemi një muaj kohë punë për të përgatitur dhe për të sjellë për publikun gjëra të reja.
‘Portokallia’ tashmë është bërë shtëpia jote e dytë….
Është bërë vërtet pjesë e imja dhe realisht edhe kur jemi me pushime të gjata mua më mungon shumë. Ndërkaq mund të them që muzikën e kam harruar pak në kuptimin e prodhimtarisë së re dhe gjërave të reja, por këtë e kompensoj duke kënduar live çdo javë, ndaj nuk e ndjej këtë mungesë, si dhe nga emocionet që më jep publiku. Veç kësaj, të them të drejtën më është zbehur pak motivi për të sjellë gjëra të reja.
Përse ?
Po ndoshta nga dyndja e madhe që ka këto kohë në muzikën shqiptare. Njeriu motivohet nga gjëra të ndryshme, e unë këto kohë nuk e ndjej këtë, pasi muzika në Shqipëri është akoma në një kaos që duhet të shterojë mirë e mirë, pastaj të dëgjohen gjërat e mira. Ka ardhur kjo kohë, por jam unë në kohë të gabuar pasi kam impenjime të tjera. Megjithatë, e di që në çdo moment kur unë të heq dorë nga ndonjëri prej impenjimeve që kam, muzikën e kam atje dhe krijimtarinë. Mund ta bëj kur të dua dhe kjo më qetëson.
Dua të të pyes pak për bashkëpunimin me Eltonin duke sjellë një nga lokalet më të veçanta në Tiranë të live-it?
Ne kemi një miqësi shumë të mirë, sidomos Erjoni me Eltonin. Kemi shumë vite që njihemi dhe që bashkëpunojmë. Eltoni punon në studion e Erjonit, unë po ashtu. Ideja erdhi një ditë të bukur vere, në gusht, kur ne po kalonim ca ditë pushime të tre së bashku. Duke folur për muzikën dhe dëshirën për të luajtur bashkë me instrumentistë të mirë lindi kjo ide dhe nga e thëna në të bërë nuk ishte aq larg. Për herë të parë e kam vërtetuar që me vendosmëri dhe me nxitimin për të kapur momentin e duhur, me këtë dëshirë arrihet çdo gjë. Mbi të gjitha ishte shtysa e Erjonit që u mor me të gjitha punimet dhe pjesën përpara se lokali të hapej, ndërsa Eltoni u mor me pjesën muzikore, me organizimin e këngëtarëve dhe bandës. Punët janë shumë të ndara dhe rezultati është shumë njerëz, shumë dashamirës të “Rockstok” që shijojnë muzikën që luhet aty.
Çfarë ndjesie të jep publiku që vjen aty, është disi më specifik?
Ka ndodhur diçka e veçantë. Aty ka pasur edhe raste që kanë ardhur repistë dhe kur kanë dëgjuar muzikën që luhet, kanë thënë: “Unë jam i një tjetër rryme muzikore, po më pëlqen të vij këtu sepse kënaqem shumë”. Është një vend që fton njerëz edhe me shije të tjera muzikore pasi reflektohet punë tek anëtarët e grupit, angazhim dhe profesionalizëm. Ku ka profesionalizëm ka dhe audiencë. Besoj se kjo muzikë i mungonte jetës së natës në Tiranë, duke qenë se më shumë luhet muzikë më e përgjithshme, më shqiptare apo më e përsëritur, kurse kjo është një muzikë që duke përfshirë edhe shqipen, e cila mbi të gjitha reklamon këngët tona si këngëtar më vete dhe pastaj këngë të një periudhe që kanë bërë epokë dhe kanë lënë gjurmë e veta, Bitëllsat, Abba, Majkëll Xhekson, apo grupe më të hershme. Përmbledh një grupmoshë dhe shijet e një grupmoshe që tani, le të themi, janë 40-50 vjeç, ndaj lokali ynë ka një publik mbi 25 vjeç deri në 60 vjeç dhe kjo është diçka shumë e këndshme.
Çfarë mendon për raportin që ka sot në krijimtari mes kompozitorëve dhe këngëtarëve?
Ka shumë këngëtarë. Raportin mes këngëtarëve dhe kompozitorëve si numër e shoh se ka shumë këngëtarë dhe pak kompozitorë. Kjo do të thotë që edhe ata kompozitorë që janë duhet të bëjnë zgjedhje të duhura, të përshtatin vokalin e duhur me këngën e duhur. Janë ata që drejtojnë këngëtarët, që i japin veçantinë dhe figurën dhe kjo ndodh në çdo vend të botës, duke i njohur karakterin dhe tipin. Janë ata të parët që sjellin burimi muzikor dhe evolucionin në këtë fushë. Por edhe këngëtarët duhet të jenë pak ekzigjentë kur shkojnë për të kërkuar një prodhim tek një kompozitor. Duhet të kenë njohuri të tilla muzikore që mos t’u ndodhë të këndojnë një këngë të vjedhur, apo gjëra të tjera.
Mendon se kompozitorët janë bërë disi përtacë falë teknologjisë?
Edhe kjo sigurisht që luan një rol, por ama kush do të punojë, punon. Tendencë për të bërë gjëra të veçanta ka si p.sh., kënga “Suus” e Rona Nishliut, një këngë e një stili tejet të veçantë. Më pëlqeu çmimi i tretë i festivalit këtë vit, apo Hersi Matmuja që kishte një këngë ndryshe. Ka disa elementë që janë kërkimorë në muzikë dhe që e bëjnë kompozimin të veçantë. Duket tendenca për të kërkuar një muzikë më të mirë më në fund dhe për t’u shkëputur nga muzika e tregut që gjithmonë do evoluojë dhe do të jetë e pranishme tek publiku.
Në këtë fazë, pas një pushimi pa materiale të reja çfarë do të kërkoje?
Do të kërkoja këngë të një stili të veçantë që unë i kam pasur me Erjonin në hapat e mi të parë. Kam bërë muzike eksperimentale me Erjonin, ajo muzikë që më ka specifikuar dhe më ka dhënë një personalitet muzikor. Duke pasur shembullin e Erjonit si kompozitor, e di se për çfarë flas kur përmend raportin këngëtar-kompozitor. Tani më në fund edhe ai ka dhënë provat e veta si në muzikë ashtu edhe në biznes, meqë ne po punojmë të dy në të njëjtin vend dhe vokali im këto kohë është pjekur (unë ndjej ndryshime në Enedën e para 3 viteve dhe atë që jam tani). Ndoshta koha dhe mosha, pjekuria bëjnë të vetën, por ndjej se çdo këngë që do më jepet do të di t’ia dal dhe t’i jap karakterin e duhur. Tani na mbetet vetëm të prodhojmë këtë prodhimin e ri dhe pastaj të kompozojmë këngët e reja (qesh).
D.m.th, do të rinisësh me Erjonin?
Po, do të rinis me Erjonin patjetër, sepse së pari më ka marrë shumë malli për një këngë të tij.
Sa kohë ka kaluar që s’ke kënduar një këngë të tij?
Ndoshta 6 vite. Hulumtuam nëpër fusha të tjera, pastaj edhe ai ka motivimin e vet. Nuk mund të kompozojë gjëra të veçanta në një kohë të gabuar.
Tani duhet të jetë më i frymëzuar?
Tani po, sepse siç thashë, kanë ndryshuar kërkesat e publikut shqiptar për këngët shqiptare.
Këto kohë vazhdon të këndosh tek “Rockstok”?
Po, këndoj të premteve dhe të shtunave, dhe kam përshtypje që fëmija do të ketë shumë vesh muzike, sepse ka dëgjuar gjithë kohës muzikë (qesh).
Dy zemra që rrahin në një trup………..
Si vjen muzika tani që je shtatzënë?
Ndihem shumë mirë, ndihem më e fuqishme.
Është njëlloj apo një ndjesi e dyfishtë?
Vetëm më duket sikur do dalë ndonjëherë dhe do këndojë me mua edhe fëmija, sepse ndihem vërtet e fortë me këtë prani kur dalë në skenë. Po kam përshtypjen se edhe për pak do vazhdoj, sepse nuk është e këshillueshme që të bëj muzikë deri në muajt e fundit dhe aq më tepër puna natën. Deri tani kam rezistuar mirë dhe nuk kam hequr asnjë nga punët apo detyrat e mia më të përditshme. Madje nuk e kuptoj përse disa femra ankohen pafund që janë shtatzëna, ndërkohë që të jesh shtatzënë është diçka shumë e bukur. I shton bukuri gjithçkaje rreth teje.
Kush të ka me më shumë merak këtë kohë? Kush kujdeset më shumë?
Të gjithë, pa përjashtim. Erjoni kujdeset shumë, vjehrra ime dhe nëna ime, sigurisht.
Tani gjithë vëmendja drejtohet tek ty..
Nuk e kam dashur këtë, por kohët e fundit kam filluar ta shijoj, më pëlqen (qesh). I kaloj gjërat pa u ankuar shumë dhe pa i lodhur të tjerët, mirëpo më shijon ky fakti i të ndjerit e përkëdhelur nga të gjithë.
Je bërë kurioze për ta parë gjininë e bebes?
Po, por nuk është akoma koha e duhur për ta saktësuar se çfarë është.
Çfarë e dëshiron?
Unë do ta doja vajzë.
Po Erjoni?
Ai kam përshtypjen që do ta donte djalë, por rëndësi ka që të jetë mirë dhe kjo na intereson të dyve. Mua më pëlqen vajzë, sepse kur të bëhet i dyti djalë, p.sh, ai do të ketë një motër të madhe që do ta drejtojë më mirë (qesh).
Ke më shumë besim tek femrat?
Unë po.
Po kolegët e “Portokallisë” si sillen tani që e dinë që do bëhesh nënë?
Një ditë po bisedonim se në 10 vjet në “Portokalli” ka pasur shumë aktorë apo persona të stafit që janë bërë prindër. Ka pasur shumë bebe gjatë këtij rrugëtimi, gjë që është diçka normale. Përkujdesen si çdo shok apo mik që kam pranë. Mezi po presin të mësojnë seksin e fëmijës dhe po përgatiten për dhuratat (qesh). Ndërsa unë ende nuk kam menduar për ndonjë emër pa e marrë vesh se çfarë është. Rëndësi ka që të më shkojë gjithçka siç ka ecur deri tani.
Këto janë momente të lumtura për ty…
Janë momente shumë të lumtura sepse kam përfituar një lloj qetësie që ma jep shtatzënia, kam përshtypjen. Jam rehatuar dhe nuk i marr gjërat me vrullin që i merrja më parë. Jam bërë më e ndjeshme, por edhe më e pandjeshme për ca gjëra të tjera. Me pak fjalë, janë një tërësi emocionesh komplekse. Unë po e shijoj këtë gjendje për momentin. Më pëlqen (qesh).
Dita, si ka ndryshuar për ty?
Po ka ndryshuar. Janë shtuar orët e gjumit dhe sasia e ngrënies (qesh). Ndërsa intensiteti i punës është i njëjti, madje edhe më shumë sepse ka ndodhur që kanë ardhur më shumë punë. Çfarë është lehtësim tani është se nuk më duhet më kohë për të shkuar tek Erjoni, sepse jam me të dhe kjo më lehtëson punën për ta pasur më pranë dhe për të ndenjur më shumë me të.
Bashkë me Erjonin ju lidh muzika, por çfarë e ndan një këngëtare dhe një kompozitor?
Ne jemi rritur bashkë dhe nëse do më pyesni cili është suksesi i jetëgjatësisë si çift, do ju thosha se është skalitja që i kemi bërë njëri-tjetrit gjatë kësaj rritjeje. Ndërsa ato që na ndajnë janë gjëra të vogla, pa rëndësi. Çfarë na lidhin, janë ato gjëra të rëndësishme që na mbajnë bashkë.
Në aspektin profesional?
Në aspektin profesional na ndan fakti që unë nuk jam shumë biznesmene, Erjoni është më shumë (qesh). Unë mund të them që jam më nikoqire, por jo për shkak të origjinës gjirokastrite që kam, po sepse kur dua të blej diçka apo të kursej, këtë e bëj me lehtësi, madje edhe më shumë se Erjoni (qesh). Nëse ai investon gjithë kohës për biznese, unë mbledh gjithë kohës për të investuar.
Eneda, a ka një çelës të artë një marrëdhënie e suksesshme?
Ka shumë çelësa. Kam përshtypjen që nuk është vetëm një çelës. Ka marrëdhënie që mund të kenë vetëm një. Kjo e jona ka shumë çelësa, shumë dyer, shumë përputhje. Ajo që kemi ne të dy dhe që e bën marrëdhënien të suksesshme është tolerimi i tipave që kemi. Toleranca e karaktereve të ndryshme që ne përfaqësojmë. Çelësi tjetër është që jemi mësuar shumë me njëri-tjetrin sepse jemi rritur bashkë. Arrijmë të kuptohemi dhe të kemi të njëjtin botëkuptim për gjërat dhe faktet.
Është e vështirë kur të dy partnerët janë në të njëjtin profesion ose fushë?
Ndonjëherë dhe unë e kam menduar këtë në momente të caktuara, por me rritjen dhe kalimin e kohës, me përulësinë që duhet të ketë një femër në çift dhe një mashkull në çift kam kuptuar që ka vetëm të mira. Kam menduar deri vonë që ne ndiheshim konkurrentë në fushën artistike me Erjonin, po tani e di që nëse Erjoni më ka dhënë ndonjë këshillë apo kritikë, e ka bërë sepse e ka parë që ka pasur vend për t’u përmirësuar. Kështu që ia di për shumë faleminderit.
Dëshira më e madhe që të shoqëron këto kohë…
Dëshira më e madhe është që të kem një shtatzëni dhe lindje të mbarë dhe pastaj rikthimin në jetën artistike dhe jo vetëm, më i fortë se ky tani.
Lutesh shpesh në Zot?
Besoj më shumë në një forcë të jashtëzakonshme që ka njeriu brenda vetes, por nuk besoj shumë tek Zoti. Vetë nuk jam besimtare. Ka shumë raste në jetë kur unë mund të dyshoj dhe të them që kjo është dora e Zotit, si tani të përjetimeve që ndjej me beben që mbaj. Këtu mendoj se ka diçka të mbinatyrshme. Janë dy zemra që rrahin brenda një trupi. Është një jetë që ti e ndërton nga trupi yt, mishi, gjaku yt. Kjo është diçka e mrekullueshme, diçka që të mahnit.
Fustani i bardhë… e ke pasur qejf? Do ta vishje në të ardhmen?
Nuk besoj se është parësore. Jo se nuk më pëlqen…Kur vitet ikin, fustani i bardhë nuk është më një domosdoshmëri se martesa apo raporti do të shkojë mirë. Unë nuk kam se çfarë të pres më shumë se kaq. Kam një marrëdhënie të mirë dhe ndihem e lumtur.
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi