Kanceri në Shqipëri, pa regjistër kombëtar
Thu 7 Feb 2013 - 15:16
Besarta Basha
- Shërbimi Onkologjik në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë nuk ka një regjistër për të sëmurët me kancer. Dy ditë pasi Ministria e Shëndetësisë publikoi shifrat tronditëse të përhapjes së sëmundjeve kancerogjene në Shqipëri, shërbimi i vetëm spitalor publik onkologjik deklaroi se nuk posedon të dhëna të sakta për numrin e të prekurve. Regjistri ndërspitalor në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” raporton 5 500 të sëmurë me kancer. Të kundërt raporton Globocan, Seksioni Botëror i Informimit për Kancerin. Organizata së cilës iu referua në të dhënat e saj edhe Ministria e Shëndetësisë, shënon në regjistrat e saj për Shqipërinë 7 800 raste të të prekurve nga sëmundjet kancerogjene. Globocan i referohet në të dhënat e saj regjistrave kombëtarë të secilit shtet. Shqipëria është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit që nuk ka një regjistër të tillë. Agim Sallaku është shef i shërbimit Onkologjik. Ai pohon për gazetën “Shekulli” mungesën e një regjistri të tillë, i cili do të bënte të mundur identifikimin e numrit të saktë të personave të prekur si edhe parandalimin në kohë të prekshmërisë në individëve që kanë lidhje gjenetike me sëmundjen. Onkologu, mosrakordimin e shifrave të personave të prekur, e shikon në faktorë të tillë si kurimi i një pjese të mirë të pacientëve jashtë vendit.
“25 për qind e njerëzve të prekur nga kanceri marrin trajtim mjekësor jashtë shtetit. Ky kontingjent nuk regjistrohen fare në regjistrat e QSUT. Deri në vitin 1992 kemi pasur të dhëna shumë të besueshme për sëmundjet kancerogjene. Me ndryshimin e strukturës së qendrës e cila u kthye nga Institut në qendrën e shërbimit Onkologjik nuk kemi pasur të dhëna të sakta për numrin e të sëmurëve me kancer”, informoi Sallaku. Nga 5 500 pacientë të cilët u diagnostifikuan gjatë vitit 2012 me sëmundje kancerogjene, përqindjen më të madhe të personave të prekur e kanë femrat. Llojet më të përhapura janë kanceri i gjirit dhe ai i qafës së mitrës. Rritjen enumrit të pacienteve femra, onkologu e lidh me disa faktorë që kanë të bëjnë me ndryshimin e stilit të jetesës në vite. “Nëse më herët gratë lindnin 19- 20 vjeç, tani mosha e lindjes është rritur deri në të 30-at. Kjo çon në lindjen e kancerit të gjirit. Po ashtu edhe marrëdhëniet seksuale të vajzave në moshë të hershme, kanë çuar në rritjen e femrave të prekura nga kanceri i qafës së mitrës”, shpjegoi Sallaku. Jo më pak të prekur nga kanceri janë edhe meshkujt.
Raportimi më i shpeshtë është ai i kancerit të stomakut. Shkaku është pirja e tepërt e duhanit “Duhani duke vepruar në kohë ngacmon qelizën, dëmton ADNmë duke e kthyer atë nga normale në anormale. Në këtë rast, kanceri shfaqet nga ndryshimet gjenetike si pasojë e veprimit kronik të faktorëve kancerogjenë.” Shefi i shërbimit Onkologjik, Sallaku përmend lindjen e kancerit si një sëmundje multifaktoriale. Përmirësimi i kushteve të jetesës është shoqëruar me disa pasoja negative si përdorimi i tepërt i mishit, i gjërave të skuqura, kufizimit të ushtrimeve fizike. Të gjithë këto faktorë, në kuadër të progresit të shoqërisë kanë çuar në përhapjen e sëmundjes së kancerit. Përparësi në këtë rast, sipas mjekut Sallaku, ka ndërgjegjësimi i shoqërisë. “Një e treta e sëmundjeve me kancer mund të parandalohen përmes edukimit, në rast se evidentohen në fazat e hershme. Rritja e ushtrimeve fizike, pakësimi i konsumit të mishit të kuq, shtimi i zarzavate në tryeza, kontrolli i herëpashershëm me paptest mund të parandalojë ose ta shërojë në kohë kancerin.” Më shumë se gjysma e të sëmurëve me kancer që kanë kërkuar trajtim në shërbimin Onkologjik kanë humbur jetën. Arsyeja lidhet me fazën e avancuar të sëmundjes. Nga kjo pjesë, vetëm një e treta marrin kujdes të specializuar. “Pjesa tjetër janë në mëshirë të një mjeku, ndoshta dhe jo të specializuar, i cili herë i shikon dhe herë jo. Në këtë periudhë po mundësohet punësimi i mjekëve specialistë në spitalet kryesore rajonale”.
Sëmundja
Kanceri, mosha mesatare është ulur me 20 vite
Shërbimi Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk ka një strukturë që të kujdeset për të sëmurët në gjendje të rëndë. Aktualisht kujdes po i kushtohet krijimit të projektit kombëtar të kontrollit të kancerit, ku përfshihet parandalimi, diagnostifikimi, kurimi si dhe kontrolli paliativ. Ajo që është shqetësuese është ulja e moshës së personave të prekur te femrat. “Ndërsa dikur mosha e femrave të prekura nga sëmundjet kancerogjene ishte 60 vjeç, vitet e fundit kjo moshë është ulur me 20 vjet. Kjo lidhet me marrëdhëniet seksuale herët dhe me rritjen e moshës së mëmësisë” Onokologu Sallaku, thotë se mosinformimi ndikon në rritjen e numrit të femrave që vdesin nga kanceri, pasi shumica e tyre paraqiten me vonesë në dyert e spitalit.
Ndotja e ajrit po merr 500 jetë njerëzish në vit
Ndotja e ambientit është një ndër faktorët kyç në shfaqjen e sëmundjes së kancerit. Grimcat e kimikateve që nxjerrin skapamentet e makinave, ndërtimet e pakontrolluara, amianti, azbesti dhe ndotës të tjerë të mjedisit kanë ndikuar jo vetëm në shfaqjen e sëmundjes së kancerit, por edhe në uljen e jetëgjatësisë në Shqipëri. Më i prekur nga ndotja e mjedisit është kryeqyteti. Ndër 5 500 të sëmurë me kancer, 2 500 janë regjistruar në Tiranë. Treguesit e deritanishëm, thonë që ndotja e ajrit në kryeqytet është shumë më tepër se kriteret e përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Këtë fakt e pohoi pak ditë më parë ambientalisti, Xhemal Mato. “Ne hyjmë sipas indeksit shëndetësor në zonën e rrezikshme. 12 për qind e vdekjeve ndodhin nga ndotja e ajrit. Jetëgjatësia është ulur në dy vite dhe ndotja e ajrit po merr rreth 500 jetë në vit.”
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi