Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Silvana
Silvana
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
 <b>Mosha</b> Mosha : 31
<b>Postime</b> Postime : 9370
<b>Hobi</b> Hobi : moda,leximi,poezia..ecc
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : In Italia
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 03/10/2011

Vijnë nga larg, por kanë vendosur të plaken në Shqipëri Empty Vijnë nga larg, por kanë vendosur të plaken në Shqipëri

Fri 15 Feb 2013 - 21:55
Vijnë nga larg, por kanë vendosur të plaken në Shqipëri Ned%20dhe%20Jorid%201
Me këtë histori nuk duam të tregojmë se të huajt po lënë vendin e
tyre të origjinës për një jetë më të mirë në Shqipëri. Absolutisht që
jo. Historia e mëposhtme është reflektim mbi disa vlera të cilat duhet
t’i ruajmë fort. Një nga këto është edhe familja. Kjo është edhe arsyeja
përse Ned nga Çikago e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Jorid nga
një fshat në Norvegji, kanë zgjedhur të ndërtojnë familjen e tyre në
vendin tonë. Çifti i bashkëshortëve jeton dhe punon në Shqipëri prej 21
vitesh. Edhe pse familja shqiptare është tronditur në dy dekadat e
fundit nga ngjarje të rënda që kanë cenuar integritetin e saj, Ned dhe
Jorid, mendojnë se familja mbetet ende e shenjtë në vendin tonë. Ata
janë edhe nismëtarët e projektit “Java e Martesës” në Shqipëri, një ide e
cila promovohet për herë të parë. Bashkëshortët janë njohur në vitin
1992 në fshatin Kuç të Vlorës. Ata u ndodhën aty me misionin e ndërtimit
të një kishe. Këtu ata shkëmbyen edhe shikimet e para. Ned ishte 26
vjeç, ndërsa Jorid 29 vjeç. Sot kur kanën kaluar 21 vite nga njohja e
parë, çifti kujton se Shqipëria e sapodalë nga komunizmi ishte një vend
me varfëri ekstreme.“Punuam shumë mirë së bashku dhe avash-avash
ndjenjat rriteshin. Pashë cilësitë e Jorid. Më pëlqyen edhe pse nuk
erdhëm me atë qëllim. Pas një viti punë së bashku, vendosëm të
bashkëpunonim për gjithë jetën”- nis e tregon Ned. Këtu ndërhyn Jorid:
“Askush nga ne nuk kishte ardhur me qëllim njohjen e njeriut të jetës,
por ja që ndodhi dhe tashmë Vlora është një nga qytetet më të dashur për
ne, pasi është qyteti që na njohu dhe na lidhi së bashku.” Nga martesa
Ned dhe Jorid kanë tre fëmijë. Djali i madh është 15 vjeç, i dyti 14,
ndërsa vajza 12 vjeç. Streha ku jetojnë është mëse modeste. Banesa e
tyre është një shtëpi përdhese me qerpiç pranë Shkollës së Kuqe, në një
nga lagjet e qeta të Tiranës. “Aty është qetësi dhe ne gjendemi shumë
mirë, prej disa vitesh, si të thuash jemi mes tironsish”- shpjegon Jorid
me një theks të këndshëm anglez. Sytë blu, poshtë syzeve, shkëlqejnë sa
herë që biseda kalon te shqiptarët, Thotë se këtu është në paqe me
jetën dhe vendin ku jeton. Bashkëshortët Spiecker thonë se kanë mësuar
shumë gjëra në Shqipëri. Këtu ata kanë kuptuar konceptin bazë të
shoqërisë që është familja dhe këtë duan ta ruajnë fort. Megjithëse
shifrat tregojnë shtimin e numrit të divorceve Ned edhe Jorid nëpërmjet
“Javës së martesës” kërkojnë të kontribuojnë për ruajtjen e kësaj vlere
të shoqërisë shqiptare. Shumë vende të zhvilluara të botës mund të
renditen në vendet e para për sa i përket ekonomisë, por Shqipëria këtë
renditje e ka tek vlerat familjare. Por a janë penduar ndonjëherë Ned
dhe Jorid që kanë zgjedhur të jetojnë në Shqipëri? “Oo patjetër. Unë
mendoj që kudo në botë do mendosh në momente të caktuara kështu. Edhe në
Norvegji jam e bindur që ka njerëz që thonë: “Oo këtu nuk rrihet më!”,
thotë Jorid. Ned rrëfen se pasi u martuan, iu desh që për një vit të
largoheshin nga Shqipëria. “Pasi u martuam vendosëm të largoheshim. Një
vit ikëm nga Shqipëria. Shkuam në Amerikë edhe në Norvegji. Nuk e dinim a
do të ktheheshim apo jo këtu. U kthyem në vitin 1996. Kaluam krizat e
vitit ’97. Kemi pasur edhe ne momentet tona ku kemi pyetur veten nëse
duhet të qëndrojmë apo jo këtu dhe kemi bërë një vlerësim. Ndoshta jemi
kundra rrymës. Shumë njerëz duan të shkojnë në Amerikë apo në Norvegji
për të jetuar, por ne kemi ardhur këtu dhe kemi mësuar shumë nga
kultura, njerëzit, mikpritja. Shqipëria në këto 20 vite ka ndryshime
pozitive”
Në Tiranë festohet për të dytin vit “Java e Martesës”. Nisma
për të kontribuar në mbajtjen e familjes dhe ruajtjen e vlerave të saj


Investojmë në gjëra të pakuptimta, por harrojmë familjen”

Z. Ned, është hera e parë që në Shqipëri organizohet java e martesës apo ka ekzistuar edhe më parë?

Ned: Java e martesës i ka fillesat në vitin 1996 në Angli. Në
Shqipëri ky event që vjen me ditën e Shën Valentinit organizohet për
herë të dytë, Hera e parë kur e kam hasur si ide ka qenë 6 vite më parë
në Irlandë. Dëgjova për këtë nismë dhe mësova si kishte filluar dhe si
po ecte. Aty thash pse jo, ne duam të ndikojmë në Shqipëri në mënyrë
pozitive. E kisha mbajtur si një “gur” në xhep këtë ide. Përpara dy
vjetësh, fola me disa miq këtu. Ishim shumë entuziast, por ne të gjithë
kemi shumë punë dhe nuk e realizuam në atë kohë. Vitin e kaluar mendova
që duhet të bëjmë diçka patjetër. Më mirë diçka se sa asgjë. Ky vit
është i dyti dhe shpresojmë që çdo vit të rritet dhe të zhvillohet.

“Java e martesës” do të thotë që të gjithë nëse duan të martohen, ta bëjnë tani?

Jorid: Jo, qëllimi është më shumë në formën e sensibilizimit, në
mënyrë që njerëzit të cilët janë të martuar, të investojnë në martesën e
tyre. Qëllimi ynë nuk është që të bëjmë që njerëzit të martohen shpejt e
shpejt, por të mendohen para se të martohen. Shumica prej nesh
investojnë në shumë gjëra, por ndonjëherë harrojmë që martesa është
gjëja më e rëndësishme në një familje. Nëse prindërit nuk janë mirë
bashkë, atëherë as fëmijët nuk do të jenë mirë. Nuk është se ne gjatë
këtyre ditëve do të organizojmë ndonjë festë. Ne inkurajojmë njerëz të
ndryshëm të japin sa më shumë për martesat e tyre. Organizojmë biseda,
flasim për të mirat e familjes. Këtë fundjavë kemi organizuar një sërë
seminaresh, fundjava me çifte duke i inkurajuar atë që të bëjnë më shumë
për familjet e tyre.

Si e shikoni Shqipërinë në raport me familjen?

Ned: Shqipëria ende ka një familje të shëndoshë dhe kjo është shumë
pozitive. Ndonjëherë bota kategorizon, vendet e zhvilluara, të pa
zhvilluara apo në zhvillim. Amerika quhet vend i zhvilluar. Shqipëria
mund të themi është duke u zhvilluar, por në anën e familjes Shqipëria
është më e zhvilluar. Shqiptarët e vlerësojnë familjen edhe martesën dhe
kjo është shumë e rëndësishme për çdo kulturë. Ne duam të mbështesim
atë që është pjesë e kësaj kulture, e që mund të themi se është shtylla e
çdo shoqërie të mirë. Nëse martesat janë të forta, familja është e
fortë, atëherë edhe shoqëria është e fortë.

Çfarë do të ndodhë në 14 shkurt?

Jorid: Shën Valentini duhet të jetë një ditë përkushtimi. Të gjithë
ata që kanë një familje, atë ditë t’ia dhurojnë asaj. Do të ketë disa
organizime në Kisha. Ne si çift personalisht, do të dalim për një darkë
dhe do shohim një film në kinema. Është java e martesës dhe le të bëjmë
diçka edhe për veten. Bëjeni edhe ju!

Në SHBA, divorci kushton 112 bilion dollarë

“Java Martesës” është e shtrirë në 75 vende të botës. Ky event
konsiderohet si një përpjekje bashkëpunuese për të inkurajuar grupe të
ndryshme, ku qëllimi është forcimi i institucionit të martesës, në
mënyrë që të reduktohen divorcet. “Java e martesës” ka ndikuar në
ndërtimin e një kulture të fortë për sa i përket familjes, e cila nga
ana tjetër ndihmon për të zvogëluar varfërinë dhe krijimin e një brezi
të shëndetshëm. I gjithë ky kontribut në zhvillimin e kësaj kulture
jepet në grupe, ndaj kërkohet bashkëpunimi i të gjithëve. Në Shtetet e
Bashkuara të Amerikës kjo traditë po zhvillohet çdo vit e më shumë si
një ndihmesë për të shpëtuar familjen. Ndarja është e kushtueshme për
fëmijët dhe për shoqërinë në përgjithësi. Divorci i kushton
taksapaguesve amerikanë 112 bilion dollarë në vit. Në këto kohë të
vështira ekonomike, ndërtimi i martesave të forta ndihmon në ndërtimin e
një kombi të fortë.

“Java e Martesës” është një lëvizje dhe jo një organizatë, prandaj
shumë prej aktiviteteve të lidhura me të do të organizohen në mënyrë të
pavarur dhe spontane nga grupe të ndryshme, të frymëzuara prej Javës së
Martesës. Lëvizja fton qytetarët të vlerësojnë martesën dhe të punojnë
shumë për ta bërë martesën e tyre sa më të mirë që të jetë e mundur. Kjo
pasi studimet tregojnë se njerëzit e martuar janë më të lumtur dhe më
të pasur. Martesa e shëndetshme dhe e suksesshme është faktor kryesor
për shoqëri të shëndetshme dhe të suksesshme.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi