- SilvanaPrinceshe Forumi
- Gjinia :
Mosha : 32
Postime : 9370
Hobi : moda,leximi,poezia..ecc
Vendndodhja : In Italia
Anetaresuar : 03/10/2011
Operacionet plastike, meshkujt konkurrojnë femrat
Fri 15 Feb 2013 - 21:58
Besarta Basha
-Tendenca për t’iu ngjasuar yjeve të Hollivudit ka bërë që shumë të
rinj t’u nënshtrohen ndërhyrjeve estetike. Revistat dhe gazetat janë të
mbushura me imazhe që tregojnë forma të përkryera modelesh. Shumë të
rinj që duan t’i ngjajnë Brad Pitt apo Angeline Zholie drejtohen në
dyert e klinikave estetike për të rregulluar një tipar të fytyrës apo
për të bërë ndryshime në pjesë të ndryshme të trupit. Rregullimi i
formës së hundës, veshëve, eliminimi i rrudhave në mollëza apo heqja e
dhjamit të tepërt ka çuar shumë të rinj në dyert e klinikave private.
Kompleksi i pasqyrës që kanë pjesa më e madhe e femrave, ka filluar të
prekë edhe meshkujt. Silvana Vishaj, kirurge plastike faciale thotë se
në ndryshim nga vite më parë, meshkujt kanë nisur të interesohen për
mrekullitë që po kryen mjekësia e plastikës. “Në 5-vjeçarin e fundit
pacientët meshkuj po konkurrojnë me femrat për të kryer ndërhyrje
plastike. Është bërë një trend i përgjithshëm ku meshkujt rreth të
tridhjetave vijnë të bëjnë ndërhyrje dhe madje e pohojnë që kanë kryer
një të tillë.” Meshkujt shpesh dëshirojnë një hundë më të balancuar, të
drejtë, në përshtatje me fytyrën, si dhe veshë shumë të drejtë, të
afruara me kokën, apo edhe një mjekër të konturuar dhe të dukshme si
edhe një bark të sheshtë dhe pa dhjamë. Këto janë kërkesat më të shumta
që u drejtohen kirurgëve plastikë. “Jetojmë në një shoqëri ku kërkimi i
një imazhi mashkullor më të mirë është i rëndësishëm në biznesin,
profesionin, karrierën dhe marrëdhëniet shoqërore dhe sentimentale. Sot
meshkujt e të gjitha moshave dhe nga të gjitha sferat e jetës janë duke
kërkuar ndihmën e kirurgjisë plastike për të qëndruar konkurrues në
botën e biznesit, artit dhe politikës.” Një fytyrë e dhjamosur ose një
fytyrë shumë e trashë me zona dhjami nën mjekër është gjithashtu një
shqetësim për shumë burra. “Ka pacientë meshkuj që kërkojnë një pamje të
plotë për të korrigjuar dhe për të hequr zonën e qafës. Kjo ka të bëjë
me heqjen e lëkurës së tepërt dhe forcimin e muskujve. Kjo teknikë
quhet liftingu i qafës dhe kërkon medoemos ndërhyrje kirurgjikale.” Një
ndërhyrje që shpesh përdoret tek pacientët meshkuj është tërheqja e
rrudhave të lëkurës së fytyrës. Tek meshkujt në moshë kërkohet eliminimi
i dhjamit të tepërt në pjesën e barkut. “Ndërhyrja lifting në fytyrën e
mashkullit e bën atë të duket 15-20 vite më i ri nga ç’është. Në moshat
e mëdha ndërhyjmë kur indi dhjamor akumulohet me kalimin e moshës dhe
peshës apo për shkak të abuzimit me ushqimin dhe alkoolin. Kështu që
janë të detyruar të kërkojnë ndërhyrje për eliminimin e barkut,
plastikën e dhjamit apo ndërhyrje të tjera. Për moshat e reja bëhen
injeksionet e botoksit për eliminimin e rrudhave në zonën e ballit dhe
të syve. Bëhen po ashtu edhe injeksionet mbushëse (filler) me anë të
cilave mbushen rrudhat në faqe, mjekër, buzë etj.” Të gjithë pacientët
që drejtohen tek kirurgu plastik për të kryer një ndërhyrje kanë një
model të cilit i referohen. Kjo gjë rezulton shumë e gabuar nga ana e
mjekëve estetistë, pasi forma e re e ndërhyrjes kirurgjikale duhet të
jetë në harmoni me pjesën e tipareve të tjera të fytyrës. Një hundë si e
Brad Pitt nuk mund të jetë idealja për çdo mashkull. Modeli më i mirë
është ai që përshtatet me përmasat dhe format e tjerave të fytyrës, jo
imazhi i fotografisë me të cilin shumë klientë duan të ngjasojnë. “Në
këtë procedurë është shumë e rëndësishme fotografimi i zonës ku do të
kryhet ndërhyrja për të diskutuar mundësitë e trajnimit dhe dëshirat e
klientëve. Pas një vlerësimi të plotë, kirurgu shpjegon se cila
procedurë kirurgjikale është më e përshtatshme për pacientin. Mjeku do
të vlerësojë të gjithë regjionin tuaj kokë-fytyrë-qafë. Linjat e qepjeve
planifikohen me kujdes ne ato nivele ku janë sa më pak të dukshme.
Anestezia e kryer gjatë këtyre ndërhyrjeve mund të jetë një anestezi
lokale dhe me qetësues ose një anestezi e përgjithshme.
Të gjesh formën perfekte pa bisturi
Ndërhyrje kirurgjikale pa provuar tehun e bisturisë? Plotësisht e
realizueshme edhe në Shqipëri. Mjafton që pacientët të zgjedhin në bazë
të nevojës dhe kushteve personale. Silvana Vishaj, mjeke e kirurgjisë
plastike thotë se teknika me rreze lazer, është teknika më e fundit për
eliminimin e defekteve në fytyrë apo në trup. “Lazeri fraksional, apo
rinimi i lëkurës nëpërmjet eliminimit të indit të tepërt dhjamor është
teknika më e fundit e futur si mjet në ndërhyrjet estetike. Trajnimi i
linjave të rrudhave në të dy anët e faqeve, mbi buzë, ballë apo në
këndet e syve janë plotësisht të realizueshme me aparaturën më të re të
futur në teknologjinë e ndërhyrjeve plastike.” Teknika zgjat 30-45
minuta. Ajo bart edhe kosto, e cila është në varësi të sasisë së
ndërhyrjeve që bëhen tek pacienti. “Kostot asnjëherë nuk janë fikse dhe
standarde. Numri i injeksioneve nuk është njësoj si tek një pacient ne
një tjetër. Kostoja është në varësi të gradës së defektit. Por duhet
thënë që janë të paktë ata që mund të përballojnë një mirëqenie estetike
të fytyrës apo trupit të tyre, ndaj pjesa më e madhe e tyre janë njerëz
që kanë një gjendje ekonomike mbi mesataren.” Efektet anësore te
ndërhyrjet kirurgjikale janë ënjtjet apo dhembjet e vogla të cilat mund
të zgjasin disa ditë. Në ndërhyrjet me rreze lazer, efektet janë më pak
traumatike. Mjekja estetiste Vishaj tha se ndërhyrjet me rreze lazer
kërkojnë një kohë më të shkurtër. “Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale,
pacienti i duhet të paktën një javë të ndërpresë marrëdhëniet në punë.
Ndërsa me ndërhyrjet me rreze, pacienti e merr veten në një kohë më të
shkurtër.”
Operacioni i hundës, më i kërkuari
Ndërhyrja kirurgjikale më e kërkuar është ajo e rregullimit të
hundës. Operacioni rhinoplastika apo operacioni në hundë, është nga
ndërhyrjet më të zakonshme. “Kjo përbën një procedurë mjekësore që
riformëson hundën për qëllime kozmetike ose rindërtuese. Gjatë
rhinoplastikës nuk është e mundur të reduktohet madhësia e hundës, të
zgjatet dhe as të ndryshohet largësia nga buza e sipërme në atë të
poshtme.” Shumë prej pacientëve që realizojnë rhinoplastikë kthehen në
jetën normale brenda muajit. Megjithatë duhen disa javë për të parë
rezultatet e ndërhyrjes, të cilat janë tepër të dukshme. Operacioni i
hundës zhvillohet pasi të jenë maturuar tiparet e njeriut. Personat që
kryejnë një ndërhyrje në hundë janë të detyruar të qëndrojnë një
ditë-natë në spital. Për gati një javë duhet të qëndrojnë në shtëpi, me
qëllim që të mos marrin asnjë infeksion.
Defektet estetike në vesh Buzë të fryra dhe me model
Operacioni plastik i veshëve është një ndërhyrje shumë e kërkuar si
nga femrat, ashtu edhe nga meshkujt. Mjekja kirurge Vishaj thotë se
kirurgjia plastike e veshëve është një teknikë kirurgjikale që realizon
korrigjimin e veshëve të deformuar. Kjo ndërhyrje përfshin të gjitha
llojet e defekteve estetike në vesh. “Rezultati është shumë i kënaqshëm.
Pacienti pas ndërhyrjes rezulton me veshë të drejtë, më të vegjël dhe
të afruar me kokën. Kirurgjia plastike e veshit zakonisht zgjat rreth dy
orë dhe kryhet si një procedurë ambulatore me stad shërimi një javë.
Pas një jave pacienti është tërësisht i shëruar. Rezultati është i
dukshëm menjëherë pas ndërhyrjes.”
Buzë të fryra dhe me model
Tashmë është bërë e modës fryrja e buzëve me injeksion. Silvana
Vishaj, kirurge plastike pohon që ka një pjesë të mirë të Vip-ave në
Shqipëri, si femra apo meshkuj që kanë kryer ndërhyrje të buzëve apo të
pjesëve të tjera në fytyrë apo ndërhyrje kirurgjikale në trup. Vishaj
thekson se zmadhimi i buzëve është një ndër ndërhyrjet më të zakonshme
që kryhen në klinikë. “Fryrja e buzëve duke i zmadhuar apo rimodeluar
është kërkesa më e zakonshme. Mënyrat janë të shumta dhe mund të shkojnë
që nga injektimi i fijeve kolagjene në ndërfutjen e sintezave të tilla
si goretex. Injeksionet që përdoren për zmadhimin dhe rimodelimin e
buzëve janë përbërës natyrorë, të ngjashëm me përbërësit që ndodhen në
trupin tonë. Buzët duhet të jenë të zmadhuara në përshtatje me fytyrën,
mollëzat dhe mjekrën. Pra të jenë në harmoni të plotë me tiparet e tjera
të fytyrës.” Vishaj thotë që ka edhe kërkesa për reduktimin e volumit
të buzëve. Në këtë rast gjatë operacionit hiqet një pjesë e vogël e
mukozës dhe muskulit në pjesën e brendshme të buzës.
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi