Zbardhen dokumentet, se çfarë mendonte Londra në 1913-n për Shqipërinë dhe Kosovën
Sat 16 Feb 2013 - 13:13
PRISHTINË - Me rastin e shënimit të 5-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, si dhe në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, të enjten në Prishtinë është hapur ekspozita unike e titulluar: “Si i shihte Londra Ballkanin, Kosovën dhe Shqipërinë 100 vjet më parë?”, bën të ditur 'Koha Ditore".
Kjo ekspozitë, e organizuar nga Qendra për Studime Shqiptare në Londër, MPJ e Kosovës dhe MPJ e Shqipërisë përmban piktura, dokumente, harta, fotografi, shkrime dhe karikatura nga arkivat britanike, një pjesë e të cilave janë prezantuar për herë të parë para publikut.
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, në çelje të ekspozitës ka thënë se, në rrafshin kohor ajo ofron pamje dhe përmbajtje që nga shekulli 17, 18, 19 dhe veçanërisht shekulli 20, duke e përshkruar fatin dhe pozitën e shqiptarëve në Ballkan, por mbi të gjitha duke pasur në fokus themelimin e shtetit shqiptar, formimin e shtetit shqiptar, luftërat ballkanike, thuhet në njoftimin zyrtar të MPJ-së.
“Kjo ekspozitë tregon, se ku kemi qenë ne para 100 vjetësh, para 200 vjetësh, para 300 vjetësh, se sa rrugë të gjatë kemi bërë, që sot në shkurtin e vitit 2013 ta kemi shtetin e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur, shumetnik dhe si shtet qytetar, i cili i reflekton aspiratat që ka pasur populli i Kosovës, populli i Shqipërisë gjatë këtyre shekujve”, tha Hoxhaj, duke shtuar se në këtë rrugë të gjatë shqiptarët kanë pasur vazhdimisht një shtet mik, Britaninë e Madhe.
Hoxhaj tha po ashtu, se Britania e Madhe së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë dy shtetet vendimtare, që kanë mundësuar krijimin e shtetit shqiptar në fillim të shekullit 20.
“Britania e Madhe së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë dy fuqitë më vendimtare, që kanë kontribuar edhe për lirinë e Kosovës, por edhe formimin e shtetit të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran”, tha Hoxhaj.
Myrna McGreggor, nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë, tha se shteti i saj dhe shqiptarët kanë një histori të gjatë dhe tejet interesante.
“Politika britanike drejt shqiptarëve ka qenë e fokusuar në siguri dhe stabilitet në rajon”, tha McGreggor.
Ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka falënderoi ata që e kanë përgatitur këtë ekspozitë, “veçanërisht zotin Maliqi dhe në mënyrë të veçantë zotin Destani për rolin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në krye të Qendrës së Studimeve Shqiptare në Britani”.
Shkëlzen Maliqi, kurator i ekspozitës, vlerësoi lart materialet e sjella nga Bejtullah Destani nga Qendra për Studime Shqiptare në Londër.
“Është një koleksion shumë i çmueshëm. Për njëzet e sa vite ai ka mbledhur ndoshta dhjetë mijë e më shumë dokumente, fotografi, libra që kanë të bëjnë me çështjen shqiptare dhe Ballkanin”, tha Maliqi.
Bejtullah Destani tha se viteve të fundit është koncentruar të sjellë disa imazhe që janë të natyrës historike, hartografike, arsimore dhe karikaturave të ndryshme që pasqyrojnë historinë e Shqipërisë.
Ai ka veçuar tre dokumente shumë interesante, dokumentin e aktit të besës, i nënshkruar nga shumë fise të veriut të Shqipërisë, i organizuar nga gjeneral Philips, dokumentin e shekullit 16-të, ku tregon që mbreti Henri VIII ka veshur kostum shqiptar, dhe dokumentin e Komitetit të Korfuzit, të vitit 1883, i organizuar nga Francesco Crispi, një arbresh në anën tjetër të Adriatikut.
Ekspozita “Si i shihte Londra Ballkanin, Kosovën dhe Shqipërinë 100 vjet më parë?” do të jetë e hapur deri më 1 mars 2013, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës në Prishtinë.
/Shekulli Online/Përgatiti:M.A./
- ÇFARË THA JUSUF GËRVALLA PËR KOSOVËN,SHQIPËRINË DHE TROJET SHQIPTAR,NË DITËN E FLAMURIT,MË 1981
- Dialogu i plotë i Stalinit me zyrtarët jugosllavë: Shqiptari besnik si qeni
- 2-vjeçari që "bashkon" Shqipërinë me Kosovën
- Nostradamusi dhe parashikimet e tij per Shqiperine e Kosoven..!
- 100 vjetori i Pavarësisë, MPJ promovon dy libra për Shqipërinë e Kosovën
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi