Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Invalidët e Punës, të pastrehë dhe pa përkrahje Empty Invalidët e Punës, të pastrehë dhe pa përkrahje

Sun 7 Apr 2013 - 13:52
Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Punës, Preng Leshi, flet mbi problemet me strehimin dhe çështjet, që përballen çdo ditë familjet e kësaj kategorie.
Invalidët e Punës, të pastrehë dhe pa përkrahje Proteste-invalide
Invalidëve të Punës janë një prej atyre shumë kategorive në nevojë, të cilat shpesh njohin edhe indiferencën e institucioneve shtetërore. Shumë prej personave të kësaj kategorie nuk përfitojnë as nga programet sociale për strehimin. Bëhet fjalë për 42 familje të pastreha që i përkasin kësaj kategorie vetëm në kryeqytet, të cilët prej 10 vitesh aplikojnë në mënyrë të pandërprerë pranë Bashkisë së Tiranës. Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Punës për Tiranën, Llesh Prenga, shprehet për gazetën “Shekulli” se deri më sot askush nuk ka përfituar nga projektet e Bashkisë së Tiranës, sipas programit të banesave sociale me qira, por edhe ata që kanë aplikuar për strehim sipas programit të banesave me kosto të ulët. Llesh Prenga shprehet se, këto 42 familje jetojnë nën qiell të hapur dhe askush nuk mund të kujdeset për to. Ndërkohë që ankesën ia kanë drejtuar në mënyrë të vazhdueshme Bashkisë së Tiranës. Përgjigja e fundit zyrtare, që atyre u ka dhënë bashkia, mban datën 01.03.2013, ku thuhet se: “invalidët duhet të aplikojnë sipas fazave që parashikon programi për strehimin”. Por, nuk u ka dhënë asnjë përgjigje se përse këto familje nuk janë përzgjedhur në 10 vite orvatje ankesash, kërkesash dhe aplikimesh të vazhdueshme. Gazeta “Shekulli” kërkoi një shpjegim nga Bashkia e Tiranës lidhur me këtë çështje, por nuk mundi të marrë një përgjigje zyrtare.

Sa familje të pastreha të kategorisë së Invalidëve të Punës ka në Tiranë?

Çështja e strehimit është problemi më i madh për invalidët e punës. Një pjesë e madhe e invalidëve të punës në Tiranë dhe në rrethe janë të pastrehë. Vetëm për Tiranën janë 42 familje të invalidëve të punës të pastreha, të cilët janë në pritje të gjetjes së një zgjidhje. bashkia nuk i ka përfshirë në skemën e strehimit social për të përfituar nga politikat lehtësuese sociale.

Ku jetojnë këto familje sot?

Këto familje jetojnë rrugëve, ku të mundën. Gjendja e tyre është shumë e vështirë. Duke pasur parasysh problemet shëndetësore, pasi ata janë të paaftë për punë dhe pagesa që përfitojnë është shumë e ulët. Sot kjo kategori invalidësh është në mëshirë të fatit.

Sa kohë kanë që janë në pritje të marrjes së një banese?

Kryefamiljarët kanë 10 vjet që aplikojnë, por nuk janë përfshirë asnjëherë në programet e strehimit.

Cila është përgjigja e bashkisë për këtë çështje?

Ne nuk e dimë se përse është krijuar kjo situatë, sepse askush nuk na ka dhënë një përgjigje për këtë çështje. I jemi drejtuar vazhdimisht bashkisë dhe përgjigja e fundit zyrtare që na kanë kthyer më datë 01.03.2013 është që, familjet duhet të vazhdojnë të aplikojnë. Konkretisht, për çfarë programi strehimi kanë aplikuar invalidët? Familjet kanë aplikuar për marrjen e ndonjë banese me qira, pasi nuk mund të aplikojnë të gjithë për blerjen e banesës. Asnjë nga këto familje nuk ka mundësi që të paguajë kredinë, me pagesë mujore prej 30 mijë lekësh. Ndërsa ata kanë mundësi të paguajnë vetëm një banesë me qira, e cila shkon deri në 2500 lekë në muaj.

Sa invalidë të punës janë në Tiranë?

Në Tiranë janë rreth 11 mijë invalidë të punës. Këtu përfshihen invalidë të plotë dhe të pjesshëm. Ndërsa në të gjithë vendin janë 50 mijë invalidë të punës.

Cilat janë problemet që ju shqetësojnë?

Problemi kryesor është rritja e pensionit. Ne kemi kërkuar rritje deri në 1 mijë lekë. Ne kemi 3 vjet që i kërkojmë Ministrisë së Punës këtë rritje, por nuk është bërë asgjë. Në 8 vite pagesa e invaliditetit është rritur me 5%, çka është një rritje e papërfillshme për kushtet ekonomike në të cilat jetojmë. Gjithashtu na kanë hequr disa barna nga lista e barnave të rimbursueshme. Kur invalidët e punës shkojnë tek mjekët e familjes për të marrë barnat për problemet shëndetësore, ata u përgjigjen se nuk janë më në listën e barnave të rimbursueshme. Shpeshherë kategoria e invalidëve të punës me mosnjohjen e Kartës së Invaliditetit.

Cilat janë raste që ju mohohet dhënia e shërbimit nëpërmjet kartës?

Disa linja të transportit publik nuk na e njohin Kartën e Invaliditetit. Të tilla janë: linja e Vorës, linja e Kasharit, linja e Paskuqanit, linja e Linzës dhe e Dajtit. Kategoria jonë brenda Tiranës dhe komunave brenda rrezes 20 kilometra duhet të udhëtojë falas. Ndërsa në linjat interurbane, jashtë Tiranës, duhet të udhëtojmë me pagesën 50% të biletës. Kjo rregullore për linjat interurbane nuk është zbatuar asnjëherë. Ne jemi ankuar vazhdimisht në komunat përkatëse dhe na është thënë se kjo çështje do të rregullohet.

Por ende nuk është bërë asgjë. Sa është përfitimi që kanë Invalidët e Punës?

Invalidët ndahen në dy kategori kryesore: në invaliditet të pjesshëm dhe invaliditet të plotë. Invaliditeti i pjesshëm paguhet me 6500 lekë, ndërsa invaliditeti i plotë përfiton një pagesë prej 15 mijë lekësh në muaj. Ne nuk na dalin as për të ngrënë dhe jo më për të blerë ilaçe apo për të plotësuar nevojat e tjera.

Programe të banesave sociale me qira:

- Banesat, që ndërtohen, apo blihen nga tregu i lirë nga bashkitë,

ose nga organizatat e tjera jofitimprurëse, të cilat jepen me kontratë qiraje.

- Banesat ekzistuese, në pronësi të personave fizikë, ose juridikë, të cilat janë klasifikuar nga organet e qeverisjes vendore, apo nga organizatat jofitimprurëse si banesa sociale.

- Objektet e dala jashtë funksionit, si rezultat i mbylljes së një veprimtarie, të cilat kanë kaluar në pronësi të bashkive.

Programi i banesave me kosto të ulët:

Të cilat janë të destinuar për të disponuar në pronësi nga blerësi i ardhshëm, përkundrejt një kredie me kushte lehtësuese. Banesat me kosto të ulët kombinojnë dy faktorë: atë të çmimit të shitjes së kontrolluar me kredinë e lehtësuar nga shteti (qendror e vendor).

Martin Voci: “Kam 6 vite që aplikoj për strehim”

Martini është 68 vjeç dhe jeton i vetëm, në godinat e Institutit Bujqësor në Kamzë. Kjo është streha e vetme për të, vend nga i cili mund ta nxjerrin kur të duan. Martini e ka provuar edhe të flejë në rrugë për 20 ditë me radhë, por më pas mundi të gjejë zgjidhjen duke gjetur strehë në këto godina, që sipas tij, janë njëlloj si jashtë. E vetmja e ardhur e tij është pagesa prej 13.9 mijë lekësh që merr në muaj për invaliditetin. Ai ka punuar 28 vite në ushtri, por problemet shëndetësore me stomakun, të cilin e ka operuar 3 herë dhe ka hequr një pjesë të tij, e lanë invalid. Sot është i pafuqishëm për të punuar dhe për të përballuar i vetëm jetesën. Për këtë arsye ka 6 vite që ka aplikuar pranë Bashkisë së Tiranës për të përfituar nga banesat me kosto të ulët. Bashkia e Tiranës, nuk e ka përzgjedhur deri më sot si përfitues. Ndërkohë që ai interesohet vazhdimisht herë pranë bashkisë dhe herë pranë shoqatës për atë se çfarë mund të bëjë. Përgjigja e punonjësve të bashkisë ka qenë se, kur të bëhet mbledhja e Këshillit Bashkiak dhe të shqyrtojë listën, atëherë do të mundin komunikojnë nëse përfiton ose jo.

Ndue Kaçi: “Aplikoj për shtëpi, bashkia nuk ma jep”

Problemin e strehimit e ka edhe familja e 62-vjeçarit, Ndue Kaçi, i cili jeton në një banesë tepër të vogël me qira pranë ish-Uzinës sw Autotraktorëve. Familja e tij është e përbërë nga 5 persona, por të punësuar janë vetëm bashkëshortja që merr një pagë nën minimumin jetik dhe djali i madh që punon kamerier herë pas here. Ndërsa Ndue Kaçi merr një pagesë invaliditeti prej 16 mijë lekësh. Me pak fjalë të ardhurat familjare, shkojnë në 250 mijë lekë për 5 persona. Qiraja u merr 12 mijë lekë. Për këtë arsye, kryefamiljari ka aplikuar për strehim pranë Bashkisë. “Kam 3 vjet që aplikoj dhe nuk më kanë dhënë ende banesë. Unë shkoj çdo muaj dhe pyes, por përgjigja është e shkurtër dhe e pashpresë: ‘kur të diskutohen’, më thonë”,- tregon Ndue Kaçi. Invalid, ai është shpallur që në vitin 2005, pas një aksidenti me makinë. Ndue ka marrë goditje në kokë dhe nuk mund të dalë i vetëm në rrugë, pasi humbet ekuilibrin. “E humbas vazhdimisht përqendrimin dhe nuk jam i aftë për punë. Kur mendoj dhe hallin që kam, nuk di se nga t’ia mbaj”,-vijoi Ndue.



Kërkesë për shtesë pagese me 1 mijë lekë



Invalidët e Punës do të përsërisin kërkesën e vazhdueshme pranë kryeministrit dhe institucioneve përkatëse për shtimin e pagesës së invaliditetit me 1 mijë lekë. Kryetari i Shoqatës, Preng Lleshi, bën të ditur se brenda pak ditësh do t’i dërgojnë një shkresë zyrtare kryeministrit të vendit, për shtimin e kësaj pagese, pasi mundësitë ekonomike që kjo kategori ka janë tepër të ulëta. Ai shprehet se kjo është e disajta herë që i drejtohen institucioneve shtetërore për shtimin e pagesës prej 1 mijë lekësh, apo për çështje të tjera që prekin kategorinë e tyre. “Këto ditë ne do t’i nisim letër Kryeministrit dhe institucioneve të tjera për rritjen e pagesës së invalidit të punës. Nuk e dimë ende se çfarë do të nxjerrim nga ankesat tona, por ne jemi të vendosur që të vazhdojmë ankesat brenda të gjitha ligjeve dhe rregullave”, theksoi Preng Lleshi. Nga ana tjetër, ai ngre problemin se invalidët e pjesshëm, nuk u jepet mundësia e punësimit që u njihet me ligj. Sipas tij, kjo vjen sepse as institucionet shtetërore dhe as ato private nuk i pranojnë për t’i punësuar, pasi i cilësojnë si të paaftë për punë. Në të gjithë Tiranën janë 11 mijë invalidë pune dhe vetëm 30 prej tyre janë të punësuar. “Sipas ligjit, invalidët e punës duhet të punësohen me 8 orë punë të lehtë. Por, askush nuk i merr në punë sepse i konsiderojnë të paaftë për punë. Ligji parashikon që për çdo 24 të punësuar, 1 duhet të jetë invalidë pune. Për këtë çështje, ne i jemi drejtuar vazhdimisht Ministrisë së Punës për të gjetur një zgjidhje dhe të hartojë strategji për punësimin e invalidëve të pjesshëm. Por, ata nuk kanë bërë asgjë, vetëm na përcjellin me fjalë të mira. Ndërkohë që pagesa e invaliditetit është shumë e ulët dhe është e pamundur për të mbajtur një familje.”, vijoi Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Punës për Tiranën.

Invalidët e punës që nuk kanë përfituar shpërblim

Martin Voci

Ndue Kaçi

Servete Sinella

Perie Qyrdeti

Shpëtim Lirjani

Kol Palushaj

Selim Hysa

Natasha Gërdeci

Abdulla Dara

Gjon Progni

Xhurxhi Hoxha

Trëndafile Merja

Ilda Sallata

Violeta Shabani

Vlash Sterjani

Ibrahim Baftjari

Fitim Hamza

Etleva Caci

Sadik Sallata

Rasim Kusrti

Ibrahim Buci

Shqipe Zeza

Perikli Dhima

Liljana Bilo

Fazlli Turtulli

Ziso Tako

Eshref Sinella

Islam Dreni

Hysen Beqiri

Bajram Memri

Arola Dika

Astrit Dauti

Servete Tufa

Zaide Gjoka

Sebiha Kuka

Aliko Mjalti

Ndue Qepuri

Fiqirete Sina

Pal Nikaj

Xhevdet Emini

Rosa Mullaj

Bujar Meta



/Shekulli Online/Përgatiti: M.A./
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi