- VizitorVizitor
Aromë gruaje
Sun 28 Apr 2013 - 14:23
Artistja Beatrice de Saint sjell në tablo Parisin e viteve 1920. Kohët kur gratë shkurtuan fustanet e gjata, prenë flokët e nisën të pinin cigare në baret ku dikur uleshin vetëm burrat…
“Ato i ngjasonin një zogu të lirë, ishin agresive dhe më pak tradicionale”. Zelda Fitzgerald i përshkruan kështu gratë franceze të vitit 1920. Në kohën kur prisnin që burrat të ktheheshin nga Lufta e Parë Botërore, ato shkurtuan fustanet e gjata, hoqën korsetë, prenë flokët dhe filluan të blinin buzëkuqe me ngjyra të ndezura, duke flakur tej modelin tradicional të modës deri në ato vite.
Kafenetë ku mbrëmjeve burrat dilnin të pinin verë apo birra, tashmë ishin mbushur me zonja të reja të cilat kërkonin të bënin të njëjtat gjëra që dikur i bënin vetëm burrat. Ishte koha kur gruaja kërkonte një rol tjetër në shoqëri, duke zgjeruar kështu hapësirën ku ajo mund të shkelte.
Shumë kritikë e shohin këtë periudhë si shumë interesante. Duke mbajtur në shpinë dhe familjen, për shkak të mungesës së burrit, gruaja filloi të ndiente forcën e saj për të bërë gjëra që deri atëherë i ishin dukur të pamundura. “Por ato dukeshin jashtëzakonisht të bukura në atë formë”, shkruan kritikja e njohur e modës franceze, Madeleine Ginsburg.
Fustanet që deri në atë kohë ishin të mbyllura deri në fyt, tashmë ishin dekolte ku dukej lehtë gjoksi, apo fundet e gjata, ishin shkurtuar deri në gju. Mbrëmjeve ato vallëzonin, pinin cigare dhe flisnin për modën dhe kulturën. Francezet e vitit 1920 sollën një revolucion në mënyrën e të menduarit dhe të jetuarit, duke u hapur rrugën ndryshimeve të mëdha të seksit femëror në vitet që do të pasonin.
Ishte koha kur burrat ishin të lodhur nga lufta, dhe gratë morën në dorë fuqinë e tyre. Beatrice De Saint ka qenë gjithnjë e frymëzuar nga kjo epokë kaq e magjishme e vendit të saj. Si grua ajo ishte e tërhequr nga ai stil veshjeje dhe mënyrë jete. Kur në vitin 2010 “Hotel de Paris” i kërkoi të bënte disa piktura me motive nga ajo periudhë, Beatrice u zhyt më tepër në historinë e tyre.
Ajo lexoi histori, por dhe mësoi më tepër mbi personazhet e asaj periudhe që e kishin ndezur Francën. “Parisi i viteve 1920 ishte një kalim nga tranzicioni i gjatë te liria. Këto gra nga një jetë të mbyllur që bënin u shndërruan në gra të lira, duke hapur kështu rrugën drejt emancipimit të gruas. Ato filluan të ishin aktive në jetën sociale, të shpreheshin politikisht, duke kërkuar të drejtat e tyre”, thotë ajo.
Kjo është periudha kur “Coco Chanel”, u frymëzua për linjën e veshjeve të saj. Kjo është koha kur gratë nga shtëpiake, u bënë aktore, shkrimtare, këngëtare…. Ato luftuan në mënyrën e tyre për të arritur atë që gratë e kanë shumë të lehtë sot, duke sjellë një emancipim që i duhej gruas. Të gjitha tablotë që Beatrice i krijoi tre vjet më parë i ekspozuar në ekspozitën personale që ka hapur në galerinë “FAB” pranë Akademisë së Arteve.
“Të gjitha këto personazhe duket sikur na shikojnë nëse i sheh me vëmendje”, thotë ajo, teksa na tregon fytyrat plot jetë të femrave që ka hedhur në tablo.
Vështrimi i tyre është dhe dëshira për të ndryshuar, një dëshirë që ndihet jo vetëm në vështrim, por dhe në rrobat që kërkojnë të dalin prej trupit. Në një tablo ajo ka pikturuar aktoren e njohur, Greta Garbo, e veshur me një kostum burrash, teksa mban në dorë një cigare të hollë. Jo pa qëllim artistja e ka veshur Garbon me një kostum burrash, dhe jo me fustanet elegante që ajo i pëlqente aq shumë.
Kjo është një tablo për të treguar progresin, ku gratë janë të lira e mund të vishen si të duan. Beatrice i ka dhënë jetë çdo tabloje. Duke i vështruar ti mund të kthehesh larg në vite, në Parisin e viteve 20, ku gruaja që ka veç një fustan në hollë me dy rripa në trup, duket se është duke pritur një mbrëmje të gjatë dashurie. /Shqip/
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi