Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Mamica e virgjër Empty Mamica e virgjër

Sat 25 May 2013 - 17:31
Mamica e virgjër Kalaja%20ne%20mat
Shkrimi i mëposhtëm është një studim i panjohur të studiuesit Dilaver Kurti. I takon vitit 1967, kur ky studiues skrupuloz sjell të dhëna të guximshme për kohën, ku ndër të tjera, duke iu referuar qytezës ilire me emrin Komsia, na njofton se pas vdekjes së Gjon Kastriotit, Barleti na informon se Vojsavës, së bashku me të bijën, Mamicën, iu caktua një tokë në Mat. Mamica, gjatë kësaj kohe deri në kthimin e të vëllait, ndenji e virgjër, nuk u martua për të mbajtur nderin e saj.

Komsia bën pjesë në bajrakun e Rranzës, një ndër njësitë e mëdha etnografike që formojnë krahinën e Matit. Rranza shtrihet në pjesën veriperëndimore të krahinës, në mes të rrjedhës së majtë të lumit të Matit dhe vargmalit të Trodhnës (Tradina), që sot quhet Skënderbeg dhe ndan krahinën e Matit nga Kurbini e Kruja. Nën këtë emër dikur përfshihej hapësira në mes të fisit Menga në Bushkash, Kodrës së Palit në Burrel dhe Sheut të Komsisë dhe sipas Gasparit, aty nga fundi i shekullit XVIII, në të bënin pjesë katundet Bushkash, Bas, Karicë (Daisus), German dhe Burrel, që së bashku kishin 170 shtëpi. Në këtë njësi etnografike, gjenden gjurmë banimi të hershme, që i përkasin shekullit XV e përpara. Ndër ta duhen përmendur qyteza e Komsisë në German dhe gjurmët e një vendbanimi tjetër që ndeshëm te Sheshi i Ahmatit në Rrethebaz.

Në këtë shkrim, do të flasim për qytezën e Komsisë, rrënojat e së cilës gjenden në mes të fshatreve German, Midhë dhe Muzhakë, në vendin e quajtur Fusha e Komsisë e që nga jugu e veriu pritet prej Sheut të Komsisë e Zallit të Germanit, nga perëndimi mbi krye i qëndron Maja e Stragjut, kurse nga lindja shtrihet fshati Muzhakë.

Deri më 1929 kjo qytezë ruante gjurmë të shumta banimi. Vendi ishte i mbuluar me rrënoja trojesh e kalldrëme, por me fillimin e hapjes së rrugës automobilistike Krujë-Burrel dhe ndërtimit të qytetit të Burrelit, gurët iu grabitën që nga themelet.

Kështu që, sot, përveç emrit të saj si qytezë, disa gjurmëve të rralla, gojëdhënave e toponimeve rreth këtij vendi, nuk ruhet asgjë tjetër. Për ekzistencën e kësaj qyteze na vë në dijeni edhe Ippen, por nuk na informon gjerë mbi të dhe as nuk bën fjalë për datimin e saj.

Vendi që ruan gjurmë të dukshme është Dera e Qytezës në Majën e Stragjut. Aty ndodhet një qafë natyrale e prerë, që quhet “derë”. Në anën lindore, gjatë kreshtës, shtrihen konturet e një muri rrethues, kurse nëpër tre-katër pika rrënojat e disa kullave mbrojtëse. Muri është i thatë, pa gëlqere dhe gjendet pa mbrojtje, ndërsa atje ku vendi është i pakalueshëm prej natyre mungon.

Kullat kanë trajtë rrethore me diametër rreth 3 metra, edhe këto me mure të thata pa gëlqere. Në anën jugore të kreshtës, në një pllajë disi të sheshtë, shquhen shenja të një vendbanimi në një sipërfaqe të vogël, e cila mund të ketë qenë më e madhe, por ka rrëshqitur nën veprimin e erozionit. Aty këtu duken rrënjë fiqsh dhe rrushi, pemë që kanë veti të shumëzohen edhe pa kujdesin e njeriut për një kohë të gjatë. Afër Majës së Stragjut gjenden toponimi Maja e Rudinës, më pas Farka (me mbeturina të punimit të metaleve, bram) dhe Pazari afër minierës së meremerit.

Kurse te Bariotët në German, një banjë e vogël me ujëra termale. Një banjë e tillë ndodhet edhe në mes të Komsisë e Muzhakës. Prej fundit të Majës së Stragjut e deri te shkolla duken gjurmët e një ujësjellësi prej qyngjesh. Sipër në mal, ndodhet Maja e Skënderbeut, nga ka marrë emrin vargmali Skënderbeg, me përtej në Trodhën Gurra e Mamicës dhe Gurra e Fusha e Skanderbegut, kurse në vargun e kodrave tw Muzhakës gjendet toponimi Qafë-Porta. Në Komsi deri më 1928 bëhej tregu i Rranxës për ditë të enjte. Germani është i përmendur në të gjithë Matin për punimin e enëve të baltës, kurse Basia (Bazi red.) për punimin e shqopës. Rreth qytezës së Komsisë fliten një mori gojëdhënash. Ky thuhet se ka qenë qyteti i dytë në Mat, për nga rëndësia, pas Stellushit. Në kohën e Skënderbeut roja dhe topi kanë qenë vendosur tek Dera e Qytezës. E ëma dhe e motra e Skënderbeut (Vojsava dhe Mamica) kanë ndenjur këtu pas vdekjes së Gjon Kastriotit deri në kthimin e Skënderbeut.

Gjatë kësaj , derisa iu kthye i vëllai, Mamica vishej me petka burri, u armatoste dhe u shfaqte diku me emrin Gjon e diku me emrin Ndue. Gjithashtu matjanët thonë se kur u kthye Skënderbeu, pasi ka kaluar nëpër Stellush, ka ardhur në Komsi dhe prej aty në mal të Bazit e në Krujë. Të dhënat gojëdhanore vazhdojnë edhe më tej. Ne vendit i themi “Kome” sepse këtu rrinte Roma. Komsia është e shkruajtur në defterët e Romës. Këtu kalonin karvanet tregtare për në Durrës. -Në qafë të Bejlegut kishte “kyce tregju”, -thonë matjanët, – kurse Kulla e Qafës Manit ruante karvanet tregtare. Këtu vinin për tregti edhe tregtarët belicarë të Strugës.

Këto qenë në vija të përgjithshme përshkrimi i vendit, toponimia dhe trashëgimia gojore, që flitet rreth qytezës dhe hapësirës aty rrotull dhe që ne na u duk me vend t’i shtjellojmë në këtë shkrim.

Dhe tani le tua lëmë fjalën burimeve historike dhe konkluzioneve tona.

Për sa i përket emrit të qytezës, ne mendojmë se rrjedh nga fjala Kome. Me këtë fjalë në mesjetë quheshin mëkëmbësit e një zyre tregtare, ushtarake etj. Pra, mbështetur në atë që banorët e quajnë me të njëjtën fjalë dhe si nyjë tregtare, ka të ngjarë që romakët gjatë pushtimit të tyre të kenë pasur ndonjë përfaqësi të tillë tregtare në këtë vend, prandaj është quajtur Kome apo Komsi siç njihet sot.

Megjithëse gjurmët e banimit janë të ruajtura pak, këtë tezë e mbështesim mbi rrënojat e Derës së Qytezës, në të cilën gjenden mure e kulla me gurë të thatë, pa gëlqere, të disa gjetjeve arkeologjike të vendasve te Shkami i Midhës (heshta, enë balte, që nuk kanë rënë në dorën tonë, por janë shpërdoruar), në ekzistencën, edhe sot, të dy tumave ilire në veri të Qytezës, të dy toponimeve ilire, Maja e Rudinës dhe emri i fshatit Gërman, që përkojnë, i pari me emrin e fisit ilir të Rudinëve, kurse i dyti, sipas Karl Traimerit, rrjedh nga ilirishtja, që do të thotë banja-terma dhe kjo fjalë përkon me atë shqipe “zarm”, hipotezë, e cila u provua nga ana jonë me ekzistencën e dy banjave të vogla termale. Atë që Procopi përmend se është një fortesë me emrin Kome në Epirin e Ri, e rindërtuar nga perandori romak me origjinë ilire Justiniani në shekullin VI, 8 mendojmë se rrënojat e Qytezës së Komsisë duhet të jenë ato të fortesës Kome. Si e tillë ajo ka të ngjarë të jetë e lashtë dhe e ndërtuar nga ilirët.

Për pasojë u rrënua gjatë luftës iliro-romake dhe u rindërtua në shekullin VI. Pas kësaj kohe ajo ngeli si një vendbanim i vazhdueshëm deri në shekullin XV.

Po të ndalemi rreth gojëdhënave, toponimeve e burimeve historike, gjatë shekullit XV, ajo del se bënte pjesë në Trojën e Kastriotëve dhe ishte nën sundimin e tyre. Gjon Kastrioti, me anën e një marrëveshje tregtare të lidhur në 1420 me Raguzën, u siguronte tregtarëve raguzianë “tregti të lirë nëpër tokën e tij prej Shufdaje deri në Prizren”. Dhe kjo rrugë, nuk është tjetër, veçse ajo që na thotë funksionari turk, Mustafai, që “…përveç një gryke nuk ka shteg tjetër”, 10 gjurmët e së cilës ruhen edhe sot. Kjo rrugë pasi nisej prej Shufadaja kalonte në Laç-Daul-Kulla e Qafës së Manit-Qafë-Bejlegut-Komsi-Burrel-Ura e Kaikes mbi lumin e Matit-Lis-Stellush-Sinë-Ura e Lushës mbi Drin-Ujmisht-Qafa-Pamje nga Fusha e Komsisë e Kolesianit-Prizren. Gjatë këtij itinerari ndodhen një seri rrënojash kalash e qytezash, si ajo e Daulës, Komsisë, Stelushit, Sinës, Ujmishtit, që ishin vende tregjesh dhe ruajtëse të rrugës tregtare, që kalonte nëpër tokat e Gjonit.

Një rrugë tjetër, që nisej nga bregdeti dhe kalonte nëpër Komsi, ishte dhe ajo e Durrësit, e cila si dilte nga porti, përshkronte drejt Prezës-Krujës-Qafë Shtamës e në Komsi duke vijuar itinerarin e së parës. Edhe në këtë rrugë gjendeshin kala e qyteza si ajo e Durrësit, Prezës, Krujës dhe Komsisë.

Pra, Komsia, ishte ishte një pikë nevralgjike, që lidhte rrugët tregtare të dala nga bregdeti për në këtë anë, brenda diapazonit të dy porteve të atëhershme, Durrësit dhe Shufdasë, i pari nën ndikimin e venecianëve, kurse i dyti skelë e Kastriotëve. Pas vdekjes së Gjon Kastriotit, Barleti na informon se Vojsavës, së bashku me të bijën, Mamicën, iu caktua një tokë në Mat. Mamica, gjatë kësaj kohe deri në kthimin e të vëllait, ndenji e virgjër, nuk u martua për të mbajtur nderin e tij. Në fakt, siç përmendëm në fillim, këtu flitet ende një mori gojëdhënash mbi Mamicën, si dhe një gurrë me emrin e saj. Ajo më kryesorja, është, se një fenomen i legjendës, përkon me atë që na thotë Barleti mbi Mamicën lidhur me virgjërinë e saj.

Kështu edhe sot në Rranxë, kur një shtëpi mbetet e shuar, pa meshkuj, vajzat nuk martohen, por rrinë virgjëresha. Ato qethin kokën, vishen si burra, mbajnë armë, marrin pjesë në kuvende dhe gëzojnë të gjitha atributet e burrit për konakun e tyre. Këto te katolikët thirren me emrin “Gjon” kurse te myslimanët me emrin “Sadike” (gjë e çmuar, e pastër, e adhurueshme). Pra kjo tokë, që na përmend Barleti dhe që iu caktua Vojsavës, së bashku me Mamicën, është Komsia.

Me kthimin e Skënderbeut, Mamica u martua prej tij me fisnikun shqiptar Muzak Topia, i cili u vra në rrethin e Beratit më 1449 dhe në vitin 1465 Barleti na e përmend Mamicën në Petrelë.

Ka të ngjarë që ajo të rrinte atje në administrimin e pronës së vet, pasi Petrela, Tirana dhe Kruja përbënin trojet e Topiajve. Përgjatë ekspeditave luftarake, mundet që Skënderbeu , ashtu siç tërhiqte popullsinë tjetër prej zonave të luftës e i strehonte në Mat, të ketë tërhequr edhe të motrën Mamicën, pasi gojëdhëna popullore na e përmend përsëri në Komsi, kur ajo i kërkoi të vëllait për të jetuar në aq tokë sa përfshinte tingëllima e një këmbane kishe.

Dhe ai i dha fushën e Arbënit (Jallinë). Mundet që edhe emri i fshatit Muzhakë t’i ketë ngelur nga martesa e saj me Muzakën dhe ndenja e saj këtu pas vdekjes së tij.

Edhe kthimin e Skënderbeut goja e popullit e lartëson shumë në këtë vend. Atë e mori vesht “…alemi e polemi dhe krekët e Arbërit mezi pritën të takoheshin me `të në malin e Bazes”. Dihet që Skënderbeu në krye të popullit tonë bëri një luftë titanike kundra turqve. Barleti shpesh na përmend malin e Tumenishtit, ndërsa gojëdhëna malin e Bazes, Majën e Skënderbeut, Fushën dhe Gurrën e Skënderbeut, ku Skënderbeu kalonte, pushonte, mblidhej dhe luftonte kundra turqve.

Dhe që të gjitha këto, përkojnë me të njëjtin vend, Tumenishtin.

Në të gjitha këto që shtjelluam në këtë shkrim, na lejohet të konkludojmë, se Komsia është një vendbanim i lashtë ilir, ajo u rrënua gjatë luftës iliro-romake dhe u rindërtua përsëri në shekullin VI. Pas kësaj kohe, vazhdoi të lulëzonte deri në shekullin XV, duke qenë nyjë e rrugëve tregtare dhe nën Kastriotët, pas vdekjes së Gjon Kastriotit ishte ndenja e Voisavës dhe e Mamicës deri në kthimin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Burrel, 25 qershor 1967

Marrë nga revista “Amantia”

/Shekulli Online/Përgatiti: E.Sh/
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi