Gjakovari që e bëri historinë në Suedi
Fri 21 Jun 2013 - 20:49
Gjakovari që e bëri historinë në Suedi
Nga Artan Haraqia
Një hartë e Suedisë me një lartësi prej 3 metrash dhe me një peshë mbi një ton, e ndërtuar në tërësi nga çeliku, e formësuar në formë të një froni mbretëror dhe me një kurorë mbretërore mbi të, tash e tutje do të jetë skulptura simbol i qytetit Landskrona të Suedisë dhe si e tillë objekt vizite për secilin turist që do ta vizitojë këtë qytet.
Kjo skulpturë është e veçantë si vepër arti, por e veçanta kryesore në këtë rast është se skulptura është ideuar dhe punuar nga shqiptari Fuad Zherka, i cili bashkë edhe me punimin e tij, gjithashtu do të mbetet pjesë e historisë së këtij qyteti dhe shtetit suedez. Disa ditë pasi kjo skulpturë është inauguruar në një ceremoni madhështore, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 600 vjetorit të themelimit të këtij qyteti, Fuad Zherka, apo Laqja, siç njihet nga rrethi i tij, ka treguar për “Zërin” të gjitha detajet që mundësuan që një shqiptar të bëhet pjesë e hisotrisë së një shteti të zhvilluar siç është Suedia.
“Landskrona është një qytet me rreth 50 mijë banorë, në të cilin unë jetoj tash e 27 vjet. Idenë për ndërtimin për këtë skulpturë e kam pasur qysh në ditët e para kur kam shkelur në këtë qytet dhe kur e kam mësuar emrin e tij”, e fillon tregimin Laqja, teksa po e shijonte një birrë të ftohtë në njërin prej lokaleve të Gjakovës, qytetit të tij të lindjes. “Landskrona do të thotë “qyteti i kurorës”, pasi land është qytet apo tokë, ndërsa krona është kurora. Prandaj edhe punimi paraqet një hartë të shtetit suedez dhe mbi të kurorën, që është simbol i suedezëve”, vazhdon ai.
Skulptura e cila peshon mbi një ton dhe tash e tutje do të vendoset në njërin prej shesheve kryesore të qytetit, nuk ka qenë ndonjë ndërmarrje e lehtë për Fuadin. Ai thotë se për realizimin e saj është dashur shumë mund e shumë sakrifica, fizike e financiare. “Para një viti dëgjova se në kuadër të 600 vjetorit të themelimit të qytetit do të bëheshin shumë aktivitete dhe ishte planifikuar punimi i një skulpture si simbol i qytetit. E përpunova idenë time në një maketë të cilët e dorëzova aty ku duhej dhe e cila fatmirësisht u pranua menjëherë. Atëherë e fillova punën, e cila bashkë me ndërtimin e konceptit dhe ndërtimin fizik zgjati gati një vit”, tregon ai.
Fuadi tregon se punimi i tij përveç përfaqësuesve zyrtarë është pritur mjaft mirë edhe nga qytetarët e Landskrone, të cilët ditën e inaugurimit i kanë rezervuar atij një ceremoni madhështore. “Inaugurimi ishte manifestimi qëndror nga të gjitha manifestimet dhe në të morrën pjesë me mijëra qytetarë, në mesin e tyre edhe kryetari i komunës. Bile për këtë punim ka pyetur edhe vet mbreti i Suedisë. Edhe pse përgjithësisht bindja për popullin shqiptar është e mirë në Suedi, unë tërë kohën jam munduar ta bartë mesazhin se shqiptarët janë popull me kulturë të gjërë dhe artdashës e punëtorë të mëdhenjë”, thotë Fuadi.
E për ta dëshmuar këtë, Fuadi nuk ka harruar që në punimin e tij ta vendsoë, qoftë edhe simbolikisht një copë të historisë kombëtare shqiptare. “Krunat apo kurorat suedeze zakonisht janë me pesë maje, ndërsa kjo që e kam punuar unë ka gjashtë maje, duke simbolizuar kështu gjashtë pjesët e ndara të Shqipërisë etnike”, tregon ai.
Fuadi, i cili vetëm dy ditë pas inaugurimit të veprës së tij, ka udhëtuar për në Gjakovë, për të marrë pjesë në 35 vjetorin e maturës së tij, ka treguar se popullariteti i tij është rritur mjaft në Suedi dhe interesimi i mediave të atjeshme është mjaft i madh për të kontktuar me të. “Familjarët po më njoftojnë se çdo ditë po më kërkojnë gazetarë e televizione të ndryshme nga e tërë Suedia”, tregon Laqja.
Fuad Zherka, ndonëse nuk është ndonjë skulptor apo artist me plot kuptimin e fjalës, thotë se artin e ka në shpirt, si trashëgim nga gjyshi dhe babai i tij, të cilët kanë qenë mjeshtër të njohur në zanatet e veta. “Ne jemi një familje me artin në gjak, pasi gjyshi im ka qenë fotografi i parë në Kosovë, ndërsa babai, njëri ndër njerëzit që e ka ngritur dhe mbajtur gjallë teatrin Profesionist të Gjakovës. Kjo nuk është vepra ime e parë, pasi deri me tani kam bërë edhe disa tjera, por me përmasa më të vogla, por në vazhdimsi jam njeri që krijoj, pasi mirrem me inovacione të ndryshme dhe punime artistike”, përfundon Fuadi, i cili që nga e shtuna do t’i kthehet qytetit të Landskrone dhe famës së tij.
alb-observer
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi