Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anonymous
Vizitor
Vizitor

Kadare kërkon falje, Rugova kishte të drejtë Empty Kadare kërkon falje, Rugova kishte të drejtë

Fri 28 Jun 2013 - 22:50
Kadare kërkon falje, Rugova kishte të drejtë Kadare-23-1372066309
Ai kishte kritikuar ashpër Ibrahim Rugovën në veprën e tij “Ra ky mort e u pamë”, por shumë vjet më vonë, shkrimtari i madh shqiptar me renome botërore, Ismail Kadare, e pranonë se koha e ka dëshmuar se e drejta ishte në anën e Rugovës.
"Është e vërtetë që i kam kritikuar Rugovën dhe Demaçin. Ju tash mund të mendoni se unë do të them se kisha të drejtë me kritken që i bëra Rugovës. Jo, koha e dëshmoi së e drejta ishte në anën e Ibrahim Rugovës. Unë e kisha kritikuar, kisha qenë i ashpër me të, ai më fali në takimin që kishim në shtëpinë e tij menjëherë pas luftës, ishte meritë e tij. Ai vdiq në paqe, ne u pajtuam, ishim miq“, kështu ka thënë Kadare javën e kaluar gjatë një pritjeje në Këln.
Ai së bashku me bashkëshorten e tij, shkrimtaren Helena Kadare, ishin ftuar me iniciativën e Luan Krasniqit së bashku me Asociacionin Shqiptar për Kulturë dhe Integrim.
Në një ambient të mbushur me shqiptarë, Kadare u pyet rreth raporteve të tij me Ibrahim Rugovën dhe Adem Demaçin. Duke iu drejtuar të pranishmëve ai dhe tha se autori i romanit “Krushqit janë ngrirë”, i cili me këtë libër, përmes botimeve në gjuhën angleze dhe frënge, i bëri të njohura në shkallë planetare, qysh në vitin 1983, kërkesat e studentëve për Republikën e Kosovës tha se “kishte qenë ëndrra ime ta takoj presidentin e Kosovës”.
Sa i përket Demaçit, Kadareja tha se ai e ka tepruar pa dyshim me kritikat ndaj tij, mirëpo Demaçi, megjithatë, gaboi për Rambujenë. Teksa pritej me kurreshtje nga të pranishmit të shpalosë qasjen e tij për gjendjen e shqiptarëve, ai që e kishte ftuar Luan Krasniqi në fjalën e tij, në shqip dhe në gjermanisht, tha se më lehtë e ka pasur në ring se të mbajë një fjalë para Kadaresë.
Megjithëse rrjedha e fjalës së tij brilante e dëshmoi të kundërtën, fjalët e tij e impresionuan jo vetëm publikun, por edhe vetë Kadarenë. Kampioni i dyfishtë europian foli për rrugën që e çoi atë deri te takimi i tij i parë me Kadarenë në Tiranë vitin e kaluar, në shënimin e 100-vjetorit të pavarësisë.
Fillimisht, tha ai, gjithçka pikënisjen e ka në Berlin, në takimin e tij në përvjetorin e dytë të shpalljes së pavarësisë me ambasadorin dr. Vilson Mirdita. Pasi mori serinë e veprave të tij në 20 vëllime, botim i “Onufrit“ të Tiranës, ai lexoi shumë vepra të shkrimtarit shqiptar, por libri “Mbi krimin në Ballkan“ ishte një lektyrë tronditëse për të.
Luan Krasniqi tha më tej se idetë dhe mendimet e Kadaresë vazhdimisht e përcjellin dhe se për të është një nder i madh që të bëjë diçka për veprën e tij. Luan Krasniqi i impresionuar nga Kadare ishte ai që e ndihmoi botimin në gjuhën gjermane të librit-intervistë të Ismail Kadaresë “Çlirimi i Serbisë prej Kosovës“, vitin që shkoi.
Shqiptarët, popull me rëndësi në Ballkan
Kadare në prezantimin e tij foli për problemin thelbësor, i cili mbetet raporti i Shqipërisë me Europën.
“Nuk ka problem të Ballkanit, ballkanas - ballkanas ose problem të Shqipërisë, shqiptar – shqiptar. Nuk ka asnjë problem të asnjë populli të Gadishullit pa qenë i lidhur me Europën“. Ai tha se populli shqiptar bashkë me grekët dhe sllavët është njëri nga tre popujt më të rëndësishëm të Ballkanit.
Ai tha se ka mbi një shekull që pati lindur një teori që vetëm dy nga këta popuj duhet të qëndrojnë në Europë, ndërsa njëri prej tyre duhej zhdukur: populli shqiptar. Dhe kjo teori ishte kthyer në një praktikë të tmerrshme ndjekjesh, dëbimesh e vrasjesh.
“Populli i dëbuar që është populli shqiptar, duhej të dëbohej me forcë, me ndarje, me shpërngulje, me denatyrim, duke provuar të gjitha mënyrat. Madje për parantezë: gjuha shqipe në Europë është e vetmja e ndaluar me ligj për shekuj të tërë. Nuk ka një gjuhë tjetër indoevropiane që është e ndaluar si shqipja dhe kjo ende nuk është shpjeguar nga historiografia shqiptare“.
Edhe përkundër kësaj përvoje tmerrsisht të keqe, shqiptarët nuk u ftohën me Europën. Përkundrazi, sipas Kadaresë, ata vazhdojnë të kenë një lloj përkushtimi të të habitshëm për të, për qytetërimin europian. Ata e kanë kuptuar se s'mund të ketë Shqipëri jashtë komunitetit europian, jashtë qytetërimit europian.
Por Kadareja nuk është një europian naiv. Ai e di dhe këtë gjë e tha edhe njëherë në Këln se Europa ka lindur dy përbindëshat më të rrezikshëm në shekulllin XX: Fashizmin dhe bolshevizmin. Por, nga ana tjetër, ishte po vetë kjo Europë që i ka mbytur ato.
Nuk e mbytën fashizmin dhe komunizmin as popujt e Afrikës, as Kina dhe as India apo ndonjë kontinent tjetër. Dhe këtu, theksoi Kadare, është forca e qytetërimit europian, që ai edhe kur pjell të keqen di ta mbysë atë.
Tendencat neoosmaniste karshi Ballkanit
Një tjetër problem, me të cilin u mor Kadareja ishte edhe periudha osmane dhe tendencat neoosmaniste që janë shfaqur hapur viteve të fundit. Siç dihet, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri ka zëra që dëgjohen gjithnjë e më zëshëm për një shqyrtim të ri të raportit të Shqipërisë ndaj Pernadorisë Osmane.
Punët kanë shkuar aq larg sa që është kërkuar edhe ndryshimi i teksteve të historisë. Kadare, si edhe më parë, ishte i prerë në këtë çështje. Ai tha se thelbi dhe baza e historisë nuk mund të ndryshohet, historia mund të interpretohet sipas interesave të ditës, por kurrsesi nuk mund të ndryshojë. Këtë pseudoteori që është shfaqur me bujë në skenën shqiptare Kadare e quajti me të drejtë filozofi e robërisë.
Pretendimi se pushtimi osman ka pasur diçka pozitive për kombin shqiptar, sepse e ka mbrojtur kombin shqiptar nga një rrezik më i madh që ishte rreziku sllav, sipas Kadaresë është krejtësisht i paqëndrueshëm. Kjo është një fantazi makabër, shpifje, një doktrinë e sajuar.
“Të gjithë popujt e Ballkanit pësuan një dramë të përbashkët dhe në këtë dramë nuk ka pse populli shqiptar të bëjë befas një përjashtim, sepse nuk ka pasur kurrfarë përjashtimi në fatin e tij. Populli shqiptar ka qenë më i ashpri kundër Perandorisë Osmane, për vetë faktin se shqiptarët u bënë pengesë kryesore për depërtimin e Perandorisë Osmane deri në Itali. Sllavët vetë ishin për faqe të zezë, gjendja e tyre ishte më e defavorizuar se e shqiptarëve. Atëherë: nga cilët sllavë na mbrojti Perandoria Osmane? Si na mbrojtën ne turqit nga sllavët? Kjo është e pabesueshme, nga ana logjike, nga ana psikologjike. Për mua e gjitha është groteske, e paimagjinueshme, nga fillimi deri në fund“, tha mes tjerash Kadare.
Veprat monumentale të Kadaresë
Takimi me Kadarenë u zhvillua në dy gjuhë. Ndërsa mysafirët e veçantë të mbrëmjes, dr. Christian Schwarz-Schilling, ish-ministër federal dhe përfaqësues i lartë ndërkombëtar në Bosnjë dhe Hercegovinë për mbikëqyrjen e realizimit të marrëveshjes së Dayton-it, dhe dr. Vilson Mirditën, ish-ambasadorin e Kosovës në Berlin.
Mirdita shprehu në fillim mirënjohjen ndaj Kadaresë, për veprën e tij monumentale letrare, e cila përveç shërbimeve të mëdha që i ka bërë njohjes së çështjes së Kosovës në botë që nga fillimi i viteve ’80-ta të shekullit XX, edhe për të, si pioner i diplomacisë së shtetit më të ri në Europe, ishte krah i fortë.
Dr. Mirdita tha se kur atij i duhej një autoritet që do t’u jepte forcë bindëse fjalëve të tij, në këto moment përdorte emrin dhe veprën e Kadaresë. Njëri ndër ata që ka marrë një dhuratë të tillë të çmuar dhe që më kanë falënderuar më pas, është edhe presidenti gjerman Dr. Joachim Gauck.
Gjermania, tha më tej Mirdita, e ka ndihmuar në të gjitha fazat luftën tonë për pavarësi dhe, pas 17 shkurtit të 2008, shtetin tonë, sovraniteti i të cilit ende vazhdon të kontestohet nga Serbia. Falë Bundestagut dhe Qeverisë gjermane, që kryesohet nga zonja Merkel, ajo, Serbia, është e detyruar të plotësojë një për një standardet e BE-së, pra edhe atë të fqinjësisë së mirë që herët a vonë do të çojë në njohjen e shtetit tonë.
Gjermania është aleati i madh i shqiptarëve. Duke folur për veprën e Kadaresë, dr. Mirdita librin “Mosmarrëveshja” e quajti bibël të atdhetarizmit shqiptar, kurse romanin “Krushqit janë ngrirë” dëshminë e parë të fuqishme në përmasa planetare për masakrën e Kosovës. Në këtë vepër Esad Mekuli, autori i poezisë “Turk elhamdulilah” që Kadareja e ka futur në “Mosmarrëveshja”, i flet botës për diskriminimin etnik të shqiptarëve me gojën e Martin Shkrelit.
Në fund të fjalës së tij Mirdita u ndal edhe në dy novelat e Kadaresë “Sjellësi i fatkeqësisë” dhe “Lamtumira e së keqes”. Ai tha më tej se Haxhi Mileti i “Sjellësit të fatkeqësisë” rreth një gjysmë mileniumi pas fillimit të misionit të tij, ka arritur të futet në institucionet e shtetit tonë. “Sjellësi i fatkeqësisë“ është një novelë që ofron një dimension tjetër interpretimi të realitetit tonë në këtë shekull kur janë ringjallur ëndrrat neoosmaniste.
Edhe Beqir Aliu i “Lamtumira e së keqes” ka gjetur në hapsirën shqiptare mjaft pasardhës, të cilët më tepër se në provincë, kanë zënë vend në qendrën e shtetit. Si duket, kjo ëndërr e Beqir Alive tanë dhe e Erdoganit e Davutogllusë po shembet jo në Kosovë, por pikërisht në Stamboll. Populli turk, përfundoi Mirdita, do liri dhe demokraci të vërtetë dhe jo ëndrra perandorake me luftëra dhe gjak.
Nevoja për pajtimin e popujve
Dr. Christian Schwarz-Schilling foli gjerësisht për nevojën dhe domosdoshmërinë e pajtimit të popujve. Si njohës i shkëlqyer i historisë europiane, ai u përqëndrua tek përvoja e hidhur e Luftës së Dytë Botërore. Edhe pas gjithë kësaj katrahure, Europa diti të gjejë rrugën drejt normalitetit, por jo pa paguar më parë një çmim tmerrësisht të lartë.
Për shkak reagimit të ngathtë të Europës dhe të qeverisë ku ai bënte pjesë, dr. Schwarz-Schilling kishte dhënë dorëheqje nga posti i ministrit federal të Postës dhe Telekomunikacionit gjatë luftës në Bosnje ku 15 vjet më vonë, i veshur me pushtet ndërkombëtar, do të bënte përpjekje, megjithëse pa suskes, për të pajtuar popujt e këtij vendi.
Schwarz-Schilling tërhoqi vërejtjen që lufta e fituar një herë ndaj së keqes nuk duhet të pushojë, sepse rreziku për rikthimin e saj është permanent. Fjala e politikanit gjerman u përcoll me vëmendje të madhe edhe nga Kadareja, kurse publiku atë e përcolli me duartrokitje të gjata.
Në fund të mbrëmjes Ismail dhe Helena Kadare nënshkruan qindra libra. Interesimi ishte i madh jo vetëm për botimet shqiptare të Kadaresë, por edhe për ato në gjuhën gjermane. Mbrëmja u mbyll me një darkë që shtroi Luan Krasniqi për nder të Helena dhe Ismail Kadaresë dhe ku morën pjesë edhe shumë bashkatdhetarë.

 / ZERI INFO /
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi