Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
avatar
Legjenda
Anetar i perjashtuar
Anetar i perjashtuar
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 40
<b>Postime</b> Postime : 5560
<b>Hobi</b> Hobi : FUTBOLL
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : ne vendi e dashur quhet tetova
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 19/02/2012

Cilët qeveritarë shqiptarë janë rekrutuar nga spiunazhi grek? Empty Cilët qeveritarë shqiptarë janë rekrutuar nga spiunazhi grek?

Fri 12 Jul 2013 - 18:49
Zbulime befasuese nga arkivat e deklasifikuara të CIA-s amerikane. Kush është KEVA, organizata e drejtuar deri në 1998 nga kryepeshkopi i Greqisë, Serafimi. Roli i saj: Nga spiunazhi në Shqipërinë e viteve ’40-50, në sabotimin e negociatave Papulias-Kapllani për heqjen e Ligjit të Luftës në ‘84. Dhe dyshimet për emra të infiltruar në politikën dhe qeverinë aktuale të Tiranës

Aida Nako

KEVA është emri i një prej organizatave greke, ndoshta më aktivja dhe me kapacitetet më të mëdha financiare dhe infrastrukturore për atë që në shtetin helen njihet si “Çështja e pazgjidhur e Vorio-Epirit”. Në Shqipëri është shkruar shumë pak për rolin e kësaj organizate, së fundmi studiuesi Auron Tare duke i’u referuar arkivave të deklasifikuara të CIA-s amerikane ka zbuluar se kjo organizatë ka qenë tejet aktive në rolin e saj të spiunazhit në Shqipëri në vitin 1949, vit ky kur u kryen një sërë aksionesh të zbulimeve të huaja perëndimore në vendin tonë. Dokumenti i zbuluar nga Tare ka nxjerrë në dritë edhe emrin e drejtuesit të asaj kohe të organizatës KEVA, ai ishte një mjek i quajtur Nikolas Pango. KEVA janë inicialet e asaj që në gjuhën greke është përcaktuar si “Komiteti Qëndror i Çështjes së Epirit të Veriut”. Ndërsa është dokumentuar roli i saj në fushën e spiunazhit dhe rekrutimit në territorin shqiptar në vitet e turbullta 1949-1950, duket se me kalimin e dekadave kjo organizatë jo vetëm ka vazhduar aktivitetin e saj por edhe e ka përforcuar atë , ndërsa krerët e saj nuk kanë qenë as më shumë e as më pak sesa njerëz nga më të rëndësishmit në qarqet politike dhe fetare greke.

Gazeta “DITA” ka mundur të sigurojë një material përmbledhës të organizatave Pan-Epiriote greke të botuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ndër të tjera përmendet dhe roli i KEVA-s në vitet 70-90 dhe funksioni i kësaj organizate si një bazë e fortë ekonomike dhe infrastrukturore, për mbajtjen e lidhjeve me komunitetin grek në Shqipëri, lobimin në senatin Amerikan si dhe ushtrimin e presionit mbi qeverinë greke sidomos për mbajtjen në fuqi të ligjit të luftës me Shqipërinë. Nga ky material bëhet e ditur se KEVA në Greqi drejtohet nga krerë të lartë të Kishës Ortodokse dhe të qeverisë greke, ndërsa aktiviteti i saj intensiv në Shqipëri vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Libri
Një studiues i ri greko-amerikan i quajtur Steofanis Malkidis në një botim të quajtur “Minoriteti Etnik Grek në Shqipëri” ka trajtuar në mënyrë të hollësishme aktivitetin e të gjitha organizatave “Pan-Helenike” dhe sidomos atyre të përqëndruara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa jepen detaje të aktivitetit të këtyre organizatave, mes rreshtave të librit ofrohen detaje interesante edhe në lidhje me KEVA-n e cila duket se ka qenë tejet aktive në vitet 70-90 me lobimin e çështjes së “Vorio-Epirit”. Libri i referohet kujtimeve të një aktivisti grek të quajtur Menelaos Tzelios (ai u zgjodh në vitin 1976 kryetar i Organizatës Penhelenike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës). Ky i fundit ka lënë disa dokumente të vyera në lidhje me takimet që kishte zhvilluar në Athinë në fillim dhe në fund të viteve 80’ me personalitetet më të larta politike të kohës duke qartësuar dhe krerët e KEVA-s në këto vite.

Sipas dëshmive dhe kujtimeve të Menelaos Tzelios të cilat pasqyrohen “mot a mot” në libër, Tzelios zbulon se në vitet 74-98’ kreu i KEVA-s ka qenë kryepeshkopi i Greqisë i njohur më së shumti si Kryepeshkop Serafimi. Kryepeshkopi i cili emrin e lindjes e ka Visarion Tikas ka mbajtur postin e kreut të KEVA-s për aq kohë sa ka qenë dhe Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Greke, për afro 24 vite me radhë. Në vitin 1998 Kryepeshkopi ndërroi jetë. Ky detaj i ofruar në libër flet për një rol të dorës së parë të organizatës KEVA. Duke njohur influencën dhe dominimin e madh që kisha ortodokse ushtron mbi shtetin në Greqi, mbajtja e postit të kreut të KEVA-s nga vetë Kryepeshkopi, tregon se KEVA është shumë më tepër se një organizatë me synime ndaj Vorio-Epirit, ajo nuk është aspak një organizim spontan por një projekt shtetëror mirëfilli me rrënjët në kupolën drejtuese të Kishës dhe të Qeverisë së Athinës.

Dëshmia
Ditari i Menelaos Tzelios ka hedhur dritë në lidhje me takimet e shumta të krerëve të organizatave Pan-Helenike me krerët e shtetit grek, ku në mënyrë të qartë sqarohej se kreu i KEVA-s ishte kryepeshkopi i Greqisë.

“Në fund të vitit 1980 unë shkova në Greqi dhe pata disa takime shumë të rëndësishme me kryepeshkopin e Greqisë Serafim i cili është dhe kreu i KEVA-s me të cilin diskutova gjatë në lidhje me intensifikimin e rolit dhe të ndikimit të organizatave Pan-Helenike. Unë e informova atë edhe në lidhje me aktivitetet e organizatave Pan-Helenike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më 1 Mars 1981 unë u takova me përfaqësuesit e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes së Greqisë zotin Averof, zotin Tsamberis dhe zotin Sokratidis, ky i fundit është përfaqësues i shoqatës së Selasforit dhe një antar kyç i organizatës KEVA”, – shkruan Tzelios në ditarin e kujtimeve të tij të cilat pasqyrohen dhe në librin studimor mbi çështjen e Epirit të Veriut.

KEVA dhe ligji i luftës me Shqipërinë

Në një tjetër dëshmi të dhënë nga Menelaos Tzelios, kreu i federatës Pan-Helenike në SHBA, hidhet dritë në lidhje me rolin që kjo organizatë dhe sidomos KEVA kishin mbi negociatat Shqipëri-Greqi në vitin 1984 për heqjen e ligjit të luftës. Dëshmia e Tzelios zbulon se shteti grek ishte nën presionin e KEVA-s gjatë këtyre negociatave dhe se negociatat dështuan pikërisht për shkak të këtij presioni.

Shkruan Tzelios në kujtimet e tij: “Më Qershor të vitit 1984 rinisën negociatat mes Greqisë dhe Shqipërisë në lidhje me dhënien fund të “gjendjes së luftës” mes dy vendeve. Kjo çështje u diskutua mes ish-ministrit të Jashtëm të Greqisë së asaj kohe Karolios Papulias dhe zv.ministrit të jashtëm të Shqipërisë Muhamet Kapllani. Gjatë një komunikimi që pata me ministrin grek Papulias ku e pyeta në lidhje me këto negociata ky i fundit më tha se ishin duke u zhvilluar në parim dhe ende nuk ishin përcaktuar kushtet e qarta të marrëveshjes. Më tej ai më siguroi se nuk do të kishte asnjë cënim apo disavantazh të çështjes kombëtare dhe interesave greke nëse kjo marrëveshje do të arrihej. Ministri më tha se nëse doja të dija më shumë atëherë më mirë të vija vetë në Athinë. Unë fillimisht i bëra të ditur ministrit Papulias se për këto takime ai medoemos duhej të mbante në detaje të informuar të gjitha organizatat që lobonin çështjen e Vorio-Epirit dhe sidomos organizatën KEVA. Më vonë unë shkova në Greqi dhe u la një takim i cili u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Jashtme Greke. Në takim merrnin pjesë disa përfaqësues të organizatave Pan-Helenike me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, merrte pjesë kreu i KEVA-s Kryepeshkopi Serafim si dhe përfaqësues të disa organizatave Pan-Helenike me bazë në Evropë. Në këtë takim ne i bëmë të qartë ministrit të jashtëm Papulias se ishim tërësisht kundër heqjes së gjendjes së luftës me Shqipërinë dhe të gjithë përfaqësuesit dhanë argumentet e tyre. Disa javë më vonë unë u informova se negociatat kishin dështuar dhe ky natyrisht që ishte një lajm i mirë për ne”.

Auron Tare: KEVA e lidhur me qeveritarët shqiptarë

Çështja e kësaj organizate është prekur disa ditë më parë në media nga studiuesi i arkivave Auron Tare. Tare pasi ka hedhur dritë në lidhje me operacionet sekrete të kësaj organizate në vitin 1949 pasqyruar në arkivat e deklasifikuara amerikane të CIAS-s – mes rreshtave është shprehur se KEVA mban lidhje edhe sot e kësaj dite me disa politikanë dhe qeveritarë të lartë shqiptarë. “ KEVA ka pasur një objekt shumë të qartë: shkëputjen e Shqipërisë së Jugut për llogari të pretendimeve territoriale greke. Organizata KEVA, mjaft aktive edhe në ditët tona në Greqi dhe ne diasporën helene, mban lidhje të ngushta me disa prej politikanëve dhe anëtarëve të qeverisë së sotme shqiptare. Dokumenti amerikan i Shërbimit Sekret flet qartë mbi rolin në spiunazh aktiv të KEVA-s në vitin 1949 nga regjimi komunist në Shqipëri. Nga ky fakt lind pyetja legjitime: Po sot me çfarë merret kjo organizatë?”, – shkruan studiuesi në fund të artikullit të tij në lidhje me organizatën KEVA.

Pyetja e mësipërme bëhet edhe më e rëndësishme duke patur parasysh shumë vendime të këtij kabineti qeveritar gjatë këtyre viteve, përfshirë paktin famëkeq detar, hapjen e shkollave në zona ku nuk ka patur tradicionalisht minoritet grek, çështjen e famshme të varrezave false të ushtarëve grekë, nëpërkëmbja e çështjes çame, botimet e fundit mbi takime qeveritarësh shqiptarë me eksponentë të ekstremistëve të Agimit të Artë, etj./Ditawww.kombetare.a
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi