Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Gruaja shqiptare nuk është “pronë e burrit”… Empty Gruaja shqiptare nuk është “pronë e burrit”…

Thu 25 Jul 2013 - 15:18
Gruaja shqiptare nuk është “pronë e burrit”… Gezim%20Tushi
Entela Resuli

-Krimet e kohëve të fundit janë argument për situatën e vështirë të lidhjeve në çift, lidhje të cilat shpesh e bëjnë martesën “guerrilje bashkëshortore”, fushë beteje, jo në mënyrë figurative, por me viktima reale. Problemi i krimit mbi gratë në familje dhe jashtë saj, nuk është vetëm problem juridik, moral dhe social. Për këtë arsye, sot kemi folur me sociologë e psikologë për gjithë këtë panoramë që na është shfaqur ditët e fundit në lidhje me krimin ndaj gruas dhe vrasjet nga bashkëshortët e tyre. Kemi biseduar me sociologun Gëzim Tushi i cili me të drejtë ngre alarmin për këtë situatë shoqërore. “Ne duhet të ngremë shoqërinë në këmbë, bashkë me politikën, ligjin, policinë, shoqërinë civile, medien, shkollën, familjen, institucionet e tjera të “sigurisë morale” të shoqërisë, për të krijuar një kulturë të re për martesën, duke përcaktuar dhe ndarë më mirë konceptin e “kufirit maskilist” të bashkëshortit mashkull, i cili është i detyruar të edukohet që të kuptojë kohën dhe të respektojë pa kusht dinjitetin dhe identitetin e gruas si partnere apo bashkëshorte. Ka marrë fund epoka e vjetër. Gruaja shqiptare nuk është më “pronë e burrit”-pohon ai.

Profesor vetëm brenda 60 orëve 3 burra kanë vrarë gratë e tyre. Nga se vjen kjo situatë depresive në familje?

Shifrat e krimeve të pasionit nga xhelozia, të justifikuara si “krimi i nderit” apo si “krenari e fyer” mashkullore janë bërë tronditëse. Situatat e ditëve të fundit dhe vrasja e disa grave gati për motive të ngjashme tregon se shoqërisë tonë po i shtohen për fat të keq burrat pa cilësi humane, që shfaqen jo vetëm irracionalë në veprime, por dhe përfundojnë me statusin e kriminelit ordiner në raport me gratë e tyre. Situata tregon se dimensioni social i këtij krimi është alarmant dhe kërkon intervenim polivalent të të gjithë aktorëve, strukturave shtetërore dhe organizimeve të jetës sociale, sepse gratë janë në kohë të vështira për identitetin e tyre në martesë, përballë dhunës dhe krimit të partnerëve të tyre në lidhje martesore, në familje dhe jashtë këtyre relacioneve institucionale.

A mos ka ardhur momenti të themi ca gjëra troç. Pse burri vret gruan?

Sigurisht, që ne duhet t’i themi gjërat troç dhe krimin mbi gratë ta vlerësojmë ashtu si është në të vërtetë. Boll e kemi trajtuar këtë problematikë me eufemizma sociologjike dhe rikosheta konceptuale e juridike të zbutura. Dhuna dhe krimi mbi gratë është në kuota alarmante, që si fenomen social është nga më të turpshmit për qytetërimin tonë. Kjo do të thotë se boll jemi marrë me interpretime të shkaqeve dhe regjistrimet statistikore të dhunës dhe krimit mbi gratë tona. Gratë kanë nevojë që në vend që të bëjmë teori të shkaqeve të dhunës dhe krimit, duhet të ndryshojmë situatën e tyre sociale në shoqërinë tonë.

Padyshim, shoqëria jonë ka nevojë të mësohet me kulturën tjetër të post modernitetit, në të cilin krahas lidhjeve martesore dhe dashurore ekziston dhe mundësia e veçimit nga njëri-tjetri jo me dhunë dhe krime, por në mënyrë humane. Kjo do të thotë që në lidhjet në çift njerëzit tanë duhet të kuptojnë se paralelisht me martesën dhe lidhjet intime në çdo rast është mundësia qytetare që njerëzit (burri dhe gruaja) që kanë qenë të përfshirë në lidhje dhe marrëdhënie intime mund të bëhen në mënyrë qytetare njerëz të ndarë dhe pse jo edhe të “panjohur” për njeri-tjetrin.

Sa ka të bëjë e kaluara e njeriut në sjelljen që ai reflekton në familje, sidomos e mashkullit në këtë rast?

Pjesa më e madhe e krimit të vrasjes së femrës është e lidhur me të kaluarën maskiliste dhe normat sociale të saj, që në mënyra të ndryshme janë transplantuar në shoqërinë e sotme. Në këtë kontekst shoqëria jonë e ka zgjatur dorën e krimit mbi gruan, të dashurën, partneren sepse akoma është e ushqyer nga koncepti i deformuar i burrërisë, e cila ushqehet dhe mbahet gjallë nga ideologjia maskiliste e shoqërisë. Dhuna, krimi, vrasjet e femrave mund të kenë një enumeracion shkaqesh ekonomike, sociale e kulturore të sintetizuara në mentalitetin maskilist të shoqërisë dhe të shfaqura brutalisht në tepritë deterministe të vlerësimeve biologjike dhe deformacioneve morale për femrën, statusin qytetar dhe dinjitetin social.

Pikërisht sipas meje, këtu në këto koncepte maskiliste dhe determinime të tepërta për femrën e ka burimin ideja e trajtimit të saj si “pronë e burrit” apo e “instrument i mashkullit” në përgjithësi, i cili mbi këtë bazë i njeh vetes të drejta të “pakufizuara”, që ushqejnë paradigmën e diskriminimit gjinor, kufizimin e të drejtave si njeri në bashkëjetesë apo martesë, bashkë me të drejtën e mashkullit për ta trajtuar atë si një “send të dorës së dytë”, të cilit mund më në fund t’i marrë edhe jetën.

Vrasje të tilla janë me faza. Mund ta quajmë këtë një moment “epidemie”?

Po, mund ta quajmë, mund ta themi këtë pasi dhuna dhe krimi mbi gratë ka shpërthyer në formën e një epidemie sociale absurde, pa kuptim dhe krejt në bazament kriminal maskilist. Situata duket se është dhe mund të bëhet akoma më shqetësuese, edhe pse juridikisht dhuna dhe krimi mbi gratë janë të penalizuara ashpër. Për fat të keq, efekti juridik nuk është ndier në jetën tonë sociale derisa krimi mbi gratë ka një kurbë të lartë intensiteti. Madje, aktet e fundit që kanë ndodhur këto ditë e kanë rritur deri në nivele të sjelljes gati kafshërore të meshkujve, që akoma mendojnë se sidomos kur është fjala për të ashtuquajturën “çështje nderi”, apo “mosbindje të gruas”, i njohin vetes të drejtën ekskluzive të shfaqjes së deformuar të burrërisë eksentrike dhe marrjes së jetës së gruas të pabindur apo jo besnike. Ky mentalitet që është tërësisht kriminal, i shëmtuar, antihuman është faktori që ka nxitur krimin mbi gratë. Për fat të keq edhe shoqëria në disa raste e mësuar me të tilla koncepte qëndron indiferente ose akoma më keq reagojë me ambiguitete dhe dubël standarde morale, që janë në disfavor të grave tona. Madje, nuk mungojnë ambientet sociale që nën zë apo me gjysmë zëri ushqejnë mentalitetin, jo vetëm të justifikimit të së “drejtës” së burrit për t’i marrë jetën “gruas tradhtare”, apo “të pabindur” por dhe i shërbejnë justifikimit dhe mbështetjes morale të këtyre veprimeve nga grupe, individë e shtresa sociale që “glorifikojnë” akte të tilla makabre, në emër të koncepteve të vjetra të shoqërisë për të ashtuquajturin “nderi i gruas”.

Z. Tushi, nga kjo që thoni ju, por edhe nga ngjarjet në terren krimi mbi gratë është rritur. Pse kemi shifra në rritje sipas jush?

Krimet e ditëve të fundit përbëjnë një bilanc social të turpshëm. Akoma më të turpshme dhe tronditëse do të ishin faktet në se do të mund të bënim statistika sociale të sakta, se sa gra janë vrarë në shoqërinë tonë këto dy dekada për “çështje nderi”. Praktikisht, krimi mbi gratë është rritur sipas meje, sepse shoqëria shqiptare është përballë disa kontradiktave me karakter ontologjik dhe social. Me sa duket gratë këto dy dekada të lirisë janë “liruar” nga determinimet morale të ngurta që rëndonin mbi biologjinë, personalitetin dhe seksualitetin e tyre. Ndërsa për fat të keq, një pjesë e burrave vazhdojnë të ushqehen me ideologjinë maskiliste të epërsisë fizike, sociale, financiare dhe pse jo edhe seksuale mbi femrat e “tyre”. Ndërkaq, me shumë ndikim është kontradikta e dytë e madhe, e thellë, që ushqen krimin mbi femrat tona, e cila është e lidhur me diferencën konceptuale të zhvillimeve të jetës moderne, liberale dhe individualiste (nga e cila nuk mund të përjashtohen as gratë) dhe dëshirës së meshkujve për t’i mbajtur ato të gozhduara pas normave morale, sjelljeve sociale dhe paradigmave konservatore për sjelljen, moralin dhe seksualitetin e tyre.

Kjo është një gjë që nuk shkon, shoqëria e lirë nuk mund të funksionojë me dy standarde morale, sociale dhe seksuale. Sado që flasim për modernizimin e martesës dhe lidhjet në çift, duket qartë se progresi ka qenë i ngadaltë. Akoma shoqëria jonë ka defektin kulturor që shfaqet bujshëm për një sasi jo të vogël të meshkujve të kësaj shoqërie, të cilët e mendojnë martesën si “unitet” i detyruar i marrëdhënieve të skllavit (gruaja) me padronin (burri). Kjo psikologji, që akoma është virulente dhe shfaqet në dimension të zgjeruar në shoqërinë tonë, në nivelin e psikologjisë sociale, ka bërë që partneri mashkull me koncepte të ngushta për femrën dhe ide të ngurta për lidhjen bashkëshortore, bëhet asfiksues për martesën, duke e bërë atë një lidhje të padurueshme për femrat.

Sipas jush,çfarë po ndodh me gruan sot?

Sipas meje, në mënyrë të pamerituar dhe jashtë parametrave të kohës moderne gratë shqiptare më shumë se viktima të dhunës individuale të mashkullit partner apo bashkëshort po paguajnë haraçin e padrejtë që vjen nga ekzistenca dhe rezistenca ndikuese e “njollave kulturore” të shoqërisë shqiptare. Unë nuk e di, por çdo njeri normal në këtë vend kur shikon këto doza të larta të dhunës dhe krimit mbi gratë, ka të drejtë të alarmohet me faktin, që meshkujt që bëjnë krime mbi gratë e tyre, nuk e njohin veten si burrë, partner dhe bashkëshort, por thjesht si pardon dhe sundimtar i gruas.

Kjo është një sjellje perverse, që i kapërcen kufijtë e humanitetit dhe sjelljes normale

Kohët e fundit në shoqërinë tonë janë shtuar kobet që rëndojnë mbi gratë për shkak të xhelozisë së meshkujve të tyre. Praktikisht, krimet e kohëve të fundit janë fakte sociale të qarta që tregojnë se në shoqërinë shqiptare xhelozia dhe dhuna, po bëhen binom i rrezikshëm. E keqja akoma më e madhe është se meshkujt bëhen xhelozë dhe janë obsesivë për femrën e “tyre”, edhe pasi janë divorcuar me të, duke mos e lënë atë që të jetë e lirë, të rifillojë jetën e saj personale, private dhe intime. Kjo është një sjellje perverse, që i kapërcen kufijtë e humanitetit dhe sjelljes normale. Në të gjitha rastet e hetimit apo argumentimit të krimit mbi gratë, burrat kriminelë nuk e kanë për gjë, që edhe pas hekurave të burgut gjejnë “argumente” që tregojnë se nuk heqin dorë nga ideja se krimin mbi gratë e tyre e ushqen forca e ideologjisë maskiliste, ideja e deformuar e pabarazisë gjinore dhe frymëzimi nga koncepti sipas të cilit, bashkëshorti duhet të jetë dominues dhe të respektohet si i tillë nga gruaja në martesë. Ndërkaq, janë me dhjetëra fakte që dëshmojnë të kundërtën. Një pjesë e grave që divorcohen nga burrat e tyre të dhunshëm, xhelozë patologjikë e sadistë, e ndërmarrin këtë hap, jo nga ndonjë mikrob nimfomanie, por në shumicën e herëve nga që martesa jo vetëm nuk funksionon, por ajo bëhet për gratë një “klimë burgu” e vërtetë.

Redina Balla:

Tradhtia është e papranueshme për mashkullin në kontekstin shqiptar

Shkaqet e divorcit vitet e fundit janë kryesisht ato ekonomike dhe sociale. Nëse analizojmë mënyrat e lidhjes së martesës vëmë re që martesat me mblesëri, martesat në të cilat bashkëshorti (kryesisht) është emigrant, martesat në moshë të vogël, apo ato që kryen si shkak i shtatzënisë së paplanifikuar (padëshiruar) kanë probabilitet të lartë për të përfunduar në divorc apo në një martesë të dhunshme. Rol kryesor ka familja, mentaliteti dhe arsimimi. Një grua, e cila është rritur në një model familjeje patriarkale në të cilën babai ka ushtruar një ose më shumë nga llojet e dhunës ka mundësi të jetë gjithashtu viktimë e dhunës në familjen e krijuar. Stili i jetës që ka bërë në familjen biologjike ka tendencë vazhdimësie, që do të thotë ky lloj stili i kthehet në mënyrë jetese. Flasim shpesh për gra të dhunuara dhe nuk analizojmë shkaqet e nënshtrimit të tyre. Nëse një grua pavarësisht në vitin në të cilin jetojmë mendon divorcin si të vetmen zgjidhje. Pengesë fillestare ka familjen e saj biologjike, në të cilën divorci është ende një fenomen i papranueshëm, krahasuar kjo me normat shoqërore. Femrat të cilat kanë migruar drejt vendeve urbane, që janë bërë pjesë e rrymës së zhvillimit dhe ndryshimit të normave të dikurshme kanë tendencë më të lartë të jenë viktima të krimit në familje. Emancipimi te këto femra rikrijon një identitet të ri për veten e tyre, e thënë ndryshe një tjetër mënyrë sjelljeje e cila bie ndesh me mënyrën të cilën bashkëshortët e tyre janë mësuar. Gruaja në vetvete për këta meshkuj është personi që duhet të merret me punët e shtëpisë, kujdesin ndaj prindërve të burrit dhe rritjen e fëmijëve. Meshkujt shqiptarë janë nën pushtetin e prindërve, edhe pas martesave, që do të thotë se janë të ndikueshëm drejtpërdrejt nga ndryshimet që sjell mosha e tretë e prindërve të tyre. Vihen re konflikte të bashkëshortëve si pasojë e mospëlqimit të rolit të gruas nga ana e nenës së burrit.

Emancipimi i gruas përkthehet në ndryshimin e stilit të jetesës (ndryshim i mënyrës së veshjes, koha që i kushton vetes, mënyra e komunikimit, të pasurit një jetë sociale, kërkesa e saj për të punuar dhe arsimuar); kërkesat e femrës për të jetuar pa prindërit e bashkëshortit, interpretohet nga ai si mosrespektim ndaj prindërve të tij, kjo sjell konflikt djalë-nënë (ndërpritet lidhja e tyre patologjike) dhe imponon bashkëshortet në marrjen e më shumë përgjegjësive. Të gjitha këto veçanërisht emancipimi, përkthehen nga mashkulli si shenja të ekzistencës së një lidhjeje jashtë martesore. Tradhtia është e papranueshme për mashkullin në kontekstin shqiptar (thyhet nderi dhe krenaria e tij) dhe bën që të prishet imazhi i tij tek meshkujt e tjerë të së njëjtës përkatësi demografike. Kjo tradhti e supozuar shkakton xhelozi patologjike (xhelozi e pa shkak, që ndjell agresivitet dhe që është në rritje). Emancipimi i femrës nuk ka regres, gjë që sjell progres në xhelozinë patologjike të mashkullit (Sindroma Otello). Kjo lloj xhelozie në pjesën më të madhe të rasteve degradon në divorc ose vrasje brenda familjes. Duke qenë se divorci është ende një fenomen i papranuar gjerësisht vrasja e gruas është vrasja e Desdemones (xhelozia patologjike e Otellos pushoi së ekzistuari vetëm në momentin kur ai vrau shkaktaren e kësaj xhelozie, Desdemonen të dashurën e tij).

Vrasja, gjithashtu interpretohet si kthim i emrit të "njollosur" nga tradhtia e supozuar e bashkëshortes së tij. Forca e medies ndikon ne masivizim dhe imitim te krimeve ligjërisht të ndëshkueshme (kryerja e një vrasje shihet si zgjidhje e duhur dhe për meshkuj të tjerë).

Drnt. Redina Balla

Psikologe kliniciste

“Vapa bën që njerëzit të humbasin arsyetimin”

Specialistja e shëndetit mendor në ISHP, Oriola Pampuri: Stresi nën ndikimin e vapës çon deri në vrasje, meshkujt më të predispozuar

I nxehti përvëlues i ditëve të verës po shfaqet në formën e tij më agresive. Madje, së fundmi ky faktor është ai që ‘po i vë kapakun’ disa ndodhive aspak të këndshme në kryeqytet, duke çuar deri në vrasje njerëzish, më saktë të femrave. “Ekziston risku i një përqindje të vogël njerëzish tek të cilët vapa dhe rrezet e forta të diellit ndikojnë për të nxjerrë ende më shumë në pah simptomat e depresionit, pasi është drita e fortë, vapa dhe bezdia që individët ndiejnë prej saj, që ndikon në kimikën e trurit duke shkaktuar ndryshime në temperamentin e individit, duke e bërë atë më nervoz dhe agresiv. Kështu në këtë gjendje nervozizmi të pakontrolluar ata janë në gjendje të kryejnë sjellje të pakëndshme dhe të rrezikshme, kryesisht kundër vetes së tyre, por edhe ndaj të tjerëve.” Kështu e shpjegon ndikimin e të nxehtit në lindjen dhe rritjen e depresionit Oriola Pampuri, specialiste e shëndetit mendor pranë Institutit të Shëndetit Publik. “Personat më të predispozuar

për t’u prekur nga depresioni janë pikërisht ata që janë më të ndjeshëm, më të ngarkuar emocionalisht, personat me një stres të akumuluar dhe kryesisht ankthioz. I nxehti dhe vapa janë dy faktorë të rëndësishëm që nxisin agresivitetin deri në humbje të arsyetimit, duke i shtyrë këta persona të kryejnë vrasje apo edhe vetëvrasje”, sqaron specialistja Pampuri. Sa i takon rasteve të fundit, specialistja e shëndetit mendor bën me dije se shkaku kryesor është terreni që ia ofron një mundësi të tillë. “Stresi që ata kanë në mënyrë të vazhdueshme, i nxitur nga situata të përjetuara në familje, i ndërthurur me të nxehtin ndikon drejtpërdrejt në temperamentin e tyre, duke avancuar dhe intensifikuar simptomat e depresionit. Kjo bën të mundur që këta persona të udhëhiqen nga e pandërgjegjshmja e tyre, nga sjelljet agresive që maifestohen me vetëvrasje apo dhe vrasje siç janë ato të ditëve të

fundit, duke sulmuar personat të cilët sipas tyre janë burim i stresit të vazhdueshëm për ta.” Edhe pse nuk ka një studim të mirëfilltë lidhur me gjininë më të predispozuar për t’u prekur nga kjo dukuri, hulumtimet e ngjarjeve të fundit tregojnë se depresioni për shkak të vapës apo të nxehtit përvëlues prek më tepër meshkujt se sa femrat. Përveç rrezeve të diellit dhe vapës, vera ka edhe faktorë të tjerë që mund të shkaktojnë stres të vazhdueshëm tek individët dhe të çojë deri në shfaqjen më tej të simptomave të depresionit, i cili manifestohen në mënyra të ndryshme si: mungesë dëshire për t’u përfshirë në aktivitete sociale, për të ndërmarrë udhëtime, për të shkuar në bregdet, për të kaluar momente me shoqërinë, mbyllje në vetvete, mungesë vetëvlerësimi. “Faktorët kryesorë që ndikojnë në stres janë pakënaqësi me imazhin dhe vështirësitë financiare që ndikojnë drejtpërsëdrejti tek individi, i cili stresin e vazhdueshëm të këtyre situatave e manifeston me ankth, për të kaluar më pas dhe me shenjat e para të depresionit, ndër të cilat mund të përmendim nervozizmin, irritueshmërinë, mungesën e oreksit, mungesën e dëshirës për t’u përfshirë në aktivitete familjare apo shoqërore e deri në mungesë dëshire për të kryer marrëdhënie seksuale”, thekson specialistja e ISHP-së. Sipas specialistes Oriola Pampuri, stina e verës përgjithësisht rekomandohet si një periudhë në të cilën simptomat e depresionit fillojnë të zbehen, thuajse duke rënë në një gjendje letargjie, por nuk duhet të përjashtohen edhe rastet e personave tek të cilët kjo ndikon negativisht, sidomos kohët e fundit. Më e spikatura është vetëvrasja, dhe në raste të tjera nuk duhet lënë pa përmendur, dhuna ndaj personave të familjes e të afërm e deri tek vrasja e tyre./B.B/
W0rld
W0rld
V.I.P Forumi
V.I.P  Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 35
<b>Postime</b> Postime : 570
<b>Hobi</b> Hobi : Muzika,leximi&stervitja
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : In Your Dreams!
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 14/04/2013

Gruaja shqiptare nuk është “pronë e burrit”… Empty Re: Gruaja shqiptare nuk është “pronë e burrit”…

Thu 25 Jul 2013 - 16:41
Nje plak i mencem pati thene:

"Gruaja eshte gjysma e dyniase(botes) dhe gjysma tjeter jane femijet!"

"Zoti i shperblen sherbetoret e vet jo me ar e me argjend, por me nje grua te mire!" [Bibel]

Gruaja pra per mashkullin eshte simboli i lumturise ose pakenaqesise.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi