Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Mes sfidës së përjetshme të natyrës dhe kërcënimit njerëzor të betonizmit.  Empty Mes sfidës së përjetshme të natyrës dhe kërcënimit njerëzor të betonizmit.

Sun 2 Jan 2011 - 18:34
Në Valbonë; mes sfidës së përjetshme të natyrës dhe kërcënimit njerëzor të betonizmit.

...Heshtje madhështore, zhurmë e paqshme, erë që s`do të ndalet..., pamje që të mposht, gurgullimë që të gjallëron, që të çon peshë dhe të gjunjëzon para gjithçkaje që lajmëron se do të hasësh, prekësh, nuhasësh dhe të shohësh; si sfidë tokësore dhe qiellore, përzier me gjithçka të veten që të thotë: Nuk të përkas...!
* * *
Kështu nis të të shfaqet Valbona; herë joshëse, herë e egër, herë me borë të re e herë me borë që duket si zot i atyre anëve. Të bie në sy që nga larg, ndoshta ngaqë rrezet e diellit ndalojnë së pari aty, atje..., dhe më pas zbresin deri në shesh-pushimin e përjetshëm të lumit ku rrinë ngeshëm e formojnë njëtrajtësinë e magjishme që s`njeh krahasim. Luginë që të ndjell me një zemërgjerësi të pashoqe; me kthjelltësi, lartësi dhe kufi të përcaktuar qartë, ku përtej tyre të jepet vetëm të fantazosh, por gjithnjë arsyeshëm me lejen e vendndodhjes: kështu të ndodh kur nisesh për në Valbonë, kur hyn në luginën e saj, e kur përveç të tjerave gjendesh harruar mes mrekullive të saj, që herë të duket sikur të sfidojnë në mënyrë të përjetshme e herë të ngrenë peshë duke të ofruar pa kriter dhe çmim krejt madhështinë e elementëve jo të zakontë të saj...!
Një rrugë për Valbonë(n)!!!
“E, keni rrugë të gjatë deri atje, asht rreth 25 kilometër”, na thonë teksa lëmë asfaltin dhe i kthehemi luginës së Valbonës. Gjithçka që nis të të shfaqet të provokon harrim: larg së përditshmes; qytetërimit fals, luksozitetit të betontë, premtimeve pa ngjyrë, lojës politike që të zë për gryke deri sa të hysh aty ku isha unë..., grevës së urisë që kisha lënë kilometra larg dhe karshëllëkut shumëplanësh të shumëkujt!!! Aty dhe atje të dukej sikur ishe në tjetër botë, në tjetër jetë dhe në tjetër realitet; që asnjëra prej të trijave, fatmirësisht s`kishin dorë njeriu, e aq më pak të njeriut tonë politik.
...Bashkudhëtarët e mi, janë ca maturantë kurioz dhe mjaft të ndjeshëm, inteligjent dhe jo aq indiferent nga ç`ka iu ofrohej aty atë ditë dhe nga çfarë u ishte ofruar 24 orë më parë. E ndërsa ndërpresim bisedën e nisur që në kas-kadën e Drinit..., përzier me realitetin e lënë nëpër qytetet tona që ziejnë nga zhvillimet e shpejta dhe të çuditshme, bashkudhëtarët e mi mahniten dhe projektojnë imazhin e një të nesërmeje premtuese në ato zona. Mirëpo, menjëherë vjen edhe stepja e parë; grumbull njerëzish, dy fadroma, dy kamionë dhe nja dy makineri të rënda; në mes të rrugës dhe në mes të ditës punëtorët e firmës kishin hapur kanal!!!
* * *
“ Ja, prisni nja një gjysëm ore sa ta mbushim kanalin e do të kaloni menjëherë”, na thotë njëri që dukej si tip inxhinieri i hapjes së atij kanalit në mes të rrugës, bindje kjo që të krijohej ndoshta edhe nga dialekti i tij, pa lidhje me zonën në të cilën ndodheshim. Një tjetër, që në tonin që përdorte të linte përshtypjen se ishte përgjegjësi i punëtorëve, as që na u afrua të fliste me ne dhe as me të tjerët që ishin nisur për në Valbonë. Binin në sy automjete me targa të Tiranës dhe me targa të Kosovës, ndonjë edhe me targa të Bajram Currit. Kanali vazhdonte të ishte i hapur, ndërsa e shtuna jonë e planifikuar për në Valbonë të ngatërrohej tashmë nëpër njerëz; normalisht duhej të prisnim deri sa të shtroheshin tubat dhe të mbushej kanali; si ne edhe kolona e automjeteve të tjera që ishin pas nesh. Thanë: po punojmë për të shtruar rrugën për në Valbonë!!! Duhej të bindeshim se s`kishim nga të shkonim, por ishte i vetmi moment që ndërkohë kishe bërë pakt me harrimin të rikthente në Tiranën e sheshit në rindërtim, të bulevardit të izoluar, të rrugëve që hapen, mbyllen e rihapen me fadroma në mes të ditës dhe në mes të kohës së fluksit të lëvizjeve; para të gjitha këtyre fakteve tronditëse krahasuese të lindte edhe mendimi i parë dyzues: Një rrugë për Valbonë(n)?! Hmmmm!!!
* * *
E kush s`do ta donte një rrugë të mirë asaj lugine; së pari për ata njerëz që banojnë atje, e së dyti për të gjitha automjetet që transportojnë vizitorët e zonës, që tashmë thuajse jehona e mrekullive të saj ka bërë xhiron e botës. Ndërkohë që fadroma hedh materialin mbushës mbi kanal, skepticizmi im kthehet sërish në të përditshmen tonë; nis të më kërcënojë ideja e betonizmit dhe Valbona është aq e magjishme sa s`të jepet të mendosh, as të flasësh as të frymosh; këto procese duket si t`i mundëson lehtësisht ai lumë i kthjelltë dhe mjaft potent, i qetë dhe me një rrjedhshmëri që i ngjan arsyes së brishtë..., me një urtësi të mbrojtur deri në perfeksion nga vargmalet që në të vërtetë të sigurojnë që s`mund të mposhten nga asnjë lloj sipërmarrjeje. Por, ne kemi lidhje të fortë me betonin, me ndërtimin që vjen prej tij, ndoshta ngaqë edhe fitimet që korren janë më joshëse dhe për pasoje edhe më të lehta!!! Brishtësia e “Valbonës” duket aq e pafajshme sa të jepet të mendosh se gjithçka që shihet atij vendi i përket dhe duhet t`i përkasë vetëm asaj dhe atyre “rojeve” që i rrinë mbi “kokë” si engjëj..., dhe një zë vjen nga kanali; mund të kaloni!!!
Rikthim...
... te madhështia e natyrës, te harrimi me dashje i atij mendimi që më mbajti në rrugë bashkë me kanalin, te dy anët e maleve që më mbronin deri në vetëdijen time të thellë të besimit..., ndërsa kujtohesha që gjendesha në mes të Kanionit të Shoshanit; për të kaluar nëpër Dragobi dhe në Dunishë, për tu gjendur me një Jezercë mbi kokë që s`mund ta formësosh. Rrjedha e “Valbonës” e cila duket sikur të fton drejt zemrës së vet, nganjëherë edhe të humbet, për të të lënë në magjinë e masivëve shkëmbor që të rrëmbejnë deri në përhumbje; gjendemi në një zall të madh. “K`tu asht fshati Valbonë”, thotë banori i parë që hasim, ndërkohë që vetëm ku vë këmbën s`të jepet të shikosh. E lamë makinën pikërisht në këtë zall, për të vazhduar pjesën tjetër në këmbë, jo vetëm nga dëshira por edhe nga frika se mos makina jonë s`mund ta “hante” atë rrugë. Kishim më pak se një kilometër për tu gjendur në destinacionin që kishim përcaktuar kur një sërë automjetesh fouristrada na parakalojnë; intuita e profesionit dhe njëra prej targave të tyre më imponoj të bindem se në vendmbërritjen tonë duhej të gjenim një të “madh”!!! Dhe një helikopter policie ma përforcoj bindjen. “Ka ardh me të filani...” dhe thotë emrin e personit që gjendej aty për drekë, ndërkohë që moria e automjeteve shoqëronin në distancë funksionarin e lartë, të mbërritur në Valbonë me helikopter, ndoshta ai e dinte se do të priste në rrugë më shumë se 1 orë te kanali dhe falë funksionit të tij s`do të kishte kohë për të humbur; i duhej të rikthehej sërish në Tiranë, në Tiranën e protestave dhe të motivimit të tij profesional dhe qytetar.
Valbona...!
Elibesi është 9 vjeçari që i shoqëruar me një qen të madh, me një çantë librash në shpinë dhe me një përfillje të rriturish për vizitorët e “Valbonës” së tij, ndalon dhe të përshëndet. Pak përtej një tufë dhensh duket se janë detyra e tij e asaj pasditeje. Elibesi flet me krenari, me mirësjellje dhe me një siguri që të mahnit: “Po, unë jam banor i Valbonës e Valbona asht e bukur”. Në krenarinë e tij, që duket sikur i ka përvetësuar të gjitha të veçantat e atij vendi, ai tregon për jetën e tij, të familjes së tij, për ç`ka gjendet aty dhe për ç`ka ka vendosur të bëhet nesër...! “Jam i vogli në shpi dhe lëshoj delet, pasi edhe m`pëlqen të mësoj në natyrë”. Elibesi është i veshur me të shkurtra, ndonëse në majën e Jezercës bora ia thoshte, pak më poshtë saj bora e rënë kohë më parë vazhdonte të qëndronte e qetë, ndërsa rrëzë shkëmbit ishte bora e vjetër, ajo e përhershme që të dukej sikur aty qëndronte prej jetësh e s`mund ta lëvizte asgjë....
* * *
Elibesi u largua, me idenë se ne do të ishim bujtësit e asaj nate; “po ik n`shpi, e po shihna nesër se kam me dalë herët me ndejt me ju”. Ai djalë ishte gjithçka ndryshe që të afronte ai vend, ndërsa kapërceje makinat që shoqëronin funksionarin për të hyrë në ambientet e lokalit që sërish edhe ato në ato momente i përkisnin atij. Kapaciteti i restorantit nuk mund t`i përgjigjej edhe ardhjes sonë..., e ndërsa pronari dhe personeli na u luten ta bënim natën aty, se aty kishte kishte edhe një grup gjermanësh, aty priteshin të vinin edhe disa amerikanë të cilët gjendeshin në zonën e Thethit, ndërsa banorët e Valbonës ishin të gatshëm të mbanin nëpër shtëpitë e tyre pjesën që nuk i zinin bujtinat...
“Valbona”, jo vetëm gjeografikisht, premton një mundësi brilante për turizëm, për një turizëm që i ka hije madhështisë së atij vendi, dhe jo për turizmin e traditës sonë të këtokohshme!!!

Tirana Observer


Luan_Valikardi
Luan_Valikardi
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 39
<b>Postime</b> Postime : 21456
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 28/08/2010

Mes sfidës së përjetshme të natyrës dhe kërcënimit njerëzor të betonizmit.  Empty Re: Mes sfidës së përjetshme të natyrës dhe kërcënimit njerëzor të betonizmit.

Wed 8 Jun 2011 - 22:55
Tragjedi...
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi