Shtëpia e Bardhë i refuzoi, ja dhuratat nga Shqipëria
Sun 1 Sep 2013 - 10:55
- Departamenti i shtetit publikon dhuratat e Nishanit, Berishës, Bashës dhe Gjunkshit për ish-sekretaren Klinton dhe gjeneralin Dempsey. Vlera 390-460 dollarë
Florenc Stafa
-Zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë morën për vitin 2012 me qindra dhurata, në vlera të ndryshme, nga përfaqësues të qeverive të huaja, përfshirë edhe Shqipërinë, por shumica prej tyre u refuzuan. Listën me dhuratatat e refuzuara e bëri publik dje vetë Departamenti i Shtetit, i cili, sipas ligjit amerikan, publikoi zyrtarin të cilit i ishte adresuar dhurata, dhuruesin dhe vlerën e dhuratës. Në krye të listës është presidenti Obama, pasuar nga ish-sekretarja Klinton, deri te kongresmenë dhe drejtues të agjencive qeveritare. Zyrtarët nga Shqipëria, presidenti Nishani, kryeministri Berisha, kryebashkiaku Basha apo gjeneral Xhemal Gjunkshi, shef i shtabit të Forcave të Armatosura bënë dhurata për ish-sekretaren e shtetit Klinton apo gjeneralin amerikan Dempsey. Gjatë vitit 2012, Shqipëria u vizitua nga Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, e cila mori dhurata nga liderë të shtetit shqiptar. Klinton gjatë vizitës së saj në tetor, mori dhuratë nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe Kryeministrin Sali Berisha. Presidenti i dhuroi Klintonit një stoli të punuar me filigran ari, që kap një vlerë prej 450 dollarë. Ndërsa Kryeministri, Sali Berisha i ka dhuruar Sekretares Amerikane, një kuti agjenti, me vlerë 400 dollarë. Dhuratë nuk mori vetëm Klinton, pasi kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha vendosi t’i bëjë dhuratë zëdhënëses së Klintonit, Viktoria Nuland. Bëhet fjalë për një gjerdan me perlë që ka një vlerë prej 390 dollarë. Në listën e dhuratave nga Shqipëria për zyrtarët amerikanë bën pjesë dhe një dhuratë për gjeneralin e ushtrisë amerikane, Martin Dempsey, dhuratë të cilën e ka marrë nga gjenerali, Xhemal Gjunkshi. Ajo është një shpatë me vlerë 460 dollarë. Të gjithë këto dhurata bujare të zyrtarëve shqiptarë për zyrtarët amerikanë nuk janë pranuar. Kjo pasi ato janë cilësuar të papranueshme nga Shërbimi i Administratës, për shkak se vënë në vështirësi qeverinë amerikane.
Lista e dhuratave
Dhuratat për Presidentin Obama .Një libër origjinal me punime arti dhe fotografi nga artisti Marlena Ferrari nga ish-kryeminstri i Italisë, Silvio Berluskoni (me vlerë 124 000 dollarë plus dhurata të tjera) •Orë me skelet floriri nga Arabia Saudite (16,500 $) •Vazo kristali për tryezë nga Irlanda dhe një statujë e Shtëpisë së Madhe prej bronci nga arkitekti James çoban (7,246 $) •Shpatë 105 cm të gjatë nga Mongolia (440 $) •Filxhan Krishtlindjesh, kafe dhe thikë bifteku nga Burnei (594 $ përfshirë dhe dhurata të tjera) •Top basketbolli me autograf të Presidentit kinez, Xi Jinping (740 $ përfshirë dhe dhurata të tjera) •Një portret argjendi të një fushe kafeje nga Kolumbia (942 $ përfshirë dhe dhurata të tjera) •Portofol lëkure dhe çantë e vogël nga Franca (1,473 $ përfshirë dhe dhuratat tjera) •Vazo porcelani e dekoruar me imazhin e Shtëpisë së Bardhë dhe Kremlinit nga Rusa (3,460 $ përfshirë dhurata të tjerë) •Sënduk për pijë dhe një shishe Coca- Cola e dekoruar me rruaza nga Meksika (2,788 $ përfshirë dhe dhurata të tjera)
Dhurata për ish-Sekretaren e Shtetit, Hillari Klinton •Gjerdan, byzylyk, vëthë dhe unazë rubini me diamant nga Arabia Saudite (500,000 $) •Gjerdan floriri me gur safiri dhe diamant nga Brunei (58,000 $) •Verë dhe filxhanë argjendi nga Algjeria (3,773 $ përfshirë dhe dhurata të tjera) •Atlete vrapi nga Afganistani (2,200 $) •Dy skulptura prej bonzi nga Singapori (540 $) •Gjerdan dhe stilolaps ari bashkë me një kalë dhe një figurinë njeriu nga Kazakistani (1,500 $) •Havjar dhe tapet prej leshi nga Azerbajxhani (420 $ përfshirë dhe dhurata të tjera) •Konjak nga Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin (560 $)
Dhuratat për Zv.presidenti Joe Biden •Thikë argjendi dhe stikadent nga Mongolia (940 $ përfshirë dhe dhurata të tjera) •Kuti cigaresh prej lëkure nga Meksika (390 $ përfshirë dhe dhurata të tjera) •Një bust femre nga Liberia (540 $ përfshirë dhurata të tjera)
Dhurata për ish-kreun e CIA-s, David Petraeus •Orë Rolex (6,500 $), orë e bardhë Fendi (1,000 $), orë argjendi Valentino (500 $) •Katër qilim mëndafshi (14,900 $) •Model me katër anije me vela (3,500 $) dhe model me dy anije me vlera (1,500 $) •Shpatë (2,500 $) dhe kamë (1,500 $) •Shall kashmiri (395 $) •Shishe vere e 2001-s (1,700 $)
Liderët huaj
Liderë të huaj u kanë dhënë dhurata bujare zyrtarëve amerikanë vitin e kaluar, përfshirë mbretin e Arabisë Sauditë që i ka dhuruar ish-sekretares Hillari Klinton një diamant dhe rubin me vlerë 0.5 milionë dollarë. Dhurata e mbretit Abdullah bin Abdul Aziz për Klinton – që përfshinë një varëse qafe, byzylyk, vëthë dhe unazë – është dhurata më e shtrenjtë që u është dhuruar zyrtarëve amerikanë gjatë vitit 2012. Përveç këtyre bizhuterive nga Arabia Saudite, Klinton gjithashtu ka marrë dhuratë një shishe verë nga Algjeria, dy skulptura bronzi nga Singapori, një byzylyk, gjerdan, dhe vëthë nga Kazakistani, havjar dhe qilim prej leshi nga Azerbajxhani, konjak nga Rusia dhe stoli argjendi, safir dhe diamante me vlerë 58 mijë dollarë nga Burnei. Lista e dhuratave që kanë marrë zyrtarët është bërë publike nga Departamenti i Shtetit dhe dhënia e dhuratave është një traditë e gjatë e diplomacisë ndërkombëtare, ku të pasurit dhe të fuqishmit tregojnë vlerësimin për tjetrin duke shkëmbyer punime artistike të bizhuterive, pajisje elektronike apo dhurata të tjera.
Berisha, 298 milionë lekë për lobimin te të huajt
Raporti i kontrollit/ Qeveria dyfishoi buxhetin përpara zgjedhjeve. Nga 2.1 miliardë lekë të Ministrisë së Jashtme, shumica shkuan për mbështetjen diplomatike, punonjës, makina, udhëtime, qira ambientesh luis tanushi
Edhe pse në jo pak herë diplomacia shqiptare është treguar e heshtur në shumicën e rasteve, janë miliona lekë të cilat shkojnë për veprimtarinë diplomatike dhe atë konsullore. Në auditimin e brendshëm të Ministrisë së Jashtme, rezulton se një pjesë e mirë e fondeve janë përdorur për të paguar aderimin e vendit tonë në organizata të ndryshme, qofshin ato kulturore apo politike. Në total, shpenzimet e parashikuara për Ministrinë e Jashtme janë 2.195.268.000 lekë ose pothuajse dyfish më të larta se një vit më parë kur Shqipëria shpenzoi 1.18 miliardë lekë. Një fakt që bie në sy është se nga fondi total, pjesa dërrmuese e tij është parashikuar për t’u përdorur për mbështetje diplomatike jashtë shtetit. 1.797.573,000 lekë është fondi i posaçëm vetëm për këtë qëllim. Shqipëria ka hapur vitet e fundit seli diplomatike në shumë vende të botës, madje edhe atje ku shkëmbimet tregtare apo kulturore janë zero. Zyrat tona diplomatike në jo pak raste shihen si agjenci punësimi për të punësuar njerëz, veçanërisht tek ato seli që ndodhen brenda zonës së Bashkimit Europian që janë më të lakmuarat. Në raportin e siguruar nga “Shekulli”, pothuaj të gjithë zërat e shpenzimeve kanë pasur një rritje të fondeve, ku një pjesë e konsiderueshme ka shkuar vetëm për lobimin dhe përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në vendet europiane. Dyfishimi i fondeve nga qeveria për diplomacinë tonë në një vit elektoral, rrit ndjeshëm dyshimet se këto shuma të jenë përdorur për përmirësimin e imazhit të qeverisë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit. Gjatë kësaj kohe, kanë qenë të shumta konferencat dhe aktivitete e organizuara nga diplomacia shqiptare, në pjesën më të madhe të të cilave është reklamuar zhvillimi i Shqipërisë gjatë viteve të qeverisjes së Berishës.
Raporti
Vetëm për aktivitet diplomatike dhe shërbimin konsullor, nga 248.675,000 lekë të projektuara për të gjithë vitin, vetëm gjatë gjashtë mujorit të parë janë shpenzuar 116.694 000 lekë. Për më tepër, gjatë 6 mujorit të fundit, më tepër rëndësi diplomacia shqiptare i ka dhënë asaj që ajo e konsideron rritje të profilit në organizmat ndërkombëtare, se sa shërbimit konsullor. Shërbimi konsullor prek direkt mijëra emigrantë të cilët në jo pak raste kanë kritikuar si të ngadaltë dhe të korruptuar shërbimin tonë diplomatik. Për rritjen e profilit të Shqipërisë në OSBE janë shpenzuar 5 milionë lekë të reja vetëm për 6 muaj, ndërsa për rritjen e profilit në Këshillin e Europës 4.2 milionë lekë. Në total vetëm këto dy shërbime shkojnë 9.2 milionë për 6 mujorin e parë, ndërsa për ofrimin e shërbimeve konsullore pranë MPJ-së janë paguar 1.7 milionë dhe për përsosjen e shërbimit konsullor 3 milionë. Siç rezulton nga këto shifra, më shumë rëndësi i është dhënë imazhit të vendit gjatë 6 mujorit të parë të këtij viti që ka qëlluar edhe vit elektoral. Audituesit e brendshëm të Ministrisë së Jashtme kanë arritur në përfundimin se vetëm për 6 mujorin e parë të këtij viti, diplomacia shqiptare ka paguar për zhvillimin e dialogut politik 6.5 milionë lekë, për zbatimin e detyrimeve te MSA-së për çështjet e politikës së jashtme 3.5 milionë lekë. Vetëm për pjesëmarrjen aktive në NATO janë paguar 6.5 milionë lekë për 6 mujorin e parë , ndërsa lobime pranë strukturave komunitare dhe vendeve anëtare në total janë paguar 9.5 milionë lekë.
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi