Operacion masiv në lojrat e fatit
Tue 15 Oct 2013 - 12:50
Me urdhër të ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, 6 mijë forca policore kanë bllokuar në të gjithë vendin qindra pika të lojrave të fatit.
Një operacion i përbashkët policor i koduar “fundi i marrëzisë”, i nisur rreth orës 17 të pasdites së të hënës me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, si edhe me Drejtorinë e lojrave të fatit në Ministrinë e Financave, bllokoi një numer të madh pikash lojrash fati, të cilat nuk kanë shlyer detyrimet tatimore, ose janë të paliçencuara.
Numri më i madh i policëve u përqendrua në Tiranë, ku është dhe numri më i lartë i lokaleve të lojrave të fatit. Sipas të dhënave policore, në çdo qark të vendit ka patur bllokime të shumta të këtyre lojrave, sidomos në Durrës, Korçë dhe në Vlorë, ku ka edhe përqendrime më të shumta të këtij lloj aktiviteti të paligjshëm.
Burime të Ministrisë së Brendshme bënë të ditur se aksioni kishte disa ditë që po përpilohej, ndërsa u ekzekutua gjatë së hënës me një goditje të përqendruar tek të gjitha këto pika, për shkak edhe se mund të fshihnin makinat e lojrave.
Në analizat e fundit të bëra, mendohet se këto pika janë edhe një burim i madh krimesh, që kanë sjellë probleme të rënda për rendin dhe sigurinë publike.
Operacioni, që do të mbyllet në orët e vona të natës, mendohet që të pasohet me nisjen e proçedimeve penale për të gjithë të shoqëruarit, të cilët kanë shmangur detyrimet tatimore, apo ata që kanë punuar të paliçencuar. Sipas policisë, ajo do të kryejë kontrolle të shpeshta për të shmangur njëherë e mirë biznesin e paligjshëm.
Nga informacionet e fundit mësohet se vetë ministri Tahiri ka mbikëqyrur operacionin në Qytetin Studenti, duke marrë vendimin për shkarkimin e kreut të postës policore të kësaj zone, me motivin e mungesës së kryerjes së detyrës.
Tahiri: Qëllimi i aksionit, evidentimi i informalitetit
“Dëme financiare buxhetit të shtetit dhe familjeve shqiptare”
Për më shumë detaje lidhur me operacionin masiv të policisë, studioja e lajmeve në Top Channel ka pasur një lidhje telefonike me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, i cili është në terren duke ndjekur aksionin. Zoti Tahiri iu përgjigj pyetjeve të gazetarit Ilir Paço.
Paço: Zoti Tahiri, së pari, në ç’bazë nisi ky operacion masiv i efektivave të policisë dhe inspektorëve tatimorë në të 12 qarqet e vendit?
Tahiri: Nuk është diçka e re që lojrat e fatit janë kthyer në një bazë paligjshmërie, me dëme për buxhetin e familjeve shqiptare, si dhe në një çerdhe kriminaliteti. Kemi premtuar publikisht me kryeministrin Rama mbylljen e aktiviteteve të paligjshme. Jam krenar që sot mbyllëm këtë operacion. Është një aksion që nga njëra anë tregoi vullnetin e Policisë së Shtetit dhe nga ana tjetër pikat e dobëta. Deri tani janë bllokuar mbi 350 subjekte në gjithë Shqipërinë dhe aksioni do vijojë deri në pikën e fundit.
Paço: A ka të dhëna se këto subjekte janë lejuar që të veprojnë ilegalisht, duke bërër që të lulëzojë informaliteti?
Tahiri: Ky është qëllimi i operacionit, evidentimi i paligjshmërisë. Pas kësaj do zhvillohet një hetim për të zbuluar njerëzit që e kanë lejuar këtë biznes të paligjshëm në dëm të qytetarëve shqiptarë.
Paço: A është një operacion afektiv dhe a ka goditje selektive?
Tahiri: Nuk besoj që është e mundur të shpëtojë njeri nga ky operacion. Veç përmasave të operacionit, jam i kënaqur edhe për bashkërendimin e forcave të Policisë së Shtetit dhe kam shpresë se edhe publiku shqiptar do të përfshihet më shumë për ta goditur informalitetin. Ne do të implementojmë premtimet elektorale.
Paço: Ju po drejtoni operacionin, deri në këto momente a kemi shifra paraprake se sa është dëmi financiar i shkaktuar ndaj buxhetit të shtetit?
Tahiri: Nuk e kam këtë të dhënë sepse kjo kërkon një analizë të hollësishme. Tashmë jemi në fazat e para të raportimeve të aksionit, por do të kemi komunikim të vazhdueshëm për të bërë publike se çfarë ka ndodhur.
Lojrat e fatit s'paguajnë detyrimet
Më herët gjatë muajit, gjatë një kontrolli në Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojrave të Fatit, Ministria e Financave konstatoi moszbatim të ligjit në mbledhjen e detyrimeve financiare ndaj subjekteve që praktikojnë këtë aktivitet, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 256 milionë lekësh.
Detyrimet dhe gjobat e papaguara mbarten çdo vit, ndërkohë që subjektet rezultonin aktive dhe vijonin normalisht aktivitetin e tyre pa patur asnjë pengesë.
Po ashtu u zbulua se Njësia e Mbikëqyrjes së Lojrave të Fatit kishte lejuar aktivitetin e disa bizneseve në mënyrë të paligjshme, duke mos ekzekutuar konfiskimin e makinave elektronike që operojnë pa liçencë.
Bazuar mbi këto shkelje të veprës penale, por dhe shkelje të tjera administrative, Ministria e Financave bëri kallëzim penal për ish-drejtorin e përgjithshëm Besnik Çobaj dhe drejtorin e Drejtorisë Operacionale, Nikolin Gjeka, për shpërdorim detyre.
Për dy punonjës u mor masa administrative e largimit nga puna, ndërsa për dy të tjerë ajo e paralajmërimit për largim.
/Tch
- neonV.I.P Forumi
- Gjinia :
Shteti :
Mosha : 110
Postime : 417
Hobi : Te ze peshk me fill spanje
Anetaresuar : 21/08/2013
Re: Operacion masiv në lojrat e fatit
Tue 15 Oct 2013 - 15:27
Pergezime per kete aksion!
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi