Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

12 hapat gjigandë që transformuan njerëzimin Empty 12 hapat gjigandë që transformuan njerëzimin

Mon 12 May 2014 - 1:14
12 hapat gjigandë që transformuan njerëzimin Bota-630x325
Cilat janë disa prej momenteve më të rëndësishëm në historinë e njerëzimit që mund të klasifikohen si hapa gjigandë dhe transformues, të ngjashëm për nga rëndësia me zbritjen në Hënë, të cilën Armstrong e përcaktoi aq mirë, si një hap gjigand për njerëzimin. Rrëfimi i 12 historianëve

Mishngrënia – ndoshta Afrikë, 2.5 milionë vjet më parë
Felipe Fernández-Armesto

Unë nuk besoj në progresin human, por nëse më vini një pistoletë në kokë dhe nëse më duhet të gjej diçka me avantazh evolucionar për njerëzit, do të thoja se mishngrënia e hershme e paraardhësve tanë hominidë kish një rëndësi të jashtëzakonshme. Nëse je njeri që ha mish, kjo të ofron mundësinë të përftosh yndyrna dhe proteina që nuk gjenden në formë kaq të përqëndruar në burime të tjerë ushqimi. Jo vetëm kaq, por ndonëse mishngrënësit e parë hominidë kanë qenë pothuajse me siguri konsumuesh kërmash, parë në terma afatgjatë mishngrënia i çoi ata në trajekstoren drejt gjuetisë.

Gjuetia stimulon tiparet e pritjes sepse duhet të kesh aftësinë të shohësh atë që nuk është aty, të shohësh çfarë ka prapa pemës apo prapa kodrës. Unë besoj se një nënprodukt aksidental i këtij tipari pritjeje është superdhuntia e njeriut: imagjinata. Eshtë imagjinata jonë që u ka dhënë mundësi njerëzve të ndryshojnë me shpejtësi më të madhe se sa speciet e tjera si dhe aftësinë për të formuar një seri kulturash të ndryshme. Tiparet e të kaluarës njerëzore që janë të ndryshme nga ato të së kaluarës së kafshëve, sepse janë të gjurmueshme në imagjinatën tonë, e cila gjurmohet në kohë deri tek pritja dhe në një mënyrë indirekte mund ta gjurmosh deri tek mishngrënia. Sot ka një konsensus të gjerë që mishngrënia ka nisur diku rreth 2.5 milion vjet më parë. Ne nuk e dimë përse ndodhi, por unë do të merrja si të mirëqenë se ka qenë një pasojë evolucionare e mungesës sonë të avantazheve krahasuar me speciet e tjera. Në fakt ne jemi “kafshë” të projektuara shumë keq, sepse jemi të ngadaltë, na mungon zhdërvjelltësia, kemi vetëm një stomak, dhëmbë të dobët dhe s’kemi bisht. Ne jemi prapa në pothuajse gjithçka dhe prandaj kemi nevojë për tepri të instiktit të pritjes, më shumë se të gjithë krijesat e ngjashme me ne.

Mbërritja e politikës – Greqi, shekulli i shtatë para Krishtit
Paul Cartledge

Unë e marr “Politikën” në një kuptim shumë strikt, domethënë e marrë nga fjala greke polis që do të thotë “qytet”, “qytet-shtet”, apo “shtet qytetarësh”. Grekët e lashtë e krijuan idenë e qytetarit si dhe idenë e qytetarëve që bashkohen në bazë të një lloj barazie politike për të marrë vendime që u përkasin të gjithëve. Ne nuk dimë shumë se si kanë qenë politikanët, por ne dimë që, për shembull në qytetin e vogël të Drerosit në Kretë kishte një ansamble publike që miratonte vendime të detyrueshëm që në vitin 600 para Krishtit, kështu që atëherë politika duhet të ketë lulëzuar. Pa krijimin e këtij shteti qytetarësh si dhe politikës bashkë me procedurat që ajo parashikonte, demokracia do të ishte e pamendueshme. Ne e bëjmë politikën shumë ndryshe sot, më shumë në një mënyrë romake, por megjithatë vetë ideja e “politikes” – njerëz që bashkohen dhe marrin vendime, jo prej të drejtës hyjnore por sepse janë qyettarë – e ka origjinën tek grekët e lashtë.

Demokracia – Greqi, 507 para Krishtit
Peter Jones

Demokracia u krijua në vitin 507 para Krishtit nga një athinas i quajtur Klisteni. Gjatë 100 viteve të ardhshëm, në Athinë dhe në vende të tjerë të botës greke ai u zhvillua në një sistem radikal ku të gjithë qytetarët meshkuj nën 18 vjeç mund të merrnin vendime për drejtimin e shtetit të tyre.

Pasoja ishte që nuk kishte më politikanë. Edhe një figurë madhore politike athinase si Perikliu nuk kishte autoritet mbi ansamblenë popullore. Gjithçka që mund të bënte ai ishte që t’i bindte se këndvështrimi i tij mbi gjërat ishte i drejti, por nëse atyre nuk u pëlqente, mund ta refuzonin. Demokracia athinase është debatuar shumë, por mendoj se ka qenë e suksesshme. Ajo vazhdoi për 180 vjet deri kur u shkatërrua prej maqedonasve në 323 para Krishtit. Ndërkohë që është hedhur akuza se a qenë si sundim i turmës, unë mendoj se athinasit janë qeverisur në mënyrë të admirueshme. Unë besoj se njerëzit ishin plotësisht të aftë të merrnin vendime të ndjeshëm. Për të marrë një shembull, duke qenë se ishin njerëz që merrnin gjithë vendimet, ata mund të kishin votuar për vetveten që të përfitonin çanta meflori dhe pensione të përjetshëm – por nuk e bënë.

“Demokracia” moderne mund të gjurmohet deri në kohën e Athinës, megjithatë ajo ku jetojmë sot është një oligarki e zgjedhur ku ne zgjedhim 650 deputetë për të marrë vendime në emrin tonë. Nuk ka asgjë të gabuar me oligarkinë e zgjedhur në vetvete, por do të doja të mos quhej demokraci sepse mua më duket që eksperimenti athinas ishte aq shumë i spikatur, i fuqishëm dhe tërheqës krahasuar me versionin e mekur që kemi sot.

Gjeografia e Ptolemit – Perandoria Romake, viti 150
Jerry Brotton

Në vitin 150, Ptolemi po punonte në Librarinë e Aleksandrisë, një prej vendeve më të mëdhenj të mësimeve greke. Ai shkroi gjeografinë, ku përcaktohej disiplina e gjeografisë dhe hodhi parimet e hartave globale. Nuk kishte harta në libër, por Gjeografia ofronte një përshkrim gjeografik të botës si dhe një shpjegim se si duhej të vizatoheshin hartat. Ai u mundësoi studiuesve që të bënin hartën e botës, për herë të parë në histori. Fillimisht libri nuk tërhoqi shumë. Ishte fundi i kohës Helenike dhe fillimi i momentit kristian dhe Krishtërimi nuk kishte interes në nocionin disi abstrakt matematik gjeometrik, se si mund të hidhje botën në një hartë. Ishin arabët që e morën Ptolemin, që të vazhdonte të trashëgohej në vende si Bagdadi, deri kur u rishfaq në Itali në shekullin 14. Gjeografët e Rilindjes prodhuan botime të reja të gjeografisë dhe përdorën parimet e Ptolemit në përpjekjet për të bërë hartën e botës në zgjerim. Ai u përdor edhe nga Kristofor Kolombi dhe disa eksploratorë portugezë që lundronin drejt Lindjes, si Vasko de Gama. Ptolemi njihet si babai i Gjeografisë dhe për 1500 vite gjithçka vërtitej rreth tij. Edhe harta moderne bazohet në projektimet që ofroi Ptolemi. Në një farë kuptimi, Ptolemi ishte një lloj Google klasik. Google të jep mjetet të bësh harta si të duash – të shohësh shtëpinë tënde, apo Uashingtonin, apo Korenë. Në një farë kuptimi, pikërisht këtë bëri Ptolemi. Ai ofroi mjetet për të kuptuar pozicionin që njeriu ka në botë, dhe prandaj për mua ka qenë kaq jetëgjatë.

“Doctrinale” e Alexandit të Villedieu – France, 1199
Robert D. Black

Përgjatë gjithë Mesjetës dhe deri në periudhën moderne, shkrimi e këndimi ishte i lidhur ngushtë me latinishten. Megjithatë, deri në fundin e shekullit 12, metodat e mësimit të latinishtes ishin jashtëzakonisht shumë të gjata dhe të vjetëruara, bazuar në një sistem në të cilin nxënësit lexonin dhe memorizonin tekste latinë për vite të tërë. Ishte një skemë që i shkonte shumë për shtat elitës klerike. Më pas erdhi Aleksandri i Villedieu, një gramaticien francez, që kish qenë mësuesi privat i nipërve të një peshkopi në jug të Francës. Ai hartoi një metodë të shpejtë të mësimit të latinishtes duke përdorur rregulla të thjeshtë dhe të shkruar në vargje, me qëllim që nxënësit ta memorizonin më me lehtësi. Kur peshkopi pyeti nipërit e tij se si po shkonin në mësimin e latinishtes, ata i cituan disa vargje që u kish mësuar mësuesi. Peshkopi mendoi që ishte një ide shumë e mirë dhe e nxiti Aleksandrin të shkruante një gramatikë. Ai libër ishte “Doctrinale”, që u shndërrua në një prej bestsellerave më të mëdhenj të Mesjetës. Influenca dhe përdorimi i tij u përhap në të gjithë Europën dhe, në bazë të metodave të tilla të thjeshtësuara për mësimin e latinishtes, nisi një lëvizje masive alfabetizmi. Kjo mënyrë e re arsimimi ishte shumë më e shpejtë dhe u shkonte më shumë për shtat aspiratave, qëllimeve dhe nevojave profesionale të laicizmit. Kështu që, Doctrinale shënoi hapin e parë madhor në lëvizjen drejt arsimimit laik.

Magna Carta – Angli, 1215
David Carpenter

Magna Carta ka shënuar një pikë kthese në historinë britanike dhe botërore, sepse ishte hera e parë që një sundimtar i nënshtrohej formalisht ligjit. Ajo u shndërrua në një pengesë të madhe ndaj sundimit arbitrar dhe mbretërimit arbitrar dhe është pikërisht ky parim themelor që ka jehuar në shekuj. Magna Carta ishte shumë e rëndësishme në betejën e shekullit 17 të parlamentit kundër Karlit. Ajo ishte po kaq e rëndësishme për hartuesit e kushtetutës amerikane, dhe sigurisht që ka jehonë edhe sot e kësaj dite. Sfondi i kartës ishte një shoqëri që po bëhej gjithnjë e më e bashkuar, me një sens më të madh komuniteti. Kishte ide politike për sundimtarë që duhej t’i nënshtroheshin ligjit dhe që të qeverisnin në dobi të shoqërisë dhe jo vetvetes. Gjithë këto ide vinin përkundrejt një forme më të ndërfutur mbretërimi, që i merrte një sasi të madhe parash Anglisë nga njëra anë, por që i jepte shumë pak në drejtim të paqes dhe drejtësisë nga ana tjetër. Me Mbretin John erdhi atje ku nuk mban më. Ai kaloi shumë vite dhe shpenzoi shuma të mëdha në përpjekje për të rimarrë Normandinë, pasi kjo ishte humbur në 1204 – dhe kur dështoi për ta bërë këtë duke shpenzuar të gjithë thesarin, mbeti në fron si një patë e çalë. Ai ishte gjithashtu një vrasës dhe një feminist i pandreqshëm që shkaktonte frikë dhe urrejtje në cdo nivel personal. Kishte një shkallë të madhe armiqësie kundër tij, e cila nuk shpjegon në gjerësi problemet por ndihmon për të shpjeguar përse erdhi kulmi me rebelimin në 1215. Mund ta kuptosh sa e rëndësishnme ishte Magna Carta nga fakti që kur John u përpoq ta shfuqizojë marrëveshjen, menjëherë pas kësaj patiu një luftë të madhe civile. E vetmja mënyrë që qeveria e pakicës e djalit të Johnit mendoi se mund të fitojë këtë luftë pas vdekjes së tij në 1216 ishte të risillte ne fuqi aktin. Përgjatë gjithë shekullit 13 ai citohej në mënyrë konstante. Atëherë, ai u shndërrua në atë që ka mbetur deri sot: një gur themeli për sundimin e drejtë dhe të ligjshëm.



Galileo eksploron qiejt me teleskopin e tij – Itali, 1609
Colin Russell

Kur Galileo u bë i pari person që ktheu një teleskop nga qiejt, ai ndryshoi pikëpamjen tonë për universin. Ai zbuloi fakte të reja pë diellin, hënën dhe planetet, që ishin krejtësisht të papajtueshëm me teorinë e vjetër që qielli mbi tokë ishte i pandryshueshëm dhe i përsosur. Në vend të kësaj, ai mbështeti fuqimisht teorinë rivale heliocentrike të Kopernikut. Teleskopi i Galileos e nxiti atë që të shkruajë librin e tij shumë të diskutueshëm, “Dy Sisteme Botërorë” (1630) i cili më shumë se çdo gjë tjetër dha një dorë për vendosjen e Kopernikanizmit. Ai shkaktoi edhe gjyqin dhe dënimin e tij përpara kishës katolike romane. Sistemi i vjetër që Galileo e diskreditoi ishte adoptuar pothuajse pa u menduar fare nga Kisha dhe ndihmonte përshkrimin e saj të universit. Ai u shkonte shumë për shtat të dhënave biblike, kështu që për qindra vite mbeti versioni i pranuar. Megjithatë, shkrimet e shenjtë mund të jenë të pajtueshëm edhe me Kopernikanizmin. Galileo e pranoi këtë në një letër që shkruajti në vitin 1615. Por një provë shkencore e Kopernikanizmit u desh të presë deri në vitin 1838! Në gjyq, Galileo u shpall fajtor dhe u desh të vinte shekulli 20 që Vatikani më në fund të binte dakord me të.

William Harvey zbulon qarkullimin e gjakut – Angli, 1628
Allan Chapman

Qarkullimi i gjakut mund të tingëllojë si diçka që të gjithë ne e pranojmë, por në fakt ai nuk u zbulua para vitit 1628. Përpara këtij viti besohej se gjaku vinte nga ushqimi në mëlçi, më pas hynte në zemër ku ngrohej përpara se të shkonte në vena, dhe jo në arterie. Kjo është arsyeja përse Shekspiri dhe të tjerë flasin për “gjak që u përshkon venat” në vend të arterieve.

William Harvgey ishte mjeku i Jamesit I. Përmes një studimi të hollësishëm të kraharorit ai arriti në konkluzionin që zemra nuk e ngrohte gjakun, ajo e pomponte drejt arterieve. Ai e dinte nga Fabricius se venat kishin shkallëza, që Harvey kuptoi se ndihmonin gjakun të rikthehej në zemër, duke përfunduar kështu qarkun. Harvey punoi para se të shpikej mikroskopi dhe nuk dinte se si gjaku shkonte nga arteriet në vena, por ai bëri një hamendësim shumë të guximshëm që kjo ndodhte ndoshta nga enë aq të vogla, saqë ai nuk mund t’i shihte. Kishte të drejtë, dhe ne i quajmë këta kapilarë. Ishte një zbulim me rëndësi kolosale. Ka patur shumë përparime që atëherë, por unë do të thoja se zbulimi i qarkullimit ishte kaq i rëndësishëm sepse pa të, të tjerë nuk do të kish patur. Nuk mund të kryhej operacioni modern apo të kryhej një injeksion pa qarkullimin, dhe a mund të imagjinohet një zbulim mjekësor modern pa patur dijeninë që gjaku pompohet prej zemrës? Teoria e Harveyt u botua në vitin 1628 në një libër të quajtur “Mbi lëvizjen e zemrës dhe gjakut” dhe mund të mendohet se pas kësaj, atij i janë dyndur pacientët. Megjithatë, kjo për pak sa nuk i shkatërroi karrierën si doktor. Në ato kohë, doktorët ishin shumë konservatorë dhe nuk bënin shpikje – këto bëheshin vetëm nga mashtruesit. Mendohej se doktorët e mirë e zbatonin mjekësinë dhe diagnostikonin në pajtim me mësimet e të lashtëve. Kështu që, zbulimi më i madh mjekësor i shkaktoi një telash të madh financiar zbuluesit!

Themelimi i Shoqërisë Mbretërore – Angli, 1660
Patricia Fara

Kur Mbreti Karli II erdhi sërish në pushtet, një grup njerëzish që kishin punuar në Oksford u rikthyen në Londër dhe vendosën të krijojnë një shoqëri për të kryer kërkime eksperimentale. Ishte e para shoqëri kombëtare shkencore që u krijua në Europë. Ndonëse ishte më shumë si një klub xhentëlmenësh, ajo lejoi njerëzit të mblidheshin për të kryer eksperimente, të bënin kërkime, të shpërndanin teori të reja dhe të grumbullonin të dhëna. Brenda pak viteve pati një shoqëri të ngjashme në Paris, dhe shumë shpejt ato nisën të përhapen në të gjithë Europën. Organizatat që i përkushtohen kërkimeve shkencore janë shumë të rëndësishme dhe unë mendoj se historianët duhet të shkruajnë më shumë se si arrihet shkenca, dhe jo thjeshtë për arritjet më të mëdha. Ka patur shumë histori shkence për heronj si Newtoni apo Darwini, dhe jo aq sa duhet për institucionet. Për mua, pyetja e madhe është se si shkenca është bërë kaq shumë integrale me shoqërinë e sotme: unë besoj se Shoqëria Mbretërore ka qenë themeli isntitucional që bëri të mundur shkencën moderne.

Zbulimi i shumë të voglës – Europe, shekulli 17
Jim Bennett

Eshtë një ide kaq themelore e shkencës moderne fakti që ne shpjegojmë veçoritë e gjërave duke shkuar nën aparencën sipërfaqësore, në mikro-botë. Por, ashtu si çdo gjë që e marrim për të mirëqenë, është arritur gjatë historise. Mikroskopi njihej që nga dekadat e hershme të shekullit 17. Në fillim ishte vetëm një lodër që mund të shkoje e ta blije në Pazar. Nuk të thoshte asgjë për botën natyrore sepose, ndonëse mund të shihje gjërat e vogla, askush që ishte i interesuar në shpjegimin e botës nuk thoshte që çdo gjë varej prej tyre. Megjithatë, mikroskopi ishte teknologjia që bëri njerëzit të besojnë se kishte një rrugë drejt shumë të voglës. Nuk ishte më thjeshtë çështje spekulimi. Mund të merreshe me të në mënyrë empirike. Një mënyrë e re shpjegimi që pranonte një mikrorealitet të fshehur nisi në fund të shekullit dhe një prej eksponentëve parësorë ishte Robert Hooke, autor i Micrographia. Ai artikuloi shumë qartë se mikro-bota është pak a shumë si një orë me shumë susta dhe mekanizma. Ashtu si mund të hapim një orë, Hooke tha se mund të hapim edhe botën reale për të parë se si funksionon, dhe mjetet për ta bërë këtë do të ishin mikroskopët gjithjnë e më të fuqishëm. Shumë gjëra të tjera duhej të ndodhnin përpara se të mbërrinim aty ku jemi sot, në besimin tonë për të shpjeguar makron me anë të mikros, por unë mendoj se gjithçka nisi në shekullin 17.

11. Motorri me avull – Britani, shekulli 18

Jeremy Black

Ndryshe nga bomba atomike, në rastin e motorrit me avull nuk kishte një shpikje të vetme. Fillimisht ishte motorri i palëvizshëm me avull, ku personi më i rëndësishëm ishte Thomas Newcomen. Më pas, James Watt përmirësoi efiçencën dhe kapacitetin e tij për të prodhuar energji. Më vonë, motorri i palëvizsshëm me avull u transformua në lokomotivën. E beri George Stephensoni. Motorri me avull solli transformimin e njerëzve përtej pengesave ekzistuese të përdorimit të energjisë, që do të thoshte se shoqëria njerëzore mund të zhvillohej në gjithfarësoj mënyrash. Tani ne e dimë se pasojat afatgjata mjedisore të industrializimit kanë qenë të dëmshme, por nga ana tjetër, jeta do të kish qenë krejt ndryshe nëse do të kishim mbetur pa sistemet e prodhimit, energjisë dhe komunikimit. Pasojat afatgjata të motorrit me avull ishin gjithçka që ne kuptojmë me modernitet. Na dha mundësinë të përshpejtojmë ekzistencën dhe kapërcejmë pengesat që hasin të gjithë speciet e tjera. Për pjesën më të madhe të historisë, ne nuk kemi qenë shumë të ndryshëm nga pikëpamja organizative nga kafshët e tjera, që kanë gjuhën, aftësinë për të vepruar në grup dhe sistemet e hierarkisë. Ne kështu kemi qenë për pjesën më të madhe të historisë, por ne u zhvendosëm në një nivel krejt tjetër kur kishim gjithçka që nënkuptohet në fjalën modernitet. Ishte motorri me avull që e vuri këtë në lëvizje.

12. Raporti Montagu-Chelmsford – Perandoria Britanike, 1918

Peter Robb

Pas Luftës së Parë Botërore, kishte një ndjesi në Britani se duhej bërë diçka për të rikompensuar Indinë sa u përket përpjekjeve të saj për luftë. Në të njëjtën kohë, kishte një rritje të organizimit dhe acarimit politik në vend, dhe punët e qeverisë ishin zgjeruar aq shumë sa që autoriteteve kolonialë u duhej që të përfshinin më shumë indianë. Ishte kjo origjina e një raporti të shkruajtur nga Lordi Chelmsford, nënmbret i Indisë dhe Edvin Montagu, sekretar shteti i Indisë. Raporti thoshte se britanikët duhej të ndërmerrnin hapa vendimtarë drejt dhënies së lirisë së vetëqeverisjes për indianët. Ky ishte i pari pranim formal, të paktën prej britanikëve, që popujt joeuropianë mund të vetëqeveriseshin sipas një modeli modern qeverisjeje. Të gjithë diskutimet e mëvonshëm nuk ishin më nëse India duhej të qeverisej, por kur India do të vetëqeverisej. Shumica e britanikëve mendonin se do të ndodhte diku në 100 vitet e ardhshëm. Ata nuk e imagjinonin që mund të ndodhte në 1947, por pasi ishte hyrë në valle, tashmë qe e vështirë të dilej. Indianët nuk mendonin se po u ofrohej aq sa duhej, apo që oferta ishte e sinqertë; kështu që ata po organizoheshin, sidomos nën Gandin, duke krijuar një shembull për lëvizjet e ardhshme politike. Asgjë e tillë nuk ish bërë ndokund tjetër në 1918 dhe askush nuk kish pranuar se mund të bëhej. Atëherë, tendenca e të gjithë vendeve evropianë ishte të bënin sa më shumë koloni. Sigurisht që askush nuk hiqte dorë prej tyre. Mund t’u jepeshin disa të drejta, por askush me autoritet nuk mund të thoshte se ata do të vetëqeverieshin. Por, raporti Montagu-Chelmsford thoshte pikërisht këtë. Ishte një ndryshim i thellë psikologjik. Në një farë kuptimi, i gjithë dekolonizimi britanik vazhdoi që nga ai moment dhe nga ideja e tij që një shtet-komb i ri mund të krijohej nga joeuropianë, që disa njerëz mendonin se nuk ishin të aftë të vetëqeveriseshin. India ishte vendi më i madh nën dominimin europian, dhe kur u duk se po fitonte të drejtën e vetëqeverisjes, të gjithë të tjerët nisën të flasin për dekolonizim. Raporti i dha forcë pikëpamjes që perandoria ishte e paligjshme dhe që ishte e mundur të transferohej pushteti tek shtetet e rinj. Shembulli u kap në ajër edhe nga shtete të tjerë dhe vetë India ishte një forcë madhore në komitetin e dekolonizimit të Kombeve të Bashkuara.

/bota.al/
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi