Polakët, 300 euro për të zbuluar mrekullitë e Shqipërisë
Tue 1 Jul 2014 - 23:11
- Erdhën në Shqipëri të joshur nga çmimet ekonomike dhe bregdeti shqiptar, por kanë zbuluar se Shqipëria mund t’iu ofrojë më shumë se kaq
Dorjana Bezat
Teodor Morçinet dhe Valina Nazvisko janë dy miq polakë nga qyteti Katowice, të cilët kanë zgjedhur Shqipërinë si alternativë për të pushuar. Valina ka qenë më parë në Shqipëri dhe është rikthyer për të provuar edhe një herë ushqimet tradicionale shqiptare dhe për të marrë rreze pranë bregdetit shqiptar. Ndërsa miku i saj Teodori vjen për herë të parë në Shqipëri. Kontaktin e parë me vendin tonë e ka pasur nëpërmjet internetit ku ka parë foto nga bregdeti shqiptar. Kur e takuam ne ai kishte vetëm 3 orë që kishte mbërritur në Tiranë dhe ishte njohur me qendrën e saj. Megjithëse njihte vetëm pak nga Shqipëria ai dukej shumë entuziast. “Më pëlqen shumë klima e këtij vendi sepse është shumë e ngrohtë. Këtë ngrohtësi e përcjellin edhe njerëzit. Nuk kam parë në asnjë vend tjetër njerëz kaq të qeshur dhe të bukur”,- u shpreh ai për gazetën “Shekulli”. Grupin e turistëve e takuam në qendër të qytetit te sheshi “Skënderbej” ku të gjithë dëgjonin shoqëruesin e tyre, i cili po i shpjegonte godinat që ndodheshin përreth dhe rëndësinë e figurës së Skënderbeut për shqiptarët. Shoqëruesi ishte po ashtu polak dhe punonte për një agjenci turistike në qytetin Katowice. Ai nuk fliste asnjë fjalë shqip dhe për të bërë ciceronin përdorte gjuhën angleze. Kjo agjenci turistike sjell shpesh grupe turistësh prej 20 ose 30 vetash në Shqipëri. Turi turistik nis nga Tirana dhe vijon në bregdetin shqiptar për të përfunduar në Maqedoni. I gjithë ky udhëtim kushton 300 euro, por nuk përfshin pushimet për një kafe, vizitat nëpër muze apo shpenzime të tjera të kësaj natyre.
Tirana, qyteti ku bashkëjetojnë shumë arkitektura
Megjithëse kanë vetëm pak orë që gjenden në këtë qytet turistët polakë shprehen shumë të kënaqur nga ajo që kanë gjetur në Tiranë. “Për të ardhur këtu m’u desh të udhëtoj për 24 orë, por them se ja ka vlejtur”,- u shpreh Teodori. Vizitën e parë e ka bërë në Pallatin Presidencial dhe deri tani për Teodorin kjo është godina më e bukur që ka parë në Shqipëri. “Në Tiranë më pëlqen pothuajse gjithçka dhe habitem se si mund të ketë kaq shumë gjëra të ndryshme brenda një hapësire kaq të vogël. Kam vizituar Urën e Tabakëve e cila ofronte një arkitekturë të veçantë historike dhe shumë ngjitur saj pashë të rinj që konsumonin kafe në një bar veror. Vizitova Varrin e Kapllan Pashës për të cilin mësova se është pjesë e një kompleksi monumental të xhamisë së Tiranës, e cila u shkatërrua gjatë Luftës së Dytë Botërore. Forma e tij oktagonale me një lartësi prej 4 metra m’u duk shumë interesante. Por, për habinë time në këmbët e këtij monumenti lartohej një ndërtesë shumë e lartë me arkitekturë moderne, e cila po ashtu ishte shumë e bukur”,- u shpreh turisti polak Teodor Morçineti. Një aspekt tjetër pozitiv që shprehën turistët në lidhje me Tiranën ishte se ajo ofronte shumë për të parë për turistët në një shëtitje të shkurtër rreth qendrës së saj. Ata vizituan Mozaikun e Tiranës dhe kuptuan lashtësinë e këtij qyteti dhe udhëtuan në kohë duke vizituar gjurmët e Kalasë së Tiranës. Interesante për ta u dukën edhe objektet e kultit si Xhamia e Haxhi Et’hem Beut e cila është e vetmja ndër tetë xhamitë e shekullit XVIII-XIX të ndërtuara në Tiranë që e shohim ende sot. Sipas mbishkrimit që përmban vetë xhamia, themelet e faltores i vuri Mulla Beu në vitin 1794-1795. Të gjitha këto detaje të thëna nga cicëroni ata i mbanin shënim në një bllok të vogël. Turistëve polakë u pëlqeu arkitektura e mrekullueshme e xhamisë e zbukuruar me piktura murale a secco në interier dhe eksterier sipas traditës orientale, e cila ruhej në gjendje të mirë edhe tani. Aparati fotografik i turistëve u fokusua edhe te Kulla e Sahatit dhe shumë prej tyre tentonin të dinin më tepër për të pasi sipas tyre ishte fakt i rrallë që një kullë e tillë të qëndronte kaq afër një xhamie. Ata vizituan edhe Kishën Ortodokse dhe atë të Shën Palit. Megjithëse ato kishin një arkitekturë moderne që nuk ishte shumë ndryshe nga kishat e vendit të tyre ata përsëri treguan kureshtje për të gjetur elementë shqiptarë në këto objekte kulti. Interesante për ta ishte edhe arkitektura e ndërtesës së Bashkisë së Tiranës dhe ministrive përreth. Pasi të vizitonin edhe muzeun, në mbrëmje grupi i turistëve do i drejtohej Durrësit nga ku do të niste udhëtimi drejt bregdetit shqiptar.
Arkitektura komuniste
Turistët polakë, por jo vetëm kanë treguar kureshtje për arkitekturën komuniste, e cila ndodhet në Tiranë. Muzeu Arkeologjik i Tiranës, Muzeu Historik Kombëtar, Pallati i Kongreseve, Galeria e Arteve, Piramida dhe Monumenti Nënë Shqipëri janë parë si modele për të kuptuar arkitekturën komuniste në Shqipëri dhe stilin e asaj periudhe. Këto vepra kanë rëndësi arkitektonike pasi dëshmojnë psikologjinë e një kohe dhe luajnë një rol të veçantë në formimin urbanistik të kryeqytetit shqiptar. Ish - vila e Enver Hoxhës ngjall kureshtje të madhe te turistët për të kuptuar jetën e një diktatori. Shumë prej tyre zgjasin duart nëpër kangjellat me bimësi të harlisur për të shkrepur ndonjë foto nga ndërtesa e rëndë prej betoni e veshur me pllaka të bardha guri pasi e kanë të pamundur për ta vizituar nga afër. Kjo godinë prej vitesh qëndron e mbyllur dhe e pavizitueshme nga askush.
Shqipëria, një vend i paeksploruar nga turistët
Numri i turistëve në Shqipëri është rritur me kalimin e viteve. Promovimi i saj në disa media botërore apo çmimet më ekonomike që ofron kanë bërë që shumë vizitorë të huaj ta zgjedhin si destinacion për të kaluar pushimet. Shpesh Shqipëria përmendet vetëm për bregdetin e saj duke lënë në hije kështu shumë elementë të tjerë të cilët mund të jenë interesantë për turistët e huaj. Çifti polak, i cili ndodhej në Tiranë shprehu habinë për ato që gjeti në këtë qytet. “Ne u nisëm vetëm për të pushuar në bregdetin shqiptar, por nuk e dinim që këtu mund të shihnim kala, xhami dhe ura kaq të vjetra”,- u shprehën ata. Valina tregon se do të rikthehet në Shqipëri sa herë që të ketë mundësi pasi është mrekulluar nga kuzhina shqiptare. “Ju gatuani me shumë ngjyra dhe me shumë aroma prandaj unë e dashuroj ushqimin shqiptar”, - u shpreh ajo për gazetën “Shekulli”.
Shqipëria shfaqet në sytë e turistëve të huaj si vendi i njerëzve miqësorë me një kulturë të pasur dhe me popullsi në një moshë mesatare mjaft të re, e cila është e aftë t’u dhurojë vizitorëve të saj emocion pozitiv dhe shumë energji. Me një natyrë të mrekullueshme, e cila në një pjesë të madhe është ende e paprekur Shqipëria mund të bëhet një destinacion për shumë të huaj të cilët duan të eksplorojnë vende të pa njohura. Duke mos u fokusuar vetëm te bregdeti Shqipëria mund t’i bëjë më shumë publicitet turizmit liqenor dhe malor. Me një histori të trazuar e intensitet të lartë zhvillimesh, brenda një territori të vogël ajo ofron një arkitekturë të larmishme dhe shumë interesante për të huajt. Brenda një qyteti ata mund të gjejnë objekte kulti të disa feve të ndryshme si teqe, xhami dhe kisha. Burimet natyrore që vendi ynë ofron për vizitorët në traditën, mikpritjen, historinë, harmoninë fetare, kulinarinë, karakterin, kulturën,vlerat shpirtërore të shqiptarëve mund të jenë një shtysë më shumë për gjithë ata që duan të njohin një kulturë dhe një vend si Shqipëria. Turizmi është vlerësuar nga Qeveria si një ndër sektorët me më shumë ndikim në zhvillimin e pritshëm, cilësor dhe sasior të ekonomisë shqiptare, për periudhën 4-vjeçare. Prandaj edhe slogani i ri i imazhit turistik të Shqipërisë është "Go your own way” (Ndiq rrugën tënde).
- Luan_ValikardiKomplet
- Gjinia :
Shteti :
Mosha : 39
Postime : 21456
Anetaresuar : 28/08/2010
Re: Polakët, 300 euro për të zbuluar mrekullitë e Shqipërisë
Wed 2 Jul 2014 - 15:08
Ju lumte polake per vleresimin tuaj se: -Duhen 300 europa per te zbuluar mbrekullite e Shqiperise.
Luan_Valikardi
(E.J.K)
Luan_Valikardi
(E.J.K)
- Evropa, 2 miliard euro per te "zbuluar" Jupiterin
- Varri 2500-vjeçar i zbuluar në Korçë, profetik për formën e sotme të hartës së Shqipërisë!
- KE, Fyle: I japim 81 mln euro Shqipërisë, për të përmbushur reformat
- Kursi i këmbimit, Banka e Shqipërisë: Euro arriti në 142 lekë të reja
- Pasuri të patundshme blejnë grekët ,spanjollët,polakët në Gjermani
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi