Si u festua Dita e Ujit të Bekuar në Shqipëri
Tue 6 Jan 2015 - 23:07
Besimtarët ortodoksë në të gjithë Shqipërinë kanë festuar sot Ditën e Ujit të Bekuar, e njohur ndryshe si “Theofania”.
Kjo festë kremtohet duke hedhur kryqin në ujëra të rrjedhshëm, kryesisht në lumenj apo liqene. Por ndryshe nga vjet, sivjet kjo ditë është kaluar mes temperaturave të ulëta në të gjithë vendin.
Festa e ujit të bekuar personifikon pagëzimin e Jezu Krishtit në ujërat e lumit Jordan, nga Gjon Pagëzor.
Në Pogradec, temperaturat e ulëta që çuan në ngrirjen e dallgëve rreth urës së liqenit të Ohrit, nuk i kanë penguar të rinjtë që të zhyten në liqen.
Ndërkohë në qytetin e Fierit dhe të Elbasanit ceremonia e hedhjes së kryqit në ujë është bërë në një shatërvan dhe në pishinë!
Qyteti i Durrësit ka hapur dyert për besimtarët ortodoksë në ditën e ujit të bekuar, në kalatën 5-të të portit të Durrësit. Kryqi u gjend në det nga 22-vjeçari Edion Gjoni nga Lushnja, nxënës i shkollës teologjike në Shënvlash të Durrësit.
Në Vlorë, ceremonia e hedhjes së kryqit në det nisi me meshën e mbajtur në kishën e Shën Todrit nga At Konstandin Prifti, ku besimtarët ortodoksë i uran njëri tjetrit paqe dhe harmoni në familje. Më pas besimtarët u zhvendosën në zonën e ujit të ftohtë ku u be edhe hedhja e kryqit në det. I vetmi që u hodh në det për të marrë kryqin duke sfiduar temperaturat e ulëta ishte, Vangjel Ndine.
Në Fier ka qenë nj 11-vjeçar që e ka kapur kryqin duke e nxjerrë nga uji. Athanas Davidhi i dorëzoi kryqin At Ilia Bites.
34-vjeçari Llukan Todri është bërë shpëtimtari i kryqit të hedhur nga At Nikollaj në qytetin e Gjirokastrës. Ndërsa ka uruar besimtarët për festën 34-vjeçari Todri ka drejtuar një urim të veçantë sirianët që vuajnë nga lufta.
Kisha ortodokse autoqefale Shën Mëria në Elbasan ka kryer ritin e hedhjes se kryqit në pishinë. Ndryshe nga kisha ortodokse në kishën autoqefale nuk ka peshkues të kryqit, por vetëm bekim të ujit.
Savo Theodhori 17 vjeç nxori kryqin nga ujërat e Jonit gjatë ceremonisë fetare në Sarandë. Shumë banorë në qytetin e Sarandës dhe fshatrat përreth u bene pjesë e ceremonisë së përvitshme, tanimë, e cila organizohet çdo datë 6 janar.
/Shekulli Online/E.H./
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi