Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Aurela Gaçe: Nuk më tremb konkurrenca, ëndërroj Eurovizionin Empty Aurela Gaçe: Nuk më tremb konkurrenca, ëndërroj Eurovizionin

Sun 30 Jan 2011 - 1:42
Melodia e krijuar nga kompozitori Shpëtim Saraçi e ka bindur që të jetë pjesë e Festivalit në RTSh.Por megjithatë këngëtarja e mirënjohur Aurela Gaçe nuk e mohon se përveç këngës, dëshira për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion është një emocion i madh, që e bëri të rikthehet në këtë skenë pas 9 vitesh mungesë.Ndërsa kete jave, Gaçen do ta shohim në skenë, sot le të zbulojmë disa kuriozitete rreth pjesëmarrjes së saj dhe këngës konkurruese “Kënga ime”!Nga Ilda Lumani
Aurela, riktheheni pas 9 vitesh në Festivalin në RTSH, çfarë emocionesh përjetoni?Më duket sikur është për herë të parë. Domethënë kam të njëjtin emocion, ka filluar pagjumësia, ka filluar ankthi… Është një emocion që rikthehet në të njëjtën mënyrë, siç e kam provuar për herë të parë kur kam dalë në skenë.Por tashmë vini me një eksperiencë dhe çmime të para në këtë Festival?Në çdo këngë që këndoj, për mua është një herë e parë. Nuk ka rëndësia për mua emocioni në skenë, sesa eksperiencë kam. Njerëzit mendojnë se duke qenë se ke dalë shumë herë në ekran, emocionet ikin. Përkundrazi ngaqë njerëzit presin më shumë nga ty tani, emocioni është edhe më i madh se ti nuk do t’i zhgënjesh. Kur kam dalë herët e para, njerëzit nuk më njihnin kush isha unë, kurse sot ngaqë njerëzit presin nga unë më shumë, kjo më vë edhe më shumë në siklet dhe më vë përballë një përgjegjësie…
Ju frikëson kjo?
Më frikëson! Dhe ndoshta ndonjëherë ai emocion i tepërt të krijon një ngërç që nuk është mirë nga ana psikologjike.
Cili është motivi që ju bëri të merrnit pjesë?
Sigurisht që është një kohë e gjatë, 9 vjet nuk janë pak. Gjithmonë i thosha vetes, jo nuk do të marr pjesë. Ndoshta nga kjo frika që thashë më sipër, pastaj fiton nuk fiton, të thyhet diçka brenda vetes dhe kisha një frikë për të marrë pjesë. Por Shpëtim Saraçi mu afrua me një këmbëngulje, me fjalë në fillim dhe unë e vura në provë në fillim. OK, i thashë, meqë po këmbëngul kaq shumë më trego diçka, se vetëm me fjalë në tavolinë nuk zgjidhet gjë. Kaloi një javë nga biseda dhe më tregoi një motiv që e vërteta është se menjëherë më ndriti syri, sa e dëgjova më shkëlqeu diçka brenda vetes. Dhe nuk doja t’ia tregoja atij, ta lexonte këtë emocion që kisha brenda vetes, dhe vazhdoja t’i thosha jo. Të nesërmen, duhet të ishin dhënë emrat në televizion, nuk kishte më kohë, ishte dita e fundit e bërjes së listës, deri në momentin e fundit i kam thënë jo, por motivi më rrinte në kokë. U zgjova nga gjumi me atë motiv. Merrja shoqet në telefon dhe ua këndoja. Dhe thashë që kjo është një shenjë. Dhe unë i besoj intuitës, instiktit tim më shumë se çdo gjë. I thashë Shpëtimit më lër ta fus këngën në albumin tim, por ai më tha jo, ose e këndon në festival ose për album nuk ta jap. Atëherë thashë mirë, atëherë edhe nëse nuk dal aq shkëlqyeshëm, thashë, çfarë do të ndodhë, çudia më e madhe 3 ditë zgjat. Kështu vendosa. U largova 2 javë për në SHBA, për koncertet e radhës që kisha atje dhe kur u ktheva, kënga kishte përfunduar! Si për çudi dhe teksti më pëlqeu. Sokol Marsi kishte bërë një gjetje të veçantë. Unë jam e vështirë në tekste, nuk më bindin, por ai kishte qëlluar me atë tekst dhe kënga më pëlqen. Tani pse kam hyrë unë? Sepse nuk doja të lija një këngë kaq të bukur të më ikte nga duart. Pastaj detyra ime si këngëtare në radhë të parë është të këndoj, të këndoj bukur, t’i jap publikut atë emocion që unë ndjej kur dëgjoj një këngë! Përderisa më ka falur zoti këtë ndjesi të thellë që kam për muzikën, e kam për detyrë t’ia fal publikut. Pastaj se çfarë ndodh, nuk e di.
Ju tremb konkurrenca?
Jo. Gara mua më vë në një përgjegjësi, por jo konkurrenca. Unë jam e hapur, pranoj që gjithsecili ka të veçantën e vet. Këtë e kam provuar prej shumë kohësh, që unë kam këtë që kam dhe dikush tjetër ka diçka që unë nuk e kam.
Qarkullojnë zëra se Alban Skënderaj do të fitojë çmimin. Ju shqetëson kjo gjë?
E kam dëgjuar, por nuk dua të merrem me fjalë. Fakti që unë jam futur ndoshta edhe njerëzit fillojnë e flasin për mua. Domethënë që ka një emër, thonë që futet me pretendim dhe, edhe njëherë dua të them që gjithsecili ka të veçantën e vet, sjell atë që sjell në skenë, atë emocion që ka Albani ose dikush tjetër, unë nuk e kam, por edhe dikush tjetër nuk ka atë që unë kam. Kështu që në garë futemi gjithsecili me ato që i ka falur zoti dhe nuk më tremb konkurrenca dhe i jap dorën fituesit, gjithmonë nëse e meriton!
Sa e ëndërron Eurovizionin?
Të them të vërtetën nuk e kam ëndërruar. Ndoshta m’u thye njëherë zemra në 2001-shin, kur unë fitova me këngën “Jetoj” të Ardian Hilës dhe tekst të Jorgo Papingjit, dhe u tha në atë kohë në Festival që kënga fituese do të shkojë në Eurovizion dhe i binte që unë të isha këngëtarja e parë që do të hapja siparin e këngëtarëve shqiptarë që do të merrnin pjesë në atë kompeticion. Ndoshta, ngaqë mu thye zemra në atë vit, nuk u interesova më për të. OK, thashë si të jetë e shkruar, por këto dy vitet e fundit duket ndonjëherë sikur koha ikën dhe thashë ndoshta është bukur ta provosh atë emocion, të përballesh me të tjerët. Por duhet thënë dhe kjo, që ne jemi një shtet jo me shumë fuqi, ne tani kemi filluar të njihemi dhe të bëhemi miq me shtetet e tjera dhe vota në Eurovizion varet sa miqësi ke me vendet e tjera, nuk varet se çfarë do të fitosh atje, unë më tepër e kam tek emocioni që ndjen. Unë jetoj për emocione, i krijoj edhe nëse nuk janë përditë dua ta jetoj jetën me një emocion, sado të vogël, dhe të shkosh në eurovizion do të thotë të provosh një emocion. Dhe dua ta provoj, nuk e fsheh këtë gjë. Në karrierën time dua të kem edhe një emocion të tillë.
Ndërkohë, përsa i përket albumit, keni përgatitur edhe klipin e radhës?
Unë jam shumë entuziaste për klipin që po vjen sepse do të jetë komplet ndryshe nga sa kam nxjerrë deri më tani.
Edhe nga “Origjinale”?
Po po. Është ndryshe. “Origjinale” ka komplet tjetër fytyrë dhe kjo këngë që do të dalë ka komplet fytyrë tjetër. Ndoshta duhet të bëjmë një intervistë tjetër për të ( qesh). Unë dua që së pari të dal mirë në festival, jo thjesht me rezultatin, por me paraqitjen time dhe pastaj do të dalë klipi, shpresoj që publiku ta pëlqejë.
Së fundi, Aurela keni prezantuar në internet edhe sitin tuaj të ri. Përse një sit i ri?
Unë besoj dhe luftoj që nëse unë ndryshoj diçka në një vit, sigurisht që edhe ajo që unë paraqes në publik, qoftë në website, qoftë në facebook, kudo ku ka lidhje me publikun. Patjetër që t’i duhet t’i sjellësh publikut një risi, pa ndryshuar veten tënde thelbi është po ai, por në qoftë se ti nuk i ofron publikut atë që ndjen për momentin ikën momenti. Unë kështu ndihem në këtë moment dhe dua ta shpërfaq. Sigurisht që çdo gjë do kohë do pak mend, do edhe pak para, por unë jam e gatshme të investoj në veten time sepse kjo është jeta ime dhe nuk dua që të qëndroj me mënyrat primitive. Përderisa jetojmë në një kohë kur interneti është një fuqi shumë e madhe, sigurisht që unë dua të investoj në të dhe jo vetëm në shfaqjen time në një televizion. Unë e di fuqinë e internetit si të gjithë dhe besoj se paraqitja në publik e ka të domosdoshme të jetë korrekte dhe ashtu siç jam unë në këtë moment!
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi