Historia e Mirës, nga gomonia te diplomimi si infermiere
Fri 25 Mar 2011 - 19:30
Zbarkoinë Itali mbi një gomone të vogël, pasi kapërceu gjatë natës Adriatikun,ndërkohë që ishte në pritje për të lindur fëmijën e saj të dytë, Cristian, megjithëse ishte vetëm 24-vjeçare. Ishte viti 1995. Nisja e eksodit të madh nga Shqipëria, e ndikuar nga pasojat e ardhura si\rrjedhojë e rrëzimit të regjimit dhe të komunizmit, regjistrohej vetëm pak vite më përpara. Sot, Mira Gjoni Alickolli është një zonjë e bukur dhe simpatike 40-vjeçare, e martuar me Besnikun e saj. E më në fund ka siguruar të shumëkërkuarën nënshtetësi italiane. Punon në “Ausl” të Riminit, si infermiere e specializuar. “Por atë kapërcim të detit me gomone, bashkë me burrin dhe 30 persona të tjerë, të gjithë të ngushtuar, nga Vlora në Otranto, e kam ende të ngulitur në sy e mendje – rrëfen Mira -. Unë kisha frikë nga deti, pasi s’dija të notoja. ‘S’nisem as e vdekur’ i thoja tim shoqi. Ai, për të më bindur, më tha se do të niseshim me anije”. Por ja që në plazhin e Vlorës zbarkon një gomone. Mira pyet të shoqin: ‘Po ajo ç’është?’. Përgjigjia e tij: 'Do të na dërgojnë me atë deri tek anija, sepse nuk mund të vinte kaq afër plazhit..'. Ja pra kur një gënjeshtër të ndryshon jetën. Pas disa orëve lundrim, udhëtimi kushtoi 500 mijë lireta në atë kohë për çiftin, që ia dorëzoi paratë skafistëve. Mira vazhdonte të pyeste se ku ishte anija e bekuar, por tashmë bregu italian ishte shumë afër. E bashkë me bregun, edhe një jetë e re, plot me engima, por edhe me potencial e premtime. “Tre vitet e para i kaluam në një qytezë në provincën e Brindisit dhe ishin shumë të vështira – tregon -. Ndonëse pak italisht e flisja dhe e shkruaja, faktikisht s’ndihesha mirë. Endërroja punën time në Shqipëri. Isha e vendosur të kthehesha në shtëpi. U kisha lënë prindërve të mi fëmijën e parë, Anxhela, e cila ishte vetëm 2 vjeç e gjysmë. Nuk arrija aspak të ambientohesha. ‘Ç’dua unë këtu’, i thosha vetes. Në Shqipëri, në spitalin e Tiranës, kisha marrë diplomat universitare për obstetrike dhe infermiere të specializuar. Por në Itali, titulli i obstetrikes nuk njihej”. Si përfundim, Mira qëndroi, gjeti forcën për të jetuar në një botë të panjohur. “E tani nuk pendohem – vazhdon -. Kthesa erdhi kur, përmes disa miqve të burrit tim, erdhëm në veri të Italisë, në Bellaria Igea Marina. Verën e parë punova si kameriere në një hotel. Pastaj gjeta punë si infermiere në një azil pleqsh, ku punova për 5 vjet e gjysmë. Më pas kërkova të rinisja studimet. Mora një diplomë 3-vjeçare, në filialin e Riminit të Universitetit të Bolonjës. Ndoqa studimet për diplomimin në Shkenca infermieristike. Dhe në fund, 21 prilli i kaluar, për mua ishte një datë historike, sepse pasi fitova një konkurs publik në "Ausl" të Rimini, hyra të punoja si infermiere”. Sot Mira, profesioniste e vlerësuar, punon në spitalin "Infermi" të Riminit. Dhe vazhdon të banojë në Bellaria, me burrin dhe dy fëmijët, tashmë më shumë se adoleshentë. I shoqi, Besniku, punon si punëtor i specializuar në një nga filialet e ndërmarrjes Scm të Riminit.
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi