Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Luan_Valikardi
Luan_Valikardi
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 39
<b>Postime</b> Postime : 21456
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 28/08/2010

Zbulohet portreti autentik i Gjergj Kastriotit Empty Zbulohet portreti autentik i Gjergj Kastriotit

Sat 16 Apr 2011 - 0:53
Në Venedik ndodhen tre medalje të shekullit XV me portretin e Skënderbeut. Të tria janë realizuar në shek. XV, midis viteve 1450-1475!


Zgjidhet enigma e portretit autentik të Skënderbeut


Ferid Hudhri

Prej kohësh shqiptarët (gjithashtu edhe të huajt) kanë qenë të interesuar të dinë nëse është pikturuar Skënderbeu në gjallje të tij. Mungesa e një përshkrimi të saktë të tipareve të heroit prej bashkëkohësve që e kanë njohur për së gjalli, përshkrim që do të na ndihmonte për të verifikuar origjinalitetin e gravurave, na e ngjall më shumë kërshërinë për të ditur se ku janë mbështetur artistët në krijimin e figurës së Skënderbeut. A ka pozuar ai përpara ndonjë piktori apo a është realizuar ndonjë portret nga artistët bashkëkohës gjatë viteve që ai jetonte? Përsa i përket autorëve shqiptarë, artisti më i shquar në trajtimin e kësaj figure, skulptori Odhise Paskali pohonte se në atë kohë Shqipërisë i mungonte artisti që paralel me historinë e Barletit, të na kishte lënë në trashëgim të çmuar veprën e artit, që të na jepte idenë e Skënderbeut të vërtetë... Vendi i artistit shqiptar ishte fusha e betejës. Kurrkush nuk la shpatën as për të gdhendur në shkëmb qoftë edhe vetëm një nga pupuratë e mrekullueshme, as syrin shqiponjë, as krahun çelik të heroit vigan e kurdoherë fitimtarë. (O. Paskali, Konferenca e dytë e studimeve albanologjike, vëll.I, f.550. Tiranë, 1969).
Megjithëse nuk na duket shumë bindëse arsyeja përse nuk u realizua një portret i tillë, është fakt që deri tani në Shqipëri nuk njohim asnjë vepër arti të krijuar gjatë viteve që jetonte Skënderbeu. Ndoshta në ndonjë nga ndërtesat që lidheshin me heroin mund të kenë ekzistuar edhe portrete të tij, të pikturuara gjatë kohës që ishte gjallë, por me shkatërrimin gjatë luftrave, janë zhdukur edhe gjurmët e pikturimeve në afreske apo të ndonjë tabloje.
Për veprat e realizuar nga autorët e huaj gjithashtu është ngritur e njëjta pyetje: a ekziston një portret autentik i Skënderbeut? Faik Konica e shprehu për herë të parë edhe në shtyp këtë shqetësim në revistën e tij Albania që në vitin 1901, dhe ky diskutim mbetet për shumë kohë i hapur pasi nuk u gjend një përgjigje e saktë rreth realizimit të një portreti origjinal. Mjeshtri i letrave shqipe e ngriti këtë pyetje sapo u njoh me dy nga tablotë e hershme të Skënderbeut që ndodheshin në koleksionin e arkidukës Ferdinand i Tirolit. Sipas autorit austriak të artikullit të Vjetarit të koleksionit të Shtëpisë Perandorake të Vienës, Friedrich Kenner, Konica mësoi se në vitin 1466 artisti i njohur italian Xhentile Belini (Gentile Bellini 1429-1507), kishte pikturuar Skënderbeun gjatë ditëve që ai qëndroi në Itali. Aty shkruhej gjithashtu se origjinali i Belinit ka humbur, ndërsa një nga tablotë që ndodhet në koleksionin e arkidukës është kopje e atij portreti autentik. Po sipas atij artikulli, tabloja tjetër është kopje sipas një portreti origjinal që ndodhej në një muze në Firence. (Është fjala për Muzeun e njohur Uffizi).
Pikërisht për këtë portret japin mendime edhe autorë të tjerë, duke e vlerësuar si piktura më pranë origjinalit. Fan Noli ka shkruar se i vetmi portret i Skënderbeut që njohim është ai që gjendet në Muzeun e Firences në Itali. Ka të ngjarë të jetë portret autentik dhe të jetë bërë përpara vitit 1466...(F.S. Noli, Vepra. Vëll. 4, f. 607, Tiranë 1989). Po kështu edhe At Vinçenc Malaj dhe Zef Prela, të cilët kanë shkruar studime të posaçme rreth ikonografisë skënderbegiane, megjithë kundërshtitë midis tyre pranojnë si tablonë më të hershme dhe më të bukurën për heroin, portretin e Galerisë Ufici të Firences. At V. Malaj në studimin e tij thotë se mungojnë të dhëna të sigurta historike për një portret autentik, ndërkohë që nuk janë shumë bindëse arsyet që ai paraqet për pamundësinë e pozimit të heroit përpara një piktori. Autori tjetër Z. Prela ngulmon se në Galerinë Ufici ndodhen dy portrete të hershme, njëri i punuar nga Kristofan Altisimo (Cristofano dell’Altisimo) në shekullin e XVI, sipas pikturës që ndodhej në Muzeun e Jovit në Komo të Italisë, si dhe vetë origjinali i ndodhur dikur në Komo që mendohej se është pikturuar nga G. Belini. Edhe studiuesja Dh. Dhamo, në një kumtesë të vitit 1968 ka shkruar se nga portretet me ngjyra më i hershmi është ai i Galerisë Ufici të Firences, për të cilin thuhet se është bazuar në vizatimet që pati bërë drejtpërdrejt nga natyra piktori i dëgjuar Xhentile Belini. Ndërkohë që, në të njëjtin studim, ajo shpreh edhe pasigurinë duke thënë se nuk jemi në gjendje të provojmë nëse me të vërtetë portreti i Galerisë Ufici është bazuar në vizatime nga origjinali...(Dh. Dhamo, Konferenca e dytë e studimeve albanologjike, vëll.I, f.516. Tiranë, 1969)
Sudiuesi i artit, Rexhep Goçi, kur shkruan se ka mendime që figurën e Skënderbeut e ka punuar për herë të parë piktori i njohur italian Xhentile Belini, nuk sjell të dhëna më të sakta, por mbështetet në thëniet e mësipërme. Gjykimi i tij se është i afërt mendimi se ky krijues (Xh. Belini – F.H.) e portretizoi heroin tonë kombëtar, sepse për këtë figurë kishte dëgjuar në Venedik (në botën e krishterë) dhe në Stamboll (në botën islame). Mirëpo, portreti i Skënderbeut nga Belini lidhet me vajtjen e heroit në Romë dhe në Napoli, më 1466. Sipas disa të dhënave, Xhentile Belini dhe i vëllai i tij Xhovani Belini kishin lidhje të ngushta me disa shqiptarë, të cilët u shquan në botën e artit dhe të shkencës. Këto lidhje duken më së miri me themelimin e “Shkollës së Shqiptarëve” në Venedik më 1442 dhe nëpërmjet piktorit të madh Vitore Karpaçios. Ka gjithashtu mendime se Xh. Belini nuk ka bërë një vepër të plotë për Skënderbeun, por atë e ka skicuar në Romë ose në Napoli. Prandaj të gjitha gravurat dhe pikturat që lindën më vonë, mendohet se janë punuar nga skicimet e Belinit, madje janë konsideruar si vizione historike dhe artistike (R. Goci, Gjergj Kastrioti Skënderbeu në artet figurative, Prishtinë 1998, f. 9.), mendojmë se është me interes, por për sa kohë nuk gjendet ajo vepër apo nuk kemi të dhëna të sakta, mbetemi ende te hamendjet.
Autori i këtyre radhëve gjithashtu ka qenë i mendimit se tabloja e Kristofano Altisimo-s është nga më të hershmet dhe mund të jetë krijuar duke u mbështetur në tablonë origjinale të pikturuar nga G. Belini. Por gjatë hartimit të librit mbi krijimtarinë e autorëve të huaj kushtuar shqiptarëve (F. Hudhri, Shqipëria dhe shqiptarët në vepra të piktorëve të huaj. Tiranë 1989, f. 26), nga një korrespondencë me Muzeun e Firences mësohet se autori i pikturës mbetet anonim, ndërkohë vlerësohet si një mjeshtër me forcë interpretuese, se vepra është trajtuar me skrupulozitet deri në hollësi. Për të vënë në dukje këtë mënyrë punimi përmendet paraqitja e shenjës së një plage mbi ballin e heroit. Në këtë letër tabloja cilësohet si kopja e parë e origjinalit, por nuk thuhet se në cilin vit është pikturuar, ndërsa për përshkrimin e plagës pretendohet se është bërë sipas një boceti nga natyra. Fakti që një hollësi të tillë nuk e gjejmë në asnjë nga portretet që njohim deri tani, na bën të mendojmë se autori gjatë pikturimit ka patur përballë modelin e gjallë dhe jo të fantazuar.
Në librin “Skënderbeu, jeta dhe veprat”, K. Frashëri na jep informacione të reja rreth pikturimit të këtij portreti, si dhe përcaktime më të sakta për kohën e realizimit, të dhëna këto që kanë dalë pas restaurimit që i është bërë tablosë si dhe pas një studimi më të hollësishëm të kohës së krijimit të koleksionit të muzeut në Komo. Gjatë restaurimit të kryer nga Barbara Schleicher (dhjetor 1993-maj 1994), portreti i Galerisë Ufici u çlirua edhe nga disa ndërhyrje të një piktori anonim mbi punën e Altisimos. Mbishkrimi me gërma të mëdha të bardha: GEORGIVS SCANDERBEK, të cilin e kemi parë në riprodhimet e deritanishme, nuk ka qenë punë e mjeshtrit Altisimo, por e piktorit anonim. Pas restaurimit u zbulua mbishkrimi origjinal; GEORGIVS CASTRIOTVS SCANDERBECVS, me gërma më të vogla të praruara në ar. Ndërkohë marrim edhe njoftimin se, me organizimin e ri që i është bërë këtij muzeu, portreti i Skënderbeut, tashmë i restauruar, është ekspozuar në korridorin e parë të Galerisë.
Paralel me tablonë e mësipërme është folur gjatë edhe për një vepër tjetër të hershme dhe të çmuar, që mendohej se ishte ajo që u zbulua në vitin 1981 në Shkodër. Ndodhej në familjen e koleksionistit të njohur Tefë Curani. Shkrimtari A. Kondo që e bëri të njohur portretin jep këtë përshkrim: ka përmasat e një ikone (30x25 cm) është punuar me ngjyra vaji në dru dhe jo në kanavacë. Skënderbeu këtu të kujton atë të Firences, të Galerisë Ufici... Sipas një dokumenti që paska pasur familja, ky qenka portreti autentik, i krijuar nga pozimi drejtpërsëdrejti i Skënderbeut. I është dhuruar familjes nga austriakët menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë, gjatë viteve 1913-14. Thuhet se kanë pasur dokumentin e dhurimit, polisën e një pinakoteke vieneze ku shënohej urdhri për kalim inventari dhe shprehimisht fjalët “portret origjinal dhe autentik i shekullit XV”. A. Kondo me gjithë dyshimet që shfaq gjatë shkrimit për origjinalitetin e këtij portreti nga fundi shkruan se ka shumë arsye të supozosh që ky portret shkodran mund të jetë autentik i Belinit. Mos vallë është dita kur Venediku, duke dashur ta kishte mirë me Skënderbeun, e bëri qytetar nderi dhe këtë ditë Belini e pikturoi? (A. Kondo, Një portret i panjohur i Skënderbeut. Gazeta Drita 21 shkurt, f. 11. Tiranë 1981)
Mbështetur edhe në këto arsyetime K. Frashëri arrin në përfundimin se me këto të dhëna mund të thuhet se ky portret duhet të ketë bërë pjesë në shek. XVI në koleksionin e Pal Jovit. Rruga që ai ndoqi nga Muzeu i Komos në atë të Vienës, për ne tani ka pak rëndësi, përderisa kemi rënë në gjurmë të tij dhe kemi në dorë riprodhimin e tij fotografik. Hë për hë, për ne autori i portretit është Gentile Bellini (K.Frashëri, Skënderbeu, jeta dhe veprat. Tiranë 2002, f.266) dhe riprodhimin e këtij portreti e ka botuar në kopertinë, në krye të gjithë ilustrimeve brenda tekstit, madje përpara tablosë që ndodhet në Galerinë Ufici si dhe përpara gravurës së botuar në librin e Barletit, me diçiturën: Skënderbeu: Portreti autentik (vaj).
Por, nga disa të dhëna, që vetë K. Frashëri na i jep në faqet e librit të tij, si dhe nga hulumtimet për shkrimin e A. Kondos, del se ky portret nuk është origjinal, por një kopje nga Muzeu Vienës. Në f. 276 të librit Skënderbeu... shkruhet se në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë (dos.42, viti 1914), ruhet një shkresë e Legatës së Perandorisë së Austro-Hungarisë drejtuar Ministrisë së Jashtme të Qeverisë Shqiptare të Princ Vidit më 16 prill 1914, me të cilën i përcillte kopjen e portretit origjinal të Skënderbeut, me lutje që t’ia dorëzonte si një dhuratë nga ana e ministrit të jashtëm austro-hungarez, konti Berchtold, kajmekamit (nënprefektit) të Krujës, me qëllim që ky ta mbante të ekspozuar përherë në zyrën e vet. Në shkresë thuhet se kopja e portretit të Skënderbeut është “riprodhuar me nismën e shkëlqesisë së tij, shefit të seksionit në Ministrinë Perandorake dhe Mbretërore të Financave të përbashkëta, zotit Ludvig von Thalloczy, sipas një origjinali që tani ndodhet në Vienë, i cili ka qenë pikturuar më 1466, probabilisht nga një piktor venedikas, në të cilin Skënderbeu paraqitet me kostum patrici të Venedikut”. Nga kumtimet e A. Kondos dhe K. Frashërit ka shumë gjasa që portreti i gjetur në familjen Currani të jetë pikërisht dhurata që përmendëm më lart. Data e dhurimit të austriakëve është thuajse e njëjtë me datën që dëshmojnë edhe familjarët e Curranit. Po ashtu edhe të dhënat rreth veprës janë të njëjta. Është krejt e mundur që në ato vite të vështira tabloja të mos ketë përfunduar në drejtimin e duhur ose të jetë blerë po atë vit nga koleksionisti Currani. I arsimuar në Vienë për histori dhe ekonomi, Tefë Currani (1865-1941) mund të jetë njohur që student me origjinalin e kësaj vepre, dhe mendojmë se ai vetë ka qenë i bindur që në Shkodër ruante një kopje. Ndoshta është kjo arsyeja që edhe në ribotimin që i bëri librit të tij në vitin 1939 në Shkodër T’nollunat e Shqypnis, prej një Gege që don vendin e vet, nuk e riprodhoi portretin që ruante në shtëpi por vendosi po atë të botimit të parë. Këtë dyshim e paraqet edhe A. Kondo në shkrimin e tij që kemi cituar më lart. Argumentet e mësipërm janë të mjaftueshëm për të na bindur se vepra që K. Frashëri e paraqitet si portreti autentik në librin “Skënderbeu...” të mos jetë origjinal, por kopje nga tabloja e Muzeut të Vienës.
Ndërkohë, është shprehur mendimi tjetër se porteti autentik i Skënderbeut, është gravura që botohet në librin e Marin Barletit, për të cilin thuhet gjithashtu se është realizuar sipas një vizatimi direkt nga natyra. Midis tablosë në Ufici dhe gravurës te Barleti ka elementë të përbashkët, por edhe ndryshime. Skulptori Odhise Paskali, që është marrë rreth 70 vjet me studimin dhe realizimin në art të Skënderbeut, pasi ka shqyrtuar me vëmendje piktura, skulptura dhe gravura të autorëve europianë, shkruan se nuk është e vështirë të konstatohet se edhe për figuracionin artistik të Skënderbeut qëndron në bazë një model që imitohet dhe adoptohet sipas aftësive dhe imagjinatës së artistëve që e trajtojnë. Ky model është portreti që figuron në botimin e parë të Historisë së Barletit më 1508-1510. Këtu spikatin disa të dhëna që ruhen, sado të ndryshuara, në pjesën më të madhe të portreteve të mëvonshëm, siç janë paraqitja në profilin e djathtë, prerja gjysmë bust, forma e qylafit, e hundës e mustaqeve, e mjekrrës, e pjesës së veshjes... Të gjithë portretet e tjerë që s’kanë lidhje me këtë prototip, janë fryt jo studimi, por rutinë nga ana e ilustratorëve. (O. Paskali, art. i cit.) Edhe studiuesja Dh. Dhamo, në një artikull të mëvonshëm se ligjërata që përmendëm më lart, megjithëse ende mbron tezën e hershmërisë së portretit të Galerisë Ufici (pa sjellë asnjë dokumentim dhe asnjë argument të ri) thekson se një portret të hershëm me rëndësi për tërë ikonografinë e Skënderbeut ka botimi i parë i historisë së Marin Barletit.
Autori i albumit të parë të Skënderbeut dhe të Bibliografisë më të plotë të botuar deri tani, K. Biçoku, në shkrimin Cila është vepra më e hershme për Skënderbeun?, duke mbrojtur tezën se portreti më i hershëm është ai i librit të Barletit shton edhe një të dhënë të rëndësishme se pranë portretit të heroit, që ka përmasa të mëdha (25.8 x17.4 cm) M. Barleci ka vënë edhe portretin e tij. Tiparet fizike të M. Barlecit janë dhënë padyshim saktësisht në portretin e tij, që ka përmasa të vogla (5.4 x5.3 cm). Kështu edhe portreti i heroit tonë Kombëtar, që është disa herë më i madh se ai i M. Barlecit, ishte një vepër arti që i jepte në profil saktë tiparet e kokës së Skënderbeut. Kompozimi i portretit të Skënderbeut është bërë me mjaft kujdes dhe me miratimin e familjarëve të tij që jetonin në Itali, si nipi i heroit, Ferrant Kastrioti dhe mbesa e kulturuar, Maria. Këta e kanë nxitur M. Barlecin që të shkruante “Historinë e Skëndebeut”. Prandaj edhe M. Barleci i ka kushtuar parathënien e librit Ferrant Kastriotit dhe ka shkruar “unë nuk kam shkruar trillime, por ato që më kanë treguar me kujdes më të mëdhejtë dhe ato që kanë parë me sytë e tyre disa që kanë marrë pjesë në luftë” . Marin Barleci ka meritën e madhe se është i pari që nëpërmjet artit figurativ na ka treguar pamjen e Heroit, të cilën artistikisht e ka ngritur më lart portreti i Galerisë Ufici të Firences.(K. Biçoku, Gazeta Tema, 13,14,15,16 janar 2005)
Pas këtij parashtrimi del e qartë se midis mendimeve të autorëve të ndryshëm, që kryesisht ndahen në dy grupime, argumentimet më të sakta janë për gravurën e librit të Barletit. Autorët që mendonin (midis tyre edhe autori i këtyre radhëve), ose që ende mendojnë, për tablonë e Galerisë Ufici apo të Muzeut të Vienës, nuk sjellin të dhëna të plota dhe shpesh janë kontradiktorë me thëniet e tyre. Krahas gravurës së botuar te libri i Barletit edhe tablotë e Muzeut Ufici dhe Muzeut të Vienës janë nga më të bukurat, më të hershmet dhe kanë shërbyer gjithashtu si model nga u mbështetën shumë autorë të mëvonshëm në pikturimin e portretit të Skënderbeut. Thëniet se ato janë realizuar sipas një origjinali, që piktori i njohur Gentile Bellini e pikturoi direkt nga natyra, sigurisht që janë vlerësuar, por për sa kohë nuk shfaqej ajo vepër apo nuk gjenden të dhëna më të dokumentuara për atë pikturim, nuk mund të thuhet me siguri se ato paraqesin portretin autentik. Gravura te libri i Barletit e ka të shënuar datën dhe është e qartë midis viteve 1508-1510. Kështu, përderisa të dokumentohej data e saktë e pikturimit të tablosë së Uficit, gravura e librit të Barletit mbetej si më e hershmja dhe e vetmja që paraqeste portretin e parë të Skënderbeut.
Por një zbulim i ri e zgjidhi enigmën. Në Venedik u gjendën tri medalje me portretin e Skënderbeut. Të tria janë realizuar në shek.XV, dhe saktësisht në çerekun e tretë të këtij shekulli, pra midis vitieve 1450-1475! Pikërisht në kohën që heroi ishte ende i gjallë. Pra data e realizimit të tyre, që përkon me kohën kur Skënderbeu ishte në Itali, e bën më të besueshëm faktin se ato janë krijuar sipas vizatimeve të bëra direkt nga natyra. Është më se e kuptueshme se për të realizuar medaljen me figurën e një personi që është i gjallë, veprimi i parë është vizatimi i portretit direkt nga origjinali dhe aq më tepër kur kjo ndodh në Italinë e shek.XV, në atë vend të begatë që me piktorët e shumtë e të shquar, ishte shndërruar në një kryeqendër të artit rilindas, nga merrnin mësime artistë prej gjithë Europës.
Kjo gjetje e rëndësishme në Venedik, tregon për vlerësimin e madh që i është bërë heroit tonë, duke u përjetësuar në tri medalje, por, më e rëndësishmja (për rastin tonë), është se këto medalje dëshmojnë që portreti i Skënderbeut ndodhet i përjetësur në art rreth 50 vjet më përpara gravurës së librit të Barletit (që deri tani e quanim më të hershmen) dhe shumë vite më parë se tablotë e Muzeut të Vienës dhe Galerisë Ufici, datat e të cilave ende nuk janë të sakta. Pra, për të qenë më të qartë, me këto medalje vërtetohet thënia se Skënderbeut i është bërë një portret kur ishte në Itali.
Medaljet me shënimet përkatëse për kohën dhe vendin e realizimit, për përmasat dhe vendndodhjen e tanishme, paraqiten në albumin La Storia di Venezia attaverso le medaglie të autorit Piero Voltolina, botuar në Milano (1998). Për autorët e medaljeve nuk ka të dhëna, thuhet se janë anonimë. Medaljet (siç shihen edhe në ilustrimin e këtij shkrimi), paraqesin dy tipa të ndryshëm. E para (që ka përmasat më të mëdha) e paraqet në profilin e djadhtë, ndërsa dy të tjerat në profilin e majtë. Portretet ndryshojnë edhe nga kapelja, nga trajtimi i mjekrrës si dhe vizatimi i hundës. Ka ndryshim edhe në paraqitjen e veshjes. Trajtimi i këtyre të dy llojeve që dallojnë nga njëra-tjetra, na bën të mendojmë se janë përdorur dy vizatime, të krijuara nga një autor ose nga dy autorë të ndryshëm, madje që e kanë vizatuar Skënderbeun jo në të njëjtin çast. Këtë mendim na e përforcon edhe vendi i ndryshëm i realizimit të medaljeve. Sipas botimit që përmendëm, njëra medalje është realizuar në Venecia, ndërsa dy të tjerat në Romë. Gjithsesi këto dhe elemente të tjerë mbeten për t’u analizuar më me vëmendje në një rast tjetër. E rëndësishme është se me këto medalje u zbuluan tre krijime më të hershme nga ato që njohim deri tani. Gjithashtu shohim se nëpërmjet tyre janë mbështetur autorët e mëvonshëm për realizimin e gravurës te libri i Barletit, të tablove të Muzeut të Vienës dhe të Galerisë Ufici të Firences si dhe shumë e shumë gravurave, pikturave dhe skulpturave të mëvonshme. Madje edhe forma e rrumbullaktë e medaljeve ka ndikuar në disa tablo dhe gravura të mëvonshme që portreti i heroit të vizatohet brenda përmasave ovale. Po ashtu edhe pikturimi i Skënderbeut vetëm në profil, pothuajse në të gjitha krijimet e mëvonshme, na bën të besojmë se sa i madh ka qenë ndikimi i medaljeve, ku paraqitja në profil është veçanti e atij zhanri.
Me këtë zbulim qetësohen edhe debatet e dritanishme (prej më shumë se 100 vjetësh, që nga shkrimi i parë te “Albania” e Konicës në vitin 1901), rreth përcaktimit të portretit më të hershëm të Skënderbeut, si dhe qartësohen hamendjet për pikturimin e heroit në gjallje të tij, gjatë kohës që ishte në Itali. Mbetet për të zbuluar se cili apo cilët ishin autorët e vizatimeve që u përdorën për realizimin e medaljeve. Më saktë, mbetet për t’u verifikuar nëse për realizimin e tyre u përdorën vizatimet e Gentile Belinit, apo ekziston edhe ndonjë apo autorë të tjerë që kanë bërë vizatime posaçërisht për medaljet.

* Pjesë nga kapitulli i parë i studimit Skënderbeu në artet figurative që autori e ka bërë gati për botim.

Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi