Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Luan_Valikardi
Luan_Valikardi
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 38
<b>Postime</b> Postime : 21456
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 28/08/2010

 Historia mijëravjeçare e Himarës Empty Historia mijëravjeçare e Himarës

Sat 16 Apr 2011 - 1:00
Edhe dokumente dhe arkiva të huaja vërtetojnë karakterin shqiptar të krahinës dhe të popullsisë së njohur të Himarës.

Kohët e fundit, shtypi dhe media në përgjithësi, ka treguar një vëmendje disi të veçantë ndaj krahinës së Himarës dhe kjo, sigurisht për shkak të disa akteve provokative me karakter spektakolar që "individë" apo "grupime të veçanta" u shfaqën sidomos në zgjedhjet e fundit vendore. Manifestimet mediatike të flamujve dhe gjuhës greke, të shoqëruara këto edhe me një urrejtje të egër verbale ndaj shtetit shqiptar, gjuhës, kulturës dhe gjithçkaje tjetër me identitit kombëtar, i lënduan të gjithë shqiptarët. Akte të tilla janë shqetësuese në këtë periudhe të vështirë kalimtare që kalon vendi, sepse mund të sjellin zhvillime të rrezikshme për qendrueshmerine e tij. Kjo u vu re qartë në reagimin e të rinjve vlonjatë, të cilët tentuan të shkonin me Himarë me flamuj kombëtarë. Për meritë të policisë që bllokoi rrugën, kjo u evitua, por gjithsesi nuk do të thotë që "ngjajret " e Himarës të nënvleftësohen. Kjo vlen, jo vetëm për organet e shtetit shqiptar, që duhet të mbajnë qëndrim në bazë të ligjeve në fuqi, por edhe për historinët, të cilët duhet t'i rikthehen paqyrimit të burimeve dhe fakteve historike, që provojnë pa mëdyshje karakterin e pastër etnik shqiptar të krahinës dhe popullsisë së Himarës. Fakte të tilla janë të shumta dhe të ndyshme. Shumë nga këto gjenden edhe në arkivat e vendeve të huaja, sepse Himara është një nga krahinat e vendit që "ka prodhur histori", lëvizje dhe kryengritje, që ka lënë gjurmë në arkivat e vendeve që i ndiqnin ato më vëmendje. Të tilla janë arkivat e Mbretërisë së Napolit, të Venedikut, të Papatit dhe të Perandorisë Osmane, që pasqyrojnë kryengritjet e himariotëve të vitit 1480, 1484-1485, 1488, 1492, 1537 etj. Po japim në këto radhë disa nga këto fakte.

Kryengritjet himariote

Arkivat apo kronikat e kohës që regjistrojnë kryengritjet e lartpëmendura, përmendin si popullsi të Himarës vetëm himariotët dhe asnjë popullsi tjetër. Veç kësaj, këta himariotë ata i specifikojnë si shqiptarë apo popullsi shqiptare. Një specifikim të tillë, të qartë të himariotëve si popullsi shqiptare, bën kronisti Stefan Magno kur tregon vrasjen nga himariotët të Komjan Arianitit, djalit të ish-sundimtarit të tyre të mëparshëm, Gjergj Arianitit. Ngjarja ndodhi pas shtypjes së kryengritjes që kishin bërë himariotët nën udhëheqjen e Gjon Kastriotit më 1480-1481. Atëhereë turqit osmanë ishin hedhur në Itali (Pulje) dhe kishte marrë Otranton. Himariotët kishin shpresuar se përballë rrezikut osman, shtetet e krishtera italiane (Mbretësia e Napolit, Papati etj) do të ndërmerrnin një kryqëzatë kundër turqve, duke zbarkuar në Shqipëri. Por nuk ndodhi kështu. Pas çlirimit të Otrantos dhe tërheqjes së turqve nga Italia e Jugut, flota e Mbretërisë së Napolit dhe e Papatit, nuk zbarkoi në Vlorë.

Në këto kushte himariotët, të ndodhur përballë Bajazitit II, i bënë të ditur, aty nga vitet 1484-1485 se e pranonin ta njihnin sundimin osman, me kusht që të dërgonte si sundimtar Komjan Aranitin, i cili ndodhej në oborrin e tij. Sulltani pranoi dhe e caktoi Komjanin sanxhakbej në Vlorë, por himariotët më pas e vranë atë dhe u hodhën përsëri në kryengritje. Duke njoftuar këtë ngjarje, Stefan Magno vë këtë shënim: "Ata të Himarës, popuj shqiptarë, me qene së nuk kanë treguar bindje ndaj babait të këtij sulltani, iu lutën t'u shënonte për qeverisje të birin e të ndjerit, z. Aranit, i cili gjendej në oborrin e tij".

"Shqiptarë" i cilëson Stefan Magno himariotët, edhe kur bën fjalë edhe për kryengritjen e vitit 1488. "Shqiptarët e Himarës dhe të Sopotit (Albanexi della Cimera et Sopota), shkruan ai, u ngritën kundër sulltanit dhe e bënë copë-copë sanxhakbeun me shumë turq". Të dhëna për karakterin shqiptar të krahinës së Himarës dhe të banorëve të saj, japin edhe kronistët osmanë kur bëjnë fjalë për kryengritjen e vitit 1492. Siç dihet, për shtypjen e kësaj kryengritjeje erdhi vetë sultan Bajaziti II dhe kjo bëri që për këtë ngjarje të shkruanin shumë kronistë osmanë si Kemal Pashazade, Oruçi, Kronikat Osmane Anonime, Bitlisiu, Nishanxhiu, Aliu, Sollakzade, Mynexhimbashi. Të gjithë këta autorë shënojnë se kjo kryengritje kishte ndodhur në Shqipëri, se atë e kishin bërë shqiptarët. Disa kronistë përmendin se kryengritja kishte ndodhur në "vendin e Juanit" (vendin e Gjon Kastitotit), ç'ka nënkupton përsëri Shqipërinë, vendin e shqiptarëve. Këto hollësira të rëndësishme kronistët osmanë i thonë kur bëjnë fjalë për vendin ku u nis për të luftuar ushtria osmane me në krye Bajazitin II.

Kronikanët e huaj tregojnë Himarën

Kemal Pashazade, p.sh., shkruan se sulltani u nis në "vendin e shqiptareve", "në nahijën e njohur në atë vend me emrin vilajeti I Juvanit"; Oruçi shënon se sulltani u nis në "vendin e Juvanit", Bitlisiu, tregon se vendi i fushatës ishte "Shqipëria". Po ky autor, shkruan më tej se sulltani urdhëroi Sinan Pashën, komandantin e flotës turke, që "të nisej nga ana e tij me 300 anije në drejtim të Shqipërisë dhe t´i nxirrte ato në Vlorë". Bitlisiu shton se Vlora, ku duhej të ankoronte Sinan Pasha, ishte "fqinjë më viset shqiptare" (kryengritëse). Kronisti tjetër, Aliu, njofton se turqit në fillim nuk ishin të përcaktuar për drejtimin e fushatës, sepse kishin edhe çështjen e Beligradit, por më pas vendosën "që të pushtonin vilajetin e shqiptarëve". Aliu e përsërit këtë edhe kur flet për vendosjen e sulltan Bajazitit II në Tepelenë. "Në kohën kur padishahu ishte nisur për pushtimin (e vendit) e shqiptarëve, padishahu ishte vendosur plot madhështi në Tepelenë". Kronisti Sollakzade, i cili është i vetmi që e lidh gabimisht këtë fushatë, jo me Sulltan Bajazitin II, por me vëllanë e tij, Xhemin, shkruan se sulltani e pa "të domosdoshme që të bëjë një ekspeditë kundër krahinave të shqiptarëve në vitin 897 hixhri (1492). Munixhim bashi, i cili flet shumë shkurt për këtë fushatë, shkruan se turqit "u nisën për pushtimin e viseve të tjera të vendeve të shqiptarëve".

Më tej, po ky autor, bën të qartë se "sulltani hoqi dorë nga mendimi (për pushtimin e Beligradit) dhe u nis në drejtim të Shqipërisë". Kronistët osmanë japin edhe detaje të tjera interesante rreth karakterit shqiptar të popullsisë së Himarës. Oruçi, p.sh., duke folur për banorët kryengritës të kësaj krahine dhe masat që këta kishin marrë për të përballuar turqit (duke sistemuar fëmijët në disa kulla të ndërtuara në vende të larta të paderpërtueshme për armikun), shkruan se kryengritësit "besonin një dogmë dhe kishin një gjuhë". Të njëjtën gjë thonë edhe Kronikat Osmane Anonime. Sipas tyre, kryengritësit "...flasin një gjuhë". Njoftime me interes, kronistët jepin edhe kur bëhet fjalë për shtypjen e kryengritjes. Biltsiu njofton për shumë të rinj dhe të reja që u zunë robër nga turqit. Këta robër ai i quan të gjithë shqiptarë, pa vënë pra në dyshim, përkatësinë etnike të tyre. Ndryshe nga kronistë të tjerë, Bitlisiu përshkruan edhe bukurinë e himariotëve të zënë rob në luftime. Ai flet për djem dhe vasha "sysorkadhe që tundeshin si thëllëza e që kishin zili zanat për trupin dhe fytyrat e tyre si argjëndi". "Shqiptarët,- shkruan me këtë rast Bitlsiu, - janë mëzë dhe dallohen për bukurinë dhe hijeshinë e pamjes së tyre. Vashat shqiptare, shkruan ai, janë "si lule mali me sy të zinj".

Botime perëndimore për Himarën shqiptare

Krahas kronistëve osmanë, për kryengritjen e himariotëve të vitit 1492 bëjnë fjalë edhe burimet perëndimore, por edhe këto nënvizojnë karakterin shqiptar të krahinës dhe të banorëve të saj. Kështu, në dorëshkrimet e tij, Stefan Magno i përmend himariotët si shqiptarë, kur bën fjalë edhe për përpjekjet e sulltanit për t'u marrë në befasi venedikasve (aty nga qershori i vititi 1492) ishullin e Korfuzin. Sipas tij, sulltani dërgoi "një fustë" (anije lufte) midis Korfuzit dhe Butrintit "me qëllim që himariotët të mos kishin mundësi të iknin me anije në Korfuz apo gjetkë". Sulltani e bëri këtë, sepse "ishin duke ardhur dy sanxhakbejlerë për t´u rënë shqiptarëve të Himarës dhe të Sopotit". Le të përmendim këtu edhe informacionin që i dha Dukës së Milanos, i dërguari i tij në Venedik, më 27 qeshor 1492. Sipas tij, sulltani kishte bërë gati në Vlorë dy galere dhe dhjetë fusta të armatosura "për të shkuar në Shqipëri kundër disa anështetasve të vet rebelë". Sinjora e Venedikut, vijonte ai, kishte marrë edhe një letër nga sulltani me anë të së cilës kërkonte leje të kalonte anijet e veta nga Korfuzi, meqenëse donte të shkonte "kundër shqiptarëve të tij rebelë". Se cilët ishin këta "shqiptarë rebelë", këtë e bën fare të qartë Stefan Magno, në dy shënime të tij më 29 qershor dhe 5 korrik 1492. Këta shqiptarë ishin himariotët. Shqiptarë, i konsideron himariotët Stefan Magno, edhe kur bën fjalë për shtypjen e kryengritjes së vitit 1492. "Turqit, - shkruan ai, pushtuan malet e Himarës, nga Vlora deri në Sarandë. Më parë ata kishin marrë kështjellën e Himarës dhe të Sopotit; në disa maja të maleve kapën shumë shqiptarë; të tjerët janë shpërndarë dhe kanë ikur".

Marrëdhëniet e shqiptarëve me Lidhjen e Shenjtë

Të dhëna, lidhur me karakterin shqiptar të popullsisë dhe të krahinës së Himarës, japin po ashtu edhe relacionet që i dërguan Kongregacinit të Shenjtë "Vikarët Apostolikë të Himarës" në shekullin XVII. Këta misionarë u dërguan nga Selia e Shenjtë për t'iu kundërvënë përhapjes së besimit ortodoks në krahinën e Himarës. Gjithsesi, veprimtaria e këtyre misionarëve apostolikë në Himarë, ka një histori interesante. Arkivat e Kongregacionit të Shenjtë bëjnë fjalë, p.sh. se më 1692, disa himaritotë, në emër të 6 mijë të të krishterëve, i kishin shkruar Nuncit Apostolik të Korfuzit që të përcillte pranë Kongregregacionit të Shenjtë kërkesën e tyre për të dërguar në Himarë misionarë katolikë, sepse mungesa e tyre i kishte shkaktuar dëm kishës së tyre. Më pas, te sekretari i Kongregacionit të Shenjtë erdhën edhe "katër krerë", të dërguar nga popullsia e Himarës për ta vënë në vijë këtë punë.

Pas viti 1693, Selia e Shenjtë dërgoi në Himarë disa misionarë që zëvendësuan në detyrë njëri- tjetrin, duke filluar me klerikun 22-vjeçar, Nilo Catalano (1693-1694) dhe më pas, klerikët Timofeo Zassi (1664-1699), Basilio Matranga (1715), Xhuzepe Skiroi (1715-1741). Për të rritur prestigjin e tyre, Selia e Shenjtë emëroi secilin prej tyre "Vikar Apostolik të Himarës" dhe "Ipeshkv të Durrësit". Vikarët e lartpërmendur, gjatë kohës së shërbimit të tyre, i dërguan Kongregacionit të Shenjtë disa relacione, të cilat kanë të dhëna të rëndësishme, jo vetëm për gjendjen kishtare, por në përgjithësi, për
historinë e Himarës, shtrirjen e kësaj krahine, natyrën dhe zakonet e vendit, gjendjen ekonomike, grindjet midis fshatrave, konfliktet me turqit, rolin dominues të klerit ortodoks në jetën publike dhe kishtare etj. Në këto relacione, ka edhe të dhëna të rendësishme mbi karakterin Shqiptar të popullsisë së Himarës. U tha se më 1692 himariotë dërguan pranë Selisë së Shenjtë "katër krerë" të vendit (deputati). Burimet nuk i japin emrat e këtyre "himariotëve", por qartësojnë gjithsesi se këta ishin "shqiptarë".

Të dhëna me interes mund të nxirren kur shqyrtojmë veprimtarinë e Vikarit Apostolik Nilo Katalano. Nga mbiemri, mendohet se ishte me origjinë spanjolle, por ai ishte italian i lindur në rrethinat e Messinës, Itali. Burimet qartësojnë se Katalano, para së të nisej në detyrë, iu vu "me shumë ngulm studimit të gjuhës shqipe dhe nisi të hartojë edhe një gramatikë dhe të hartojë një fjalor" të saj. Arsyeja përse vikari në fjalë, iu vu me ngulm shqipes, është e qartë: donte të predikonte në një popullsi shqiptare, dhe në këtë rast duhej të njihte gjuhën e vendit. Le të themi këtu edhe një "hollësi tjetër" me interes përsa diskutojmë. Vikari Nilo Katalano nuk u nis i vetëm në Himarë, por me një klerik tjetër ndihmës të përzgjedhur prej tij. Ky ishte kleriku Filoteo Zassi. Përzgjedhja nuk ishte e rastit, përkundrazi, pasi Zassi ishte arbëresh. Ai kishte lindur në koloninë arbëreshe të Mezzoiusos, pra ai ishte një klerik që e njihte e gjuhën e vendit ku po shkonte superiori i tij, Nilo Katalano. Le të themi këtu përsëri edhe një hollësi tjetër. Pas vdekjes së Nilo Katalanit, Selia e Shenjtë emëroi në vend të tij si "Vikar Apostolik" dhe "Arkipeshkv të Durrësit", pikërisht ndihmësin e lartpërmëndur, Filoteo Zassin. Personi në fjalë ishte një klerik i përgatur, por burimet bëjnë të ditur se në këtë përzgjedhje luajti rol vendimtar fakti se personi në fjalë e njihte gjuhën e vendit ose për ta thënë sipas burimeve të kohës, e kishte shqipen "gjuhë amëtare" (intende latina, nativa albanese).

Vikari apostolik, Nilo Katalano nuk jetoi gjatë. Ka mundësi që të ketë qenë shëndetlig, sepse sapo vuri këmbë në "Provincën e Himarës", qëndroi në Drimades (Dhërmi) për shkaqe shëndetësore. Më vonë ai u sëmur në Vuno. Miqtë e dërguan në Korfuz, meqënëse kishte nevojë për shërbim mjekësor, por kjo rezultoi pa dobi. Megjithëse jetoi pak, Katalano bëri mjaft punë për Selinë e Shenjtë. Ai gjeti një situatë të rëndë kishtare në Himarë; njërëzit nuk kishin edukimin e mjaftueshën në besimin e krishterë. Arsyet ishin të shumta; kishte mëse 23 vjet që aty nuk kishte shkeluar asnjë misionar katolik; një punë të keqe kishte bërë në këtë drejtim kleri ortodoks që varej nga mitropolitit i Janinës. Pushtimi osman, po ashtu kishte sjellë një përhapje të myslimanizmit. Gjithsesi, monsinjor Katalono nuk u thye, por iu vu punës. Ai hapi një shkollë për të rinj e të reja, për të përhapur doktrinën e krishterë në popull. Veç kësaj, ai filloi të predikonte çdo të dielë. Në këtë drejtim, ai thotë se pati mjaft sukses, sepse vente mjaf popull për të dëgjuar. Nilo Katalano nuk na thotë në asnjë rast "çfarë kombësie" ishin këta të rinj e të reja që frekuentoninshkollën. Eshtë pasardhësi tij Zassi, që qartëson në relacionin e tij të mëvonshmëm se në shkollën që kishte hapur monsinjor Katalano, vinin mjaft "të rinj" dhe se këta të rinj ishin "shqiptarë". (Scuola di molti giovani albanesi).

Kur diskutojmë për karakterin shqiptar të popullsisë së Himarës në fund të shekullit XVII, vlen të përmendim edhe një dëshmi të Abatit të Përgjithshëm Petro Meniti. Abati në fjalë i kishte rekomanduar Kongregacionit të Shenjtë emërimin si Vikar Apostolik të Himarës, Filoteo Zassin. Pasi e siguronte Kongregacionin për aftësitë e tij, Abati Petro Menniti njoftonte se Zassi, aktualisht "ndodhej si misionar në Himarë, në ato popuj shqiptarë". Misionarët e lartpërmendur konfirmojnë edhe karakterin shqiptar të fshatrave kur flasin për to. Monsinjor Katalano nuk arriti t'i shkelte të gjitha fshatrat e Himarës, sepse nuk ishte e lehtë për shkak të terrenit malor të krahinës dhe të rreziqeve të kohës, sidomos turqve osmanë. Në këtë drejtim, bëri më shumë pasaradhësi i tij, Zassi. Ky i fundit, duke i relatuar Kongregacionit të Shenjtë punën që kishte bërë në tre vjetët e fundit në fshatrat Piluri, Caldesi (Kudhësi), Cuzei (Kuci ), i quan këto vendbanime "fshatra shqiptare" (terre albanesi). Zassi bën të ditur se në këto fshatra kishte predikuar edhe paraardhësi i tij, Katalano, i thirrur nga banorët për shkak se dinte gjuhën e tyre, gjuhën shqipe. Katalano thirrej për të mbajtur meshë ditën e Shën Athanasit.

Me interes në diskutimin tonë është edhe informacioni i Vikarit tjetër Apostolik të Himarës, Xhuzepe Skiroit, edhe ky një klerik arbëresh, që njihte gjuhën e vendit. Duke informuar Kongregregacionin e Shenjtë për përhapjen e kishës ortodokse në Himarë dhe luftën që klerikët ortodoksë i bënin misionit katolik, Skiroi njofton se "provinca e Himarës" dikur kishte pasur një popullsi mjaft të gjerë katolike, por tani nuk kishte më shumë se 14 fshatra, që ushtronin ritin ortodoks, nga të cilat 12 kishin popullsi shqiptare (di natione albanesi). Këto ishin fshatrat Egliates (Iljaz), Vuno, Caloghirates (Kallarati), Piluri, Clapero (Qeparo), Pichierasi (Piqeras), Luculo (Lukova), S. Basili (Shën Vasili), Gudezzona (Hundësova), Nivizza e Likunisi (Lëkursi). Autori shënon se Himara, Drimates (Dhërmiu) dhe Palasa ishin me origjinë greke, por kjo kundërshtohet nga të dhënat e regjistrave kadastralë osmanë të vitit 1520 të arkivit të kryeministrisë të shtetit turk (ish-arkivi i sulltanit). Në këto regjistra emrat dhe mbiemrat e kryefamiljarëve, të vejave dhe beqarëve të fshatrave, janë të gjithë të truallit arbëror si Gjin, Gjon, Ndue, Kolë etj. Në këtë regjistër nuk ka antroponi ose patronimi të onomastikës greke. Përveç emrave të onomastikës shqipe, në këto regjistra ka edhe toponime shqipe.

Himara është një vendbanim i lashtë. Ai përmendet për herë të parë nga Plini. Ky autor i vjetër romak e vendos atë në malet Akrokeraune. Një shënim nga autorët antikë impresiononin në përgjithësi studiuesit. Informacioni i Plinit ka nxitur edhe udhëtarë të huaj në shekulin XIX të vizitojnë vendin me shpresë se do të gjenin atje gjurmë të antikitetit, rrënoja themelesh dhe muresh të vjetër etj. Ky entuziazëm konstatohet lehtë te konsulli i njohur francez pranë pashait të Tepelenës, Pukëvilli, i cili ka lënë edhe disa shënime për Himarën. Konsulli frances, në fakt u zhgenjye kur shkeli në qytetin e Himarës, sepse nuk gjeti aty asnjë gjurmë të antikitetit. Sipas tij, Himara e vjetër, Himara "homerike", duhet të ishte "pak më tutje" "në rrënojat e themeleve të një rrethimi të vjetër pelasgjik", që ndodhej aty pranë, mbuluar me bar, ku kulloste një tufë dhënsh. Banorët e quanin atë "kështjella e vjetër e mbretëreshës", meqenëse gjenin vazhdimisht modhedha me fytyrën e një gruaje. Për Pukëvillin shpjegimi ishte i vagët. Sipas tij, "Kështella e vjetër e Mbretëreshës" duhej të lidhej me kujtimin e vajzës së perandorit Aleks i Komnenit të Bizantit, Ana, meqenëse ajo e kishte riparuar kështjellën-qytet të Himarës. Për këtë qytet, ajo madje, fliste edhe dy herë në tregimin e saj mbi luftërat e Bizantit me normanët e Robert Guiskardit dhe djalit të tij, Boemundit. Ndryshe nga Plini apo Pukëvilli, që merren me Himarën si vendbanim, në burimet e shekullit XV rezulton se Himara i kishte dhënë emrin një krahine të tërë, e cila rezulton shumë më e gjërë se sot.

Burimet e përshkruajnë si një krahinë malore, mjaft të vështirë për t´u përshkruar. Stefan Magno, në një shënim të vitit 1481, njofton se Himara (apo "malet e Himarës", siç shkruan ai) shkonin deri në Vlorë dhe kjo krahinë përfshinte 50 fshatra. Po ashtu, mjaft të gjerë e paraqet atë vikari apostolik, Zassi, në një relacion të fundit të shek XVII. "Provinica e Himarës", shkruante ai, "si stende... da 50 miglia in circa...; confina con Avellona di parte di Venetia , con Delvino dalla parte di Corfu. Fakti që Himara ka qenë kaq e gjerë si krahinë, ka rëndësi kur analizohet kultura shpirtërore, doket dhe zakonet e Himarës. Studjuesit e kulturës shpirtërore kanë konstatuar se Himara ka doke e zakone (që shprehen në lidhje martesore, këngë, valle, rite e zakone) të ngjashme me ato të Mallakastrës dhe të krahinave të tjera shqiptare përrreth, pra me ato krahina, do të thonim ne, që dikur në shekullin XV hynin në krahinën e Himarës. Si çdo krahinë, ka një histori të lidhur ngushtë me atë vend. Le të kujtojmë këtu luftën e shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut në shekullin XV. Arkivat e kohës (të Vatikanit, të Venedikut, të Napolit e etj.) nuk bëjnë fjalë shumë për pjesëmarrjen e himariotëve në këtë luftë, por nuk ndodh kështu me burimet e traditës popullore të krahinës.

Studiuesi i palodhur, Fane Veizi, që e ka mbledhur atë me durim, sjell dëshmi se himariotët morën pjesë gjerësisht në këtë luftë duke filluar madje që nga beteja e Torviollit, për të cilët ata kanë edhe këngë. Beteja e Torviollit, siç bën të ditur Barleti, është e para betejë e pare e heroit tonë kundër turqve osmanë. Himariotët përmendin në burimet e traditës edhe disa heronj apo prijës të shquar të tyre. Ata, po ashtu, kanë ruajtur brez pas brezi edhe këngë për vdekjen e Skënderbeut ku thonë se presin kthimin e tij. Burimet provojnë se ata "e mbajtën" këtë premtim kur erdhi në Shqipëri i biri i tij, Gjon Kastriot Skënderbeu. Ata e njohën Gjonin si sundimtar të tyre dhe kjo ndodhi, sepse himariotët ishin shqiptarë po aq sa ai. Me Gjonin ata bënë vepra të shënuara, çliruan kështjellat e Himarës dhe të Sopotit. Burimet perëndimore njoftojnë se në këto luftime himariotët zunë rob edhe Bejlerbeun e Rumelisë. Në traditën popullore, himariotët kanë disa këngë për këtë ngjarje.

Himariotët, së fundi kanë edhe një flamur të tyre. Ai nuk është flamuri që u valvit në zgjedhjet e fundit vendore nga provokatorë dhe individë të dyshimtë. Flamuri i himariotëve është flamuri i Skënderbeut, flamuri kombëtar i të gjithë shqiptarëve. Himariotët kanë më shumë se kushdo tjetër të krenohen për këtë, sepse siç provon tradita popullore e tyre e bën atë flamur të vetin. Për himariotët mund të thuhet edhe diçka tjetër e veçantë. Ata janë ndër shqiptarët që kanë fiksuar në kujtesën e tyre se janë pasardhës të Aleksandit të madh dhe të Pirros. Pasardhës të Pirros e quante veten edhe Skënderbeu dhe bashkë më të, gjithë shqiptarët në shekullin XV.

Dr. Luan Malltezi
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi