Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Luan_Valikardi
Luan_Valikardi
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 38
<b>Postime</b> Postime : 21456
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 28/08/2010

Ç'do të jetë Shqipëria në Ballkan? Empty Ç'do të jetë Shqipëria në Ballkan?

Sat 16 Apr 2011 - 2:39
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë gazetës "Shekulli"

Ç'do të jetë Shqipëria në Ballkan?


Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë gazetës "Shekulli"





Ç'do të jetë Shqipëria në Ballkan?

Pyetja e parë për ju kur vini në Shqipëri është bërë tanimë tradicionale. Si e shikoni gjendjen? Pas kësaj pyetjeje qëndron preokupimi i ligjshëm i njerëzve për fatin tonë, për shanset që kemi ose që i humbim.

Një pyetje tradicionale ka rrezik të nxitë një përgjigje të të njëjtit lloj, pra tradicionale. Do të përpiqem t'i shmangem kësaj dhe ta mendoj pyetjen tuaj si të bërë për herë të parë.

Unë hyj ndër ata që kam besim në këtë vend. Meqenëse në kohën tonë mosbesimi ngjan më modern (shpesh me arsye) se besimi, përgjigja ime mund të duket jo fort e kohës. E megjithatë po e përsëris: besimi im nuk është lëkundur aspak.

Shanset që dalin ose që humbin për një popull nuk janë si numrat e llotarisë. Ka një gërshetim faktorësh që i diktojnë. Ato që duken dhe ato që fshihen në thellësi. Ato që ne i dimë e ato që nuk i dimë, që do t'i marrim vesh më pas, që nuk do t'i marrim vesh, e që ndoshta s'është nevoja t'i marrim vesh asnjëherë.

Kur u duk se populli shqiptar u harrua, se një pjesë e tij po mbytej nga dhuna serbe dhe nga shpërfillja europiane, ndodhi e pabesueshmja: pikërisht për shkak të tij u krye lufta e fundit e mijëvjeçarit në Evropë, luftë që do të mbetet në historinë e kontinentit dhe të botës.

Ndër këta faktorë, faktori shqiptar mbetet sot kryesori. Çdo e keqe që mund t'i vijë sot nga të tjerët popullit shqiptar, mbetet e vogël në krahasim me të keqen që shqiptarët mund t'i bëjnë (e nganjëherë s'përtojnë t'ia bëjnë) vetvetes.

Në qoftë se ky vizion iu duket pesimist po ju them se është e kundërta. Eshtë optimiste të dish se rrjedha e fatit tënd është transferuar në duart e tua.

Një rregullim i brendshëm i shqiptarëve qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, një qytetërim i jetës politike, forcimi i institucioneve demokratike, zhvillimi i ekonomisë, shëndoshja morale vlen më shumë se aleancat, marrëveshjet, kreditë, ndihmat. Përkundër profecive të kukuvajkave anembanë kontinentit evropian, zgjedhjet e porsazhvilluara në Kosovë ishin një dëshmi e mrekullueshme e rezervës qytetëruese që ndryn në vetvete popullin shqiptar.

Mendoni se do të ndihet më në fund prania jonë në Ballkan, se do të bëhemi edhe ne të rëndësishëm, siç thoshin filozofët tanë të Rilindjes, apo kjo nuk është veçse një ëndërr si të tjerat?

Pesha dhe rëndësia e një populli nuk varen as nga ëndërrimet boshe, e aq më pak nga lakmitë, për t'u fryrë si bretkoca, që donte të bëhej buall, (përrallë aq fort aktuale sot në Ballkan).

Populli shqiptar duhet të sigurojë në gadishull atë peshë e rëndësi që i jep gjendja e tij natyrale (atë hise të vet nën këtë diell, siç thoshin të vjetrit) pa lakmuar më tepër, e pa ulur kryet për t'u kënaqur me më pak.

Pesha, përmasat e njëmendta të një populli janë në fund të fundit pasqyrimi i asaj që quhet liri e tij, e drejta natyrale për të jetuar e për t'u zhvilluar.

Një nga shkaqet themelore të konfliktit shqiptaro-serb, ndonëse nuk thuhet, mendoj se ka të bëjë pikërisht me peshën dhe rëndësinë e tyre në gadishull. Skema tani për tani është kjo: Serbia e rëndësishme. Shqipëria e parëndësishme. Rrjedhimisht bëhet çmos që Serbia të vazhdojë të quhet e rëndësishme, Shqipëria të vazhdojë të quhet e parëndësishme. Serbia ka vënë në fytyrë maskën e Jugosllavisë së zhdukur, e hiqet si shtet i madh. Shqipëria vazhdon të mbajë rreckat e vendit të coptuar e nga kjo duket edhe më e vogël e më pa peshë. Në të vërtetë ky është një dekor i jashtëm, një realitet virtual, kurse thelbi është ndryshe. Faktori shqiptar në gadishull, përmasat e popullit shqiptar, numri, energjia njerëzore, historia, kultura, gjuha, nuk ka asgjë më pak se faktori serb. Kjo e vërtetë jo vetëm nuk pranohet prej serbëve, por iu shkakton atyre një tërbim të papërfytyrueshëm. Kjo e vërtetë nuk pranohet as nga miqtë e tyre në Evropë dhe në botë. Një tufë e pafundshme politologësh, letrarësh, gazetarësh, bëjnë çmos për ta mbajtur në këmbë këtë iluzion. Përpara faktorit fizik shqiptar (sasisë së shqiptarëve) ata mbyllin sytë, duke përfituar dinakërisht nga shpërndarja e shqiptarëve në dy shtete fqinjë e, sidomos, duke e konsideruar Kosovën pjesë të Serbisë. Për faktorin shpirtëror, kulturor, e kanë më lehtë sepse në sferat më të epërme mashtrimet sajohen gjithmonë më lehtë. Për ta bërë edhe më të besueshme këtë hipnozë ata shkojnë edhe më larg, duke ngulur këmbë se kështu ka qenë gjithmonë, pra ky realitet i sotëm është sipas tyre vazhdimi logjik i një gjendje shekullore. Për mendësinë europiane, në të cilën mbeturinat e vizionit kolonialist janë ende të forta, kjo është dika e lehtë për të ngjitur ngaqë iu kujton ato që kanë mësuar në shkollë për raportet koloni-metropol.

Ndonëse intelektualisht ata mund ta dënojnë shtypjen, në një shtresë të errët të ndërgjegjes, si ish kolonialistë, ata identifikohen me shtypësin, kurse i shtypuri iu duket tradicionalisht i largët e i huaj. Pikërisht te kjo e kanë vënë shpresën nacionalistët serbë dhe pikërisht nga kjo shpjegohet habia e tyre që Evropa dhe SHBA u morën seriozisht me shqiptarët. Për ta ky është dëshpërimi më i madh ngaqë, sipas tyre, kushërinjtë e Evropës ishin ata, kurse bijtë e njerkës ishin shqiptarët.

Raportet serbo-shqiptare gjatë shekujve s'kanë asgjë të përbashkët me këtë klishe. Akademiku Dushan Batakovi, një nga kasnecët e Serbisë së madhe, në librin e tij "Kosova, spirale e urrejtjes" botuar pak kohë më parë në Zvicër, dëshmon për dika që propaganda serbe nuk dëshiron ta cekë. Duke folur për bashkimin e Kosovës me Serbinë më 1918, ai shkruan: "Shqiptarët e Kosovës, liderët e tyre, shefat e klaneve e të pronarëve të mëdhenj, që qenë konsideruar si një farë aristrokracie kombëtare, deklaruan haptas se nuk mund ta duronin sundimin e ish shërbëtorëve të tyre, ata të cilët ende i quanin në mënyrë përmuese shkje".

Si shihet, mosdurimi ose urrejtja serbo-shqiptare, ajo e cila shpesh trajtohet si misterioze etj. etj. është, ve të tjerash, një ështje revanshi. Dje ju shqiptarët ishit senjorë në Ballkan, sot është radha e jonë etj. etj. Me fjalë të tjera, historia e njohur e njerëzve, që për t'u shëruar nga dhuna dhe fyerjet e pësuara në fëmini, kërkojnë t'i ushtrojnë ato mbi të tjerët, histori që, me sa se duket, përsëritet midis popujve.

Pyetje: Të rikthehemi te pesha dhe rëndësia e një populli. Krijohet përshtypja se po të kërkojmë ne shqiptarët "hisen tonë nën këtë diell", kjo quhet si kërkesë për Shqipërinë e Madhe.

Përgjigje: Eshtë e vërtetë se merret ashtu. Miti i Shqipërisë së Madhe u ringjall kohët e fundit për të krijuar barazpeshë me kërkesën e Serbisë së madhe. Ndryshimi është se ndërsa ky i fundit është një program në emër të të cilit luftohet e veprohet haptaz, fantazma e Shqipërisë së madhe gjëllon kryesisht në propagandën antishqiptare.

Me fjalë të tjera, ndërsa Shqipëria quhet e parëndësishme me gjithka, ajo bëhet befas e rëndësishme, pra pranohet rëndësia e saj jo si një realitet normal, por vetëm si rrezik, si një mundësi e keqe. Të mësuar që në mënyrë fyese e të verbër ta quanin të vogël e të parëndësishëm, tani që populli shqiptar po del nga mjegulla e një nate, shtabi i tij i natyrshëm i tmerron ata që s'e kanë dashur. Ata ulërijnë: po del rreziku, po del Shqipëria e Madhe! Ne duhet t'u themi: s'po del asnjë rrezik, asnjë Shqipëri e Madhe ose e Vogël. Po del thjesht Shqipëria.

Kundërthënia është e hapët. Një vend s'mund të jetë njëkohësisht edhe i rëndësishëm edhe i parëndësishëm. (I rëndësishëm kur është rasti për t'u goditur, i parëndësishëm kur duhet dhënë dora e ndihmës apo miqësisë).

Në këtë kah, shprehja Shqipëri e madhe nuk është vese një eufemizëm që nënkupton një program cinik për të penguar zhvillimin normal të një populli, një doktrinë ngacmimi të përhershëm për ta lënë atë popull shtatanik, për t'i ngritur mure e pengesa midis, pikërisht kur muret janë shembur në kontinent.

Me të njohurit e mi të huaj, kur më bie rasti shpesh të bisedoj për këtë temë i pyes: ku e keni parë projektin e Shqipërisë së madhe, ku i keni parë librat, konferencat, forumet, doktrinën, programin, partitë që e mbrojnë, grupet parlamentare, lëvizjen popullore, skicën e hapur etj. etj. Kësaj pyetjeje ata i përgjigjen zakonisht me një ngritje supesh.

Pyetje: Shkrimtari grek Vasili Vasilikos, ka shkruar kohët e fundit në gazetën "Lë Monde" se vepra juaj është, me sa duket, një skicë e fshehtë e Shqipërisë së Madhe.

Përgjigje: E kam parë këtë shkrim dhe më ka zbavitur. Ndoshta shprehja Shqipëri e Madhe, duhet zëvendësuar këtu me shprehjen Shqipëri e stërrmadhe, ngaqë po të nisemi nga projekti im i fshehtë dhe padyshim tepër djallëzor, në të do të futeshin edhe piramidat e Egjiptit dhe stepa ruse dhe rrafshulta të Anadollit dhe ndonjë copë nga Muri kinez, dhe hapësira të tjera që kam përmendur në librat e mia.

Sinqerisht s'do të më vinte keq që disa njerëz të merreshin me këto libra e të linin të qetë popullin shqiptar, që edhe pa këto marrëzira, ka mjaft andrralla mbi kokë.

Kjo që thashë më lart duket si mahi, por nuk është aspak e tepruar. Ju e dini ndoshta se synimi shqiptar për një gjuhë të njëjësuar, synim i përbashkët i gjithë kombeve europiane, është i interpretuar gjithashtu si pjesë e projektit për Shqipërinë e Madhe dhe kjo jo vetëm nga rrethe të huaja antishqiptare por edhe nga disa karagjozë shqiptarë, në Tiranë e në Prishtinë.

Shqiptarët nuk kanë nevojë as për Shqipëri të madhe, as për Shqipëri të vogël, ata kanë nevojë për Shqipërinë e tyre natyrale brenda peisazhit demokratik evropian. Nuk mund t'i kërkohen këtij vendi ligjë të tjera nga ato që s'i kërkohen askujt. Shqiptarët s'mund të merren as si gogol për të trembur të tjerët, as si nxënës shembullorë. Ata s'kanë nevojë për nofka lavdëruese, natyrisht as për fyerje.

Shqiptarët do ta ripohojnë peshën e tyre, identitetin, gjithka, jo duke u mburrur per shembull me papët me origjinë ilire, as me themelimin e dinastisë mbretërore egjiptiane (që për fat e kanë harruar), e as me profka të tjera të këtij lloji. Aq më pak mund ta pohojnë atë me revansh dhe me krime. Dihet që krimi është ngjitës, sidomos në hapësirën nervoze ballkanike. Për të patur të drejtën morale të dënojnë krimin e ushtruar ndaj tyre shqiptarët duhet ta refuzojnë me ngulm hakmarrjen dhe krimin si mënyrë lirimi nga e keqja. Ne duhet të mësohemi të dënojmë të keqen, racizmin tonë kur ai shfaqet, krimin tonë. T'i dënojmë jo për të larë gojën, për t'u paraqitur humanistë por me bindje të thellë se rruga e krimit është rruga e katastrofës. Ndonëse kemi pësuar dhunë nga serbët, s'duhet të kemi drojë të dënojmë me pasion hakmarrjen ndaj serbëve të pafajshëm, ndaj ciganëve e ndaj kujdo qoftë.

Thuhet shpesh se nuk jemi racistë agresivë. Dhe përmenden raportet e Shqiptarëve me ciganët ose me romët ose gipsët (ata që jo pa përmim quhen jevgj). Mendoj megjithatë se ashtu si tumorin e keq e mbështjell shpesh një cipë e hollë, ashtu ndodh edhe me racizmin pasiv. Shumë shpejt ai mund të kthehet në racizëm veprues. Ne duhet t'i kishim mbrojtur më me vendosmëri ciganët dhe romët e pafajshëm në Kosovë, kur ata u kërcënuan nga hakmarrja e verbër. Ne s'duhet të bënim asnjë lëshim kur ishte fjala për mbrojtjen e serbëve të pafajshëm. Ne duhet të dënojmë ashpërsisht krimet e trafikantëve shqiptarë kundër kurdëve, kinezëve ose nevojtarëve të kombësive të tjera, që mjerimi i bije në mëshirën tonë. Për ne duhet të jetë i papranueshëm dhe kriminal humori i zi që bëhet me këtë rast me viktimat ngaqë janë të tjetër kombësie.

Nga ky pastrim populli shqiptar nuk dobësohet. Përkundrazi. Pyetje: Ju keni reaguar ashpër kohët e fundit ndaj librit të Xavier Raufer "Mafia shqiptare" duke e akuzuar pikërisht për racizëm antishqiptar. A mund të shërbejë ky racizëm antishqiptar si argument për të përligjur kundërsulmin tonë?

Përgjigje: Kurrsesi nuk mund të përligjet kurrfarë racizmi. Libri i francezit Xavier Raufer është shembull i një racizmi primitiv, që të kujton fashizmin. Në të thuhet se mafia shqiptare drejtoka mafien evropiane, ngaqë në bazë të saj qëndron "Kanuni" dhe "Besa"! (Pra kemi përsëri rëndësinë, madje përmasat evropiane të një populli, por vetëm për keq). Në të thuhet se janë shqiptarët e shekullit 15 që i mësuan italianëve kodin mafioz! Në të këmbëngulet se thelbi, struktura e brendshme e këtij kombi është mafioze, për të ardhur gjer te pohimi kriminal se të deportuarit shqiptarë gjatë luftës së Kosovës, nuk iknin prej masakrave, por ishin të zgjedhur nga mafia për të shpërndarë drogën nëpër botë. Eshtë padyshim revoltuese që një intelektual francez mund të pështyjë kështu mbi dramën e një populli, mbi fëmijët e vrarë e mbi gjithë atë zi të pafund. E megjithatë as racizmi i këtij barbari nga Evropa, as racizmi prej horrash provincialë i italianëve, ose ai prej horrash fshati i grekëve, as cinizmi i mynxyrave të tilla morale si raportuesi i OKB-së Jiri Dientsbier, nuk munden kurrsesi të përligjin marrëzitë tona të mundshme.

Pyetje: Të kthehemi në ngjarjen e fundit aktuale të Ballkanit: rënien e Millosheviit dhe ngritjen e Kostunicës. Besoj se e keni pritur këtë pyetje. Kemi dëgjuar se ju keni reaguar ftohtë për Kostunicën në intervistat tuaja ne radiot franceze dhe zvicerane.

Përgjigje: Së pari dua të theksoj se rënia e Millosheviit ka qenë pa asnjë dyshim një lajm i mirë. Së dyti se me një Serbi demokratike si Kosova, si Shqipëria, si gjithë Ballkani do të fqinjëzonin krejt ndryshe, domethënë shumë më mirë se me një Serbi nacionaliste (domethënë të marrë). Unë jam kundër do lloj xhelozie ndaj vendeve të tjera në rajon.

Gjithë puna është nëse jemi vërtet përpara një zhvillimi demokratik apo përpara një bllofi. Në këtë kah unë i kuptoj fare mirë rezervat e shqiptarëve të Kosovës. Do të përpiqem t'i bije shkurt për të mos u zgjatur në gjëra të njohura. Ka qenë nevoja për një ndryshim të Serbisë e jo ve të liderit të saj. Një lider komunist-nacionalist u zëvendësua nga një lider jokomunist-nacionalist, madje më i thekur për nacionalizëm se i pari. Ky lider na paska si faqen më të ndritur të biografisë antishqiptarizmin, për shkak të të cilit Titua e dënoi më 1974! Kjo do të ishte gjysma e të keqes nëqoftëse ky njeri do të kishte bërë një korrigjim. Por për fat të keq, deklarimet e tij të para sidomos ato për gjyqin e Hagës, për Kosovën e për të burgosurit shqiptarë të zënë peng nga Serbia ishin politikisht e moralisht të mjerueshme. Ato tregojnë se elita politike serbe është sot më e paemancipuara në gadishull. Megjithatë unë mendoj se në rastin e Kostunicës, nëqoftëse ai ndryshon për të mirë nuk ka pse të mbahen paragjykime kundër tij.

Pyetje: Megjithatë Europa, sidomos Franca e Italia, pa pritur asnjë shenjë treguan një eufori të habitshme në këtë rast.

Përgjigje: Eshtë e vërtetë se u tregua një dehje e një eufori befasuese, 'ka tregon se emancipimi nuk është vetëm problem ballkanik.

E kuptoj fare mirë inkurajimin që i jepet një vendi kur bije një tiran, megjithatë është e pakuptueshme se si Evropa nuk i kërkoi asnjë deklarim politik themelor këtij vendi për dhjetë vjet krime kundër të tjerëve. U duk sikur Europa kërkoi të kalojë një sfungjer mbi peisazhin e përgjakur ballkanik. Por në Ballkan, më mirë se kudo dihet se asnjë sfungjer s'mund të lajë gjakun dhe krimin. Nga kjo pikëpamje ekstaza europiane mund të merrej si një fyerje për të gjithë popujt që e vuajtën këtë tmerr. Një thirrje për ta bërë të ndërgjegjshme Serbinë për përgjegjësinë e saj është pritur nga opinioni publik, 'ka është shprehur gjerësisht nga shtypi.

Pyetje: Eshtë një harresë kjo gjë sipas jush apo kërkesa për revizionimin e një politike?

Përgjigje: Besoj se janë të dyja nga pak. Analistët e kërkojnë shpjegimin e kësaj në lidhjet tradicionale. Pa e kundërshtuar këtë mendoj se prapa tyre ka shkaqe më të fshehura. Në një shkallë botërore mendoj se pavarësisht nga përparimi i tij njerëzimi ka mbetur shumë i egër. Mendimi kriminel, ai që shoqëron veprimin kriminel jo vetëm s'është zbehur por rrallë herë s'ka qenë kaq i dukshëm si në shekullin tonë. Në këtë skajim Europa nuk bën ndonjë përjashtim. Flirti me krimin këtu janë të njohura.

Në kujtimet e amerikanit Xhejms Rubin, botuar tani së fundi në "Financial Times", përmendet episodi kur presidenti i Serbisë Milutinovi që kryesonte delegacionin serb në Rambuj, duke mos kuptuar asgjë nga ajo që po ndodhte, u thotë amerikanëve: "Përse shqetësoheni për shqiptarët? Na e lini ne këtë punë dhe ne e mbarojmë për një javë" (Me fjalë të tjera, na lini t'i farojmë ne shpejt e shpejt).

Të mësuar të flasin kështu me perëndimorët kur vjen fjala për shqiptarët, serbët e përdorin atë gjuhë edhe një javë përpara bombardimit. Pyetja që del në këtë rast është tepër shqetësuese: mirë ky kriminel kokëtrashë, krejtësisht jashtë realitetit flet kështu, po Europa si e ka pranuar këtë gjuhë më parë?

Sepse kjo gjuhë cubash, për fat të keq nuk është përdorur për herë të parë në Rambuj. Ajo ka patur, me sa dukej një traditë dhe pranimi i asaj gjuhe ka qenë interpretuar nga serbët si dritë e gjelbër për krimin antishqiptar.

Pyetje: A mund të flitet në këtë rast për një predispozitë antishqiptare në një pjesë të Evropës, përshembull në Francë, ku ju kaloni një pjesë të kohës?

Përgjigje: Gjërat janë më të ndërlikuara se 'duken. Gjatë luftës së Kosovës Franca u fajësua gjithashtu prej Serbisë për predispozitë antiserbe. Si njëra predispozitë, si tjetra janë dhe nuk janë të vërteta.

Varet nga rrethanat, varet për 'sfera bëhet fjalë. Në një vizion të përgjithshëm Franca ka qenë dhe ndoshta vazhdon të mbetet më afër Serbisë se Shqipërisë. Sidomos diplomacia, kreu i ushtrisë, e djathta ekstreme dhe e majta ekstreme. Ndërkaq një pjesë zotëruese e elitës kulturore e politike dhe e opinionit publik kanë tjetër qëndrim. E megjithatë edhe kjo ndarje nuk është edhe s'ka si të jetë e saktë.

E vërteta është se ndërsa ekziston një nostalgji proserbe në këtë vend, nuk mund të flitet për një nostalgji proshqiptare. Nostalgji proshqiptare mendoj se nuk ka kurrkund, nga që miqtë e mbrapshtë që ne zumë: jugosllavë, sovjetikë dhe kinezë, kanë qenë miq të rremë dhe po aq të rremë kanë qenë miqtë më të hershëm, italianët. Nostalgjinë proshqiptare mund ta krijojë koha jonë. Atë mund ta krijojë qytetërimi ynë i sotëm demokratik nëqoftëse ai ndërtohet, në aleancë me ngrohtësinë e njeriut dhe me peisazhin shqiptar, hatu e parë të këtij vendi.

Në vend që të na zejë smira pse ky ose ai vend ka afërsi me Serbinë, ne duhet të dimë t'i fitojmë miqësitë. Natyrisht që miqësia s'mund të jetë e njajshme. Në një mbledhje në mjediset e Asamblesë Kombëtare të Francës kam dëgjuar të citohet një zyrtar francez, sipas të cilit gjatë një jave në Tiranë vriten aq njerëz sa 'vriten gjatë dy vjetëve në krejt Evropën Perëndimore. Nëqoftëse zyrtari në fjalë e ka dhënë vërtet këtë shifër, me fjalë të tjera këtë thirrje për izolim të Shqipërisë, është vështirë të pritet ndonjë miqësi prej tij dhe prej zyrqs që ai drejton.

Franca është një vend që unë e dua dhe e quaj një atdhe të dytë, gjë që më shtyn të them për të atë që nuk do t'i thoshja për një vend tjetër. Duke afishuar një ngrohtësi të tepëruar për një vend që ende nuk është shpëlarë nga krimi i djeshëm, Franca ka rrezik të fitojë ftohtësinë e së paku pesë shteteve të tjera ballkanike. Tërheqja e Francës prej gadishullit ku gjatë më shumë se dy shekuj ka qenë ngulitur natyrshëm në kulturën dhe historinë e gjithë popujve ballkanas nëpërmjet iluminizmit të saj, do të jetë një gjë e keqe për atë vetë dhe natyrisht për ballkanasit.

Pyetje: Si e komentoni "profecinë" e presidentit të porsazgjedhur jugosllav se konflikti në Ballkan, pasi ka braktisur Serbinë do të zbresë në Jug, domethënë në Shqipëri, si konflikt midis Veriut dhe Jugut?

Përgjigje: Ky pohim meriton një analizë psiko-politike. Ai zbulon një të vërtetë të fshehur me kujdes, një program, një hall, një ëndërr të Serbisë. Ka gjasë të jetë programi, halli ose ëndrra numër një e fqinjit tonë: destabilizimi i Shqipërisë. Zyrat jugosllave kanë vite që punojnë për të, nacionalistët kanë vite që psherëtijnë, agjentët kanë vite që robëtohen. Kërkojnë idera, mënyra, mjete, herë të reja, herë të vjetra, herë të ringritura nga varri. Shefi i ri jugosllav, me të zënë vend në fronin presidencial, me të hapur dosjen e parë, ka ndeshur, me sa duket, kryefjalën e programit serb: troshitjen e Shqipërisë. Dhe meqenëse, me sa duket, nuk është fort i rafinuar nga mendja, u ngut ta shpallte gjithë gëzim në TV italian.

Tani del fare qartë se ka qenë kohët e fundit gjithë ajo zhurmë për konfliktin e pritmë midis jugut dhe veriut të Shqipërisë, midis gegëve dhe toskëve e natyrisht midis shqiptarëve të Shqipërisë e të Kosovës.Tani del qartë se 'ka qenë ajo vijë ndarëse, lumi Shkumbin, që nuk mungonte asnjëherë në hartën e Shqipërisë, në lajmet e pranverës së vitit 1997. Përherë e më qartë del se 'është ajo zhurmë për ndarjen e gegërishtes nga toskërishtja, ai nervozizëm kundër gjuhës së njëjësuar, për të ardhur gjer te gogoli i Shqipërisë së Madhe si një tmerr për Europën. Ky tmerr, sipas tyre, mund të shmangej vetëm po të ngriheshin mure midis shqiptarëve, të thyheshin urat bashkuese, të thyhej gjuha, duke u ndarë më dysh, mundësisht më tresh. Së fundi tani del edhe më qartë se 'është ky pasion për destabilizim në Shqipëri e në Kosovë.

Agjentura ka punuar me shumë zell për këtë. Një pjesë e elitës politike dhe kulturore, si në Shqipëri si në Kosovë është përzier në këtë lojë të dyshimtë. Populli shqiptar ka kohë që me intuitë e ka ndier këtë mbrapështi. Shumë herë kam takuar njerëz të thjeshtë që më kanë pyetur: si shpjegohet që sapo nis të ndreqet dika, menjëherë vihet në lëvizje një forcë e errët për të rikthyer kaosin?

Pyetje: Rrjedhimisht, një ftohje që vihet re në ca rrethe politike dhe kulturore në Kosovë kundër Shqipërisë, a ka lidhje me këtë?

Përgjigje: Natyrisht. Ka patur psikoza nga të dy anët, por kohët e fundit armiqësimi ndaj Shqipërisë është shtuar në ato rrethe që përmendët ju. Duhet të jesh i metë nga mendja që të mos e kuptosh se kur një politikan ose letrar i Kosovës kërkon armiqësi ose preteks armiqësimi me Shqipërinë, ai s'bën gjë tjetër vese i lot syrin Beogradit për t'i thënë: më ndanë nga ty, por zemrën e kam atje.

Dyshojn se ftohja shkallë-shkallë e Kosovës me Shqipërinë do të jetë këndej e tutje boshti i strategjisë serbe. Për të do të punojnë forca të caktuara politike në Kosovë, të ndjekura nga një zhgan intelektualësh e letrarësh të pabesë, që në kësi rastesh s'mungojnë kurrë.

Ndërkaq jam i bindur se kjo ndodh ve në sipërfaqe. Në thellësi asgjë nuk ndryshon. Sepse në thellësi, atje ku jeton, mendon dhe vendos ligjet populli i madh, atje sundon tjetër logjikë e tjetër realitet.

Pyetje: Ka patur nje seri artikujsh kritike ndaj jush nga Anton Berisha e disa ë tjerë ne Kosove, ku ju akuzojnë se me kritikat tuaja i keni fyer shkrimtarët e Kosovës> A bëjnë pjesë keto në pretekset për sherr, apo kanë një bazë?

Përgjigje:Nuk i kam fyer dhe nuk do t'i fyej kurrë shkrimtarët e Kosovës. Po ju kujtoj se ndër tri veprat artistike që kam shkruar për dramën kosovare, dy prej tyre kanë si personazh qendror një shkrimtar dhe një poet, të dy sublimuar në shkallën më të lartë.

Kam kritikur disa herë hermetizimin e një pjese të letërsisë kosovare, nga që kam patur bindjen se kjo rendje ndaj avanguardizmit ka qenë shkak që ata të mos dëshmojnë për krimin kundër popullit të tyre.

Përgjigja e tyre se ky dëshmim "është si detyrë shtëpie" e kam quajtur moralisht të papranueshme. Kam menduar dhe mendoj se dënimi i krimit ka ushqyer krenajat e letërsisë botërore.

Si e shihni, kritika ime ka marrë shkas në radhë të parë nga mosdëshmimi i krimit, me fjalë të tjera nga mosplotësimi i dosjes së Kosovës, dosjes numër një të kombit shqiptar në këtë fund shekulli.

Dënimi i krimit në Kosovë nuk është vetëm ështje letrare. Ai ka lidhje me lirinë e Kosovës. Ju e dini se 'po ndodh tani. Beogradi ka shpërthyer një ofensivë për të kthyer opinionin botëror në favor të tij. Ai përpiqet t'i kthejë gjërat kryengulthi: Serbët t'i paraqesë si viktima dhe shqiptarët si agresorë.

Shkrimtarë e filozofë të njohur në perëndim si Petër Handke, Regis Debrai, Naom Shomsky etj., për turp të tyre janë vënë të dëshmojnë në dobi të serbëve. Kurse disa letrarëve të Kosovës iu duket se po ta bëjnë këtë në dobi të popullit të vet iu bie klasi.

Dëshmimi i letërsisë nuk është as luks e as "detyrë shtëpie". Ai ka një vend të pazëvendësueshëm në letrat kredenciale të një populli.

Pyetje: Në një intervistë botuar në shtypin kosovar më 1998, njerin nga ata qe ju ka sulmuar, e keni quajtur "Juda i Kosovës". Në romanin tuaj të fundit "Lulet e ftohta të marsit" e keni përsëri personazhin e Judës, këtë herë për një personazh te nje intelektuali të Tiranës. Cili ka qenë shkaku që i jeni kthyer këtij personazhi të Biblës?

Përgjigje: Në jetën tonë, si në Shqipëri, si në Kosovë, judët po i ndeshim përsëri. Ndryshe nga kohë më parë judët nuk mund të mbeten më pa u damkosur e pa u dënuar. Ka ardhur kohë e vështirë për judët. E meritojnë krusmën që i pret, si ai që shpif në Prishtinë a në Kozencë, si ai që ka spiunuar shkrimtarët në Tiranë.

Pyetje: Të kthehemi te problemi i stabilitetit që folëm pak më parë. Në gati do intervistë ju theksoni domosdoshmërinë për stabilitet mbi gjithka. Lidhur me këtë a mendoni se dika u arrit me zgjedhjet e fundit?

Përgjigje: Nuk besoj se e teproj me kërkesën për stabilitet. Si do shqiptar unë e kujtoj me tmerr dhe me pikëllim vitin 1997. Ai ankth ende s'ka kaluar. Shqipëria pa stabilitet është njëlloj sikur ta ketë arkiolin përbri. Për fat keq ka forca që janë të interesuara që të jetë kështu. Për fatin dyfish të keq qëllon që ato forca gjënden ndonjëherë jo vetëm midis opozitës por edhe midis klasës politike që është në pushtet. Aleanca me krimin on në atë logjikë.

Për zgjedhjet e fundit është folur aq shumë sa është vështirë të shtosh dika. Mendoj se rruga për t'i thënë lamtumirë dhunës gjatë kalimit të pushtetit duhet të na gëzojë të gjithëve. Ndërkaq mendoj se nuk ka vend as për eufori të fituesve, e as për alibi të humbësve. Dika është arritur por shumëka nuk është arritur. Dobësimi i opozitës, ajo që mëndjelehtësisht i gëzon disa, është humbje për të gjithë. Në këtë dekadë të parë të demokracisë do t'ishte mirë që pushteti të kalonte nga një forcë politike te tjetra.

Do t'ishte mirë që populli shqiptar t'i provonte të dy palët. Kështu ai do të mësonte se si punon makina e demokracisë. Kalimi pa dhunë i pushtetit, ligji i parë i shoqërisë civile, është edhe më i vështiri për t'u mësuar. Por kjo nuk mund të kryhet me urrejtje, verbëri e bojkot, e natyrisht as me ngazëllim cinik fitimtarësh ose kërcëllitje dhëmbësh të të mundurve.

Kur partitë politike do t'i heqin nga vetja militantët sejmenë, ata që mbajnë gjallë këtë psikozë të mbetur nga lufta midis feudalëve dhe qyteteve, që Europa e ka kryer disa shekuj më parë, dhe që një pjesë e Ballkanit po e kryen tani, ky do të jetë një frymëmarrje lehtësuese për të gjithë.

Pyetje: €ështja e Himarës ishte sipas jush dika e re, apo një rizgjim i vjetër i demonëve nacionalistë?

Përgjigje: Farsa e Himarës ishte, në radhë të parë, theatër tipik ballkanik plot nerva, mllef, marrëzi dhe bëlbëzime *****ësh, si do të thoshte Shekspiri. Një farë kohe nuk e kam kuptuar dot se përse bëhej grindje. Kryetari i Partisë të të Drejtave të Njeriut, asaj që akuzohej si greke ose progreke, deklaroi qartë se është parti shqiptare, madje theksoi se në Himarë nuk ka minoritet grek. Ndërkaq, ata që pohojnë të kundërtën, duke përfshirë edhe vëzhguesit e huaj, as nuk e kundërshtuan as nuk e përkrahën këtë kryetar, që në këtë rast mund të quhej i zoti i punës, si thuhet. Atë nuk e përfilli as pala shqiptare. Madje nga kjo palë dolën ca antigrekë të zjarrtë që gjer dje ishin akuzuar si progrekë të ligj. Prapësia ishte e tillë sa që s'do të habitesha po të dilte ndonjë nacionalist grek që të shpallej proshqiptar etj. etj.

Teatri absurd i Ballkanit është i pashtershëm. Këtu askush nuk habitet që një parti demokristiane i ka anëtarët muslimanë, ose që partia e të drejtave të njeriut, e akuzuar si greke nuk fiton pikërisht në zonën ku ka minoritarë grekë. Ndërkaq, shumë njerëz, duke përfshirë edhe ca vëzhgues të huaj, presin që ajo të fitojë në një zonë ku s'ka të tillë.

Lidhur me këta të fundit, është kërkuar me të drejtë një minimum njohjeje e vendit ku vijnë të vëzhgojnë. Aq më tepër që raportues e vëzhgues të tillë kanë qenë shpesh herë të verbër në Ballkan. Nuk u kërkon kush të dijnë hollësira, por ca gjëra themelore duhet t'i dijnë. Kështu p.sh. të dinë që pa llogaritur refugjatët e sotëm, në Greqi ka njëzet herë më shumë shtetas grekë me origjinë shqiptare, se sa ka shtetas shqiptarë me origjinë greke në Shqipëri. E megjithatë asnjë herë, asnjë qeveri shqiptare nuk është kujtuar për ta. Vëzhguesit duhet të dinë gjithashtu se në Greqi, pas luftës së Dytë Botërore është kryer pastrim etnik i shqiptarëve, (amëve) me zjarr dhe me hekur. Ky kujtim i hidhur në vend që ta shtyjë Greqinë, drejt një shqyrtimi të ndërgjegjes, nxit shpesh herë të kundërtën.

Pyetje: Ju jepni herë pas here mesazhe shprese dhe optimizmi në kundërshtim me një frymë pesimizmi që ndeshet tek ne. Në mbyllje të kësaj interviste a mund të na thoni dika për të ardhmen?

Përgjigje: Nuk kam dhënë dhe nuk do të jap kurrë një kumt shprese në se nuk besoj në të. Kam bindjen se kombi shqiptar pavarësisht nga trazimet e sotme të mëdha, nuk ka qenë kurrë më mirë se sot. Në jetën e tij gërshetimi i rrethanave, atë që astrologët e mendojnë si skajim të favorshëm yjesh, kurrë nuk ka qenë kaq i mbarë. Asnjëherë ora e tij nuk ka qenë në të njëjtin kah me orën e botës së qytetëruar. Me fjalë të tjera është hera e parë që zhvillimi shqiptar, prirja e tij, hovzimi i tij, përkon me programin e kontinentit.

Asnjë aspiratë shqiptare sot dhe asnjë interes jetik nuk bie ndesh me kostumin europian. Përkundrazi, të gjitha interesat e tij përkojnë me ato të Europës së nesërme: zbehja e kufijve, kontaktet e lira, shkëmbimet lëndore, njerëzore, kulturore. Eshtë një shans i madh kur një popull s'kërkon ve zhvillimin e tij natyror. Eshtë shans kur ai s'ka nevojë për demonë e për fantazma.

Prej gjithë këtyre që përmenda më lart, prej logjikës së brendshme të gjërave kushtëzohet natyrshëm emacipimi i njeriut shqiptar. Ky njeri, me ngecjet, cenet dhe dozën e njohur të marrëzisë ballkanase, mbetet tani për tani, pengesa e fundit e Shqipërisë. Por hullija e ecjes së tij është përcaktuar ndërkaq dhe janë të gjitha gjasat që ai të bëjë pjesë në grupin e parë të madh të qytetarëve europianë në gadishull. E parë nga ky kënd, historia jonë moderne këndej e tutje mund të merret si historia e kapërcimit të vetvetes.

Intervistoi: Robert Rakipllari



--------------------------------------------------------------------------------



Ju lutem paraqitni edhe ju mendimin tuaj, faleminderit...
Anonymous
Vizitor
Vizitor

Ç'do të jetë Shqipëria në Ballkan? Empty Re: Ç'do të jetë Shqipëria në Ballkan?

Sun 15 May 2011 - 19:47
Shqiperia duhet te jete ajo qe ishte nje Shqiperi Natyrale
Anonymous
Vizitor
Vizitor

Ç'do të jetë Shqipëria në Ballkan? Empty Re: Ç'do të jetë Shqipëria në Ballkan?

Sun 15 May 2011 - 19:50
Une dua te jet nje shtet qe te ket mundesi te mbaj banoret aty me pune e aktivitete.........
Glaucias
Glaucias
V.I.P Forumi
V.I.P  Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
<b>Postime</b> Postime : 216
<b>Hobi</b> Hobi : Peshkimi
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Shume larg
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 26/12/2010

Ç'do të jetë Shqipëria në Ballkan? Empty Re: Ç'do të jetë Shqipëria në Ballkan?

Sat 26 Nov 2011 - 20:47
Do jete sic eshte, kurre ska per te ndryshuar.
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Ç'do të jetë Shqipëria në Ballkan? Empty Re: Ç'do të jetë Shqipëria në Ballkan?

Sat 26 Nov 2011 - 21:01
Jam dakort e une me ate c'ka thua per vete faktin se Shqiperia po nuk beri ndryshime qe nga themeli pra shteti (qeveria) etj nuk ka per tu pare kurr ndryshe nga ajo qe eshte pare kaq kohe kudo neper bote
Sponsored content

Ç'do të jetë Shqipëria në Ballkan? Empty Re: Ç'do të jetë Shqipëria në Ballkan?

Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi