Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Luan_Valikardi
Luan_Valikardi
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 38
<b>Postime</b> Postime : 21456
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 28/08/2010

Gjergj Fishta Empty Gjergj Fishta

Mon 18 Apr 2011 - 5:33
Gjergj (Zef) Fishta

Gjergj Fishta lindi më 23 tetor 1871 në qytetin e Lezhës.Në famulli u regjistrua me emrin Zef. Më 1886 ai vazhdon studimet për filozofi dhe teologji në Bosnje.Sipas rregullave franceskane ai e ndërron emrin në Gjergj, emër të cilin ai e mbajti deri në fund të

jetës së tij.
Gjergj Fishta kreu studimet e larta për filozofi e teologji. Ai e filloi veprimtarinë studimore në Gomsiqe ku, siç rezulton, shkoi i nxitur edhe nga interesa hulumtuese, shkencore.
Në këtë zonë, ai njohu "shpirtin e racës", mënyrën tradicionalisht shqiptare të jetesës, gojëdhënat, doket, zakonet, normat juridike etj., të cilat do t’i shfrytëzonte mjeshtërisht për veprat e tij. Ai dhe Shtjefën Gjeçovi bënë që Kisha e Gomsiqes të shndërrohej në një institut të vërtetë hulumtimi shkencor.
Fishta njihet në historinë shqiptare si letrar edhe si politikan.Në vitin 1902 ai u bë drejtor i të gjitha shkollave franceskane në Shkodër dhe është i pari që futi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi. Por Gjergj Fishtën e shikojmë edhe si nënkryetar parlamenti dhe si deputet të Prefekturës së Shkodrës.
Më 1908 Fishta kryesoi komisionin për hartimin e alfabetit, të cilin Kongresi i Manastirit e miratoi si alfabet të vetëm të shqipes.
Shkencëtari i gjuhësisë, Gjergj Fishta, dha një kontribut të çmuar për krijimin e gjuhës shqipe të njësuar. Ai ishte i bindur se gjuhët nuk krijohen nga bashkimi apo shkrirja e dialekteve, por nga zgjedhja e një dialekti. "Alfabeti shqiptar i asaj kohe është gati i përkryer, thotë Kadareja, dhe po ju kujtoj se kryetari i komisionit të Manastirit të alfabetit shqip ka qenë Gjergj Fishta. Pra nuk ka qenë një njeri nga Jugu, po ka qenë një nga shkrimtarët më të shquar nga Veriu".
Fishta është një personalitet profetik i kulturës shqiptare, jo vetëm si shkrimtar, por edhe si kritik, historian, filozof, etj. Për disa studiues, Fishta filozof është quajtur më së shumti si një përfaqësues i filozofisë kristiane. Të tjerë, përkundrazi, kanë vënë në dukje faktin se ai është ndikuar po aq nga Platoni e filozofë të tjerë të lashtë, nga idealizmi gjerman i Hegelit etj.
Nuk ishte vetëm njeri me vullnet politik, por politikan, madje edhe politolog. Ai, në stilin e Makiavelit të disa shekujve para tij, vrojtoi sjelljen e klasës politike të fillimit të shek. XX dhe fshikulloi, siç dinte ai, mediokritetin e qeverive të kohës, politikat e mbrapshta etj. Një mendimtar si ai, aktiv në politikë e diplomaci (deputet i Shkodrës, anëtar i Parlamentit të parë Shqiptar dhe nënkryetar i tij, përfaqësues në konferenca ndërkombëtare etj.), nuk mund të mos ishte edhe politolog.
Fishta ka arsye të cilësohet edhe si një ndër pararendësit e sociologjisë shqiptare. Fishta ka trajtuar një problematikë e cila është, gjithsesi, në fokus të sociologjisë bashkëkohore: të sociologjisë religjoze, të kulturës, artit e komunikimit, të moralit e të edukimit, të sociologjisë së familjes (kompleksi i marrëdhënieve familjare, martesa, familja, divorci etj.). Pra mund të pohoet se ai ka vendosur një gur themeli në godinën sociologjike shqiptare.
Me "Lahuta e Malcis", Fishta është quajtur "Homeri i shqiptarëve". Por Fishta ishte edhe një eksplorator i madh, që ka bërë të njohur jetën e popujve që ka takuar dhe, në këtë vështrim, ai është quajtur si një ndër etnologët e parë. Me të njëjtën logjikë Fishta ishte një ndër etnologët e parë shqiptarë. Ai ishte edhe psikolog apo etnopsikolog, në kuptimin që kanë marrë në kohën tonë këto fjalë.
Më 1919, ai merr pjesë në delegacionin shqiptar në konferencën e Parisit nga ku mban edhe një fjalim mbi shqiptarët dhe të drejtat e tyre. Është graduar dhe dekoruar nga shumë shtete të Evropës, dhe ka marrë pjesë në shumë konferenca të ndryshme politiko-shoqërore.Veprimtaria e tij letrare është shumë e gjerë, duke renditur këtu: satirën, lirikën, dramën, dhe përkthime. Është nderuar me disa çmime e tituj, u bë anëtar I Akademisë Italiane, si dhe u propozua për çmimin Nobel.

Fishta, kolos i mendimit dhe i letërsisë
Dr. Zef Mirdita

Frati që luftoi pseudointelektualët, pseudoeuropianët, pseudoshqiptarët.

“Bini, Toskë, ju, bini Gegë/ Si dy rrfé, qi shkojnë tue djegë!

Të flitet për P.Gjergj Fishtën, nuk është as lehtë, e nuk është as thjeshtë. Sado që është nderë e madhe, më e madhe është përgjegjësia.

Them kështu, sepse kemi të bëjmë me një kolos të mendimit dhe të letrave shqiptare. Kemi të bëjmë me një figurë madhështore, e cila me tërë veprimtarinë e vet - meshtarake, intelektuale, politike dhe letrare - e ka sintetizuar tërë historinë e popullit shqiptar. Kemi të bëjmë me një apostull të atdhetarizmit të sinqertë dhe të pastër, për të cilin shqiptarizmi nuk ka qenë profesion i ēastit apo i rastit, por ka qenë një jetë intenzive, e përshkuar me të gjitha ngjarjet më vendimtare për fatin e kombit shqiptar.

U lind më 23 tetor 1871, në fshatin Fishtë, në Zadrime. Prindërit e pagëzuan me emrin Zef, të cilin sipas rregullës së Urdhërit Françeskan, do ta zëvendësojë me emrin Gjergj.
Mësimet e para i mori nga poeti arbëresh, P.Leonard De Martini. Me të parë zotësinë e e Zefit të vogël, poeti e mori në seminarin françeskan, në Troshan, ku edhe e kreu shkollën e mesme. Më 1886 u nis për në Bosnje, ku, në Sutjeskë, Livno dhe Kreçevo, i kreu studimet filozofike dhe teologjike. Aty u njoftua me P.Grga Martię-in dhe me Silvije Strahimir Kranjčevię-in, të dy këta poetë të mëdhenj kroatë. Këtij të fundit, madje ia përkushtoi një vjershë të shkruar më 12 dhjetor 1892. Më 1893 kthehet në Shkodër, ku më 1894 shugurohet meshtar.

Brenda një kohe, njëkohësisht e ushtroi detyrën e arsimtarit në Troshan dhe famullitarit në Gomsiqe të Mirditës.

Së bashku me abatin e Mirditës, Mons.Preng Doçin, Don Ndoc Nikën dhe P.Pashk Bardhin themeloi Shoqërinë Kulturore “Bashkimi”.

Më 1902 u emërua drejtor i gjimnazit françeskan në Shkodër. Me ardhjen e tij, gjuha italiane, që ishte gjuhë ligjërimi, u zëvendësua me gjuhën shqipe. Më 1908 është kryetar i Kongresit të Alfabetit, në Monastir (Bitoli i sotëm), në të cilin u vendos që alfabeti latin të merret për alfabet të gjuhës shqipe. Më 1916 është anëtar i Komisisë Letrare Shqiptare, e cila ka pasë për detyrë standardizimin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe.

Më 1919 është sekretar gjeneral i dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, në krye të së cilës dërgatë ishte ipeshkvi i Lezhës, Mons.Luigj Bumçi. Nga Parisi, në krye të dërgatës shqiptare shkon në Washington, për ta mbrojtur integritetin territorial të Shqipërisë, nga orekset okupuese të serbëve, malaziasve dhe grekëve.

Më 1921 zgjedhet deputet i grupit të Shkodrës, në Parlamentin e Tiranës, dhe menjëherë zgjidhet nënkryetar i tij dhe kryetar i Komisionit për çështje Financiare.

Ishte përfaqësues i Shqipërisë në konferencat ballkanike: në Athinë(1930), Stamboll(1931), Bukuresht(1932), ndërsa më 1934, ishte delegat i Shqipërisë në New York.

Në periudhën 1935-1938, kryen detyrën e provincialit të Provincës Shqiptare Françeskane.

Për veprimtarinë e tij të gjithanshme ka qenë i dekoruar



nga Qeveria Austriake me “Ritterkreuz”(1912),
nga Qeveria Turke me “Mearf Kl, II.”
Në vitin 1925, Papa Piu XI e nderon me medaljen “Al merito”,
kurse më 1931, Qeveria Greke e dekoron me rendin “Phoenix”. Më 1939,
Urdhëri franēeskan e dekoron me titull “Lector jubilatus honoris causa”,
ndërkaq Akademia Italiane e zgjodhi për anëtar të vetin, për çka, përveç insinuatave të tjera, kritikët e pendave enveriane e karakterizojnë si fashist dhe armik të popullit! A nuk është kjo tragjiko-komike!?


Më 31 dhjetor 1940, pushon së rrahuri zemra e këtij vigani të letrave shqiptare, apostullit të unitetit të kombit shqiptar.

Ndalimi
Mirëpo, përderisa emri dhe veprat e tija ishin të pranishme në katedrat albanologjike dhe ballkanologjike të Evropës, në Shqipëri, të cilën e deshi me tërë qenien e vet dhe të cilës ia kushtoi vargjet më të bukura, u ndalua për plot 50 vjet. Me ndalimin e veprave të tija u gjymtua gjuha shqipe, të cilës ky poet ia këndoi himnin më të bukur që është shkruar ndonjëherë në gjuhën shqipe:

Porsi kanga e zogut t’veres
Qi vallzon n’blerim të Prillit,
Porsi i ambli flladi i eres,
Qi limon gjit e drandafillit,
Porsi vala e bregut t’detit,
Porsi gjāma e rrfés zgjetare,
Porsi ushtima e nji termetit,
Njasht ā’ gjuha e jonë shqyptare.

Për 50 vjet u ndalua të dëgjohet mallkimi i poetit drejtuar atyre që këtë gjuhë shqiptare e përbuzin:

Prį, mallkue njai bir Shqyptari,
Qi ketë gjuhë të Perendis,
Trashigim, qi na la i Pari,
Trashigim s’ia len ai fmis,
Edhé atij iu thaftë, po, goja,
Qi e përbuzë ketë gjuhë hyjnore
Qi n’gjuhë t’huej, kur s’āsht nevoja,
Flet e t’veten len mbas dore.

Për plot 50 vjet u ndalua këndimi i himnit më të bukur që Fishta ia kushtoi Flamurit Kombëtar:

Porsi fleta e Éjllit t’Zotit
Po rrehe Flamuri i Shqypnis
e thrret t’bijt e Kastrijotit
Me u mbledhë tok nder çetë t’ushtris.

Plot 50 vjet e akuzuan se bëri përçarje në popull, atë i cili po këtë popull e fton të bashkohet:

Bini, Toskë, ju, bini Gegë!
Si dy rrfé, qi shkojnë tue djegë!
A ngadhnyesé a t’gjith déshmorë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!

Këtë himn, kushtuar Flamurit Kombëtar, poeti e shkroi me rastin e ngritjes së Flamurit, natën e Shna Ndout, më 12 qershor 1913, në kumbonaren e kishës françeskane të Gjuhadolit, përkundër ndalesës së kolonelit De Philipps, sundimtarit të qytetit të Shkodrës.

Eshtë e njohur se njerëzit e mëdhenj vdesin në kohë të duhur! Falë Zotit, kjo ndodhi edhe me Pater Gjergj Fishtën. Sepse, po t’i kishte pritur njësitë e kuqe të ngarkuara me idetë e internacionalizmit proletar, por edhe antishqiptar, jo vetëm që e kishin masakruar, por as varri nuk iu kishte ditur, si ka qenë rasti me shumë sivëllezër të tij françeskanë.

Megjithatë, ajo që nuk i ndodhi për së gjalli, e pësoi për së vdekuri. Mënia dhe urrejtja ndaj tij ishte aq e madhe, sa që edhe e zhvarrosën dhe eshtrat ia hodhën në bërllog!

Nuk është kjo hera e parë që mizoria e tillë barbare ushtrohet mbi fatosat e vdekur shqiptarë!

Dihet se turqit e hershëm e zhvarrosën trupin e Skënderbeut dhe nga kockat e tija, si shkruan Marin Barleti, bënë hajmali për ushtarë. Po ashtu, turqit e hershëm e zhvarrosën trupin e Pjetër Bogdanit, argjipeshkvit të Shkupit, nismëtarit të prozës shqipe, dhe eshtrat e tija ua hodhën qejve në sheshin e Prishtinës, aty ku sot ndodhet ndërtesa e Kuvendit të Kosovës.

O kohëra, o zakone të fëlliqta!

Kështu pra u veprua me Pater Fishtën, i cili nuk e deshi Shqipërinë vetëm si emër gjeografik! Ai Shqipërinë e ka koncipuar dhe dashur si një atdhe të vërtetë të të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga ndasia religjioze dhe përkatësia regjionale, që është plagë e rëndë e trashëguar nga okupatori shumëshekullor osmano-turk.

Pikërisht për ta shëruar këtë plagë, poeti thekson nevojën e vëllazërimit, unitetit kombëtar, ide kjo që e përshkon tërë kryeveprën e tij Lahuta e Malcis. Nuk është e rastit që ai këtë ideal dhe mendim të vetin e dëshmon përmes protagonistëve të besimit muhamedan, si Oso Kukës, Ali Pashë Gusisë, Marash Ucit etj. Sepse, si thotë Ernest Koliqi: Shqipnija (ndërsa unë do të kisha thënë shqiptarizmi) vetëm atëherë mundet m’u njehun fatbardhë, kur breznija e ré, tue pasë menden e sterhollueme si mā i miri perendimuer, ta ket zemren e thjeshtë e bujare si Marash Uci e Oso Kuka.

Fishta, vërtetë i qorton muhamedanët, me qëllim që njëherë e përgjithmonë ta kuptojnë se feja e kombi nuk janë një, andaj edhe i konsideron për vëllezër. Si të kuptohet ndryshe përgjegjja e Patër Gjonit dhënë Mark Milanit:

Unë zotni n’ushtri kam dalë
Jo me Turq, por me Shqyptarë,
Turq a t’kshtenë, si janë gjithmarë
Pse si t’kshtenë, si muhamedan
Shqypnin s’bashkut t’gjith e kanë

Përgjegjja e tillë për Mark Milanin si edhe për të gjithë ata që mendonin ashtu, ka qenë jo vetëm befasi, por edhe shpullë e rëndë, për shkak se një prift katolik mund t’i bëhej ndihmë “Turkut”, duke i lënë pas dore “kryqalitë” sllavë dhe bujarin e tyre, që, së fundi, ishte edhe vetë gjysmëshqiptar, si thotë Pater Gjergji:

Me kryq n’dorë e me kryq n’ballë,
Turkut ndihmë ti me na i dalë?
E tue njoftë per G o s p o d a r
Knjaz Nikollen, trim bujar,
dér dikś edhe ky’ Shqyptar!

Kështu, derisa Kelmendasit dëgjonin thirrjen e Gusinjanëve myslimanë të sulmuar nga ana e malaziasve, thonin:

Lpifshin kryet e xjerrshin syt
Ti haj dreqi Turq e Shkje,<!--[if !supportFootnotes]-->[i]<!--[endif]-->

dhe vazhdonin më tej, pa ndonjë ndjenjë më të thelluar:

se e kemi festen e Bajrakut e
duhet njëherë me shkue në shtëpi ,
e me shtrue petlla e raki

Mirëpo, Pater Gjoni, në fund të meshës u thotë: Çohi, o bij të Skanderbegut Turq e t’Kshtenë, mos t’u dajë feja!

Sepse:
Vllaznit t’onë i kem’ n siklet!

Këto kushtrime nuk janë vetëm të Pater Gjergj Fishtës, por janë të tërë klerit katolik!

Pater Gjergj Fishta, me një kulturë të gjithanshme e të thellë, dhe pse mos të thuhet, me një kulturë perëndimore dhe evropiane, ndonëse i ka qortuar vëllezërit shqiptarë, pavarësisht, muhamedanët apo të krishterët, kurrë nuk ka anuar kah Evropa.

Për të Evropa, nuk ka qenë tjetër, pos një sh********ha e vyshkur, vërtetë, me emër e krishterë, por me vepra e pa Tenzonë.

Uh! Evropë, ti !@# e motit
Qi i rae mohit besës së Zotit
Po į ky a sheji i gjytetnis
Me da token e Shqypnis
Per me mbajt klysht e Rusis?

S’do mend se Fishta ka qenë i vetëdijshëm se feja e të huajit e ka bërë të vetën në trungun e kombit shqiptar. Megjithatë, ai nuk e nënçmon as mendimin dhe as besimin e vëllezërve shqiptarë. Mirëpo, ai është kundër shfrytëzimit të ndjenjave fetare për dobi vetanake apo partiake. Për të është më se e qartë se identifikimi i fesë me komb është jo vetëm anakronik, por edhe jo shkencor. Madje, edhe për nga aspekti politik, një identifikim i tillë shkon në dëm të integritetit etnogjeopolitik të popullit shqiptar. Prandaj, ai përpiqet, madje edhe kërkon që të tregohet mënyra se si erdhi deri te kjo ndasi fetare, e cila, për fat të keq, mund të shfrytëzohet në dëm të unitetit kombëtar. Këtë më së miri e ka sqaruar dhe dëshmuar Ismail Kadare, i cili në mes tjerash thotë: Turqizimi i qindra mijëra shqiptarëve, greqizimi i një pjese tjetër, ngatërrimi i përkatësisë shqiptare me atë fetare, dëshmonte se ndjenja patriotike e një pjese të shqiptarëve, ka qenë jo aq e fortë si paraqitej

Dhe kur Fishta tregon se nga buron ky rrezik lidhur me integritetin etnogjeopolitik të shqiptarëve, nuk do të thotë se është kundër besimit muhamedan. Ai, në të vërtetë, mu ashtu si secili shqiptar i sinqertë, nuk mund të pajtohet me identifikimin e fesë me kombin.

Fe dhe atdhe

Sidoqoftë, nuk duhet mohuar se lajtmotivi i Fishtës në veprimtarinë e tij shkencore e arsimore, kulturore e politike, fetare e letrare, ka qenë: Për fe dhe atdhe.

Që të kuptohet kjo sintagmë, duhet pasur parasysh disa fakte.

Së pari, ai ka qenë meshtar dhe kuptohet se në veprimtarinë e vet nuk ka mundur ta len mënjanë aspektin fetar.

Së dyti, dihet se Shqipëria, si për nga aspekti gjeografik, ashtu edhe për nga aspekti historiko-kulturor i mirëfilltë, i takon arealit kulturor evropian, gjegjësisht kristian.

Së treti, krishtenizmi, veçanërisht katolicizmi, është njëri nga argumentet e pakontestueshme, që flet në dobi të autoktonisë së shqiptarëve në trojet ku jetojnë sot. Edhe atëherë kur Fishta e cek katolicizmin në relacione ndërkombëtare atë e bën për hir të mbrojtjes së integritetit të territorit shqiptar dhe për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë. Kjo shihet qartë nga përmbajtja e telegramit të cilin në italishte nga Parisi ia dërgon Pater Palë Dodës më 16 shtator 1922 dhe në të cilin thotë sa vijon:

“Ndërkaq vizita ime në Washington pati për rezultat njohjen e Shqipërisë nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të gjitha përpjekjet e mëparshme të qeverisë sonë dhe të “Vatrës” mbetën pa ndonjë përfundim të mirë. Unë pata sukses. Kjo u bë me një ndërhyrje të senatorëve katolikë, të cilëve ua parashtrova çështjen, sidomos nga aspekti fetar, që qeveria amerikane u shty me e njoftë zyrtarisht Shqipërinë.”

Së katërti, dihet se qysh në shekullin XV, si thotë Fan Noli: Katholicizma nga njëra anë i jipte Shqipërisë bashkimin që i mungonte si shtet, edhe nga ana tjetër e lidhte me botën e krishterë evropiane.

Prandaj, edhe, siç thotë Ismail Kadare: S’është e rastit që goditja më e egër (në kohën e sundimit enverian /sic! Z.M./) iu bë katolicizmit si fesë më evropiane.

Nuk duhet heshtur se besimi është një faktor tejet i rëndësishëm dhe i ngulitur në trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të një populli. Dhe me kultivimin e kësaj trashëgimie, njëherësh kultivohet edhe kultura e mirëfillt e një populli.

E për shqiptarët, kultivimi i trashëgimisë dhe i kulturës ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe, lidhur me dëshminë e autoktonisë së tyre në kohën kur orekset imperialiste të fqinjëve rriteshin gjithnjë e më tepër në dëm të integritetit territorial të trojeve shqiptare. Prandaj, çdo përpjekje e mohimit të trashëgimisë kulturore të mirëfilltë, nuk është asgjë tjetër veçse një etnokulturocid. Për një gjë të tillë, historia në kohë të caktuar i hakmerret popullit! Pikërisht për këto arsye, Fishta ka luftuar dhe vepruar nën sintagmën: Për fe dhe atdhe!

Arti

Sa i përket vlerës estetiko-letrare të veprave të Fishtës, ajo është e shumëfishtë, qoftë për nga përmbajtja, gjuha, stili, rrjedhshmëria e fjalës, ngrohtësia, ngjyra dhe porosia.

Duhet theksuar se Fishta, me shikimin realistik të vetin, duke i soditur fenomenet e jashtme të ngjarjeve, thellësisht depërton në brendi të jetës aktuale të shqiptarit dhe kështu ai e ndriçon vetë qenien etnike të popullit. Vëzhgimi i tij depërton thellë në zemrën e popullit, nga edhe e dëgjon, vlerëson intensitetin e pulsit dhe të ndjenjave, me qëllim që të mësojë se sa është ky popull i gatshëm ta shkundë trashëgiminë e mentalitetit të imponuar gjatë sundimit otoman.

Ai nuk e idealizon shqiptarin. E përshkruan ashtu çfarë është: me të gjitha virtytet dhe të metat, meritat dhe fajet; i përshkruan veçoritë si: zemërgjerësinë, mosbesimin dhe hakmarrjen. Për Fishtën, shqiptari është individualist, madje shpesh herë edhe sektar, por që anon kah toleranca fetare, kuptohet nga prirja e mitit të gjakut dhe gjuhës së përbashkët.

Me një admirim të mrekullueshëm, Fishta e këndon dhe e lavdëron virtytin arkaik të shpirtit shqiptar, ndonëse nuk e idealizon. Fishta e lartëson krenarinë e shqiptarit duke e udhëzuar dhe nxitur që një herë e përgjithmonë të heq zgjedhën e huaj dhe të jetojë i lirë në Shqipërinë e lirë. Fishta në veprat e veta e qorton shqiptarin që të lirohet nga fatalizmi, pjellë e mentalitetit oriental dhe e udhëzon kah rruga e qytetërimit evropian, ku edhe ka vendin e vet, si gjeografikisht, ashtu edhe historikisht.

Të gjitha personazhet dhe protagonistët në veprat e tija, janë shqiptarë të thjeshtë me të gjitha cilësitë inative, veset dhe gjestet pozitive, apo negative. Fishta, me një lehtësi të mrekullueshme, kalon nga theksi lirik në atë epik dhe satirik.

Këndimi i ngjarjeve të së kaluarës, për Fishtën ka qenë në funksion të ndriçimit dhe shpjegimit të rrjedhave të kohës.

Epika

Lahuta e Malcis, kryevepër e P.Gjergj Fishtës, është poemë heroike në të cilën është shkrirë me një harmoni të pashembullt historia me legjendën, elementi njerëzor me atë hyjnor. Në këtë poemë është skalitur epopeja e popullit shqiptar, pavarësisht nga hapësira gjeografike, apo ajo kohore. Në të vërtetë, ai në këtë poemë e ka mishëruar tërë qenien e vet, jo vetëm si poet, por edhe si akter politik dhe kulturor. Protagonistët e veprës Lahuta e Malcis, si Oso Kuka e Marash Uci, Cur Ula e Ali Pashë Gusia, Dedë Gjo Luli etj., nuk janë gjë tjetër veçse alternacione të Pater Gjergj Fishtës.

Mendimet, ndjenjat dhe qëllimet e tyre janë identike me ato të Pater Gjergj Fishtës. E këto nuk janë gjë tjetër veçse shprehje e çlirimit të atdheut. Madje edhe në shëmbulltyrat e tija fantastike, të cilat përherë i sheh dhe i adhuron, siē janë Zanat, Orët, Kulshedrat e Drangojt, ai e identifikon karakterin e tyre, ndonëse në mënyrë imagjinative, me atë të shqiptarit, po edhe me atë të vetin.

Veçoria tjetër, madje tejet e rëndësishme, e krijimtarisë së Fishtës, është ajo se ai në të gjitha veprat e veta epike, lirike, melodramatike apo satirike, ka notën edukative, me qëllim të tejkalimit të ndasive regjionale apo fetare.

Së këndejmi, përshkrimi i bukurisë së malësores, në shëmbulltyrën e Tringës, qoftë për nga fisnikëria, bujaria dhe bukuria, është diçka e pakrahasueshme, madje antologjike në letërsinë shqipe. Mirëpo, në simbolikën Fishtiane, të gjitha veçoritë e personazheve, nuk janë gjë tjetër, veçse bukuria e Shqipërisë, malet, fushat, lumenjtë. Kështu, poeti, Shqipërisë i këndon:

Por nji fushë mā e blerët nuk shtrohet,
Por nji mal mā bukur s’rri,
Mā i kulluet nji lum s’diktohet,
Moj Shqypni, porsi i ké ti.

Fishta me idealet e veta të larta, humane e patriotike, përpiqet që t’ia ngulit shqiptarit ndjenjën nacionale, krenarinë dhe vetëbesimin, me qëllim që të jetë i gatshëm për të luftuar për liri dhe pavarësi të atdheut. Në të vërtetë rreth këtij boshti, ndërlidhen të gjitha episodet e ngjarjeve historike, të kënduara në Lahutën e Malcis, që nga Lidhja e Prizrendit (1878), e deri në Konferencën e Londrës (1913), kur edhe njihet autonomia e Shqipërisë.

Satira

Tematika kombëtare trajtohet në Anzāt e Parnasit, satirë kjo atdhetaro-shoqërore dhe në Gomarin e Babatasit, poemë dramatiko-satirike. Gjuha e satirës së tij është therrëse, thumbuese, plot ironi dhe sarkazëm, që njëherësh është karakteristikë e të folurit të qytetit të Shkodrës. Fishta, përmes këtyre satirave lufton kundër pseudointelektualëve, pseudoperendimorëve dhe pseudoshqiptarëve. Ja se ç’thotë Fishta për njerëz të tillë:

“E qe se, m’atherë u dishmuen liberala, okcidentala, konstitucionala, republikaj, demokratë; me Këshille të Nalta, me Parlamente suverene, me Qeveri të përkohshme, të përtashme, të pesëditshme, me kisha e xhamia autoqefale;

ndërsa kombi cofte ujet (urie), dergjej gazepit, na qojshin përfaqësuesa e ministra në Romë, Londër, Paris, Athinë, Belgrad, Varshavë, -po, edhe në Varshavë e s’di se ku njeti, - për me i diftue botës së qytetnueme se Perendia kishte ba mrekulli mbi ne e se na, ndoshta gjaksë tue qenë, me pre fëmijën në djep; shumëkush nesh hajduta, me të vjedhë zhallogën prej opanget; fanatikë, me djegë katundin për nji qime mjekrre, për nji thak brezi; analfabetën 95 %;

njerëz të papunë, që vdisshim ujet mbi visare tona; madje edhe beglerë, bajraktarë, agallarë, myltazima e krunde të nji despotizmi ma të randë, të nji tiranie ma të dhunshme, të nji individualizmi, ekskluzivizmi, aziatizmi ma të neveritshëm, ishim ba sod volterianë, laburista, socialista, konservatorë, popullor, pëparimtarë… E na u ngrimë, u shtanguem krejt, kah shifshim tue lujtë këtë pantomimë të pahijshme mbi kurriz të ngratit popull shqyptar…”

Ndonëse satirat e tija janë refleks i shoqërisë shqiptare të asaj kohe, e cila posa kishte dalur nga letargjia kulturore, politike dhe sociale pesëshekullore osmano-turke, ato, me porositë dhe përmbajtjet e tyre, janë aktuale sot e kësaj dite. Ja pra, ky është Pater Gjergj Fishta, i cili për plot gjysmë shekulli, qe i përdhosur, i njollosur dhe i përbuzur, me karakterizime të një “spiuni”, të një “të shituri”, të një “trathtari”, të një “antishqiptari”, të një “antikombëtari” dhe të një “fashisti”. Të gjitha këto nofka ia mveshën Fishtës, i cili Shqipërisë i këndon:

T’falem, Shqypni, ti i shpirtit t’em dishiri!
I lum njimend jam un n’gji tānd tue rrnue,
Tue gzue t’pamt t’ānd, tue t’hjekë at ajr t’kullue
Si Leka i Madhi e Skanderbegu i biri.

Përfundimi
Vërtetë, Fishtën e njollosën, e përbuzën, e ndaluan në shkolla dhe universitete, ndonëse, në tekstet shkencore ka qenë i pranishëm, por pa emër , megjithatë nuk mundën ta dëbojnë nga zemra dhe nga ndjenjat e popullit.

Nga frika se varri i tij do të jetë vendfrymëzim i idesë së Shqipërisë së lirë, të cilën ide përherë e pat në zemër, madje, siē këndon vetë poeti, edhe për së vdekuri:

Dersa t’muendem me ligjrue
E sa gjall me frymë un jam,
Kurr Shqypni, s’kam me t’harrue,
Edhe n’vorr me t’permend kam.

Shërbëtorët e atyre kundër të cilëve Fishta tërë jetën luftoi, e zhvarrosën. Të gjitha këto marrëzira mbetën të kota. Fishta, siē thotë Lasgush Poradeci, mbeti shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar.

Dhe tani, kur po e përkujtojmë 60 vjetorin e vdekjes së P.Gjergj Fishtës, po e përkujtojmë faktin se poeti i kombit mbetet gjallë përherë, sepse, Kanga e tij - siç thotë Ernest Koliqi - s’ka m’u shue deri sa gjaku arbnuer të vlojë në një zemër arbnore, pse ajo do të jetë pasqyra e nji qytetnimi vërtet shqiptar si sot ashtu në kohnat mā të lashta.

Uh! Evropë, ti !@# e motit
Gjuha e satirës së tij
është therrëse, thumbuese,
plot ironi dhe sarkazëm
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi