Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Luan_Valikardi
Luan_Valikardi
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 39
<b>Postime</b> Postime : 21456
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 28/08/2010

Shoqëria Shqiptare dhe Kultura në Mesjetë Empty Shoqëria Shqiptare dhe Kultura në Mesjetë

Mon 30 May 2011 - 14:53
SHOQËRIA SHQIPTARE DHE KULTURA NË MESJETË



Fisnikëria
Lindja dhe zhvillimi i fisnikërisë shqiptare të tokës u krye në kushte specifike nëpërmjet veprimit të shumë faktorëve kontradiktorë. Së pari, në kushtet kur vendi mbeti përgjatë gjithë kohës nën sundimin e perandorive e të mbretërive të huaja, kuptohet që procesi i rritjes së klasës feudale shqiptare mbartte kufizimet e veta drejt arritjes së një fizionomie të plotë nacionale të saj.
Larmia e gjerë e titujve të fisnikërisë që mbanin krerët shqiptarë tregon shkallën e ndikimit dhe të integrimit të mjaft prej tyre me sistemet e huaja shtetërore. Në hierarkinë shqiptare ndeshen sa tituj bizantinë (despot, sebastokrator, sebast, heteriark, protokathimen, kabalarios, qefali etj.), aq edhe tituj perëndimorë (kapiten, judex, miles, kastelan, mareskalk, protontin, admiral) e sllavë (zhupan, kasnec, vojvodë etj). Në fakt, mjaft fisnikë shqiptarë ishin të integruar në administratat e huaja, qendrore e provinciale, në atë masë saqë dobësoheshin lidhjet me mjediset e tyre. Qysh në fillimet e shek. XI ka dëshmi për fisnikë shqiptarë nga familjet Skurra, Arianiti etj., që ishin përfshirë në fisnikërinë e Mbretërisë së Sicilisë apo të Perandorisë Bizantine. Por kjo nuk do të thotë se shumica e aristokracisë shqiptare, ndonëse nën ndikim e tutelë të huaj, të mos orientohej ku më shpejt e ku më vonë drejt emancipimit të vet, siç e provoi në fund të fundit edhe krijimi i Principatës së Arbrit që në shek. XII, apo i principatave e formacioneve të tjera shtetërore shqiptare në shek. XIV-XV.
Karakteristikë e përbashkët është se vatrat e këtyre formacioneve ndodheshin thuajse gjithmonë larg qyteteve e kështjellave, ku qe përqendruar administrata e pushteti i huaj, qoftë ky bizantin, anzhuin apo serb. Familjet që ishin në krye të principatave të shekujve XII-XV, nga Skurrajt, Blinishtët, Jonimët, Arianitët, Topiajt, Gropajt, Muzakajt, Matrëngët, Buat etj., vinin kryesisht nga zonat malore. Pushteti i tyre mbështetej në lidhjet që këta krerë kishin me popullsinë e vendit, duke përfshirë edhe lidhjet e gjakut, në madhësinë e "fisit" e, për rrjedhojë, në numrin dhe në cilësinë e forcës së armatosur që këta krerë kishin mbas vetes. Kjo përbënte në thelb bazën e autoritetit të tyre. Sunduesit e radhës, bizantinët, anzhuinët apo serbët, detyroheshin t'i llogaritnin këta krerë, që zotëronin një potencial luftarak të konsiderueshëm. Ndaj kërkuan t'i tërhiqnin ata duke u njohur, në një farë mase, pushtetin e tyre mbi zonat respektive, duke u dhënë tituj e prona dhe duke i përfshirë kështu në sistemin e qeverisjes. Ky raport i pushteteve të huaja me aristokracinë shqiptare u shoqërua edhe me joshjen nëpërmjet dhënies së pronave dhe zhvendosjes së mjaft krerëve drejt viseve ku ndodheshin qendrat e pushtetit. Kështu, në shek. XIV, Skurrajt e malësisë së Tiranës ishin bërë zotër të një pjese të madhe të ultësirës, që për hir të tyre u quajt "Skurrje". Mjaft prej Skurrajve u vendosën në Durrës e u bënë qytetarë të tij. E njëjta gjë ndodhi me Muzakajt e malësisë së Oparit, të cilët po atë kohë shtinë në dorë një pjesë të mirë të ultësirës midis Beratit, Vlorës e Karavastasë, e cila për hir të tyre filloi të quhet "Muzakje" (Myzeqeja e sotme). Dhurimin e pronave apo të feudeve në zonat fushore, rreth e rrotull qendrave të mëdha, si në Shkodër, Lezhë, Dibër, Durrës, Vlorë, Vageneti, Janinë, Kolonjë, Devoll etj., krerët shqiptarë duhet ta shpërblenin duke u ofruar shërbimet e tyre, kryesisht shërbimin ushtarak, strategëve bizantinë apo mëkëmbësve e kështjellarëve anzhuinë. Kështu, qoftë në epokën bizantine, qoftë edhe në atë anzhuine, në kështjellat kryesore të Durrësit e Vlorës përmenden krerë të ndryshëm nga krahinat fqinje, të cilët qëndronin brenda mureve të kështjellave në fjalë për një periudhë të caktuar bashkë me suitën e tyre (familia). Atyre u besohej ruajtja e objekteve të veçanta, zakonisht e kullave përgjatë murit rrethues. Pjesën tjetër të vitit krerët feudalë e kalonin në zotërimet e tyre ku ndodhej banesa e fortifikuar (fortis domus), në të cilën ata strehoheshin bashkë me familjen e me njerëzit e tyre të armatosur. Sipas shtrirjes së zotërimeve të tyre, feudalët mund të kishin disa vendqëndrime të tilla të fortifikuara. Mjaft prej tyre kishin dhe rezidenca verore, ku kalonin muajt e nxehtë të vitit, si, p.sh. Balshajt në malësinë e Tivarit apo Muzakajt në atë të Skraparit. Që nga shek. XIII feudalët shqiptarë fillojnë të tërhiqen pas qyteteve të mëdha, si Durrësi, Shkodra, Ohri, Kosturi, Janina, ku kalonin një pjesë të kohës "për punë ose për t'u zbavitur" (pro suis factis vel pro placere). Shumë prej tyre blenë aty edhe banesa. Emrat e disa prej familjeve aristokrate të qyteteve tona, si Skurraj, Vranajt, Neshat në Durrës, Sumat e Spanët në Shkodër, flasin për një proces urbanizimi të aristokracisë së tokës në shek. XIII-XIV. Në kohën e emancipimit të plotë të tyre, në shek. XIV, mjaft krerë shqiptarë e shpërngulën selinë e tyre kryesore në qytetet e kështjellat e mëdha. Kështu, Topiajt kaluan nga Kruja në Durrës, Balshajt e vendosën rezidencën kryesore në Shkodër, Zahariajt në Dejë, Dukagjinët në Lezhë, Gropajt në Ohër, Muzakajt në Berat, Shpatajt në Artë, e kështu me radhë. Vendqëndrimi i tyre në qytet ngrihej në pjesën mbizotëruese të tij (castrum), aty ku më parë qëndronte qeveritari bizantin, serb apo anzhuin. Ai formonte një sistem të fortifikuar të mëvetshëm brenda kështjellës, shpeshherë e ndarë prej saj me mure. Rezidenca e sundimtarit përfaqësohej nga banesa për të dhe për familjen, si dhe kazerma për gardën e tij të armatosur. Në të përfshiheshin depot e drithit e të armëve, pusi ose cisterna e ujit, farkëtaria e deri burgu i kështjellës, pra gjithçka që lejonte funksionimin e pavarur të kësaj pjese të qytetit në rast rrethimi. Zona rezidenciale e kështjellës përbënte në çdo rast pjesën më të mbrojtur të saj dhe bastionin e fundit të qëndresës në rast sulmi.
Objekte të rëndësishme ushtarake, siç ishin kullat përgjatë mureve rrethuese të qytetit, merreshin në mbrojtje nga njerëz të besuar të feudalit me trupat e tyre.
Veçoritë që karakterizuan zhvillimin e fisnikërisë shqiptare gjetën pasqyrim edhe në mënyrën e organizimit e të funksionimit të oborrit feudal e, në një kuptim më të gjerë, të formacioneve feudale shqiptare. Edhe këtu, ndikimi i traditës ishte mjaft i fuqishëm.
Nëse lihet mënjanë një shtrirje e kufizuar e territorit bregdetar shqiptar, ku në periudha të veçanta u ndie fort ndikimi i feudalizmit perëndimor, në përgjithësi në Shqipëri vepronte e drejta bizantine, por dhe kjo ishte efektive në viset fushore, pranë qendrave të mëdha administrative. Kjo e drejtë njihte si zot e pronar të vetëm shtetin, në personin e perandorit, ndërsa feudalët e veçantë s'ishin veçse përdorues të tokës, të cilën vetë perandori ua kalonte me dekret të veçantë, për një kohë të kufizuar dhe me kushte të përcaktuara, ndër të cilat shërbimi ushtarak në favor të perandorit përbënte kushtin kryesor. Ky qe thelbi i sistemit të pronies, që përbënte bazën e feudalizmit bizantin në shekujt XI-XIV. Kuptohet që një sistem i tillë, ndërsa krijonte një shtresë fisnikësh të lidhur me pushtetin qendror, i krijonte tej mase pengesa fuqizimit dhe emancipimit të tyre politik, për sa kohë ata nuk ishin pronarë me të drejta të plota të tokës së tyre. Në rast se proniari ose pasardhësi i tij nuk u përmbaheshin detyrimeve ndaj perandorit, përkatësisht detyrimit ushtarak, ata privoheshin nga pronia, e cila po me dekret perandorak (krysobullë) i jepej një personi tjetër. Rrjedhimisht, sistemi qe menduar i tillë që nuk nxiste fuqizimin e feudalëve të veçantë, qoftë nëpërmjet kufizimit e kushtëzimit të institucionit...
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi