Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anonymous
Vizitor
Vizitor

Të thyhet heshtja. Kush janë vrasësit? Empty Të thyhet heshtja. Kush janë vrasësit?

Thu 21 Jul 2011 - 15:06
Të thyhet heshtja. Kush janë vrasësit? F.0720230655318_m
Shkëmb Manaj
(Në vigjilje të një përvjetori)

Më 23 Korrik bëhen plot njëmbëdhjetë vjet nga rrëmbimi në pabesi, pastaj vrasja, masakrimi dhe në fund djegia e trupit të pajetë të babait tim – Shaban Manaj. Kjo ishte një vrasje, në zinxhirin e një fushate të egër të vrasjeve të personaliteteve të shquara të Kosovës, që me dekada u angazhuan dhe luftuan për një Kosovë të lirë, të pavarur e demokratike. Vrasjet e këtij lloji shqetësuan pa masë Kosovën dhe popullin e saj, sepse po vriteshin figurat eminente të Lëvizjes së Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci.

Këto personalitete me nam, ishin në shënjestër të vriteshin nga regjimi i Serbisë gjatë okupimit serb të Kosovës, por, kush do të besonte që do të vriteshin pasi që nga Kosova të largohej makineria policore dhe ushtarake serbe? Askush, përveç vrasësve të tyre. Vrasësit e dinin, sepse misioni i tyre ishte i hershëm, ishte mision i planifikuar nga regjimi i Millosheviqit, i cili kishte hartuar listat për likuidimin e personaliteteve të shquara të Kosovës. Kur them vrasës, nuk kam parasysh vetëm dorasit e krimit, por edhe inspiruesit dhe urdhërdhënësit e tyre.

Në periudhën e luftës, gjatë vitit 1998-1999 nga regjimi serb dhe nga dora ende e panjohur, u vranë Enver Maloku, Ahmet Krasniqi, Fehmi Agani, Latif Berisha, Bajram Kelmendi etj. Por, misioni nuk përfundoi këtu. Ai për çudi vazhdoi edhe pas vitit 1999, me vrasjet makabre të figurave kombëtare si Xhemail Mustafa, Shaban Manaj, Ismet Rraci, Ukë Bytyqi, Ismajl Hajdaraj, Ekrem Rexha - Komandant Drini, Tahir Zemaj, Haki Ymeri, Sabahate Tolaj, Jusuf Haklaj etj. Për fatin e mirë, këtij misioni i shpëtuan Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova ndaj të cilit pati atentat, pastaj akademiku i shquar Sabri Hamiti i cili u plagos rendë në vitin 1998, profesori dhe veprimtari i shquar Zekria Cana ndaj të cilit pati tentim atentati në vitin 2000, si dhe Agim Veliu, Shkëlzen Hyseni, Fetah Rudi, Sejdi Koca, Ejup Visoka ...

Vrasjet e pas vitit 1999 në opinionin publik janë cilësuar si vrasje enigmatike dhe vrasje të motivuara politikisht. Edhe pas këtyre viteve të fillimit të kësaj fushate të vrasjeve, asnjëra nga këto ende nuk është ndriçuar tërësisht. Ato ende mbeten enigmatike, siç mbetet enigmatike edhe puna e shumë shërbimeve inteligjente ilegale në vendin tonë, duke përfshirë këtu edhe shërbimin sekret serb, udhëheqësit e të cilit vet kanë konfirmuar që në Kosovë e kanë rrjetin e vet shumë aktiv.

Tani ka ardhur koha kur drejtësia duhet ta thotë fjalën e vet. Kush janë vrasësit? Kujt i shërbejnë këta vrasës? A ka nga këta vrasës në pozita të larta në institucionet e Republikës së Kosovës? Sa janë dirigjuar dhe inspiruar nga politika dhe politikanët aktual të vendit? Nëse po. Atëherë, a meriton ky vend dhe ky popull të udhëhiqet nga këta njerëz? Jo. Pastaj, a mund të presim që organet e drejtësisë se vendit tonë do ta kryejnë detyrën e tyre me përgjegjësi dhe në mënyrë të pavarur? Zor se mund ta bëjnë këtë.

Mirëpo, sido që të jetë, është koha të thyhet heshtja. Prokuroria e shtetit duhet të ngritë këto raste, gjyqësori t’i shqyrtojë dhe të jap vendimin. Vrasjet duhet të ndriçohen, sepse, opinioni publik i Republikës së Kosovës dhe Ne familjarët e të vrarëve duhet ta dimë të vërtetën. Si jurist më profesion, ende besoj në thënien se “Drejtësia vonon, por nuk harron”. Herët apo vonë e vërteta duhet dhe do të dal në shesh. Me ndriçimin e këtyre vrasjeve, në Kosovë, njëherë e përgjithmonë do të ndahet shapi prej sheqerit. Vrasësit duhet të marrin dënimin e merituar. Të vrarët duhet të pushojnë të qetë në dheun e vet, për të cilin shkrinë jetën. E vendi ynë - Republika e Kosovës duhet ta ndërtoj të ardhmen e saj evropiane.

Njëmbëdhjetë vjet nuk janë pak, ato kanë barrën e rendë mbi supe. Barrën e padrejtësisë dhe barrën e mosvënies se drejtësisë. Vendoseni drejtësinë që ta dënoni padrejtësinë.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi