Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Luan_Valikardi
Luan_Valikardi
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 39
<b>Postime</b> Postime : 21456
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 28/08/2010

Shqipëri-Bullgari, të shtohet bashkëpunimi ekonomik Empty Shqipëri-Bullgari, të shtohet bashkëpunimi ekonomik

Mon 24 Oct 2011 - 13:31
Shqipëria dhe Bullgaria duhet të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë që ekzistojnë mes dy vendeve për forcimin e bashkëpunimit ekonomik. Kjo është theksuar gjatë takimit të zhvilluar në Sofje mes ministrit të Jashtëm, Edmond Haxhinasto dhe homologut të tij bullgar, Nickolay Mladenov.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, dialogun politik, bashkëpunimin dy dhe shumëpalësh. Haxhinasto vlerësoi se klima e dialogut politik midis dy vendeve duhet të përkthehet në një bashkëpunim konkret në përftim të përbashkët. Ai theksoi rëndësinë e thellimit të këtij bashkëpunimi edhe për çështje të integrimit rajonal.

Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se ekzistojnë mundësi të pashfrytëzuara për forcimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, duke e vënë theksin në projektet e infrastrukturës, të energjisë, turizmit, arsimit. Po ashtu, z. Haxhinasto nënvizoi nevojën për rivitalizimin e shkëmbimeve tregtare, duke ofruar mundësi njohje më të mira për komunitetet respektive të biznesit.

Haxhinasto vlerësoi mbështetjen që Bullgaria i ka ofruar dhe i ofron Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ai shprehu interesimin e Shqipërisë për të thelluar më tej bashkëpunimin, në kuadër të integrimit në BE dhe për shkëmbimin e përvojës bullgare në këtë drejtim.

Ministri i Jashtëm bullgar Mladenov vlerësoi reformat dhe arritjet e Shqipërisë dhe u shpreh se qytetarët shqiptarë meritojnë të marrin mesazhin nga BE, që janë pjesë e procesit të integrimit evropian. Ky proces nuk duhet dhe nuk mund të mbetet peng i politikës së brendshme – u shpreh ai.

Ministri i Jashtëm shqiptar vlerësoi rolin e Bullgarisë për stabilitetin e rajonit, për njohjen dhe mbështetjen e pavarësisë së Kosovës. Ai nënvizoi se Shqipëria dhe Bullgaria kanë objektiva të përbashkëta në rajon dhe ndajnë të njëjtin vizion. Ky partneritet, tha ai, kontribuon për integrimin rajonal, për integrimin në strukturat euro-atlantike, si dhe për stabilitetin, paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Haxhinasto dhe Mladenov ranë dakord për një bashkëpunim dhe koordinim më të mirë të qëndrimeve lidhur me çështje të rëndësishme ndërkombëtare, si për zhvillimet në Libi, Tunizi, Lindjen e Mesme, etj. Të dy bashkëbiseduesit nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit në organizatat ndërkombëtare, si dhe në mbështetjen e kandidaturave reciproke në këto organizata.

Gjatë vizitës në Sofje, Zv/Kryeministri dhe Ministër i Punëve të Jashtme, z. Haxhinasto dhe Ministri Mladenov vizituan Ambasadën norvegjeze në Bullgari, ku nënshkruan librin e ngushëllimeve për tragjedinë e së premtes në Oslo, gjatë së cilës mbetën të vrarë të paktën 93 persona dhe shumë të tjerë u plagosën.

Në vijim të vizitës në Bullgari, kreu i diplomacisë shqiptare zhvilloi një takim me Kryetaren e Parlamentit të Bullgarisë, Tsetska Tsacheva. Në takim u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet dy parlamenteve, ndërsa Haxhinasto tha se dimensioni i bashkëpunimit parlamentar është një vlerë e shtuar në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe proceseve integruese në rajon.

Ndër aspektet e bashkëpunimit dypalësh u nënvizua infrastruktura, transporti dhe turizmi. Tsacheva theksoi se qytetarët e dy vendeve duhet të njohin më mirë njëri-tjetrin dhe këtij qëllimi i shërben edhe ndërtimi dhe përfundimi i Korridorit 8.

Në takim, ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto vlerësoi asistencën e parlamentarëve bullgarë si në planin dypalësh, ashtu dhe në nivel të Parlamentit të Bashkimit Europian.

//albpress//
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi