- Luan_ValikardiKomplet
- Gjinia :
Shteti :
Mosha : 39
Postime : 21456
Anetaresuar : 28/08/2010
Marrëdhëniet e Gjergj Kastriot-Skënderbeut me Evropën
Mon 21 Nov 2011 - 17:01
1. Marrëdhëniet me vendet e Evropës Juglindore
Lufta heroike dhe e suksesshme e shqiptarëve kundër forcave osmane bëri që ata të vlerësoheshin nga shtetet e huaja si një fuqi e rëndësishme e dorës së parë dhe i vuri shqiptarët në ballë të përpjekjeve për dëbimin e osmanëve nga viset e pushtuara të Evropës. Lufta kundër të njëjtit agresor, Perandorisë Osmane, i afroi dhe i bëri aleatë të natyrshëm vendet e Evropës Juglindore.
Si rrjedhim, me kohë u vendosën lidhje ndërmjet shteteve, principatave e zotërimeve të kësaj pjese të Evropës. Në këtë kuadër dalloheshin marrëdhëniet e shqiptarëve me Hungarinë. Deri në vitin 1456, kur vdiq Janosh Huniadi, Hungaria luftonte kundër pushtuesve osmanë dhe ishte kështu aleati më i rëndësishëm i shqiptarëve. Duke goditur secila palë në sektorin e vet të njëjtin armik, lehtësonin barrën e njëra-tjetrës. Bashkëpunimin ushtarak ndërmjet tyre Skënderbeu dhe Huniadi u përpoqën ta shtrinin deri në organizimin e fushatave luftarake të përbashkëta.
Më 1448 dhe 1456, Skënderbeu u përgatit të merrte pjesë përkrah Janosh Humiadid në betejat që ai zhvilloi në Kosovë dhe në Beograd. Por ushtria shqiptare nuk arriti të merrte pjesë në këto beteja për shkak të pengesave që vinin nga largësitë e mëdha midis vendeve të tyre dhe të qëndrimeve armiqësore të sundimtarëve serbë të atyre anëve.
Marrëdhëniet e Skënderbeut me sundimtarët sllavë, si me Gjergj Brankoviçin, në zotërimet e të cilit përfshihej në atë kohë pjesa më e madhe e Kosovës dhe me princin Stefan të Bosnjës, nuk arritën shkallën e bashkëpunimit, sepse ata ishin të pavendosur edhe iu nënshtruan osmanëve si vasalë. Lidhjet tradicionale dhe të vazhdueshme, kryesisht ekonomike-tregtare shqiptarët i kishin më qytetin e Raguzës (Dubrovnikut), që ishte nën sovranitetin e Hungarisë. Raguza i dha dhe një mbështetje të gjerë morale luftës heroike të shqiptarëve si dhe një ndihmë modeste ekonomiko-financiare. Kur në aspektin ushtarak, ajo i ruhej konfrontimit me osmanët, ndaj të cilëve paguante një tribut vjetor.
Lufta fitimtare e shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut ushtroi ndikim të fuqishëm në të gjitha rajonet e Ballkanit dhe nxiti ato të lidheshin më Shqipërinë.
2. Lidhja e Skënderbeut më shtetet Italiane
Lufta e shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut vlerësohej në Evropë si një barrierë e fuqishme që pengonte kalimin e ushtrive osmane në drejtim të Italisë. I vetëdijshëm për këtë ishte edhe vetë heroi shqiptar, i cili në tetor të vitit 1460 i shkruante një princi Italian: “Në qoftë së unë do të mbytesha, Italia do ta ndiente, dhe si rrjedhim, ai zotërim që ju thoni se është i juaji, do ishte i osmanëve.
Gjatë shek. XV Italia ishte e copëtuar politikisht në shumë shtete, me të cilat Skënderbeu krijoi marrëdhënie të ngushta. Lidhje të shumanshme kishin shqiptarët sidomos më Venedikun, ngaqë ky zotëronte në viset bregdetare të Shqipërisë qytete e qendra të rëndësishme ekonomike e tregtare. Marrëdhëniet e shqiptarëve më Venedikun kanë qenë komplekse dhe ndërmjet tyre ka pasur jo vetëm mirëkuptime, por edhe mosmarrëveshje dhe konfrontime, siç ndodhi në 1447-1448. Për t’i ruajtur zotërimet e shumta që kishte në të gjithë bregdetin e Ballkanit. Venedikut i duhej të mbante marrëdhënie sa më të mira me të sulltanët osmanë.
Pastaj nga viti 1419 deri në mesi e viteve ‘50 ai kishte nënshkruar me ta një numër traktatesh paqeje, nëpërmjet të cilave siguronte paprekshmërinë e zotërimeve të veta në Ballkan. Në këto rrethana Venediku nuk mund të ishte aleat në luftën antiosmane, ashtu siç e kërkonin shqiptarët. Më vonë sidomos gjatë viteve ’60, kur ushtritë osmane filluan të pushtonin zotërimet venedikase në More (Peleponez), pati një afrim dhe bashkëpunim më të madh ndërmjet Skënderbeut dhe Venedikut, për fuqizimin e luftës antiosmane. Pushtimet osmane dëmtuan rëndë interesat e kishës katolike në Ballkan. Papët e Romës e shihnin me simpati dhe e inkurajonin luftën e shqiptareve nën udhëheqjen e Skënderbeut. Ata e propagandonin gjerësisht këtë luftë, dhe Skënderbeun e cilësuan si “Mbrojtës të krishterimit” dhe i dhanë titullin “Kapiten i përgjithshëm i Selisë së Shenjtë”. Papati i mbështeti përpjekjet e Skënderbeut për bashkimin politik të shqiptarëve, dhe kërcënoi më çkishërim ata fisnikë shqiptarë që afroheshin me osmanët. Nuk mungoi edhe ndihma financiare e tij për Skënderbeun, sidomos në vitet ‘60.
Në kuadrin e lidhjeve të Skënderbeut me shtetet Italiane, një vend të veçantë kishin ato me Mbretërinë e Napolit. Skënderbeu dhe fisnikë të tjerë shqiptarë, në vitin 1451, lidhën traktate me mbretin Alfonsi V të Napolit për të bashkëpunuar në luftën antiosmane, dhe projektuan edhe çlirimin e viseve të pushtuara. Në këtë kuadër, në 1455 erdhën disa qindra ushtarë napolitanë që morën pjesë në betejën e Beratit. Pas vdekjes së Alfonsit të V (1458), i biri, Ferdinanti I, hoqi dorë plotësisht nga ideja për t’u shtrirë në drejtim të Ballkanit dhe përkohësisht lidhjet e tij me shqiptarët u dobësuan.
Për të gjallëruar marrëdhëniet me Mbretërinë e Napolit, Skënderbeu ndërhyri në luftën civile që kishte shpërthyer atje dhe i dha ndihmë ushtarake mbretit Ferdinand. Në shtator të vitit 1460 Skënderbeu dërgoi grupin e parë të luftëtarëve, të drejtuar nga i nipi, Gojko Stres-Balsha. Në fund të Gushtit 1461, në krye të 2 - 3 mijë ushtarëve, Skënderbeu u nis për në Itali dhe zbarkoi në Barleta, ku gjendej i rrethuar mbreti Ferdinand. Forcat kundërshtare i zuri paniku përballë luftëtarëve shqiptarë, dhe u detyruan të hiqnin dorë nga rrethimi i Barletës. Skënderbeu organizoi sulme të njëpasnjëshme dhe çliroi një varg qytetesh e qendrash të fortifikuara, si Tranin, Sant Anzhelon, San Xhovani Rotondon etj. Në shenjë mirënjohjeje për ndihmën e vyer, mbreti Ferdinand i dhuroi si prona heroit shqiptar, San Azxhelon e San Xhovani Rotondon dhe i caktoi atij një pension vjetor prej 1200 dukatesh.
3. Vendi i shqiptarëve në projektet evropiane për luftën e përbashkët
Pasi Sulltan Mehmeti II pushtoi në 1453 kryeqytetin e Perandorisë Bizantine, Kostandinopojën, të cilës iu dha emri Stamboll, u rrit frika ndaj rrezikut të pushtimeve osmane. Ajo përfshiu edhe sundimtarët e disa vendeve të tjera evropiane. Në këto rrethana filluan të hartoheshin projekte për një luftë të përbashkët të vendeve evropiane kundër Perandorisë Osmane.
Projekte antiosmane hartuan mbreti Alfonsi V i Napolit, papa Nikolla V, papa Kaliksi III, papa Piu II, princa e mbretër Gjermanë e Hungarezë, emiri Ibrahim në Azine e vogel etj.
Në të gjitha këto projekte për luftë të përbashkët, një vend qendror i jepet ushtrisë shqiptare të Skënderbeut. Kështu p.sh. në projektin e papa Piut II, parashikohej që ushtria e përbashkët evropiane të ishte 40 mijë veta, gjysmën e tyre do ta dërgonin vendet evropiane dhe do të zbarkonte bashkë me papën në Raguzë, për t’u bashkuar me 20 mijë luftëtarë shqiptarë. Kjo ushtri e fuqishme do të formonte frontin qendror (në frontin e Danubit do të vepronin hungarezët, kurse në bregdetin e Greqisë flota luftarake e shteteve Italiane), dhe do të kishte si komandant të përgjithshëm Skënderbeun, të cilin papa Piu II do ta kurorëzonte mbret. Papa dhe Skënderbeu vepruan energjetikisht për realizimin e këtij projekti.
Në verë të vitit 1464 Papa Piu II shkoi në Ankonë për të pritur ushtritë evropiane që do të grumbulloheshin aty për të kaluar në Raguzë. Por, më 14 gusht 1464, ai vdiq në Ankonë dhe bashkë me të u varrosën përfundimisht edhe përpjekjet për organizimin e një fushate antiosmane në shkallë evropiane.
Pjesë leximi
1. Nga letra e Skënderbeut e 31 Tetorit 1460, dËrguar princit të Trentit, JohanËs Antonius De ursinis:
“Fort i kthiellti princ e zot i nderuar.
Mora letrën e zotit tuaj e cila më çuditi më fort së sa do më hidhëronte, duke parë mënyrën me të cilën ju shkruani. Dhe, më së pari thoni, që, kur keni marrë lajmin së në i paskemi dërguar fjalë fort të kthielltit Madhëri, mbretit Ferrant (Ferdinand) së po të na dërgonte golera, në do të kishim ngarkuar në të njerëz që të shkonin për t’i dhënë zjarr Brindizit edhe për të plaçkitur vendin tuaj, nuk paskeni mundur ta besoni, mbasi më njihni mirë për të urtë e të matur.
Kur morëm vesh së ju kishit ngritur krye kundër Madhërisë së tij, i çuam fjalë që të na dërgonte në këto anë galera dhe anije të tjera për të marrë njerëz, këmbësorë e kalorës, sepse aq sa të donte do t’i kishim dërguar për shërbim të Madhërisë së tij. Po ta kishte bërë këtë dhe të na kishte besuar, ne mbase Brindizin nuk do ta kishim djegur, por vendet që u rebeluan në Pulje, nuk do të kishin ngritur krye. Ju, në atë rast do ta kishit patur të vështirë të mbronit gjënë tuaj dhe jo më të mendonit që të shtinit në dorë shtetin e Madhërisë së Tij, i cili është zot i juaj e si zot duhet ta njihni sepse jeni betuar.
Në qoftë së unë do të thyhesha, Italia do ta ndiente dhe, si rrjedhim, ai zotërim që ju thoni që është i juaji, do të ishte i osmanëve. Por a e mbani mend sa e madhe ishte fuqia e sulltanit, sa nuk është as e juaja as e zotërisë që përkrahni dhe, kur më pas mbetur vetëm qyteti i Krujës, dhe kur u gjeta aty i rrethuar, unë e mbrojta kundër gjithë asaj fuqie, dhe e mbajta gjersa osmanët, me dëm e me turp u hoqën, dhe unë në një kohë të shkurtër, e me pak veta shtiva prapë në dorë atë që shumë armiq e në shumë kohë kishin fituar.
Kështu që aq më tepër duhet shpresuar për përtëritjen e shtetit të mbretit Ferrant, i cili, edhe vetëm Napolin të këtë, të jeni i sigurt se do të dalë ngadhënjimtar. Dhe mbase thoni së me shqiptarët unë nuk do të mundem ta ndihmoj, as ta mbroj, as t’i dëmtoj armiqtë e tij të fuqishëm, por ju përgjigjem: ka ndryshuar puna, e nëse kronikat tona nuk gënjejnë, ne quhemi epirotë dhe duhet të kini dijeni së në kohë të tjera paraardhësit tanë kaluan në vendin që ju mbani, sot dhe patën luftime të mëdha me romakët, dhe ne e dimë se më të shumtën e herëve u ndanë me nder sesa më turp.
Unë do të përdor të gjitha fuqitë më cilësitë e mija, si dhe me të gjithë miqtë e të besëlidhurit që kam, për të ndihmuar e për t’i dhënë dorë zotit tim, mbretit Ferrant, dhe po munda ta kruhej detyrën time, për nderin tim, do të mësoj atë që duhet të mësoj. Kur ju më nxitni ti tërheq njerëzit e mijë e më thoni së po pata dëshirë të luftojë, ja ku i kam osmanët, më të cilët mund të korr lavdi e nder më të madh, po ju përgjigjem: unë prej jush nuk dua nxitje, as këshilla; njerëzit tanë nuk i kemi dërguar që të kthehen kaq shpejt, por që t’i shërbejnë mbretit Ferrant gjersa të kenë bashkuar Mbretërinë e tij.
Dhe janë nga ata burra që, po të jetë nevoja, vullnetarisht përballojnë vdekjen në shërbim të Madhërisë së tij. Por ata që kemi dërguar s’janë hiç gjë, kundrejt atyre që kemi vullnetin të dërgojmë, nëse i pëlqen Madhërisë së Tij, e po qe nevoja do vij unë personalisht më aq njerëz sa jo vetëm me ndihmën e Zotit, besojmë se do ta shtiem në dorë Puljen, por do të mjaftonin ta popullonim të gjithë, mbasi është e shpopulluar”.
//Gjuha Shqipe//
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi