Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Durrsaku
Durrsaku
V.I.P Forumi
V.I.P  Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 47
<b>Postime</b> Postime : 12667
<b>Hobi</b> Hobi : bisedat e sinqerta
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : diku
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 04/12/2011

Masakra e Tivarit, Shefqet Peçi: Ishte aksidentale Empty Masakra e Tivarit, Shefqet Peçi: Ishte aksidentale

Thu 2 Feb 2012 - 18:04
Raportet kontradiktore shqiptare e jugosllave për ngjarjen

Komanda e përgjithshme me në krye Enver Hoxhën ishte në dijeni, Peçi e Themeli raportonin nga vendngjarja

Nëse për vite me radhë është thënë se shteti shqiptar nuk kishte dijeni për masakrën e Tivarit, raportet e asaj kohe tregojnë të kundërtën. Përmes një sërë dokumentesh të botuara në librin “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar”, historiani Uran Butka nxjerr në dritë se Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë shqiptare, me në krye Enver Hoxhën, vihej në dijeni për gjithçka. Menjëherë pas masakrës së Tivarit dhe vrasjeve pranë bregut të lumit Buna në Shkodër, në drejtim të komandës shkojnë raportet e Shefqet Peçit e të Zoi Themelit, të cilat janë kontradiktore mes tyre. Peçi fillimisht raporton se gjithçka mund të ketë ndodhur “aksidentalisht”, ndërsa më vonë duhet të tregojë të vërtetën e asaj që ka ngjarë, duke u mbështetur mbi rrëfimet e dëshmitarëve okularë, të kosovarëve që kishin mundur t’i shpëtonin kasaphanës së Monopolit. Zoi Themeli, shefi i Mbrojtjes së Popullit në Shkodër, është më i qëndrueshëm në raportimin e tij. Ai raporton masakrën dhe vë në dukje urrejtjen mes kosovarëve dhe jugosllavëve, duke ua vënë fajin këtyre të fundit, por është e pajustifikueshme mungesa e reagimit të palës shqiptare, sidomos në ngjarjet në lumin Bunë, ku nuk bënë asgjë për ndaljen e vrasjeve. Pranë këtyre raportimeve Butka vë edhe raportimet e palës jugosllave, të cilët ua vënë fajin “reaksionarëve”, që u hodhën në revoltë. Ndërkohë që shprehin bashkëpunimin, madje “kujdesin” e palës shqiptare ndaj asaj jugosllave, gjatë kohës që ata kaluan në territorin shqiptar. al.mi
Masakra e Tivarit
Personaliteti i shquar shqiptar, Bajram Gola (luftëtar i Brigadës IV të Kosovës), i vë pikat mbi i-të dhe gishtin mbi ideatorët e gjenocidit ndaj shqiptarëve dhe mbi realizuesit e masakrës së Tivarit: “ishte atëherë çështja e shumë krimeve dhe për gjenocide të hegjemonizmit serbomadh racist, por populli kërkonte përgjigje për masakrimin e shqiptarëve në oborrin e monopolit të Tivarit… bëhet fjalë për një masakër brutale ndaj rekrutëve shqiptarë, që e bënë
Masakra e Tivarit, Shefqet Peçi: Ishte aksidentale Uran-butka-libri-200x300
Kopertina e librit “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar” nga historiani Uran Butka


një pjesë e aradheve partizane serbo-malazeze, gjegjësisht Brigada X malazeze me komandant Goxha Markoviçin dhe komisar politik, Vladimir Roloviçin (shpallur hero i Jugosllavisë në vitin 1971). Por urdhri kishte ardhur nga lart… ushtarakët serbo-malazezë i vranë pa ndonjë faj apo arsye bashkëqytetarët e tyre të mobilizuar nën flamurin e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Kjo ironi tragjike zbulon shumë gjëra. Me konstatimin se ky është një krim barbar, nuk është thënë e tëra. Sepse, për ne është e rëndësishme që edhe në Maqedoni ka shumë raste të ngjashme, për të cilat duhet folur, sepse për ato deri tash është heshtur. Ata që deshën të thoshin diç për to, shumë shpejt i “hëngri nata”. Kriminelët nuk u nxorën as para gjyqit, ndonëse shqiptarët kishin luftuar për Maqedoninë”. Sipas Golës, krimi ishte planifikuar nga shteti, që të shfarosej një numër i madh shqiptarësh. Jo rastësisht u zgjodh vendi dhe ekzekutorët. Në pyetjen pse u mobilizuan vetëm shqiptarët për në frontin veri-perëndimor të Adriatikut dhe pse u depërtuan përmes rrugës Prizren-Shkodër-Tivar, përgjigjja e tij ishte: të masakroheshin pasivisht, madje në trojet e veta shekullore të okupuara nga serbo-malazezët. Po të ishte qëllimi për të luftuar kundër nazifashizmit, do të mobilizoheshin në këtë rrugë edhe serbët, malazezët, maqedonasit dhe nacionalitetet e tjera…
“Porsa u dorëzuan në duar të përcjellësve malazezë, ushtarët shqiptarë u gjetën në një situatë të rëndë dhe në fillim nuk mund ta kuptonin ç’po ndodhte, ishin ushtarë, apo pengje të luftës?! Mirëpo, shpejt u detyruan ta kuptonin se gjendeshin në duar të armiqve të përbetuar. Atë bindje ua krijoi sjellja arrogante-gjakatare, kur pas disa dhjetëra kilometrash, ranë viktimat e para. Ushtarët malazezë, që kishin ardhur për t’i “përcjellë” rekrutët shqiptarë, filluan t’i vrisnin rrugës ushtarët që mezi e përballonin atë marshutë, pas së cilës mbeteshin gjurmët e gjakut të të rinjve shqiptarë. Mbas marshimit të gjatë dhe deri në Tivar, do të mbeteshin gjurmët e pashlyeshme të gjakut”.
Dhe jo vetëm përgjatë rrugës Shkodër-Tivar, por edhe pas masakrës në Tivar, vazhdoi keqtrajtimi dhe asgjësimi i pjesës së mbetur të kolonës me rekrutë shqiptarë, me qëllim që asnjë prej tyre të mos mbetej gjallë…
Pasojat e masakrës ishin tragjike për shqiptarët, por u gjendën në hall edhe vrasësit: ç’do të bënin me kufomat që ishin bërë stivë dhe kishin mbushur plot gjithë oborrin, ndërtesën e monopolit të duhanit dhe rrugën që çon për atje?
“Pasi u bë masakrimi i 1700 ushtarëve shqiptarë, gjakatarët u gjendën në hall. Ku t’i fshihnin kufomat e të vrarëve? Oborri ishte mjaft i kufizuar si sipërfaqe për t’i fshehur nga opinioni, nga qytetarët e Tivarit, të cilët atëherë ishin 95% shqiptarë e myslimanë. Tërë paradites dhe natën u munduan me një trabakullë për t’i hedhur në detin Adriatik, por, kur zbardhi dita, tivarasit u trazuan dhe e bllokuan monopolin. Ua morën kufomat që kishin mbetur dhe i varrosën në varret e myslimanëve të Tivarit. Nga sa më kujtohet, janë varrosur 483 kufoma dhe Rankoviçi vetëm ata i konsideron si të vrarë në Tivar, por e vërteta është se u vranë 1700 ushtarë shqiptarë”….
Por masakra nuk ishte çuar deri në fund. Disa nga ata që shpëtuan nga plumbat dhe mundën të arratiseshin individualisht dhe disa në grup, u kthyen për në Shkodër dhe u kapën nga rojet ushtarake të Mbrojtjes së Popullit. Në raportin e Zoi Themelit drejtuar Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit në Tiranë, datë 5.04.1945, ndër të tjera thuhet:
“Dje, rojet e Brigadës II të MP kanë qenë tek ura e Bunës. Dhjetë kosovarë, të cilët kishin ikur prej Tetove, vinin këtu. Kur i morëm në pyetje, këta na u përgjigjën kështu: “Gjatë gjithë rrugës që jemi nisur drejt Kosove, jugosllavët na kanë munduar dhe na kanë rrahur. S’na linin të pinim as ujë rrugës. Kur shkuam në Tivar, na futën në një rrugë të ngushtë, ku na kishin radhitur për katër. Në këtë kohë, ndërsa ne po s’lodheshim, dëgjuam të kërcisnin pushkë, bomba dhe mitraloza në të gjitha anët dhe që na shtinin neve. Neve na u duk si një gjë e papritur dhe s’dinim se ç’po ngjiste e përse po na vrisnin. Në këtë kohë, kur shokët që kishim përpara dhe prapa po vriteshin, ne u turbulluam dhe s’pamë tjetër se ç’ngjante, por ikëm nga mundëm. Nga kodrat e nga shtëpitë na shtinin neve që po shkonim. Të vrarë, të plagosur dhe të shpërndarë janë 500 veta. Të shpërndarë janë fare pak, kurse të vrarë e të plagosur janë shumë…”. Tani na lajmëroni për këta kosovarët që kemi kapur, t’ua dorëzojmë jugosllavëve, apo t’jua shoqërojmë ne deri atje”.
Shefi i Mbrojtjes së Popullit të Krahinës III
Zoi Themeli

Këto fakte ia raportonte Shtabit të përgjithshëm edhe Shefqet Peçi, më datën 4 prill 1945:
“Sot Brigada e Mbrojtjes së Popullit kapi 10 kosovarë të mobilizuar, që kishin ikur nga Tivari. Në pyetje tregojnë sjellje shumë brutale të përcjellësve partizanë jugosllavë, të cilët i kanë futur në një vend të ngushtë në Tivar dhe, pas pushkatimit e mitralimit pa asnjë shkak, kanë mbetur të vrarë, të plagosur dhe të shpërndarë 500 vetë. Çështja na duket me karakter shumë serioz. Kujtojmë se është mirë të merren në pyetje nga vetë Misioni Jugosllav i atyshëm. Si kjo, ashtu edhe ngjarja e këtushtme (në Lumin Bunë), jua kemi njoftuar, ka bërë bujë dhe përshtypje shumë të keqe e dëmprurëse”.
Por, as Shtabi i përgjithshëm i Ushtrisë NÇSH, as qeveria, as Ministria e Jashtme e Shqipërisë, në krye të të cilave ishte Enver Hoxha, nuk reaguan as për vrasjen e dhjetëra shqiptarëve në bregun e lumit Buna, as për masakrimin e shqiptarëve të tjerë në Tivar, por heshtën si bashkëfajtorë në krim, ndonëse sipas raportimeve të mësipërme, vrasjet ishin bërë “pa asnjë shkak, kanë bërë bujë dhe përshtypje shumë të keqe e dëmprurëse”. Është për t’u theksuar gjithashtu se E. Hoxha dhe krerët e tjerë të pushtetit e të ushtrisë ishin në dijeni të plotë për masakrën e Tivarit, por edhe për vrasjet e keqtrajtimet e rekrutëve shqiptarë të Kosovës brenda territorit të Shqipërisë, ndonëse bënin sikur s’dinin gjë. Fakti i këtyre radiogrameve të Zoi Themelit dhe Shefqet Peçit dërguar Shtabit të përgjithshëm, komandat i të cilit ishte E. Hoxha, rrëfejnë të kundërtën. Fakti tjetër, që të arratisurit e dorëzuar apo të ndaluar nga rojet shqiptare në Shkodër u urdhëruan nga qeveria shqiptare që të ktheheshin prapa dhe t’u dorëzoheshin autoriteteve ushtarake jugosllave si dezertorë, tregon për bashkëpunimin me palën jugosllave në këtë masakër.

Vrasjet në lumin e Bunës
Si paraqiten këto ngjarje në raportin e Shtabit të Kolonës IV të Armatës së Jugosllavisë:
“Reaksioni i Shkodrës, përkatësisht reaksioni shqiptar, arriti të depërtonte deri në atë eshalon përmes një hoxhe apo të ndonjë lustraxhiu këpucësh etj. Dhe kjo ndodhi për shkak të mosvigjilencës sonë. Rezultati i punës së reaksionit në këtë eshalon ishte se arriti të organizonte një numër të ushtarëve shqiptarë, numri i saktë i të cilëve nuk u përcaktua dot. Revolta duhet të shpërthente më 1 prill në Shkodër, por ne rastësisht filluam marshimin natën e 31 marsit duke gdhirë 1 prilli i vitit 1945, i ndamë në grupe, kështu që e penguam revoltën në përmasa të mëdha. Krahas kësaj, një grup prej 200 vetash, gjatë pritjes së tragetit në skelë, prej ku do të kalonim përtej Bunës, tentoi të ngrihej një revoltë, duke i sulmuar forcat tona që i shoqëronin. Arritën që një ushtar tonin ta hidhnin në Bunë. Shokët tanë u gjendën shpejt, hapën zjarr, jo në drejtim të tyre, por mbi ta dhe anash kolonës. Në ikje e sipër, disa nga ai grup i kapi zjarri i mitralozit. Në vend mbetën katër shqiptarë të vdekur dhe rastësisht, dy luftëtarët tanë, kurse 12 shqiptarë të tjerë u plagosën. Kjo përfundoi me aq. Pastaj e izoluam atë grup dhe e përcollëm për në Tivar”.
Gjithsesi, ky raport, përpos trajtimit të njëanshëm të ngjarjeve në Shkodër, vërteton katërcipërisht masakrën e shkaktuar atje nga ushtarakët serbë të Brigadës 27, që shoqëronin kolonën e tretë, pavarësisht numrit të zvogëluar të rekrutëve shqiptarë të vrarë e të plagosur. Vërtetohet teza se ishte përgatitur kjo masakër pikërisht në Shkodër, duke ia hedhur fajin reaksionit të Shkodrës që “kishte depërtuar në radhët e rekrutëve dhe kishte përgatitur revoltën”. Vërtetohet gjithashtu, se u hap zjarr me mitraloz mbi grupin prej 200 rekrutësh shqiptarë dhe u vranë 18 prej tyre.
Në raportin e shtabit të Divizionit 46 të datës 8 prill 1945, nuk përmendet fare reaksioni i Shkodrës, as ushtari serb i hedhur në Bunë, por thuhet shkurt:
“Gjatë kalimit për në Bunë, një grup prej 200 shqiptarësh u revoltua dhe u vërsul mbi ushtarët tanë. U hap zjarr mbi ta dhe me atë rast u vranë gjashtë shqiptarë dhe luftëtarë tanët dhe 12 shqiptarë u plagosën”.
Kështu, bie poshtë e dhëna e Shtabit jugosllav se “marrëdhënia e luftëtarëve tanë ndaj shqiptarëve të mobilizuar, ka qenë korrekte, gati, mund të thuhet, shoqërore. Incidentet e vogla, për të cilat u bë fjalë më parë, janë shkaktuar nga ana e vetë shqiptarëve, me gjasë nga infiltrimi i kriminelëve të qëllimshëm për nxitjen e revoltës dhe të pakënaqësisë dhe në atë mënyrë, krijimi i mundësisë për dezertim të shqiptarëve” (raporti i shtabit të Armatës IV J, 8.04.1945).
Kjo masakër në lumin Bunë pasqyrohet edhe në dokumentet zyrtare të Shqipërisë.
Në raportin e Shefqet Peçit të datës 3.04.1945, drejtuar Komandës së Përgjithshme në Tiranë, gjejmë mjaft pika të përbashkëta me raportet e komandave ushtarake jugosllave, të cituara më sipër.
Nr.198 rez Shkodër, më 3.04.1945
Komandës së Përgjithshme
Informohemi simbas njoftimit që na bën Brigada e Dytë e Mbrojtjes së Popullit, se në mesnatën e datës 1.04.1945 shoqëroheshin të mobilizuar kosovarë prej partizanëve të Ushtrisë jugosllave. Për arsye ende të paditura e ndofta aksidentalisht, u mbytën në skelën e lumit Buna një partizan jugosllav dhe një nga të mobilizuarit. Artizanët e tjerë jugosllavë pandehën se mbytja u bë me paramendim dhe menjëherë hapën zjarr kundër turmës së të mobilizuarve, që ndodheshin në pritje për të kaluar lumin. Zjarri i armëve zgjati pesë minuta dhe u pre vetëm me urdhrin e komandantit të kolonës Çiros Tikoviç, i Divizionit 46, Brigada e 27, batalioni i dytë. Mbetën 6 të vrarë dhe 11 të plagosur nga të mobilizuarit dhe një i vrarë e një i plagosur nga partizanët, që i shoqëronin. Të mobilizuarit që shoqëroheshin, ishin të çarmatosur.
Një gjë e tillë, simbas informatës që ka Brigada e Dytë e Mbrojtjes së Popullit, kështu paska ngjarë edhe në Tivar, ku duket se kanë mbetur afro 500 veta të vrarë.
Shefqet Peçi

Në këtë informacion të Shefqet Peçit justifikohet në frymë e në përmbajtje masakra e ushtarakëve jugosllavë “për arsye ende të paditura, ndoshta aksidentalisht” dhe “si një keqkuptim”. Po ashtu edhe masakra në Tivar: “Një gjë e tillë paska ngjarë edhe në Tivar, ku duket se kanë mbetur afro 500 veta të vrarë!?”.
Në këtë raportim nuk ka asnjë fjalë për arsyet e vërteta të këtyre masakrave, për shkaktarët, si dhe nuk ka asnjë shqetësim, përgjegjësi apo dhimbje për vrasjet pa asnjë faj të shqiptarëve të Kosovës, në prezencën e ushtrisë shqiptare dhe brenda kufijve të Shqipërisë!
Raporti tjetër është ai i Brigadës së Mbrojtjes së Popullit të krahinës së Shkodrës. Po e japim të plotë këtë informacion të Zoi Themelit drejtuar nga Shkodra më 3.04.1945, Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit në Tiranë.

Ministria e Mbrojtjes së Popullit
Seksioni i Mbrojtjes së Popullit Shkodër, më 3.04.45
Nr. extra
Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit Tiranë

Më datën 2 prill, në orët e mesnatës dhe pikërisht aty nga ora 1:00, ndërsa partizanët jugosllavë po transportonin një numër prej 1500 kosovarësh në anën tjetër të Bunës, për t’i çue në Mal të Zi, megjithëse ishin urdhëruar të rrinin përdhe pa lëvizur, një kosovar u tërhoq në buzë të Bunës dhe pastaj u hodh në ujë dhe filloi të notonte me qëllim të ikte. Përnjëherësh, rojet e diktuan dhe i shtinë me pushkë e me bomba. Kosovari që u hodh në lumë, nuk u pa më.
Mbas kësaj, rojet jugosllave, të inatosura nga kjo gjë, u tërhoqën prapa dhe pa arsye, filluan të shtinin mbi turmën e kosovarëve, të cilët ishin ulur dhe po rrinin pa lëvizur. Në këtë goditje u vranë 7 veta (ndër ta një jugosllav) dhe u plagosën 13 të tjerë (ndër ta prapë një jugosllav). Gjithsej arrijnë kështu 18 kosovarë të vrarë e të plagosur dhe dy jugosllavë, të gjithë këta, si kosovarët dhe jugosllavët, u vranë prej partizanëve jugosllavë. Një vepër e këtillë tregon urrejtjen që ushqejnë këto dy palë ndërmjet tyre dhe aq më keq, trajtimin që u bëjnë jugosllavët kosovarëve. Shtojmë se shkaktarët e kësaj ngjarjeje janë vetë jugosllavët, të cilët kanë shtënë pa të drejtë mbi turmën e kosovarëve.
Shefi i Mbrojtjes së Popullit të Krahinës III
Zoi Themeli (firma)

Ky raport i datës 3.04.1945, pra i hartuar pas masakrës në brigjet e lumit Buna, është më i saktë se dy raportet e divizioneve 46 të Serbisë dhe të Kolonës IV të Armatës së Jugosllavisë, por edhe se informacioni i Shefqet Peçit, sepse është i drejtpërdrejtë, sepse është dërguar menjëherë pas ngjarjes, sepse nuk e intrigon ngjarjen me ndërhyrje të reaksionit shkodran apo me revoltën e rekrutëve shqiptarë, si edhe nuk e justifikon masakrën mbi rekrutët shqiptarë. Përkundër, vërteton atë që tregojnë edhe dëshmitarët okularë se “rekrutët kosovarë ishin urdhëruar të rrinin përdhe dhe se rojet jugosllave filluan të shtinin pa arsye mbi turmën e kosovarëve, të cilët ishin ulur dhe po rrinin pa lëvizur”…. Raporti në fjalë tregon se cilët ishin vrasësit dhe cilat ishin viktimat, por nuk nxjerr arsyet e kësaj masakre, duke vënë si shkak urrejtjen që të dyja palët ushqenin ndërmjet tyre, duke i vënë të dyja palët në një emërues. Nga ana tjetër, ky raport rrëfen qartazi që forcat shqiptare të Mbrojtjes së Popullit nuk bënë asnjë veprim për të ndaluar masakrën, pra, lejuan dhe bënë sehir kur vriteshin pa arsye bashkëkombësit tanë nga të huajt, pikërisht brenda territorit të Shqipërisë dhe para syve të tyre; gjithashtu, ky raport dhe dokumente të tjera tregojnë se nga ana e qeverisë shqiptare, megjithëse ishte vënë në dijeni, nuk pati asnjë reagim, asnjë notë verbale apo shkresore, asnjë përpjekje për të mbrojtur brenda territorit të shtetit amë jetët e bijve të Kosovës e viseve të tjera shqiptare, që shpresonin të gjenin në Shqipëri një trajtim krejt tjetër, madje, e lejuan masakrën dhe ndihmuan në vrasjen e rekrutëve të Kosovës…
Pala jugosllave ishte shumë e kënaqur me qëndrimin “shumë të kujdesshëm” të pushtetit të Shqipërisë ndaj Ushtrisë jugosllave:
“Popullsia e Shqipërisë dhe pushteti i tyre ishin shumë të kujdesshëm ndaj ushtrisë sonë, të ndjeshëm dhe të mahnitur me lëvizjen dhe luftëtarët tanë”, raporton shtabi i Divizionit të 46-të.
Në radiogramin e datës 7.04.1945, drejtuar Komandës së Përgjithshme, Shefqet Peçi e pranon të vërtetën:
“Sipas konstatimeve të mëvonshme, ngjarja mbi lumin Buna ishte një provokacion nga jugosllavët… Sipas informacioneve që kemi, shovinistë të shumtë jugosllavë janë futur në radhët e Ushtrisë jugosllave dhe mundohen me anë provokacionesh të mbjellin përçarje si tek kosovarët, ashtu dhe tek jugosllavët, tu futur spica ndër kosovarët, gjoja do t’ju vrasin të gjithëve dhe nga ana tjetër, u thuhej jugosllavëve se kosovarët do t’ju ikin. Ngjarjen e të vrarëve e ka marrë vesh gjithë Shkodra dhe reaksioni mundohet ta shfrytëzojë”.
Kolona, e goditur në shpirt nga vetë shteti shqiptar dhe në trup nga shteti jugosllav, arriti në Tivar në orën 17:00 të datës 2 prill 1945. Rekrutët shqiptarë u tmerruan nga gjurmët e gjakut dhe mbeturinat e kufomave të kolonës së parë.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi