Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Durrsaku
Durrsaku
V.I.P Forumi
V.I.P  Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 47
<b>Postime</b> Postime : 12667
<b>Hobi</b> Hobi : bisedat e sinqerta
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : diku
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 04/12/2011

Vrasja e Elenit: Tre dëshmitarë vënë gishtin te Ilia Basho Empty Vrasja e Elenit: Tre dëshmitarë vënë gishtin te Ilia Basho

Sun 26 Feb 2012 - 14:27
Vrasja e Elenit: Tre dëshmitarë vënë gishtin te Ilia Basho Ilia-basho-ne-gjyq-300x225
Ilia Basho në Gjykatë

Flet në polici miku i të dyshuarit: “Pas vrasjes tha se u lehtësua”. Vëllai i viktimës: Na mbaruan gënjeshtrat për dy fëmijët.

Vrasja e Elenit, një i njohur u tregon hetuesve se 38-vjeçari u lehtësua pas ngjarjes.

Rrëfimi i tre personave në polici: Dyshuam se do ta vriste.

Tre persona, të njohur të tij dhe të Elenit, kanë dhënë deklarime fajësuese në polici për Ilia Bashon, 38-vjeçarin e arrestuar pak ditë më parë me akuzën e vrasjes së gruas së tij për arsye xhelozie. “Një numër dëshmitarësh pohojnë marrëdhëniet problematike mes çiftit, por tre prej këtyre personave me dijeni për ngjarjen tregojnë rrethana që janë interpretuar në mbështetje të akuzës së ngritur ndaj Ilia Bashos”, thanë burimet nga hetimi i çështjes. Sipas tyre, dëshmitarët në fjalë janë persona të njohur për Ilian dhe Elenin, të cilët për shkak të njohjes dhe të punës, takoheshin vazhdimisht me bashkëshortët. Ndonëse raportet në çift ishin acaruar prej më se 6 muajsh, qëkur Eleni Basho kishte zbuluar lidhjen intime të të shoqit, dëshmitë kryesore që fajësojnë Ilia Bashon, sipas hetuesve, janë siguruar, në fakt, pas vrasjes së ndodhur më 2 shkurt në mbrëmje, në zonën e Shkozës. “Dëshmitarët në fjalë tregojnë për marrëdhënien problematike të Ilias dhe Eleni Bashos, konfliktet e vazhdueshme, të cilat në veçanti 38-vjeçari Basho kishte filluar t’i shprehte edhe në prani të personave të tretë jashtë rrethit familjar”, thanë burimet e hetimit. Sipas tyre, të njëjtët dëshmitarë, veçanërisht njëri prej tyre, ka biseduar me Ilia Bashon edhe pas vrasjes së Elenit më 2 shkurt dhe ka pohuar se 38-vjeçari ishte shprehur i lehtësuar. Burimet e Prokurorisë kanë thënë se Ilia Basho nuk ka dhënë asnjë deklarim pas arrestimit me akuzën e vrasjes. Akuza planifikon të marrë në pyetje 38-vjeçarin e dyshuar për vrasjen e gruas së tij duke mos përjashtuar edhe një ballafaqim të tij me dëshmitarët që e akuzojnë. Nëse në momentet e para të arrestimit të Ilia Bashos, akuza e ngritur ndaj tij u referohej disa mesazheve telefonike dhe pak dëshmive, tanimë grupi i hetimit thotë se ka prova shkencore që fajësojnë Ilia Bashon.
Vrasja
Dëshmitarët e akuzës janë marrë në pyetje pas vrasjes së Eleni Bashos. Ata kanë thënë se sapo mësuan ngjarjen, dyshuan tek Ilia Basho pasi raporti i tij me të shoqen kishte qenë problematik. “Eleni Basho po shkonte në banesën e saj në lagjen ‘Shkozë’. Disa metra para se të mbërrinte në banesë, teksa po kalonte pranë ambienteve të një firme, asaj i ka dalë para në rrugë një person me armë zjarri, i cili e ka qëlluar dy herë”, theksoi gjykata e Tiranës në shpjegimin e ngjarjes. Sipas gjykatës, si pasojë e dy të shtënave ka mbetur e vdekur shtetasja Eleni Basho. “Nga hetimet e kryera, deklarimet e personit në hetim dhe personave që kanë dijeni për veprën penale, ekziston dyshimi i arsyeshëm se autori i kësaj vepre penale është Ilia Basho, vepër kjo e cila dyshohet të jetë kryer nga ky person në bashkëpunim”, theksoi gjykata. Sipas saj, Basho është person në hetim në lidhje me akuzën e vrasjes me dashje në bashkëpunim ndaj bashkëshortes së tij.


“Porosia”
Një person i porositur apo i nxitur e i ndihmuar nga Ilia Basho, sipas Policisë dhe Prokurorisë, e ka vrarë Eleni Bashon. Organi i akuzës pohon se ka prova, sipas të cilave, Ilia Basho ka krijuar gjithë kushtet e nevojshme që vrasja e gruas së tij të ndodhë. Mirëpo Ilia Basho nuk është personi që ka qëlluar me armë. Këtë veprim e ka kryer një person i porositur apo i ndihmuar nga bashkëshorti i 36-vjeçares, e cila u qëllua me dy plumba në gjoks. Sipas të dhënave të Policisë, Eleni Basho u qëllua nga afër, ndërsa plumbat kishin hyrë në shpinë dhe kishin dalje në pjesën e përparme të trupit.
Eleni Basho, misteri i gruas pa fotografi


Vrasja e Elenit: Tre dëshmitarë vënë gishtin te Ilia Basho Eleni_basho1-300x282
Eleni Basho

Laborantja dentare, Eleni Basho, e vrarë me dy plumba më 2 shkurt 2012, mund të konsiderohet si “gruaja pa fotografi”. Sapo në redaksitë e mediave mbërriti lajmi për vrasjen e 36-vjeçares, filloi interesimi për fotografinë e saj. Vendi i parë në të cilin u kërkua kjo fotografi ishte faqja e të shoqit në Facebook. Ilia Basho, që në çastet e para pas vrasjes së gruas së tij nuk kishte asnjë foto të Eleni Bashos në profilin e tij në Facebook. Kjo rastësi duket e çuditshme për sa kohë që në profilin e tij në rrjetin social, Ilia Basho kishte hedhur një numër të konsiderueshëm fotosh të tij, të fëmijëve e madje edhe të kolegëve të biznesit si dhe të ambienteve e zyrave të kompanisë në pronësi të tij. Mungonte vetëm një fotografi e Eleni Bashos. Me sa duket, mungesa e kësaj fotografie tregonte në një mënyrë edhe marrëdhënien që ekzistonte mes dy bashkëshortëve. Ishte pikërisht mungesa e kësaj fotografie një detaj që u bë shkak për dyshime rreth marrëdhënies së Ilia Bashos me të shoqen. Më vonë u pa se i shoqi, Ilia Basho, kishte hedhur në profil edhe fotografi të një femre tjetër me të cilën dyshohej se e kishte tradhtuar Eleni Bashon. Fotografia e Eleni Bashos mbeti e papublikuar, pasi në Tiranë apo në Gjirokastër ku ajo u varros, nuk u bë publike asnjë foto e saj.

U takua vetëm me avokatin pas ndalimit
Ilia Basho, ende asnjë vizitë në qeli

I arrestuari me akuzën e vrasjes me dashje, Ilia Basho mbahet në dhomat e izolimit të Policisë së Tiranës. Nga e marta e kësaj jave, 38-vjeçari ndodhet në ambientet e paraburgimit, ku ende nuk është marrë në pyetje nga grupi i hetimit. Në momentin e parë pas arrestimit, grupi hetimor shkoi të merrte në pyetje Bashon, por ai nuk ka preferuar të japë shpjegime. Në këtë mënyrë, i vetmi person që ka vizituar të akuzuarin në qeli ka qenë avokati i tij. Sipas Policisë, Ilia Basho nuk është vizituar ende nga personat e rrethit familjar. Ngjarja e rëndë në Shkozë dhe akuza e ngritur ndaj 38-vjeçarit, me sa duket ka tronditur marrëdhëniet e shumë personave në rrethin e viktimës dhe të dyshuarit për krimin.


Yllka Shehaj: Kam miqësi të sinqertë me Ilian


Vrasja e Elenit: Tre dëshmitarë vënë gishtin te Ilia Basho Yllka-shehaj-290x300
Yllka Shehaj

Yllka Shehaj, stomatologia e përfolur si e dashura e Ilia Bashos, nuk pranon në asnjë moment që të ketë pasur lidhje me burrin e arrestuar tashmë për vrasjen e gruas së tij, Eleni Basho. Ajo pranon se kishte marrëdhënie miqësie, pune, madje edhe familjare, duke pohuar se kishte qenë edhe për darkë e ka fjetur disa herë në shtëpinë e çiftit Basho. Në një intervistë të dhënë dy ditë më parë për gazetën “Panorama”, Yllka Shehaj tregoi edhe momentet e marrjes në pyetje në polici, duke akuzuar se policia vazhdimisht i drejtohej si e dashura e Ilia Bashos. Madje edhe e akuzonte për vrasjen e Elenit. “Ata (oficerët e policisë) e bënin fakt të kryer: ‘Ne e dimë që ti je e dashura e Ilia Bashos. E dimë që ai e tradhtonte gruan me ty’, më thoshin vazhdimisht. Policia arriti deri aty sa më akuzoi edhe për vrasjen e Elenit”, u shpreh Yllka Shehaj. Më pas ajo tregoi edhe takimin e fundit me Eleni Bashon, mbrëmjen e 2 shkurtit 2012, disa minuta para se ta ekzekutonin. Mënyrën se si e kishte mësuar ngjarjen, që më pas ia kishte konfirmuar në telefon edhe i dyshuari për vrasjen, Ilia Basho. Ndërsa nuk është në dijeni të ndonjë konflikti që Eleni mund të ketë pasur me të shoqin. “Ajo probleme kishte, siç ka çdo çift bashkëshortësh, po asgjë me rëndësi. Nuk kishte asnjë dyshim. Të paktën mua nuk më ka shprehur gjë”, u shpreh Yllka Shehaj gjatë intervistës.
Vëllai i Elenit: Na mbaruan gënjeshtrat për fëmijët e saj


“Do presim vendimin e Gjykatës, nuk bëjmë vetëgjyqësi”

Vasil Dodi: Djali e vajza kanë filluar të kuptojnë, nuk dimë çfarë t’u themi


Vrasja e Elenit: Tre dëshmitarë vënë gishtin te Ilia Basho Baxhanaku-i-ilia-bashos1-280x300
Niko Zharkolli

Vasil Dodi, vëllai i Eleni Bashos, thotë se përveç dhimbjes së madhe që duhet të përballojë për vrasjen e së motrës, ajo që e shqetëson më shumë janë fëmijët e motrës së tij. Vëllai i gruas së vrarë tregon se tashmë u kanë mbaruar edhe gënjeshtrat dhe nuk di se si t’ua shpjegojë gjithë këtë histori nipit dhe mbesës së tij, që kanë mbetur jetimë. Ata pyesin çdo ditë se çfarë ka ndodhur, ndërsa asnjë prej të afërmve nuk di më se çfarë t’u thotë. “Shqetësimi më i madh që kemi janë fëmijët e Elenit. Nuk dimë si të sillemi me ta. Edhe gënjeshtrat na kanë mbaruar. Gjithë këto kohë i kemi gënjyer për ngjarjen, por tani nuk dimë më se çfarë t’u themi. Ata nuk janë më as të vegjël. Djali sidomos, kupton shumë…”, u shpreh dje Vasil Dodi, vëllai i Elenit, gjatë një prononcimi për gazetën “Panorama”. Nga ana tjetër, ai nuk e komenton arrestimin e dhëndrit të tij, Ilia Bashos, si bashkëpunëtor dhe organizator i vrasjes së të motrës. Ai preferon që ta quajë ende të dyshuar, derisa gjykata të japë vendimin final dhe shprehet se gjithçka e ka lënë në dorë të drejtësisë. “Ne jemi aq të qytetëruar sa të mos bëjmë vetëgjyqësi. Kjo s’ka për të ndodhur, cilido të jetë vendimi i gjykatës”, u shpreh Dodi. Ndërsa deklaroi se me familjen e Ilia Bashos vazhdon të ruajë marrëdhënie mjaft të mira, ashtu siç i kanë pasur edhe më parë.
Gjykata e Tiranës, dy ditë më parë e la në burg Ilia Bashon deri në përfundim të hetimeve, si bashkëpunëtor dhe organizator në vrasjen e motrës tuaj. Si e keni pritur këtë lajm?
Sido që ta presim këtë lajm, motra ime ka vdekur, nuk ngjallet më. Gjithçka është në dorën e policisë dhe të prokurorisë. Ata e kanë arrestuar si të dyshuar, edhe ne vazhdojmë ta quajmë të dyshuar. Derisa gjykata të japë vendimin përfundimtar, Ilia Basho për ne është thjesht i dyshuar. Ne jemi aq të qytetëruar sa të mos bëjmë vetëgjyqësi. Kjo s’ka për të ndodhur, cilido të jetë vendimi i gjykatës.
Shtëpia ku banoni ju dhe familja juaj është shumë pranë asaj që jeton familja e Ilia Bashos. Madje edhe oborrin e keni të përbashkët. A ju shqetëson ky fakt?
Absolutisht jo. Çfarë do të thotë kjo? Me familjen e Ilia Bashos dhe të gjithë të afërmit e tij ne kemi pasur marrëdhënie shumë të mira dhe vazhdojmë t’i kemi. Jemi njohur prej vitesh, kemi punuar bashkë dhe kjo nuk ndryshon asgjë. Madje dhimbja është e përbashkët si për ne, si për ata. Sido që të vijë puna, edhe sikur Ilia Basho të shpallet fajtor, edhe sikur të shpallet i pafajshëm, marrëdhënia me prindërit e tij, por edhe me të afërm të tjerë, nuk ndryshon. Çfarëdo që të ketë bërë Ilia, prindërit e tij nuk kanë gisht në këtë histori. Ata janë njerëz të nderuar e të respektuar. Problemi ynë më i madh janë fëmijët, nipi dhe mbesa ime. Të dyja palët duhet të kujdesemi për ta më shumë se kurrë. Dhe aq më mirë që i kemi aty pranë shtëpisë.
Si po e përballojnë fëmijët gjithë këtë situatë?
Siç ju thashë, ky është shqetësimi më i madh që kemi. Nuk dimë si të sillemi me ta. Edhe gënjeshtrat na kanë mbaruar. Gjithë këto kohë i kemi gënjyer për ngjarjen, por tani nuk dimë më se çfarë t’u themi. Ata nuk janë më të vegjël. Djali sidomos, kupton shumë. Na pyet çdo ditë se çfarë ka ndodhur. Edhe kur nuk i tregojmë ne, ai kërkon në internet, sheh lajmet dhe kupton gjithçka. Pastaj të dy janë në shkollë. Nxënësit, shokët dhe shoqet e tyre flasim. A e kuptoni se në çfarë situate jemi ne dhe ata? Edhe kur vjen njeri që troket në derë, edhe gazetarët, ata të dy dalin menjëherë në ballkon dhe pyesin të shqetësuar se çfarë duan, çfarë ka ndodhur. Dhe ne nuk dimë se çfarë shpjegimi t’u japim.
Ju a e besoni vetë gjithë këtë histori që është publikuar në media ditët e fundit?
Nuk besoj asgjë, derisa gjykata të japë vendimin e formës së prerë. Tani për tani gjithçka duhet parë me dyshim. Ka vetëm dyshime.
Keni qenë në dijeni të ndonjë konflikti mes motrës dhe dhëndrit tuaj?
Asnjë dijeni nuk kam për asgjë. Nuk di çfarë t’ju them. Ashtu siç ju thashë më lart, gjithçka e kemi lënë në dorë të drejtësisë. Çfarë të vendosë drejtësia. Ne nuk jemi nga ata që bëjmë vetëgjyqësi.


“Nuk flisnim me Ilian pas vrasjes”
TIRANE – Në një prononcim që dha për gazetën “Panorama” ditën pas arrestimit të Ilia Bashos si bashkautor dhe organizator i vrasjes së Eleni Bashos, kunati i saj, Niko Zharkolli, u shpreh se që pas vrasjes familja e motrës së gruas së tij nuk ka komunikuar me Ilian. “Nuk di çfarë t’ju them. Ende nuk e besojmë dot këtë që ka ndodhur. Nuk e besojmë dot që Ilia Basho është arrestuar dhe që dyshohet ta kenë organizuar ai vrasjen e Elenit”, u shpreh baxhanaku i Ilia Bashos. Ndërsa na la të kuptojmë se realisht të afërmit e Eleni Bashos, që pas varrimit të saj kanë pasur dyshimet e tyre në lidhje me Ilia Bashon. “Për fëmijët e Elenit kujdesen prindërit e Ilias. Ata janë në shtëpi tashmë. Ndërsa për Ilia Bashon nuk di çfarë t’ju them. Askush këtu nuk e ka takuar që pas varrimit në Gjirokastër. Me sa di unë, ata nuk kanë komunikuar me të edhe pse jetojnë shumë pranë, siç e shihni edhe vetë. Kanë dyshimet e tyre, edhe pse është shumë e vështirë për ta besuar që vërtet është kështu siç thotë policia. Kjo ishte edhe më e rëndë për ta”, u shpreh kunati i Eleni Bashos.
Të afërmit e Ilias dhe Elenit, në pritje të zbulimit të së vërtetës


Vrasja e Elenit: Tre dëshmitarë vënë gishtin te Ilia Basho Vilat-e-vëllezërve-Basho-në-Shkozë-dje-me-grila-të-mbyllura-300x225
Shtëpia e familjes Basho

TIRANE – Familjet e Ilias dhe Elenit, që jetojnë në dy vila pranë njëra-tjetrës në Shkozë të Tiranës, vazhdojnë të qëndrojnë të “izoluar” nga çdo kontakt me personat që nuk janë pjesë e familjes. Ata qëndrojnë në pritje që e vërteta të zbulohet dhe më në fund të zbulojnë si, nga kush dhe pse u vra Eleni Basho. Dyert dhe dritaret qëndrojnë të mbyllura vazhdimisht, ndërsa mësojmë se të gjithë pjesëtarët e familjeve respektive qëndrojnë brenda. Për gjithçka kujdesen vëllai i Elenit, Vasil Dodi dhe vëllezërit e Ilia Bashos, që familjarëve të tyre të mos u mungojnë gjë. Fëmijët e Elenit dhe Ilias, djali dhe vajza, vazhdojnë shkollën rregullisht. Ata janë më të ekspozuarit e dy familjeve, pasi kanë kontakt të vazhdueshëm me njerëzit që i pyesin se çfarë ka ndodhur. Nga kjo ngjarje, qoftë vrasja e nënës së tyre, Elenit e më pas edhe arrestimi i të atit, Ilias, më shumë se këdo tjetër ka “prekur” dy fëmijët e mitur të tyre. Prindërit e të atit dhe së ëmës dhe të afërm të tjerë kujdesen që ata të mos shqetësohen, duke u përpjekur t’u mbushin mendjen se asgjë nga ato që flasin mediat dhe personat që ata takojnë nuk është e vërtetë. E megjithatë, kjo situatë fëmijët e mitur të Elenit i ka bërë edhe më shumë kureshtarë për të zbuluar të vërtetën. Sapo dëgjojnë zilen e derës që bie, qoftë në shtëpinë e tyre, apo edhe në shtëpinë e dajës, Vasil Dodit, ata të dy nxitojnë që të dalin në ballkon dhe të shohin kush është dhe çfarë kërkon. Ndërsa persona të tjerë, të afërm të familjes, kur mësojnë se pas portës ndodhen gazetarët, flasin vetëm nga citofoni, duke mos pranuar të japin asnjë koment rreth ngjarjes. Më pas bindin edhe fëmijët që të futen brenda, duke u shpjeguar se dikush kishte ngatërruar adresën.
Calypso
Calypso
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 36630
<b>Hobi</b> Hobi : shkrimi
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : ne hapat e jetes
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 21/05/2011

Vrasja e Elenit: Tre dëshmitarë vënë gishtin te Ilia Basho Empty Re: Vrasja e Elenit: Tre dëshmitarë vënë gishtin te Ilia Basho

Sun 26 Feb 2012 - 14:34
mjer mosha e rinia e saj .....dhe mjer ato fmi qe ngelen jetime
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi