Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Baret ne Tirane Empty Baret ne Tirane

Sun 4 Mar 2012 - 18:13
Të gjithë i lidh një fill i përbashkët. Në to nuk shkohet si kudo gjetkë, thjesht për rrufitur një kafe, për të rrëkëllyer një gotë, tymosur duhan, dëgjuar muzikë të përzgjedhur pa kujdes e shije, por çfarë i kap dora dhe veshi banakierit, e për të bërë thashethemnaja të rëndomta. Janë ndërtuar me një koncept të studiuar deri në detaj, ku edhe atmosfera e ambientit rreth e qark ka imponuar disa rregulla ndryshe, edhe pse në dukje janë bar-kafe si gjithë të tjerët, por ama në brendësi janë kaq ndryshe nga të tjerët. Nuk janë me doemos të pajisur me kolltukë komodë, ambazhurë marrë nga shpikjet më të fundit të dizenjuesve dhe arredimit nëpër botë apo tavanë të varur e piktura kopje të dobëta komerciale. Janë krejt e kundërta; karrige, stola me dru masiv, minderë pa asnjë lloj sfungjeri, ku mund të të vriten të ndenjurat, sende retro soc-realiste, kashtë, rrjeta peshkatarësh etj. Por janë bare që presin, zhvillojnë dhe përcjellin ato pak mesazhe, mendësi e koncepte avant guard që gëlojnë në Tiranën tonë.
Duke mëtuar dhe mëkuar njëlloj atmosfere, frymëmarrjeje, plot ndjesi që të shkëpusin nga realiteti e lartësojnë në çdo detaj këdo që fut këmbën aty. Pa përjashtim të gjithë shërbejnë jo vetëm pije dhe muzikë, jo thjesht radio e koncerte me muzikë komerciale, por muzikë ‘high class’, filma, koncerte, ekspozita, dokumentarë, libra, lojëra, gatime, e duke filluar edhe me një arredim krejt ndryshe nga të tjerët.
“Tirana Express”
Porritet edhe ‘Tirana Express’, bashkë me artistët e saj. Nga një magazinë e madhe dhe e braktisur soc-realiste në fund të një rruge të pluhurosur te Stacioni i Trenit, tashmë e ripërtërirë në funksion të artit. ‘E çelëm këtë qendër për t’i shërbyer promovimit të vlerave të gjithë artistëve të rinj, të cilët nuk kanë mundësi financiare të reklamohen nëpër media, televizione, festivale publikë, e që me shumë pak pará ose edhe pa pará mund të gjejnë një strehë ku të shpërfaqin talentet e tyre. Për gjithë ata që bëjnë një art jo komercial ama!”, shpjegon një nga drejtuesit e ‘Tirana Express’, Arbri Qytyku. Dhe tek salla e parë, mesatarisht çdo dy javë shfaqen koncerte artistësh të rinj, dhe sipërfaqja mbushet plot me spektatorë, atillë të rinj, ‘pari e qytetit’, që edhe në imazh përcjellin trendet më të fundit nëpër botë. Nuk mungojnë ekspozitat me instalacione, fotografi, piktura, të artistëve shqiptarë e të huaj, pa diskriminuar asnjë të talentuar. Por organizohen edhe work shope të ndryshme. Siç Arbri rrëfen dhe përsërit me sinqeritet, kjo qendër u hap jo për të fituar materialisht, por për të promovuar art. Brenda sallës gjendet edhe një bar, me një frigorifer të vogël, ku shërbehet sidomos birrë me gjysmën e çmimit që gjen në qendër të Tiranës. ‘Nëse e transformojmë gjithë hapsirën në bar, ç’qendër kulturore mudn të quhej?! Por dhe disa të ardhura na duhet t’i nxjerrim, që të përballojmë qiranë, energjinë, pagesat e këngëtarëve etj”, vazhdon shpjegimin Arbri. Tanimë ata janë në kërkim të donatorëve, që të mund të mos varen nga të tjerët për të krijuar kushte sa më të mira.
Klubi i grave ‘Teuta e re’
Lindi si një klub vetëm për gra. Ideja zuri fill gjatë një udhëtimi të dy drejtueseve të shoqatës ‘Në dobi të gruas shqiptare’ në vitin 1996 në jug të vendit. Në kohën kur hyrja e dy grave në një klub plot me burra në zonat rurale përbënte habi, tabu absolute. Nga aty mori shkak ideja e krijimit të një klubi vetëm për gra, së paku në Tiranë. Në vitet e para postkomuniste, kur ende thyheshin shumë zakone dhe rregulla të mbrapshta patriakale, gratë do të kishin një vend ku të përplasnin kokën me hallet e tyre. Nismuan një klub jo vetëm për çaj dhe kafe, por mbi të gjitha për t’u shprehur posaçërisht për problemet e tyre, të padëgjuara nga burrat. Për këtë arsye, u etiketua edhe si ‘klubi i amazonave’, sikur thurnin intriga dhe mallkime për burrat. “Por pak nga pak kuptuam se nëse do të jesh i pranueshëm nga të gjithë, duhet të jesh i hapur me të gjithë. Dhe u vendos që bar-kafeja të bëhej e hapur edhe për burrat, që në këtë mënyrë ata mund të qaseshin dhe kuptonin më mirë pikërisht gratë”, thotë Migena Mullanji, psikologe e qendrës. Aty në katin e parë të një vilete me stil nordik prej druri, dy katëshe, e rrethuar nga një oborr i vogël intim, i gjelbëruar mrekullisht gjithë pemë e lule. Në katin e parë ku ështëbari, muret mbështjellin vizualisht çdo vizitor me foto veprimtarish të shoqatës, ndërsa zyrat gjenden një kat më sipër. Mbi çdo tavolinë gjenden gjithmonë fletë të gjelbra, me kalendar aktivitetesh që zhvillohen aty apo aforizma me domethënie enkas për gratë. Në një shportë gjithë gazetat e ditës, por edhe gazeta ‘Diella’, e përmuajshme e shoqatës. ‘Që të kuptohet që këtu nuk është thjesht bar, e për shumë njerëz gjithë këto elementë shërbejnë edhe si një Piar për shoqatën”, analizon Migena. Rreth e përqark mund të pihet, hahet, edhe tymoset duhan, nga njerëz që hyjnë e dalin lirshëm si kudo tjetër. Një qoshe e preferuar edhe për regjisorin Fatmir Koçi, që nuk ka lidhje tjetër me barin, veç afeksionit për ambientin. Paraditeve funksionon si bar normal, ndërsa pasditeve iu lihet vend aktiviteteve të shoqatës.
“Pikërisht në klub ne zhvillojmë rreth tre aktivitete në muaj me gratë, duke dhënë herë informacione për kontraceptivët, herë për kancerin e gjirit, herë vizita falas. Sidomos ato më të pambrojturat dhe në nevojë, por jo vetëm ato. Kushdo mund të kthehet, të pijë një kafe ndryshe dhe të ndihet ndryshe nga gjetkë”
Retro… tek Radio
Një arredim retro-dizajn, soc-realist ‘Made inAlbania’, i cili ka dy vjet që josh të rinj, të cilët as nuk e kanë njohur këtë periudhë. Studentë, aktorë, gazetarë, inxhinerë, studentë, por edhe politikanë, që joshen prej thjeshtësisë aty. Njerëz që në thelb kanë natyrë që nuk priret drejt pompozitetit, komfortit mediokër, shkëlqimit. Njerëz të hapur dhe modernë, që i pranojnë njerëzit ashtu si janë. Që gëlojnë në shfaqjet dhe prirjet e tyre më liberale, individuale apo në grupe, brenda një sfondi ish-komunist. Kryesisht nën të tridhjetat. Moshë e cila edhe në shtëpitë e transformuara thuajse tërësisht të gjyshërve, nuk e ka njohur plotësisht arredimin tipik të viteve komuniste, ku shumë sende ishin prodhim ‘Made inAlbania’. Këta klientë ka pak a shumë në një bar me emrin ‘Radio’. Krejt arredimin e ka ‘si në kohën e Enverit’. Jo i imponuar apo i gjetur si i tillë, qoftë edhe gjysma-gjysma, por i konceptuar kësisoj me dëshirë nga fillimi në fund në çdo detaj. “Me zhvillimin e sotëm të teknologjisë, imazhi vizual i këtijbarishihet si muzeal, pjesë e kujtesës sonë kolektive. Është një periudhë që nuk ka kaluar pa lënë gjurmë, pavarësisht baltës që hidhet për atë kohë. Realisht ka një dizajn të bukur, që ne e gjejmë në gjithë muzetë e botës për këtë periudhë”, shpjegon një nga drejtuesit e barit.
Ai bashkë me ortakët e tjerë ka mbledhur sa andej këtej më shumë se njëqind karrige ‘të Enverit’, pa sfungjerë, por ortopedike të shëndetshme për mbajtjen e trupit, dru organik e jo plastik apo ngjizje metalike, 30% e të cilave prishen nga amortizimi i kohës. Llampadarë në formën e kazanëve të lavatriçeve, portmanto, komodina të vjetra, ambazhurë komodine, soba të vjetra Partizani të diktaturës, telefonë të vjetër deri 100-vjeçar, televizorë Lura, Butrinti, Ilira, e sidomos radio të vjetra të gjitha prej periudhës së ashtuquajtur ‘komuniste’. Njëqind radio gjithsej. E deri tek vazot e likerëve shumëformëshe, revistat ‘Ylli’, ‘Pionieri’, ‘Fatosi’. ‘Janë gjetur në kosha plehrash, janë kërkuar shtëpi më shtëpi, janë blerë në tregje të përdorurash. Gati na është bërë mani gjetja e këtyre orendive, gjetja e të cilave në fakt vjen duke u rralluar”, thonë drejtuesit e këtij ambienti. Pse Radio? “Pasi nënkupton komunikim, pasi kemi 100 radio të vjetra në bar”, shprehen drejtuesit. Ndërsa muzika jazz, elektronike largon disi të mo0shuarit që mund t’i joshte arredimi retro i kohës së tyre.
Tek “Tiki”
Jo thjesht vetëm për një pije apo sanduiç edhe tek ‘Tiki bar’.
Ideja e re erdhi prej një miku në ShBA, i cili iu kujtoi ortakëve që donin të investonin, se në gjithë botën ka ‘tiki bare’. Që do të thotë, vende që mbartin një lloj ekzotizmi afrikan, xhamajkian, zakonisht të përshtatshëm për t’u ndërtuar në plazhe. Pesë vjet më parë ngritën një qoshe në Tiranë, e cila do të bëhej më pas si “koshere bletësh’ për klientët.
E nisën duke i mëshuar së pari llojit të arredimit. ‘I porositëm në Kinë, por më pas orenditë i vendosëm nëpër vende sipas shijes sonë”, shpjegon një nga ideatorët, Helton Guri. E pasuronin herë pas here me lloj-lloj rrjeta peshkatarësh, litarë anijesh, të marra në Durrës, yje deti, perde pëlhurë, kashtore dhe kallamishte pa fund, në ndonjë cep dizenjime femrash afrikane nudo me tabaka dhe pije në dorë, nga një klient student pikture. Karrige të lyera me bojë vaji në ngjyra të forta, e të qeshura, stil pop. ‘Shumë sende na i kanë pëlqyer, na i kërkuar e marrë klientë tanë të vjetër. Ishte së pari ky lloj arredimi që bëri të mblidhen njerëz që tërhiqen nga disa lloj konceptesh dhe zakonesh; të veshurit thjesht dhe lirshëm, fundja edhe me tuta shtëpie, pa flokë të krehura, taka e parfum përsipër. “Këtu mund të vish si të duash! Ka shumë drejtues institucionesh që shfaqen mbrëmjeve, të rehatuar nga kostumet dhe kravatat, e që ndihen tek ne si në shtëpi. Aty ka edhe një kalendar të pasur javor sistematik. Të hënën në ambientin numër dy të barit, i pajisur me minderë të stërzgjatur e shilte, në orën nëntë gjen gjithmonë një film komedi. Të martën ka lojëra me letra monopoli, xhenga, ludeo, tip lojërash ‘mos u nxeh!’. Të mërkurën është gjithmonë barbekyja, brusketat dhe salçiçet. Ndërsa të enjten, të premten, të shtunën, të dielën ka party me muzikë që nuk gjendet nëpër radiot dhe baret e zakonshëm.
Aleanca LGBT
Homoseksualët kanë krijuar një qendër të re e komplekse të tyren. S’ka dy muaj. Një vilë e vogël diku në qendër të Tiranës, adresën e të cilës nuk duan ta identifikojnë për t’u mbrojtur. Aq heshtje dhe anonimat që mbështjell ambientin jashtë portës, ku nuk gjendet asnjë mbishkrim apo tabelë, po aq në të kundërt shpërthen gjallëria e beftë sapo hapet porta e ‘Aleancës LGBT’. Orë të vona të pasdites dhe oborri është i mbushur plot nga djem e vajza, të komunitetit të homoseksualëve, kush duke luajtur ping-pong, kush duke biseduar, por të cilëve çuditërisht nga jashtë nuk iu ndihet zëri, nuk përcillet asnjë lloj gjurmë jete nga aty brenda.
Në sallonin pritës, të përshëndesin shpenguar grupe apo çifte, kush duke pirë një çaj, kush duke biseduar, dëgjuar muzikë, parë dokumentarë apo lundruar në internet e dikush tjetër duke i rënë kitarës apo tërhequr nga rafti e shfletuar e diskutuar ndonjë libër në anglisht mbi homoseksualët, duke bërë punët e shtëpisë apo duke gatuar, edhe me një rend dite të caktuar. Nëpër mure gjen varur emra të mëdhenj botërorë që njihen për homoseksualitetin e tyre si Virginia Woolf, Angelina Jolie, Oscar Wilde, Ricky Martin etj dhe një nga objektete e bisedave të tyre është edhe të flasin për jetën komplekse të këtyre ‘heronjve të guximshëm për të qenë vetvetja’ nga të cilët duhet të marrin shembull. Në pamje të parë asgjë nuk ndryshon mes zakoneve të tyre dhe atyre që nuk i përkasin të njëjtave prirje seksuale. Por pikërisht për t’i shpëtuar përndjekjeve, përçudnimeve të të tjerëve, familjes, miqve, të njohurve dhe të panjohurve, të rinj LGBT, gay e lesbikë nga Tirana kanë gjetur një strehë ku mund të rrinë pa u trazuar në botën e tyre. Ku nuk i shohin shtrembër apo i nxjerrin jashtë, nëse çiftet më të guximshëm puthen, por gjejnë atë mirëkuptim, çtensionim, intimitet si gjithë të tjerët. Madje duke u argëtuar dhe kaluar kohën çdo pasdite më bukur se shumë të rinj heteroseksualë. “Disa e kanë vështirë të fshihen nga mënyra e të folurit, qëndrimit, lëvizjet, veshja, disa përpiqen të shtiren. Katër-pesë vetë ka që e pohojnë publikisht ndër ne seksualitetin e tyre, edhe pse ky numër vjen në rritje. Kështu që në këto kushte, në qendër kanë mundësi të bëjnë njohje të reja, të krijojnë miqësi, të dashurohen, të flasin rreth problemeve të tyre, se si e kanë kuptuar homoseksualitetin, të marrin një mendje, të kërkojnë zgjidhje, mësojnë gjuhë të huaja etj. Lidhjet në çift janë problematike dhe me sfida edhe për ata që nuk janë si ne, imagjino për homoseksualët që kanë edhe të tjera problematika shoqërore”, shpjegon aktivistja dhe drejtuesja e qendrës, Xheni K. Ka që vijnë gjatë gjithë ditës madje edhe nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, të cilëve Tirana iu duket parajsë, në krahasim me qytetet ku jetojnë.
Nuk e harrojnë ditën e Shën Valentinit, kur një fqinjë 60-vjeçare i lumturoi pa masë kur nga ballkoni i pallatit afër u hodhi një kuti me çokollata ku kishte shkruar “Masa e dashurisë është të dashurosh pa masë. Jeni djem dhe vajza shumë të mirë!”
‘Ka shumë homoseksualë besimtarë që shkojnë në kishë apo xhami. Ne këtu në qendër festuam dhe Krishtlindjet. Zoti na ka bërë ne të tillë dhe në shkrimet e shenjta nuk ka pasur asnjë gjykim për homoseksualët. Këto feja i ka bërë më vonë”, shton Xheni K.Tirana chat
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi