Durrës, ekspozohen 380 objekte etnografike
Thu 8 Mar 2012 - 20:40
Galeria pamore e Durrësit “Nikolet Vasia” ka mirëpritur për herë të parë që nga hapja e saj, një ekspozitë të veçantë, kushtuar e gjitha etnografisë. Merita për mbledhjen, seleksionimin dhe ekspozimin e kësaj trashëgimie kulturore të trevave shqiptare i përket koleksionistit Lulëzim Perati. Për rreth 23 vjet me radhë, Perati ka grumbulluar në të gjitha krahinat e vendit tonë rreth 380 objekte artistike si stoli grash dhe burrash, kostume popullore, ora, qostekë, furka, punime artizanati etj., një koleksion që do ta kishin zili muzetë etnografikë të çdo qyteti shqiptar. Veç udhëtimeve personale në treva të ndryshme, në kërkim të punimeve artistike, që dokumentojnë kostumografinë dhe etnografinë shqiptare në shekuj, koleksionisti Perati bën të ditur se shumë pjesë të koleksioneve të tij i ka blerë në Pazarin e Krujës apo në dyqane të punimeve artizanale në qytete të ndryshme të vendit, si Tiranë, Elbasan, Shkodër etj. Plotësimi i çdo koleksioni ka kërkuar shumë punë dhe vite të tëra për kompletimin me të gjitha elementet përbërëse të tij. Kompleti i stolive të argjendta të Zadrimës, Librazhdit, Çamërisë, Elbasanit, Krujës etj., që i përkasin shekullit XIX-të, dëshmon më së miri në radhë të parë pasurinë etnografike të vendit tonë, për të cilën kanë folur mjaft edhe etnologët e huaj, e në radhë të dytë impenjimin maksimal të Peratit për të plotësuar deri në detaje të gjithë komponentët përbërës. Siç thotë edhe ai vetë, shtëpia e tij në Shijak është kthyer në një minimuze, ku çdo ambient ka objekte të ekspozuara, madje edhe në dhomat e gjumit. Pasurimi i koleksionit me të tjera objekte mbetet një nga prioritetet e koleksionistit, i cili kërkon tashmë ta zgjerojë atë edhe me punime artistike të trevave të Kosovës, të njohura për larminë e madhe të veshjeve tradicionale dhe komponentëve të tjerë të kostumeve popullore. Koleksioni i Peratit ka një kohështrirje prej më shumë se tre shekujsh, pasi objekti më i vjetër daton në mesin e shekullit XVII-të. Të gjitha punimet artistike, kostumet popullore dhe stolitë e ndryshme, megjithëse janë pjesë e koleksionit të Peratit, janë të regjistruara pranë Qendrës Kombëtare të Inventarizimit. Për asnjë moment Perati nuk ka menduar të shesë ndonjë nga koleksionet e tij, megjithëse antikuarët do të ishin të gatshëm të ofronin shuma të mëdha për të bërë të tyret pjesë të këtij koleksioni. Ai shprehet se edhe fëmijëve, të cilëve do t’ua lërë trashëgimi këtë pasuri të vyer, do të kenë të drejtën vetëm ta ruajnë e pasurojnë, por jo ta shesin. Objektivi i tij në të ardhmen është hapja e një muzeu etnografik, ku të ekspozohen të gjitha objektet e blera prej tij. Hapja e kësaj ekspozite etnografike vjen në vazhdën e aktiviteteve kulturore që Bashkia e Durrësit dhe institucionet e tjera kulturore po zhvillojnë në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi