Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
avatar
Legjenda
Anetar i perjashtuar
Anetar i perjashtuar
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 40
<b>Postime</b> Postime : 5560
<b>Hobi</b> Hobi : FUTBOLL
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : ne vendi e dashur quhet tetova
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 19/02/2012

Zbulohet flamuri, me të cilin u varros Ismail Qemali Empty Zbulohet flamuri, me të cilin u varros Ismail Qemali

Mon 12 Mar 2012 - 0:12
Në vitin kur Shqipëria do të kremtojë 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, identifikohet edhe flamuri kuq e zi me të cilin u varros plaku i urtë i Vlorës, Ismail Qemali në 12 shkurt të vitit 1919, në qytetin e Vlorës dhe në rivarrimin e tij në 28 nëntorin e vitit 1932 në “Sheshin e Flamurit” në Vlorë, raporton agjencia e lajmeve NOA

Zbulimin e rëndësishëm për këtë vit historik për Shqipërinë e bënë dy studiuesit e Qendrës së Studimeve Albanologjike, Frederik Stamati dhe Ariola Prifti.

Studiuesi i etnografisë Frederik Stamati deklaroi për agjencinë e lajmeve NOA.al se flamuri me të cilin u varros Ismail Qemali u zbulua në 2 dhjetor 2011 në Fondin etnografik të Qendrës së Studimeve Albanologjike.

“Kjo përbën një ngjarje tejet të rëndësishme, që nuk mund të komentohet”, thotë Stamati.

Ai rrëfen rrugëtimin e këtij flamuri deri në fondin etnografik të shtetit.

Këtë flamur ia kishte dhuruar Ismail Qemalit duka i Monpasiesë në mars të vitit 1913, kur vizitoi Vlorën, dhe gjatë varrimit të Ismail Qemalit flamurin historik, e mbante me vete djali i madh i Ismail Qemalit, Et’hem Bej Vlora.

Mandej flamurin, me të cilin u varros Ismail Qemali, Et’hem Bej Vlora ia dhuroi Muzeut Kombëtar.

Stamati thekson se ngjarjen e vërtetojnë edhe disa dokumente që gjenden në Arkivin e Shtetit.

Flamuri i identifikuar është i plotë, por ka dëmtime të shumta, ndërsa ngjyra e kuqe e tij është zbehur nga veprimi i diellit.

“Duket të jetë pis. Duhet restauruar. Do të jetë një punë jo e lehtë në gjendjen që është ai”, thotë studiuesi Stamati.

Ai bën me dije se puna për identifikimin e flamurit nisi dhjetë vjet më parë, pasi ishin plot 18 flamuj që ruheshin në fondin etnografik, dhe pikërisht flamurit të duhur i erdhi radha në 2 dhjetorin e vitit të shkuar.

Stamati rrëfen se 18 flamujt, mes të cilëve edhe ai që mbuloi arkmortin e Ismail qemalit, erdhën në fondin etnografik në vitin 1957, kur fondi u bë pjesë e Muzeut arkeologjik-etnografik, që mori jetë me krijimin në po këtë vit të Universitetit të Tiranës, Institutit të Histori-Filologjisë.

Deri në vitin 1946 flamujt ishin ruajtur në Muzeun Kombëtar dhe Bilbliotekë.

Stamati thotë se flamujt u mbuluan me mister pasi nuk pati asnjë dokument për historinë e tyre.

Ai evidenton se “i ndjeri Rrok Zojsi, themeluesi dhe shefi i etnografisë dhe i fondit etnografik, e kishte me të dëgjuar se dikush i kishte dorëzuar flamujt pa dhënë ndonjë sqarim për ta, duke thënë: merrini dhe ruaini edhe këta! Punonjësja më e vjetër e fondi etnografik Znj. Pandora Plaku, kujton edhe në ditët e sotme porosinë e Rrok Zojsit, që të kujdeseshin për këta flamuj, dhe t’i ruanin nga infeksionet e insekteve dhe nga dëmtime të tjera”, thonë studiuesit Frederik Stamati dhe Ariola Prifti.

“Pavarësisht nga të dhënat e grumbulluara deri më sot, rëndësia e këtij flamuri dikton domosdoshmërinë e studimeve gjithnjë edhe më të gjera për të ndriçuar maksimalisht këtë simbol kombëtar”, nënvizon studiuesi.

Ai thotë se flamuri me të cilin u varros Ismail Qemali do të ekspozohet përkohësisht në mjediset e Qendrës së Studimeve Albanologjike për të kujtuar përvjetorin e vdekjes së Plakut të Urtë të Vlorës.

Ja si rrugëtoi deri më sot Flamuri Kuq e Zi që mbuloi trupin e Ismail Qemalit:

Dokumentet historike tregojnë se Ismail Qemali vdiq në Peruxhia të Italisë, në hotelin “Brufani” më 26 janar të vitit 1919, sipas Fjalorit enciklopedik shqiptar.

Në darkën e 10 shkurtit 1919 luftanija italiane “Alpino” solli në Skelë të Vlorës arkivolin me trupin e pa jetë të njeriut të madh.

Në atë kohë Vlora ndodhej nën pushtimin Italian, andaj u vendos që Ismail Qemali të varrosej në Kaninë, në varrezën familiare të familjes Vlora, me që në qytet nuk kishte mundësi urbanistike.

Komanda italiane, i frikësohej rebelimit popullor që do të sillte hidhërimi për vdekjen e Ismail Qemalit, andaj urdhëroi që në ceremoninë e varrimit të mos përdorej asnjë flamur shqiptar.

Por, një ceremoni e tillë ishte poshtëruese për ndjenjat e një populli, patriotizmi i të cilit mbushte grykën e pushkës, thonë historianët.

Këshilli bashkiak i Vlorës këmbënguli në përdorimin e simbolit shqiptar, dhe vetëm pas kësaj komanda italiane duke kuptuar ultimatumin atdhetar lejoi që gjatë ceremonisë arkivoli të mbulohej me flamurin shqiptar.

Arkivoli u mbulua me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë dhe i gjithë kombi u përkul me nder mbi njeriun që e ngriti kombin shqiptar në përjetësi.

Gjatë ceremonisë u ekzekutua hymni mbretëror Italian dhe më pas kortezhi i gjatë u nis për në Kaninë, ku banda ushtarake do të ekzekutonte melodinë e përmortshme “Jone” të kompozitorit italian Petrella.

Kortezhi prihej nga dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga “Djelmoshat e Vlorës”, të shoqërisë me po këtë emër.

Kurorat me lule përcillnin nderimin dhe dashurinë e popullit të Vlorës, nga shkollat, nga shoqëria “Djelmoshat e Vlorës” dhe nga gazeta “Kuvendi”. Mbas tyre vinte “Shoqëria djaloshare”, më pas ecte banda ushtarake që luante marshin funebër.

Mbas bandës ushtarake ishin vendosur ushtarët e regjimentit 86 dhe reparti i mitralierëve italianë dhe më pas ecte karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq dhe shqiponjën e zezë, e nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh.

Karroca me arkmortin ku ndodhej trupi i burrit të madh të kombit ndiqej nga grupi i hoxhallarëve dhe mbas tyre vinin tre djemtë e Ismail Qemalit, e më pas gjenerali Settimo Pacentini, kundëradmirali Lrubetti, autoritetet ushtarake dhe civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë.

Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit.

Të njëjtin flamur ata e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në “Sheshin e Flamurit” me 28 nëntor 1932.

Mbas kësaj Et’hem Bej Vlora, i biri i Ismail Qemal bej Vlorës ia dhuroi flamurin Muzeut Kombëtar.

Ja dokumentet e Arkivit të Shtetit që vërtetojnë zbulimin:

Në Arkivin e Shtetit ruhen disa dokumente që vërtetojnë ngjarjen:

Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1933, dosja 173.

“MBRETNIJA SHQIPTARE

PREFEKTURA MBRETNORE

VLONЁ Nr. 172

Vlonë me 21. Kallnuer. 1933

P.T.

Ministris Aresimit

Tirane

Kétu ngjitun kemi nderin me Ju paraqite process-verbalin e mbajtun me rastin e marrjes né dorézim té Flamurit qé ashte ngritun pér té parén here né Vlone, prej Patriotit Ismail Qemalit.

Gjith ashtu né pako te veҫnté dhe po me kété shkresé dérgohet edhe Flamuri né fjalé.

Shtojme se me gjithqe Z. Etéhem Vlora pretendon se ky Flamur ashte ngritur pér té parén here né ndértesén Qeveritare me doren Atit tij, por nga sa kemi hetue ky Flamur ashte ngritur me té vértet mem 28 Nanduer 1912, por jo né ndértesén Qeveritare, por né Zyren e doganave né Vlone.

Lutemi me na njoftue marrjen né dorézim.

Prefekti

A. Nepravishta”

Shkruar me dorë:

“T’i dërgohet ky

flamur Bibliotekës”

Nën këtë shënim, është një tjetër, që konfirmon marrjen e flamurit në dorëzim:

“asht këtu në bibliotekën t’onë”

(firma)

28/10/33

Vijojnë disa vula dhe firma dhe në fund:

“Marrë në dorëim me 29-X-933”.

Po paraqesim edhe proces-verbalin shoqërues:

“PROCES-VERBAL

Sot mé 28 Nanduer 1932, ditén e Héné, me rrastin e transferimit té eshtravet té shénjtorit té Kombit té ndjerit Ismail Qemalit nga Kanina né Pemendoren kujtimore té ngrehun prej N.M. Tij Mbretit dhe né pranie té Pérfaqesuesit té N.M.Tij Mbretit Shkelqésis sé tij Gjeneral Leon De Gjilardi dhe té shkelqesave té tyne Z.Z. Hil Mosi, Ministér i Arésimit, Milto Tutulani, Ministér i Drejtésis dhe té Prefektit té Vlonés Z. Abedin Nepravishta, Zoti Ethem Bej Vlora, i biri i té ndjerit Ismail Qemal pér kujtim Kombétar i dorézoj Prefektit té Vlonés Flamurin Kombétar té cilin mé 28 Nanduer 1912 ati i tij Eroj i Kombit i ndjeri Ismail Qemal e ngriti né qytetin e Vlonés tue prokllamuar indinpendencén e Shqipnisé pas shumé shekujsh rrobnije.

Kété Flamur té shenjté Prefekti i Vlonés ja dorézoj Ministrit té Arésimit Shk. tij Z. Hil Mosi pér t’a dépozituar né Muzeun Kombétar né Tirané.

Pér sa ma nalté u redaktua ky Proces-Verbal i mbajtun né katér kopje dhe i nénéshkruem prej té gjithéve qe pérménden ma sipér.

Ministri i Arésimit Ministri i Drejtésis Pérfaqesuesi i N.M.Tij

Hil Mosi Milto Tutulani Mbretit

Gjeneral Leon De. Gilardidrejt

I biri i té djerit Prefekti i Vlonés

Ismail Qemal A. Nepravishta

Etem Vlora”

Nga shkresa e mëposhtme, e firmosur nga vetë ministri i arsimit Mirash Ivanaj, vërtetohet se flamuri i u dorëzua Muzeut Kombëtar. E citojmë:

Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1933, dosja 173.

“ MINISTRI E ARSIMIT

Nr. Prot. 1208. Dërgohet Flamuri Komtar i ngrehun për herë të parë në Vlonë.

Drejtoris së Muzeut Komtar, Tiranë

Këtu ngjitun i dërgojmë asajë Drejtorije kopjen e process-verbalit të mbajtun me 28 Nanduer 1932 mbi flamurin komtar qi asht ngreh për herë të parë nga i ndjeri Ismail Qemali në Vlonë.

Për njiherit me këto shkresa ju dërgojmë dhe kët flamur historik për t’a ruejtun me kujdes në muzeun komtar.

Ministr’i Arsimit

Mirash Ivanaj (firma)

Nisur me 6/XI/1933”

Kështu, në bazë të këtij dokumenti, Shqipëria u bë me flamur kombëtar. Por kjo nuk ishte e vërtetë. E vërtetojnë mohimet që i u bënë faktit të servirur nga dëshmitarët e atyre ngjarjeve, që detyruan autoritetet e kohës të bënin verifikime të shumta, për të sqaruar të vërtetën. Mirëpo patriotizmi vulosi mendimin. Për shumë kohë u besua se flamuri i pavarësisë ndodhej i ruajtur në Muzeun Kombëtar. U desh kohë që ngatarresa të shpështillej, por kjo është ҫështje që nuk lidhet me këtë shkrim, aq më tepër që është sqaruar.

Vijojmë të paraqesim dokumente të tjerë që shkojnë më pranë të vërtetës.

“M.A.

Nri 402/749

Flamuri i Vlorësë

Mënistërijës’ së Arësimitë

Q y t e t

Bashkë me shkresën’ Nri 1208 të së 6s’ së këtij muaji, të shoqëruarë me verbalin’ e endur’në Vlorë më 28 të Vjeshtës’ së Tretë 1932. Muarëm’ në dorëim:

Flamurin’ kombëtar që shtolli në Vlorë vetë Ismail Qemal Vlora, mbë 28 të Vjeshtës së Tretë 1912.

Ky flamur zu vëndin’ në rjeshtën’ e kujtimevet’ t’ tjerë, me vlejë të jëstorijëtë, që ruhen’ në Tiranë, 9 Vjesht’ e Tretë 1933

Drejtori

(Firma dhe vula )

Ngjitur’ pas kësaj’ dorë-dëftesa

e jonë Nri C. 208”

Dokumenti: AQSH, Fondi 195, viti 1936, dosja 62.

“Flamuri i Vlorësë

Për punën, e flamurit’ kombëtar që valoj në Vlorë për here të pare ditën’ e të lëҫiturit’ të Shqipërijsë mbë krye të vehtë, Zoti Et-hem Bej Vlora, bir i të ndjerit Iamail Qemal Bej Vlora, pati mirësijën’ të shtronjë këta kujtime:

flamuri upat nga shtëpija e Zotit’ Syreja Bej Vlora. (Shënim nga F.Stamati: fjalët, “nga shtëpija e Zotit’ Syreja Bej Vlora”, janë të shuara me një vijë përsipër).

Pëlhura e flamurit’ qe e leshtë dhe shkaba e shtampuarë; nuk’ mban mënt të ketë pasur,’ theka o kravatë.

Të madhët’ të tijë, gjer sa mund të caktohet’ me të maturë syri, munt të qe afëro 0 m. 80 për së gjati, dhe 0 m. 50 për së gjëri.

Sa për fundin ‘ e këtij, flamuri Zoti Et-hem Bej Vlora ësht’ i mejtimit’ se flamuri nuk’ ka qënë shdukurë, po se ndodhet’ i ruajturë në Shqipërijë, ndër duar’ që do të kujtohen’ ndofta ndonjë ditë t’i a falin’ Muzejës’ Kombëtare.

Tiranë, 10 shkurt 1936”

Më poshtë, në të majtë, është vula e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, si dhe firma, ndërsa në të djathtë, firma e Ethem Bej Vlorës. Poshtë ka një shënim:

Zoti Et-hem Bej Vlora ndreqi me dorën’ e vehtë:

“nga shtëpija e Zotit’ Xhemil Bej Vlora”.

Ёshtë me interes edhe një dokument tjetër:

Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1936, dosja 62. Po e citojmë: “Flamuri i Doganës’ së Vlorësë.

Me shkresën’ e Mënistërijës’ së Arësimitë Nri 1208 të së 6s’ së Vjeshtës’ së Tretë 1933, i udorëzua Muzejës’ Kombëtare një flamur i trajtuarë prej dy fijesh pëlhure të leshtë, 1 m. 45 i gjatë dhe 0 m. 95 i gjërë, me shkabën’, me dy krerë dhe me krahë të shtallurë mbë të përpjetë, pa theka dhe pa kravatë.

Pas shkresës’ që i përsillte Muzejës’ Kombëare këtë flamurë, janë mpështeturë:

një verbal me ditë 28 të Vjeshtës ‘ së Tretë 1932, në të cilin’ kan’ vënë duarëtë:

Përfaqësi I L. Madhërijës’ së Tijë Mbëretitë, Gjeneral Leon de Ghilardi,

Ministri i Arësimitë, Hil Mosi,

Ministri i Drejtësijësë, Milto Tutulani,

Zoti Et-hem bej Vlora, përfaqësi i Fëmijës’ së të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë, Prefekti i Vlorësë, A. Nepravishta.

Në këtë verbal është shënuar se flamuri i dhuruarë Muzejës’ Kombëtare është muu ay që pati ngriturë në Vlorë me dorën’ e vehtë i ndjeri Ismail Qemal Beu, të 28në të Vjeshtës’ së tretë 1912.

një shkresë e Prefekturës’ së Vlorësë, Nri 172 me ditë 21 Jenar 1933, në të cilën’, ndër t’ jera, është shënuarë se si pas kërkim’ e hetimeve të bërë nga Prefektura e Vlorësë, ky flamur nuk ‘ ka qënë ngritur’ kurrë mbi ndërtesën’ qëverritare as ditën’ që ulëҫit të krye-mbë-vehtët’ të Shqipërijésë as mëë pas, po ka valuarë vetëmë për një kohë të gjatë mbi godinën’ e Doganës’ së detitë të Vlorësë.

Për të kthillurë këtë pikë ukërkuanë hollësija nga Zoti Et-hem Bej Vlora, i cili pati mirësijën’ të apinj’ këta shënime: flamurin’ që iu dorëzua Muzejës’ Kombëtare, i a fali të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë Duku i Monpansierit’, kur pat’ ardhurë në Vlorë, nga Marsi i vitit’ 1913.

qëverrija e Shqipërijësë e përdori për Doganën’ e Vlorësë, mbi ndërtesën’ e së cilësë valoj gjer ditën’ që Ismail Qemal Beu hoqi dorë nga Kryesija e Qëverrijësë.

mbë t’ ularguarë nga Vlora Ismail Qemal Beu, kërkoj të ketë si kujtim një nga flamuret’ të Qëverrijësë; usgjoth ky flamur dhe i udorëua Zotit’ Et-hem Bej Vlora, i cili e pati me vehte gjatë kohës’ që bashkë me t’ anë undodhën’ ndëpër Evropë.

ditën’ që i ndjeri Ismail Qemal Vlora ndërroj jetë në Perugia të Italijësë (25 Jenar 1919) Zoti Et-hem Bej Vlora mbuloj trupin’ e t’et me këtë flamur.

kur upru i vdekuri në Vlorë dhe uvendos në sallën’ e fllugërijës’ së përmortëshme, që pati navaturë Kumanda e Ushtërijës’ Italjane, prapë ky flamur under mbi arqivolin’ e të vdekuritë.

gjatë përsjellës’ së trupitë nga Vlora në Kaninë, arqivoli qe mbuluarë me po këtë flamur.

edhe ditën’ që eshtërat’ të të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë umbartën’ nga Kanina në Vlorë, për t’ ukallurë në varrin’-monoment, që ngrehu Qëverrija Mbëretërore e Shqipërijësë, ky flamur qe nderur’ mbi arqivolin’ edhe gjatë rrugësë edhe gjer sa mori funt shërbesa e të kalluritë, pas së cilësë Zoti Et-hem Bej Vlora u a dorëzoj Përfaqësvet’ të Qëverrijësë Mbëretërore, si kujtim për t’ uruajtur’ në Muzejën’ Kombëtare.

Tiranë, 10 Shkurt 1936”

Më poshtë, majtas, është firma dhe vula e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, ndërsa djathtas firma e Et-hem Bej Vlorës.

Irma Toptani/NOA/
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi